Nis nesër Liga e Kombeve, një kompeticion krejtësisht i ri që vë përballë skuadrat europiane në një skemë të krijuar për të shmangur miqësoret e padobishme ku shpesh lojtarët më të mirë i bënin bisht, ose nuk impenjoheshin.
Fillimi ndoshta mund të mos duket shumë i mbarë, duke parë që Cristiano Ronaldo “e ka marrë pushim” nga Portugalia, por gjithsesi mënyra e përballjes së skuadrave ofron ndeshje të forta mes të barabartave. Mjafton të kutojmë që nesër luan Gjermania kundër Francës, dy kampionet e fundit të botës, ndërsa të shtunën Anglia pret Spanjën në “Wembley”…
Por nëse ende nuk e keni shumë të qartë se si funksionon Liga e Kombeve, ju a shpjegojmë më poshtë. Kompeticioni ka një fazë grupesh, një fazë finale dhe një fitues. 55 skuadrat europiane janë ndarë në katër liga: A, B, C dhe D, bazuar në renditjen e tyre në UEFA. Çdo ligë është e ndarë në katër minigrupe.
Të gjitha skuadrat që fitojnë këto minigrupe në Ligën A do të kalojnë në fazën finale të turneut, që do të organizohet në një prej katër shteteve që fitojnë minigrupet. Në qershor 2019 do të luhen edhe dy gjysmëfinalet dhe finalja për të përcaktuar edhe fituesja e parë e Ligës së Kombeve.
Në ligat B dhe C, fitueset ngjiten një ligë më lart, ndërsa skuadrat e vendit të fundit zbresin një ligë më poshtë. Nga ky kompeticion do të ketë 4 skuadra që do të fitojnë të drejtën të luajnë në Europianin e vitit 2020, për t’iu bashkuar 20 skuadrave të tjera që do të kualifikohen me sistemin tradicional të ndeshjeve eliminatore.
Nëse një skuadër kualifikohet përmes Ligës së Kombeve për në Europian, por gjithashtu siguron një vend edhe nëpërmjet fazës tradicionale kualifikuese, duke u renditur në një nga dy vendet e para në grupin e saj, atëherë promovohet skuadra e renditur e dyta në Ligën e Kombeve.
Në total, të gjitha skuadrat pjesëmarrëse do të përfitojnë 76 250 000 euro nga fondi i solidaritetit të UEFAs për këtë sezon të parë. Paratë do të ndahen si më poshtë:
1 500 000 euro për skuadrat pjesëmarrëse në Ligën A
1 000 000 euro për skuadrat pjesëmarrëse në Ligën B
750 000 euro për skuadrat pjesëmarrëse në Ligën C
500 000 euro për skuadrat pjesëmarrëse në Ligën D
Çdo skuadër fituese e grupeve do të dyfishojë këtë shpërblim.
Fituesja e parë e Ligës së Kombeve do të arkëtojë edhe 4 500 000 euro të tjera, skuadra e vendit të dytë 3 500 000 euro, vendi i tretë 2 500 000 euro dhe vendi i katërt 1 500 000 euro.
Komentet