Ndërsa dje Zvicra hapi kufijtë me zonën Shengen dhe me pesë shtete të BE-së që nuk janë pjesë, plus Britaninë e madhe, në Aeroportin Kloten të Zyrihut janë bllokuar rreth 170 pasagjerë, shumica shqiptarë, një pjesë e tyre ardhur edhe nga Çikago dhe Kanadaja, të cilët do të vijonin fluturimin drejt Tiranës me avionin e kompanisë zvicerane “Edelweiss”.
Por kompanisë zvicerane “Edelweiss” nuk i është dhënë ok nga ANTA – Air Navigation Services of Albania – që të fluturojë drejt aeroportit Nënë Tereza të Tiranës.
Me gjithë komunitetin e madh të Shqiptarëve që jetojnë në Konfederatën Helvetike për gati dy dekada asnjë kompani ajrore zvicerane nuk fluturonte për në Shqipëri, ndërsa midis Prishtinës dhe Zvicrës ka deri tre fluturime në ditë nga qytetet Zyrih, Bazel dhe Gjenevë.
Në vitin 2018 kompania “Edelweiss” pjesë e Lufhansa Gruppe firmosi marrëveshje me Tiranën dhe kështu komunitetit shqiptar të ngulitur në Zvicër iu krijua mundësia prej prillit 2019 që të fluturonte direkt dy herë në javë nga Zyrihu.
Por dje Edelweiss nuk u lejua të aterrojë në Aeroportin e Tiranës, megjithëse në faqen elektronike të Rinasit u shfaq në ekran se ky avion do të ngrihej nga Aeroporti Kloten në ora 13:40 dhe të aterronte tek Nënë Tereza në orën 15:40.
Me këtë avion do të fluturonte edhe i Dërguari special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Zoti Lajçak si zyrtar i lartë i BE-së patjetër do të ketë gjetur zgjidhje, ndryshe nga pasagjerët shqiptarë që po mbushin 48 orë të bllokuar në një nga hapësirat e aeroportit, pa të drejtë dalje në kushte shumë të vështira, kur grrumbullimet e shtojnë rrezikun e infektimit prej virusit.
Duket sikur shqiptarët janë gjithmonë qytetarë të dorës së dytë.
Edelweiss ka shitur bileta pa marrë ok nga Shërbimi Shqiptar i Lundrimit Ajror, por ndërkohë marrëveshja afatgjatë mes Edelweiss dhe Tiranës, duke nisur prej pasojave që po vuajnë pasagjerët, linte hapësirë për gjetjen e një konsensusi që ta lejojë Edelweiss t’i sjellë pasagjerët në Tiranë.
Sipas një kronike dhënë nga Zëri i Amerikës thuhet se “Autoritetet shqiptare nuk i kishin dhënë asnjë leje fluturimi Edelweiss, aq më tepër kur mes Shqipërisë dhe Zvicrës, nuk është nënshkruar ende një marrëveshje për rihapjen e fluturimeve, të cilat u pezulluan për shkak të pandemisë së COVID 19”.
Mund të jetë kështu, por kur është fjala se pasojat po i vuajnë pasagjerët shqiptarë, zgjidhje duhet të gjendet. Topi ka mbetur tek pala shqiptare.
Së pari, pala shqiptare e ka për obligim të kujdeset për qytetarët e saj, të cilët po torturohen 48 orë në sallën e Aeroportit të Zyrihut.
Së dyti, pala shqiptare duhet të kujdeset edhe për interesin e shtetit ndaj një kompanie serioze zvicerane si Edelweiss me të cilën u bë e mundur pas dy dekadash mungesë, fluturimi nga Zvicra në Shqipëri dhe anasjelltas, si hap i domosdoshëm jo vetëm për komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër, por edhe për zhvillimin e ekonomisë përmes sjelljes të turistëve zviceranë në tokën e shqiponjave.
Por momentalisht pasojat e kësaj situate po i vuajnë pasagjerët shqiptarë që e kaluan natën duke fjetur nëpër ndejtëset e sallës ku pasagjerët presin zakonisht për të marrë avionin.
Ditën e djeshme në aeroportin Nënë Tereza ka aterruar Air Serbia, ndërsa qytetarët shqiptarë kanë mbetur peng e të ngujuar në Aeroportin e Zyrihut, në mëshirë të fatit.
Portali JOQ kishte botuar dje një video ku një pasagjere fliste për kushtet e vështira dhe tregonte se kishin marrë një propozim nga pala shqiptare që ata të paguajnë edhe 350 Euro të tjera dhe të fluturojnë drejt Shqipërisë me Air Albania. Kjo e kishte shkaktuar zemërimin e pasagjerëve tashmë të cfilitur nga kushtet e vështira.
Por problemi është se çfarë do të bëhet me pasagjerët shqiptarë?
A do të gjejë pala shqiptare, në interes të qytetarëve të saj që po vuajnë këtë situatë, një zgjidhje me Edelweiss, me të cilën pas 20 vitesh qiell të mbyllur, kriijoi urën qiellore midis qiellit zviceran dhe atij të Shqipërisë apo… ?!!
Komentet