Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i është drejtuar me një letër, përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell. Në këtë letër thuhet se janë të përkushtuar për të zbardhur të vërtetën për të zhdukurit me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i cili drejtohet nga Andin Hoti, në letrën dërguar Borrellit kanë thënë se i ka bërë thirrje Serbisë që t’i hapin arkivat.
“Së bashku me shoqatat e familjeve të të zhdukurve të Kosovës, i kemi bërë thirrje Serbisë që të hapë arkivat e tyre, pasi që zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti, si dhe leje për gërmime në varrezat e identifikuara e të shënuara në Serbi”, theksohet në letër.
Në letër thuhet se që 4 muaj prej miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur nuk kanë marrë asnjë përgjigje prej Serbisë, ndonëse më 1 qershor i kanë dërguar kërkesë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor.
“Me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, ku përfshihen të zhdukurit me forcë, të nënshkruar më 2 maj 2023, Serbia ka marrë angazhime të vonuara prej kohësh. Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 01.06.2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor, duke përfshirë por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Dhënia e qasjes së plotë në këtë material do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me forcë në rajonin e Drenicës. Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga miratimi i Deklaratës dhe tre muaj nga dërgimi i letrës së lartpërmendur në adresë të z. Vuçiq, nuk ka asnjë përgjigje nga Serbia”, thuhet në ndër të tjera letër.
Gjithashtu në letër thuhet se mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve të saja rrezikon përpjekjet e përbashkëta për të bërë përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve.