Kompania “Starlink” e Elon Musk-ut ka vendosur në dispozicion të Ukrainës mijëra paisje për lidhje satelitore. Kjo i ka shërbyer së tepërmi vendit që po lufton ndaj agresionit të Rusisë. Ekspertët thonë se Moska ka treguar interes të veçantë që në fillim të luftës për të ndërprerë sistemet ukrainase të komunikimit.
Terminalet e kompanisë “Starlink” për lidhjen satelitore të internetit shërbejnë si një sistem rezervë kur rrjetet e internetit në Ukrainë dalin nga përdorimi.
Prodhuar nga kompania “SpaceX” e Elon Musk-ut, mijëra nga këto paisje të lëvizshme, që mundësojnë lidhjen me internetin, janë dërguar në Ukrainë.
Nëpërmjet tyre koordinohet zjarri i artilerisë, drejtohen dronët, por edhe mundësohet komunikimi videofonik me programin “Zoom” në zonat e largëta të vendit.
Terminalët e parë “Starlink” u aktivizuan në Ukrainë në 26 shkurt, vetëm dy ditë pasi filloi lufta.
Sipas Zëvendës Kryeministrit ukrainas Mykhailo Fedorov, vetëm në Chernihiv u shkatërruan nga lufta mbi 10 kilometra lidhje kabllore të komunikacioneve. Kompania lokale e internetit arriti të rikthejë shërbimin me vetëm një terminal Starlink.
Sot, mbi 14 mijë terminale Starlink, po funksionojnë në mbarë Ukrainën, thotë Todd Humphreys, shkencëtar në Universitetin e Teksasit që shërbeu si konsulent me kompaninë SpaceX. Ai thotë se këto terminale janë jetike, pasi rrjeti në Ukrainë vazhdon të sulmohet nga forcat ruse.
“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka treguar interes të veçantë për ndërprerjen e linjave të komunikimit. E filluan luftën me një sulm kibernetik ndaj terminaleve Viasat në mbarë Ukrainën. Sulmi i tyre ndikoi madje tek terminalet Viasat në mbarë Evropën”, thotë zoti Humphreys.
Hakerët rusë u përpoqën të sulmonin edhe terminalet “Starlink”, njoftoi në muajin maj zoti Musk. Por sulmet nuk patën sukses.
“Rezulton se aftësia e Rusisë për të lokalizuar terminalet ‘Starlink’, përfshirë ato aktive, është nën nivelin që pritej”, thotë zoti Humphreys.
Terminalet “Starlink” u shërbejnë edhe civilëve.
“Ukrainasit e përdorin sistemin Starlink si lidhje Wi-Fi”, thotë Konstantin Naumenko, nga kompania Vodafone në Ukrainë.
Sipas faqes së lajmeve “Politico”, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu e përdor sistemin “Starlink” për të publikuar informacion jetik në internet dhe për të biseduar nëpërmjet programit Zoom me udhëheqësit botërorë, si me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me Presidentin amerikan Joe Biden.
Ukrainasit e përdorin gjithashtu sistemin “Starlink” për të publikuar fotografi dhe video të zhvillimeve në vend, duke iu kundërvënë kështu pretendimeve false të propagandës ruse.
“Komunikimi në këto kohëra ndihmon shumë; u mundëson njerëzve të kuptojnë se cila është e vërteta”, thotë zoti Naumenko.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet ofrimin e terminaleve Starlink për Ukrainën. USAID-i ka bashkëpunuar me kompaninë SpaceX për të transportuar rreth 5 mijë terminale Starlink drejt Ukrainës.
Komentet