Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varheli, deklaroi gjatë një vizite në Tiranë se reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Ai shtoi se vijimësia e reformave është shumë e rëndësishme për ecjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Zoti Varheli mbajti pasdite një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, si pjesë e vizitës, gjatë të cilës po zhvillon takime me përfaqësuesit kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare.
Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varheli e nisi vizitën në Tiranë me një fjalim në parlament, ku theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit është integrimin në Bashkimin Europian.
Ai renditi një seri projektet për investime të BE-së në rajon për transportin, energjinë, duke nënvizuar se Plani i investimeve ekonomike që u miratua dje në Bruksel për rajonin do të mbështesë ecurinë e reformave në vendet e rajonit.
Më pas ai trajtoi temën e reformës zgjedhore, si pika më e ndjeshme politike së fundi në Tiranë, por që mori edhe vëmendjen e BE-së.
“Si komisioner i Zgjerimit kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për zgedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE / ODIHR-it. Inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin tek këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë, përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit. Më lejoni që të jem i qartë: Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare” – tha komisioneri Varheli.
Ai shtoi se Shqipëria ka treguar vendosmëri për të përmbushur reformat në sistemin e drejtësisë dhe në fusha të tjera dhe po përmbush detyrimet para mbledhjes së parë ndërqeveritare.
“Shqipëria duhet të ruajë ritmin e këtyre përpjekjeve, të vijojë me reformat përkatëse në fushat që janë identifikuar qartë në përfundimet e marsit të këshillit të BE-së. vijimësia e këtyre reformave do të jetë shumë e rëndësishme sa i përket kuadrit negociues. Të gjitha institucionet do të duhet të punojnë me njëra tjetrën për të bërë të mundur që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së, kjo në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë” – tha zoti Varheli.
Ai theksoi se marrëveshja e 5 qershorit ishte një arritje me rëndësi në procesin e integrimit europian dhe tani Shqipëria është në një moment kyç, kur gjendet më pranë se kurrë Bashkimit Europian.
“Ne jemi tashmë në një moment kyç, kur Shqipëria është më pranë se kurrë përpara BE-së, prandaj kontributi juaj, kontributi i të gjitha forcave dhe segmenteve të shoqërisë është kyç dhe me vendosmëri për të ardhmen. Le ta marrim atë tjetër për të ardhmen e Shqipërisë” – tha zoti Varheli.
Pas fjalës në parlament, zoti Varheli zhvilloi një takim me drejtues të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, ku nënvizoi rëndësinë e madhe, që ka ky proces për Shqipërinë.
Më pas ai u takua me kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët me të, komisioneri Varheli tha se BE po analizon vota e parlamentit për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor,
“Po analizojmë votën e Kuvendit për reformën zgjedhore. Për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk ndalohen dhe nuk bëhen më të vështira me anë të këtyre reformave, atëherë ne mund ta shohim atë projektligj me një mendje të hapur, por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicionet para dhe pas zgjedhjeve. Reformat e 5 qershorit ishin tejet të rëndësishme. Shpresoj që në bazë të asaj marrëveshjeje partitë të marrin pjesë në zgjedhje” – tha zoti Varheli.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Oliver Varhelyi, tha gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me kryeministrin Rama, se Shqipëria ka nevojë për një reformë të besueshme zgjedhore.
“Ka ende sfida, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale. Vetingu është i rëndësishëm. Na duhet reformë e besueshme zgjedhore. Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë testi” – deklaroi ai.
Zoti Varheli foli mbi nevojën që Shqipëria të përmirësojë klimën e biznesit, dhe që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur.
“Shkollimi është elementi kyç dhe duhet bërë më shumë që brezi e ri ta qëndrojë këtu dhe të rinjtë të kthehen në rajon” – tha ai.
Gjatë vizitës në Tiranë komisioneri europian për zgjerimin, Oliver Varheli u takua edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Sipas njoftimit të presidencës për këtë takim, presidenti Meta i bëri të ditur komisionerit se do të kthente për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor.
“Duke mirëkuptuar kërkesën dashamirëse të Grupit të PPE në Parlamentin Europian për t’i dhënë edhe një mundësi Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë, uroj që pushteti të kthehet tek Marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit” – deklaroi presidenti Meta.
Ai siguroi zotin Varheli se “25 Prilli do të jetë një referendum popullor që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre, që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendit.
Komisioneri Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.
“Shqipëria po kalon një situatë tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsioni po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Reforma zgjedhore u miratua në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit” – citoi zoti Basha pjesë nga biseda me zotin Varheli.
Ai tha se reforma zgjedhore u ndryshua dhe miratua në mënyrë të njëanshme në shkelje të Kushtetutës.
“Partia Socialiste refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale, mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cënon rëndë standartin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit” – i tha zoti Basha komisionerit Varheli.
Një ditë më parë Komisioneri Varheli publikoi Paketën e Zgjerimit 2020 dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Europian vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e Integrimit dhe në objektivat për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke shënuar përparim në reforma kyçe.
zëri i amerikës
Komentet