Gjatë fjalimit të tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se përurimi i këtij projekti të trafikut urban është një proces i rëndësishëm i zhvillimit të qytetit
PRISHTINË – Në Prishtinë sot u prezantuan 15 autobusët e parë të projektit të reformimit të trafikut urban në kryeqytetin e Kosovës. Në prezantimin e tyre morën pjesë ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, zëvendësdrejtoresha në Departamentin për Infrastrukturë Komunale dhe Mjedisore në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) Lin O’Grady, Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy, Drejtoresha për Kosovë në BERZH Elena Petrovska si dhe anëtari i Bordit dhe Drejtor Industrial në IVECO Bus, Antoine Garnier.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti tha se përurimi i këtij projekti të trafikut urban është një proces i rëndësishëm i zhvillimit të qytetit. Duke vënë në dukje se numri total i autobusëve të rinj do të jetë 51, Ahmeti tha se “Sot pas 3 viteve jemi këtu me autobusët e rinj pas shumë diskutimesh dhe shumë analizash që t’i kemi këta autobusë sot në Prishtinë. 15 autobusët e dytë vijnë me 23-24 janar dhe 21 autobusët e fundit të kësaj pjese do të vijnë në muajt mars-prill’.
Ahmeti po ashtu vuri në dukje se ky numër nuk është i mjaftueshëm, duke shtuar se Prishtina ka nevojë për rreth 160-200 autobusë. Ai shtoi se kredia e dhënë nga BERZH-i është jashtëzakonisht e favorshme, duke vënë në dukje se përveç kredisë, një pjesë rreth 1 milion euro është asistencë teknike për reformimin e kompanisë së trafikut urban.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se këto projekte tregojnë për rëndësinë që ia kushton qeveria kryeqytetit të vendit dhe vuri në dukje se ky projekt do të replikohet edhe nëpër 4-5 qendra tjera kryesore të Kosovës, ku ka nevojë për autobusë modern.
“Ky është një ndër projektet më të rëndësishme që ka mbështetur Qeveria e Kosovës për Komunën e Prishtinës, do të vazhdojmë edhe me projektet tjera. Si Qeveri dhe Komunën e Prishtinës besoj këtë vit mund të fillojmë edhe me fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza dhe stadiumin olimpik dhe projektet tjera”, tha Hoti.
Nga ana e saj, zv/drejtoresha Lin O’Grady, theksoi se ky është projekti i parë i BERZH-it që ndërlidhet me një komunë dhe me Kosovën në tërësi dhe shtoi se do të vazhdojë për projektet tjera që pritet të vijojnë.
“Ky projekt i autobusëve i dorëzimit të autobusëve është pjesë e një memorandumi të mirëkuptimit që ne kemi nënshkruar me Komunën e Prishtinës, që është më i gjerë dhe nuk përfshin vetëm autobusët dhe kjo nënkupton që mbështetja e BERZH-it dhe financimi i BERZH-it do të zgjerohet më tutje përtej fushës së transportit publik”, tha O’Grady.
BERZH-i përdorë fonde të qeverive të ndryshme, ku në këtë projekt ka përdorë fondin e qeverisë çeke. Me këtë rast ambasadori i Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy tha se Republika e Çekisë mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, jo vetëm në fushën politike por edhe për përmirësimin e standardeve të jetesës së njerëzve.
Pas fjalimeve pjesëmarrësit bënë një udhëtim të shkurtër me autobusët e rinj rreth qytetit të Prishtinës.
Marrëveshja për furnizimin e komunës së Prishtinës me autobusë të rinj, në mes të ndërmarrjes “Trafiku Urban” dhe kompanisë çeke “Iveco”, si fituese e tenderit u arrit në shtator të vitit të kaluar. aa
Komentet