Ish-Senatori republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, ish-Kongresist, ish-Senator, ish-Kryetar i Partisë Republikane, ish-kandidat për president i kësaj partie dhe ish-udhëheqës i Senatit Amerikan – por mbi të gjitha, njëri prej miqëve më të mëdhej i shqiptarëve në Amerikë, ish-Senatori Bob Dole ndërroi jetë javën që kaloi në moshën 98-vjeçare. Ai njihej për dekada si kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur, përfshirë shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, por jo vetëm. I ndjeri Senator Robert (Bob) Dole njihej, përveç të tjerash, edhe si një politikan praktikues dhe promovues i artit të kompromisit parimor në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti demokrat, Joe Biden e cilësoi Senatorin republikan Bob Dole, një “gjigant të historisë tonë”
Në artikullin e fundit botuar në gazetën, USA Today, i cilësuar tani si “mesazhi i fundit publik” para se të ndërronte jetë me 5 Dhjetor, 2021, ish-Senatori Dole thekson rëndësinë e atij që ai e ka quajtur si “kompromis parimor”, Sen. Bob Dole’s final column: ‘Too many of us have sacrificed too much’ (outline.com), në diskursin politik në Washington, por edhe më gjërë.
Në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara, kompromisi politik është praktikuar dhe respektuar si parim, duke filluar nga baballarët e këtij kombi që në fillim të themelimit të Amerikës: që nga Xhejms Madisoni e deri tek Presidenti Ronald Reagan. Gjatë periudhave të ndryshme të historisë amerikane, mund të gjënden shumë raste, kur në politikë është përdorur parimi i kompromisit për të arritur fitore ndërtuese me rëndësi historike dhe jo si një shenjë dobësie ose dorëzimi para një kundërshtari politik. Por, me largimin nga skena politike, të personaliteteve të njohura të politikës amerikane, si senatorët Robert Dole dhe Xhon Mëkejn, kompromisi parimor në politikë, përdoret pak ose aspak, midis dy partive kryesore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, madje përdoret shumë pak edhe brenda partive, sikur “ka dalur mode”. I vetëdijshëm për këtë realitet politik këtu në Amerikë dhe në botë, para se të kalonte në atë jetë, Senatori Dole la pas, porosinë e fundit për politikën amerikane në një artikull të botuar në gazetën kombëtare USA Today duke bërë thirrje që të mos hiqet dorë nga kompromisi parimor në debatet politike, sidomos në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Ish-Presidenti republikan, Z. Ronald Reagan me ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratin Z. Tip O’Neill – praktikues të artit të kompromisit në politikën amerikane për të mirën e përbashkët të atdheut. Siç duket në një moment marrëveshje kompromisi midis tyre. Ish-Presidenti Ronald Reagan dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Z. Tip O’Neill – dy amerikano-irlandezë, njëri siç cilësohej si, “ekstremist i djathtë” dhe tjetri “ekstremist i majtë”, sidomos sa u përkiste çështjeve të brendshme të Amerikës, njihen si dy politikanë amerikanë, që bënin kompromis për të arritur ndonjë sukses për vendin. Megjithë pikëpamjet e tyre politike, shpesh krejtësisht të kundërta me njëri tjetrin, ata njiheshin si, “miq pas orës 6 në mbrëmje”, kur takoheshin për ndonjë gotë “scotch”.
“Bashkëpunimi është sot më i nevojshëm se kurrë në Washington”, ka shkruar Dole, disa ditë para se të ndërronte jetë. “Gjatë viteve që kam shërbyer në Kongresin amerikan në Washington, republikanët dhe demokratët ishin kundërshtarë politikë, por ishin gjithashtu edhe miq e kolegë, me njëri tjetrin. Mësova herët” – në karrierën time politike-, vazhdon Senatori i ndjerë “se ishte pothuaj e pamundur të arrije gjë ose të realizoja ndonjë fitore politike, nëse nuk bëja kompromis: jo kompromis me parimet e mia, por ishte e nevojshme të bëja kompromis me gatishmërinë time, për të parë anën tjetër të argumentit, argumentit të kundërshtarit. Ata që sugjerojnë se kompromisi është një shenjë dobësie, keqkuptojnë krejtësisht forcën themelore të demokracisë tonë”,- ka shkruar Senatori Robert Dole në artikullin e fundit, botuar në gazetën USA Today, pak ditë para se të ndërronte jetë, javën që kaloi.
“Të mbështesim meritat dhe vlerat e demokracisë amerikane, duke provuar se nuk është e nevojshme që të jemi dakort për çdo gjë, për të arritur marrëveshje për disa gjëra”, ka porositur Dole, duke shtuar se, “Historia jonë është plot me debate politike dhe përçarje të thella, por, kolektivisht, ne ndajmë objektivin e përbashkët, për një Amerikë më të mirë” për të gjithë dhe pa dallim, ka nënvijuar ai në kryeartikullin e fundit të jetës së tij. “Ne nuk duhet të lejojmë që ndryshimet politike të pengojnë realizimin dhe sigurimin e të mirës së përbashkët” si objektiv arritjeje,- ka theksuar Robert Dole në artikullin për gazetën USA Today, sikur t’a dinte se ishte amaneti i fundit lënë bashkëkombasve të tij.
Sot, më shumë se kurrë më parë, jo vetëm Amerika, por e mbarë bota e sidomos, shqiptarët, kanë nevojë për burra, por edhe për gra, si Bob Dole; burra të njohur për nder, heroizëm dhe karakter, por edhe të gatshëm për kompromis në politikë, si një parim i rëndësishëm politik. Presidenti Joe Biden, i cili ka shërbyer në Senat me Senatorin Dole për 25 vjet, e cilësoi ish-Senatorin Dole, një patriot të madh, si “në fushë të betejës ashtu dhe në sallën e Kongresit amerikan. Bob Dole,- tha Presidenti Biden, jetoi tërë jetën e tij, bazuar në një kod nderi. Senatori Dole, shtoi ai, ishte “burrë i fjalës, i cili donte atdheun e tij e të cilit i shërbeu me përkushtim të plotë tërë jetën e tij.” Z. Biden e cilësoi Senatorin Dole, si një “gjigant i historisë tonë”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden me bashkëshorten Jill Biden para arkivolit të ish-Udhëheqësit të shumicës republikane në Senatin Amerikan, ish-Senatorit të shtetit Kansas dhe mikut të madh të shqiptarëve, Robert DOLE – PAS ÇIFTIT PRESIDENCIAL BIDEN, DALLOHET AKTIVISTI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË AMERIKË PREJ DEKADASH — SIDOMOS TË ÇESHTJES SË KOSOVËS: SHQIPTARO-AMERIKANI I MADH, (KRENAR TA QUAJ MIK E DASHAMIR), Z. JIM XHEMA, MIKU I NGUSHTË I SENATORIT ROBERT DOLE DHE I FAMILJES SË TIJ –PËRFAQËSUES I DENJË I KOMUNITETIT SHQITARO-AMERIKAN PËR T’I DHENË LAMTUMIRËN E FUNDIT SENATORIT DOLE, NË EMËR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO QË JANË – një vit më parë.
Gjatë gjithë jetës së tij, Senatori Bob Dole ndërtonte ura komunikimi e kompromisi në politikë dhe për të mirën e Amerikës, të cilën e donte aq shumë dhe për të cilën sakrifikoi edhe më shumë, ndërkohë, që si individë dhe si politikanë shembte muret që ndanin dhe përçanin politikanët amerikanë nga njëri – tjetri. Për Senatorin Ribert Dole, fjala kompromis nuk ishte një fjalë e ndyrë në diskursin politik amerikan, por është diçka që përveç gatishmërisë për të bërë kompromis nevojiten edhe cilësitë e Senatorit Dole, si: sinqeriteti, besueshmëria nderi, burrëria dhe karakteri. Por, që kompromisi të përfundojë në marrëveshje ose sukses, duhet që interlokutorët kundërshtarë, të kenë cilësitë dhe vlerat që posedonte i ndjeri Robert Dole: cilësi dhe vlera që, fatkeqësisht, vështirë të gjënden më, kudo qoftë. Prandaj, bota është në gjëndjen, që është sot.
Sipas patriotit dhe aktivistit të dalluar të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, shqiptaro-amerikani, Z. Jim Xhema (i pari majtas), Senatori Dole kundërshtonte fuqimisht ndarjen e Kosovës LETTER OF APPRECIATION FOR SENATOR BOB DOLE – Dielli | The Sun (gazetadielli.com), duke ndryshuar kufijtë dhe duke shkëmbyer territore me Serbinë.
Falënderojmë të Madhin Zot për nderin dhe privilegjin që në jetën tonë kemi njohur miq të shqiptarëve, burra të fjalës të këtij vendi të madh e të bekuar: Amerikës tonë të dashur. Shqiptarët do të thonin burra të besës, të nderit e burrërisë, por edhe trima e guximtarë si Senatori Bob Dole, që na ka dhënë mundësinë, privilegjin dhe nderin ta njihnim. Uroj që mikut tonë të dashur e të nderuar, mos t’i ketë shkuar mundi bosh për të shpëtuar shqiptarët në ditët më të vështira të tyre! Si përfundim i punës dhe kontributit të Senatorit Dole dhe rolit të
politikanëve të tjerë të dalluar amerikanë në mbrojtjen e shqiptarëve nga të huajt. Pyetja më e rëndësishme sot është se kush do i shpëtojë shqiptarët nga vetë-vetja. Pushofsh në paqen e merituar miku i ynë Bob Dole, promovues i frymës së parimit të artit të kompromisit në politikë, si një mjet për arritje të mëdha. Përgjithmonë në kujtesën tonë, Senator Bob Dole! (Ribotim)