Flet kompozitori i shquar, Enver Shëngjergji: Insistova të mos shkoja në Kërrabë pas Festivalit të 11-të, sepse pas 5 ditësh do të martohesha
01-“Në aksion u njohëm bashkë ne të dy”, kënga e parë që më dha emër në anketën e muajit maj 1970
02- Për herë të parë kam marrë pjesë në Festivalin e 11-të në vitit 1972
03-Pas këtij kam marrë pjesë çdo vit deri në vitin 1989 rresht përveç atij të vitit 1973
04-Në Festivalin e 11-të kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali
05-Pas Festivalit të 11-të Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi edhe unë u larguam nga Tirana
06- Them, se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani
Albert Z. Zholi
I qetë në bisedë shpërthyes në krijimtari. Kam mbi 20 vjet miqësi me këtë njeri me karakter të fortë. Enver Shëngjergji është nga kompozitorët më të mirë të asaj plejade të viteve diktaturës që, pavarësisht ngurrimeve, censurës dhe presionit, kompozuan perla të muzikës së lehtë shqiptare, këngë të cilat mbahen mend edhe sot. I lindur në Tiranë në shtator të vitit 1948 dhe pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai do të ishte edhe pedagog nga viti 1970 deri në vitin 1974. Pas një këngë të mrekullueshme në festivalin e kthesës së artit shqiptar, atë të 11-të, do të “dënohet” me largim në minierën e Kërrabës por do të rikthehet më pas me të tjera këngë e me shumë çmime. Me 40 vite krijimtari ai ka një bagazh dhe arkiv interesant dhe befasues.
Nëse kthehemi në kohë, në vitet e rinisë si erdhi te ju kënga, cila ka qenë kënga juaj e parë si kompozitor dhe kush e ka kënduar atë këngë?
Mua më duket se muzika ka lindur bashkë me mua. Më duket se jemi dy binjakë kemi lindur bashkë. Kur dëgjoja këngë muzikë unë ndalesha dhe dëgjoja me vëmendja kudo të isha. Profesori im i parë i muzikës ka qenë mjeshtri Agim Prodani. Por në fëmijëri Agron Dashi, ish-aktor i Teatrit Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës dhe sidomos një prirje në planin e komedisë. Nuk kam lënë pjesë teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis të dyve. Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë, sepse kur mbarova të mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën, as muzikën. Mua më caktuan në kulturën e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e futesha në degën e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një profesor thërret babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë, se unë i di pasionet e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë degë. Ky është i caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës dhe një dege tjetër që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe këmbënguljen time arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i solfezhit. Unë nuk mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë e këngës, filmit dhe të simfonisë. Megjithëse krijimtarinë e kam filluar që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit, kënga ime e parë është “Në aksion u njohëm bashkë ne të dy”. Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte. “Në aksion u njohëm bashkë ne të dy”, e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore dhe është nderuar me çmimin e parë. Unë isha pedagog në Institutin e Arteve mbasi mbarova studimet. Pastaj vazhdova krijimtarinë time me “Këngët e Shekullit” me Irma Libohovën pastaj vjen Festivali i parë dhe i dytë i këngës së studentit, (Festivali i këngës studentore) i cili i parapriu Festivalit të 11-të. Robert Radoja ishte drejtues i dy festivaleve të rinisë, të cilët patën jehonë të madhe. Në këto festivale, pikërisht tek i pari unë fitova çmim të tretë me këngën “Mbaje mend atë natë” të kënduar nga Alida Hisku në vitin 1971. Në vitin 1972 në Festivalin e dytë studentor mora pjesë me këngën “Rruga e Lek Dukagjinit” të kënduar nga Justina Aliaj dhe Françesk Radi. Edhe këtu mora çmimin e tretë.
Le të vijmë tek Festivalet e RTSH, në monizëm ishin ngjarje e jashtëzakonshme kulturore, kur trokite për herë të parë në këtë festival dhe si i kujton ato festivale?
Festivalet e asaj kohe janë të papërsëritshme.. Jo se jam nostalgjik për sistemin, joooo. Por për artin. Bëhej art Professional. Art me kulturë dhe përgjegjësi. Për herë të parë kam marrë pjesë në Festivalin e 11-të në vitin 1972. Pas këtij kam marrë pjesë deri në vitin 1989 rresht, përveç atij të vitit 1973. Në këtë festival kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit” e kënduar nga Bashkim Alibali. Këtij festivali i parapriu kënga ime e parë “Në aksion u njohëm bashkë ne të dy”, e cila mori pjesë në anketën e muajit maj 1970. Së pari duhet të sqaroj se festivalet e para janë organizuar vetëm në Radio, pasi ende nuk kishte lindur televizioni në Shqipëri. Festivali i parë ne Radio u zhvillua në 4 net: 21-23 dhe 26.12.1962 dhe u prezantua nga Margarita Xhepa dhe Luigj Gurakuqi. Nismëtarët e këtij festivali ishin përgjegjësi i redaksisë së muzikës në Radio, Abdulla Grimci, dhe redaktori i po kësaj redaksie, Vath Cangu, në të njëjtën kohë autorë këngësh. Festivali u zhvillua në skenën e Operës, që në atë kohë ndodhej në ndërtesën e Konservatorit të Tiranës. Koncertet fillonin në orën 18:00 dhe transmetoheshin të incizuara në radio pas lajmeve, në orën 20:30. Është thënë se kanë marrë pjesë 20 këngë, por nga një incizim i dobët, në radio u dëgjuan 19 këngë dhe nuk u dëgjua ndonjë përsëritje. Natën e parë u kënduan 9 këngë, natën e dytë 10 këngë dhe natën e tretë, finale, 10 këngë. Pas tri ditësh, siç duket për t’i lënë kohë jurisë që të vendoste, u zhvillua edhe një natë e katërt si koncert përfundimtar (por jo si finale) ku u shpallën çmimet për këngët dhe për këngëtaret nga kryetari i jurisë Llazar Siliqi, i cili ka qenë kryetar jurie në disa festivale me radhë. Këngët u shoqëruan nga Orkestra Simfonike, drejtuar nga Kristo Kote dhe u përsëritën nga Kompleksi Ritmik, drejtuar nga Agim Krajka. Festivali i zhvillua nën shembullin e Festivalit të Sanremos, vetëm 11 vjet pas Festivalit të parë të Sanremos (1951) dhe këngët, si në Sanremo, interpretoheshin në grupe 3-4 këngësh dhe pastaj përsëriteshin ne interpretim tjetër. Kjo mënyrë vazhdoi në të gjitha festivalet (me përjashtim të festivalit të 11-të), deri në festivalin e 24-t kur këngët nuk u përsëritën më. Në fillimet e veta ishin festivale modeste, me pak pjesëmarrës, por me këngë dhe kompozitorë të shkëlqyer. Ahere ishin kompozitorë si: Agim Krajka, Ramadan Sokoli, etj., që kanë bërë emër. Nga viti në vit rritej numri i këngëve derisa sa arriti 19 më vonë 25 madje, arriti deri në 52 këngë dhe vjen tashti dhe reduktohet sa në festivalin e sivjetshëm të përfundojë me 16 këngë.
Pra, festivalet kanë pasur këngë ritmike, po atëherë pse u ndal gjatë tek Festivali i 11-të që dhe sot ka shumë diskutime. Me sa di ky ishte Festivali i parë për ju, si do ta cilësoni këtë Festival?
Ke të drejtë. Sa herë bie biseda me të rinjtë për këtë festival më pyesin. Kanë shumë kureshtje për të. Ndoshta me të drejtë… Pra, unë kam marrë pjesë për herë të parë në Festivalet e RTSH, në këtë Festival festivali ‘famëkeq’, por që duhet thënë sot Famë Mirë. Famë mirë, pasi kudo ai diskutohet sikur të jetë zhvilluar dje. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH u zhvillua më 22 dhe 25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Ky festival u dënua nga udhëheqësi i atëhershëm i Shqipërisë, Enver Hoxha. Kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos, ne brezi i ri. Unë sapo kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të ardhmen. Duhet thënë se Festivali i 11-të ishte mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky lulëzim vazhdoi deri në vitet ’70-’73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty filloi një censurim drastik. Deri nga vitet ’73 në radio, por edhe në televizion u bë një lloj toleromi, për sa i përket muzikës. Mëngjesi nuk fillonte më me këngë e valle popullore siç ishte tradita, por u futën edhe këngë të tjera, kryesisht ritmike të muzikës së lehtë. Në atë vit kur unë isha pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas Festivalit të 11-të. Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të lulëzonim, pra sa kishin filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi kokat tona ra një kosë e rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori, se vuajtje po e po. Të gjithë duke filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi u larguam nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në Fushë-Arrës, unë në malet e Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë para se të martohesha më është dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira në shtëpi, ishim 13 veta në dy dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5 pallate me kontribut vullnetar, dhe ngaqë isha beqar s’më jepnin shtëpi. Kur unë fillova punën vullnetare tek “Rruga Bardhyl”, ku u bë pallati fundit (ku mora shtëpi) atëherë më erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku qëndrova 7 vjet. Dy ishin rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje një rrugë të mesme që as veten mos ta poshtëroje, por që të ishe në rregull edhe me ligjet e shtetit, ose të dilje kundër dhe të dënoheshe. Festivali i 11-të ishte një akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim në atë ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot, se ajo ishte e drejtë, sepse duhej të këndoja shqip.
Pas kaq vitesh si e kujton Kërrabën?
Eh si e kujtoj…. Nuk e quaj veten të persekutuar. Them se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani. Ne të tjerët jemi të larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të kompozuarit vetëm për një vit. Në Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk mori pjesë. Por morëm në të 13-in. Mbas 7 vjetëve erdha në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Aleksandër Lalo, Françesk Radi u kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Kam punuar 15 vjet shef muzike në Pallatin e Kulturës, “Ali Kelmendi” që atëherë mbulohej nga Bashkimet Profesionale. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë shef i muzikës për të gjithë muzikën amatore të klasës punëtore të Tiranës. Kanë qenë me dhjetëra këngëtarë. Ne vetëm si pallat kemi të filmuar 18 orë muzikë të mirëfilltë shqiptare. Të gjithë këta këngëtarë popullorë të asaj kohe apo dhe të muzikës së lehtë) kanë dalë nga ky Pallat Kulture. Me dhjetëra instrumentistë që sot qarkullojnë nëpër Tiranë. Elementët më të mirë rrinin në pallat ku merrnin pjesë nëpër koncertet e majit e aktivitete të ndryshme.
Po Festivali rinor si lindi?
Pikërisht në vitet 1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Ky Festival pati jetë të shkurtër, edhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi Robert Radoja. Në ato festivale i gjithë formacioni orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku të gjithë pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha fakultetet. Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam përfaqësuar në festivalin e parë me një këngë “Erdhëm që nga larg”. Ideja ishte se nuk na frikësonte asgjë… Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti. Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë “Mbaje mend atë natë”. Ka qenë një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që lidheshin me dashurinë me botën rinore. Ajo moshë, mbi gjithçka, ka dashurinë.
Sot ka shumë diskutime për Festivalet në RTSH si do t’i cilësoni këto Festivale aktualisht?
Sot kanë ndryshuar shumë gjëra në Festivalin e RTSH. Madje disa vite u zhvillua dhe me superpozim, por ajo që është më e rëndësishmja është se sot festivali nuk ndiqet me atë dëshirë, me atë ëndje, me atë pritshmëri dhe dëshirë si e viteve në sistemin monist. Kjo pasi ka rënë poshtë e më poshtë si nivel. Edhe pse kohët e fundit u vu re një kthim në traditë pasi filloi të kënduarit live dhe orkestra live, por sërish duket se tashmë po lindin probleme më të mëdha. Mund të them se qysh në vitin 1993 deri para disa vjetëve festivalet bëheshin me playback, superpozim. Si bëhej dhe festivali “Kënga Magjike” çdo gjë me superpozim. Lind pyetja, përse duhet të bëhet me superpozim? Nuk ka orkestër? Nuk ka bandë? Nuk ka instrumente muzikorë? Të gjitha janë. Duhet ruajtur tradita. Çdo fillim është i vështirë.
Çfarë mungon më së shumti në këto festivale?
Mënyra e organizmit dhe pastaj vijnë me radhë. Kur them organizimi kjo lidhet me cilësinë e dobët, organizmin e dobët, mënyrën e seleksionimit, mënyrën e vlerësimit, mënyra e kritereve që i bëhet krijimtarisë janë të tilla, që përfundimet të jenë fatale. Por më kryesorja mbetet se për shumë vite edhe kur ishin gjallë pas viteve 1990 u anashkaluan shumë kompozitorë të mëdhenj si Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Haik Zaharian, Agim Krajka, Flamur Shehu, unë etj.. Këto firma munguan 20 vjet. Kjo vinte sepse drejtuesit kanë pasur frikë të maten me ne dhe mendoj se ata nuk na kanë dashur. Ka dhe një gjë tjetër që nuk duan të ruajnë traditën. Unë them që konkurrenca duhet të jetë e ndershme. S’e di si funksionon kjo skemë. Por këtu ka dhe një fakt tjetër. Siç kanë munguar këta kompozitorë të mëdhenj, kanë munguar dhe mjaft zëra të mëdhenj. Pra, kanë munguar këngëtarë shumë të njohur që kanë lënë gjurmë. Pra festivalet e fundit ka mungesa komponentësh organizativ, artistik, të cilët merren me të gjithë detajet e festivalit që nga dita e parë deri në daljen në skenë. Pra është bërë më shumë si një festival shokësh, miqsh, dashamirës të njeri tjetrit, si puna e analistëve në televizione që shohim të njëjtat fytyra. Mënyra e organizmit, kamera profesionale, regji profesionale, konkurrim i ndershëm, disiplina regjisoriale, përzgjedhja e materialeve, selektim korrekt, përjashtim i miqësive, tekste të përzgjedhura që të mbajnë aromë “Made in Albania”, patjetër që çojnë në një festival të bukur. Kërkesa ka qenë e lartë. Demokraci nuk është ajo se unë dua të bëj atë që dua unë. Nëse nuk ka vlera çfarë do të shkruhet më vonë? Sot nuk mund hedhësh poshtë këngët “Për ty atdhe” e Pjetër Gacit etj., sepse u krijua në sistemin komunist. Nuk mund të hidhet poshtë një krijimtari teatrale që kishte vlera edukative. Sot më shumë ka këngëtarë se sa ka popull. Ka shumë këngëtarë që hiqen apo i quajnë famozë dhe ata stonojnë. Sot po dëgjojmë edhe këngëtarë që nuk dinë fjalët e këngës që këndojnë. Atyre do t’iu vijë turp mbas 70 vjetëve kur të shikojnë dhe dëgjojnë se çfarë kanë kënduar. Këngëtari me artin dhe kulturën e tij nderon kombin. Këngëtarë ka shumë të mirë, kushtet teknike janë të mira por muzikë dhe tekste nuk ka. Kjo është një fatkeqësi e madhe për kombin. Disa shtëpi diskografike, propagandojnë vlera antikombëtare.
Rëndësia e këngës “O ti, ti e vogla moj bij, bija ime”
Kam një moment dhe një këngë shumë interesante. Në vitin 1974 më lindi vajza dhe unë kompozova këngën “O ti, ti e vogla moj bij, bija ime” që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu “Të më rritesh bujkeshë” dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë, se ne nuk kemi as toka as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës.
Takimi rastësishëm me Enver Hoxhën
Nuk kisha mundësi. Jo çdo kush e takonte Enver Hoxhën. Por e kam takuar jo drejtpërdrejt. Kur isha student bënim fizkulturë dy grupe. Një grup i avancuar dhe një prapambetës. Luanim futboll mbrapa Institutit, kur për çudi kaloi aty dhe i tha ushtarit të hapte derën. Ai na tha: “Ç’bëni këtu përse nuk jeni në mësim?” Një shoku im nga Gramshi përgjigjet dhe i thotë se e kemi pushim këtë orë. “Po orën tjetër na tha, a keni mësim?” Po, i themi ne. “Po kur do të laheni na tha, ku do të shkoni nëpër auditore kështu si jeni bërë ju?” Ky ka qenë takimi i parë në jetën time që e kam parë në distancë 2-3 metra. Pastaj, një rast tjetër ka qenë në Koncertet e Majit. Na mblodhën urgjent për të kënduar një këngë me Fatma Zyberin. Më dhanë urdhër që të orkestroja një këngë pa bërë prova. Emocionet ishin të mëdha. Para se të filloja i them Agim Krajkës ku është Fa-maxhori. Nga emocioni nuk dija të gjeja akordin. Agimi më qëllon me shuplakë dhe më thotë: “Mblidhe mendjen se të kushton me kokë kjo punë”. Ma merr dorën dhe ma bën gati duke më vendosur gishtin aty. Kam hyrë në skenë me dorën tek Fa-maxhori në fizarmonikë, siç ma kishte mbledhur Agim Krajka. Ishim tek Teatri i Operës dhe i Baletit. Në çdo koncert të majit ai ishte prezent.
Popull i vogël që bën muzikë të madhe
Ç’kupton kompozitori Enver Shëngjergji dhe çfarë transmeton tek dëgjuesit e thjeshtë të kënduarit shqip?
“Ne jemi një popull me traditë ne sferën e muzikës. Ne kemi ritme dhe instrumente, melodi që nuk i ka bota. Unë kam shëtitur shumë jashtë Shqipërisë dhe kam qenë edhe 6 vjet në Amerikë, por edhe në Zvicër, Francë etj., dhe nuk kam dëgjuar në asnjë vend të botës, në këngët e tyre ndonjë motiv shqiptar. Pse duhet të imitojmë dhe të marrim motivet e popujve të tjerë? Ne jemi një vend i vogël, por kemi shumë vlera të mëdha. Ne bota do të na njohë vetëm me art. Unë them se Shqipëria deri para viteve ’70 nuk njihej në Francë, por Ansambli e bëri që Shqipëria të njihej në Francë. Unë kam qenë në Algjeri, Tunizi etj., arti dhe muzika shqiptare ka qenë ajo që ka prezantuar edhe kombin edhe vlerat dinjitoze të artit tonë. Unë jam bërë më shumë i famshëm kur jam dënuar, se sa jam bërë i famshëm kur jam lavdëruar. Unë jam bërë i njohur në Festivalin e 11-të. Njerëzit për të mirën nuk janë shumë të interesuar, aty ku është më negativja aty ka më shumë interes.
Ideologjizimet e sistemit monist
Kishte ideologjizim në këngët për partinë, në këngët për shokun Enver, që i fusnin si të domosdoshme, por ama, përzgjedhja, disiplina, korrektësia, profesionalizmi, organizimi, deri tek veshja dhe kamerat ishin perfekte. Mbi të gjitha ato festivale kishin kulturë muzikore. Ato zor se arrihen sot. Liri, demokraci nuk do të thotë të bësh lëvizje të kota, pa lidhje, pa ide. Skena është e shenjtë. Aty duhet të hipin ata këngëtarë që respektojnë këngën, muzikën, publikun dhe veten. Spektatori vjen të edukohet, të marrë kulturë, dhe jo për të parë shalë, gjokse dhe lëvizje akrobatike. Ato kanë vendin e tyre, kanë skenë tjetër. Pra, këtu s’ka art, por show.
Nuk arrij të kuptoj, pse në Sanremo këndojnë këngëtarë të vjetër dhe paraqiten më shumë kompozitorë të vjetër? Madje, janë deri 70 vjeç.
Këtu e quajnë turp të vijnë të vjetrit dhe thonë, lërini pleqtë në shenjtërinë e tyre, siç ka thënë Migjeni i madh. Njohja e kulturës, traditës së këngës, traditës së festivaleve, respektit ndaj muzikës kombëtare, është detyrë kryesore e rinisë sot. Sot po venitet kënga polifonike, sot nuk thuhet asgjë për jaret shkodrane, kush mund të thotë dy fjalë për lahutarët e malësisë, për rapsodët, për vallet tona popullore. Askush nuk po flet. Sot vihet në plan të parë teknika dhe jo shpirti, Por muzika do shpirt. Sot çdo gjë bëhet me kompjuter, e thatë, pa ndjenjë. Sot ka kompozitorë me kurse kitarash, që nuk njohin solfezhin. Ato që shohin ëndrra natën i shkruajnë ditën. Nuk thotë populli kot mos u mat me hijen e mëngjesit, se ajo është e gjatë.
Çmimet
Çmimi i Parë në Festivalin e 13-të në vitin 1974 me këngë “Vajzat e fshatit tim” me Alida Hiskun
Çmimi të Tretë “Nën kurorën e ullirit” të kënduar nga Myfarete Laze dhe Lindita Theodhori në Festivalin e 18-të
Çmim të Tretë me Bashkim Alibalin në Festivalin e 23-të me këngën “Lulet e mollës”. Në vitin 1989 e kam mbyllur me këngën “Zemër nëne” të kënduar nga Myfarete Laze me tekst të Agim Doçit.
Por ka marrë pjesë në koncertet e Pranverës, Koncertet e Majit, ku jam nderuar me çmime të ndryshme. Veçoj këngën “Fli bir i nënës, fli” të kënduar nga Marjana Leka dhe trioja vokale.
Superpozimi
Aha, superpozimi dallohet jo vetëm nga specialistët, por edhe nga njeriu më i thjeshtë. Mungon orkestra e plotë në skenë. Aty mund të dalin 5 instrumentistë kur muzika në sallë del e plotë me të gjitha tingujt. Por kryesorja është se këngëtarët duken falso. Duken si aktorë cirku, bëjnë gjestikulacione, bëjnë lëvizje pa kriter, të pakuptimta, të palidhura me idenë e këngës, të palidhura me tekstin e këngës. Kur këngëtari nuk këndon live duket si një turshi e konservuar, dhe nuk përcjellin asnjë emocion. Emocionet janë emocione, ato vijnë nga kënga direkt, nga përgjegjësia, nga intensiteti i këngës. Këngëtari nuk mund të këndojë gjithmonë njëlloj, pasi varet nga shumë faktorë. Një faktor është mishërimi, Pra, një interpretim varet edhe nga mishërimi që i bëhet materialit muzikor, tekstit, zbërthimit që i bën atyre. Nëse ky komponent nuk është i mishëruar në shpirtin në zemrën e këngëtarit, kënga nuk ka asnjë vlerë më.
Komentet