Komisioni Evropian ka propozuar një sasi ndihmash prej 53 miliardë dollarësh për Ukrainën. Njoftimi vjen në një kohë kur ushtria e Ukrainës po përgatitet për një dimër tjetër lufte me Rusinë. Ukrainasit po përgatiten për një stinë tjetër me temperatura të ulëta dhe sulme të mundshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.
Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e një zjarri në Kharkiv, që sipas autoriteteve ukrainase, u shkaktua nga një sulm i Rusisë me dronë. Nuk ka patur njoftime për viktima. Ukraina thotë se ky sulm ishte pjesë e një fushate masive të sulmeve ruse me dronë, që filloi të premten dhe ka në shënjestër infrastrukturën energjetike në jug dhe perëndim të vendit.
Fushata e sulmeve të Rusisë me dronë pasoi një video të publikuar të enjten nga Ukraina, që pretendon se tregon përdorimin e dronëve nga forcat ukrainase kundër automjeteve ushtarake ruse. Zëri i Amerikës nuk mund ta konfirmojë në mënyrë të pavarur vendin ku është filmuar ose datën e videos. Ukraina thotë se sulmet me dronë u kryen afër qytetit Avdiivka në rajonin e Donetskut.
Popullsia e këtij qyteti ka rënë në 1500 nga 30 mijë banorë që kishte para luftës. Ndërsa forcat ruse po rrethojnë qytetin Avdiivka, policia ukrainase e rajonit publikoi një video të oficerëve të saj duke evakuuar civilët e fundit nga qytetet përreth. Video tregon një bisedë të një gruaje të moshuar me djalin, i cili i lutet asaj që të evakuohet për shkak të mungesës së “ujit dhe bukës”. Ajo i kërkon atij që “ta lërë rehat”.
Udhëheqësit e Ukrainës vazhdojnë të këmbëngulin për më shumë ndihma ndërkombëtare dhe armë të avancuara. Ukraina gjithashtu vazhdon të kërkojë anëtarësimin në BE dhe NATO.
Këto thirrje u përsëritën gjatë vizitës në Kiev të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbajti një konferencë shtypi pasi takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.
Zonja Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do t’i propozojë BE-së miratimin e një ndihme të re financiare prej 53 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Javën e kaluar në Berlin, ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian zhvilluan një takim për zgjerimin e bllokut. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock shprehu besimin se Ukraina do të anëtarësohej në BE, pas një votimi për këtë çështje në muajin dhjetor. “Ne duam ta shohim Ukrainën të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.
Ndërkohë, forcat ukrainase në rajonin e Donetskut kanë njoftuar për një rritje të sulmeve ruse me artileri në muajin e fundit, që shërbimi koreanojugor i zbulimit thotë se është rezultat i furnizimit të ushtrisë ruse me municione nga Koreja e Veriut. Zyrtarët e Koresë së Jugut pretendojnë se Pheniani i ka dhënë Moskës më shumë se një milion predha, duke e rënduar gjendjen si për ushtarët ashtu edhe për civilët në Ukrainë.
“Natyrisht, shumë njerëz në botë janë të lodhur. Kjo është e kuptueshme. Dikush lodhet në betejë, dikush tjetër në vendin e tyre të punës dhe ka të tjerë jashtë vendit që janë të lodhur me këtë situatë. Ata duan që bashkëshortët, ushtarët e tyre të kthehen në shtëpi. Gratë dhe fëmijët janë të lodhur. Disa udhëheqës evropianë janë të lodhur nga mbështetja për Ukrainën. Natyrisht, njerëzit janë të lodhur sepse kjo është një luftë e gjatë”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.
Për ushtarët si ata që shërbejnë në brigadën e 67-të, të cilët njoftojnë se janë angazhuar në një betejë 20 orëshe, duke luftuar pothuaj pa pushim, lufta është vërtetë e gjatë dhe ata duan që sa më parë të vijnë përforcimet diplomatike, përfshirë edhe mundësinë e votimit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian në mes të dhjetorit.