- Harmonia fetare dhe mbrojtja e vlerave pozitive tradicionale iliro-dardano-shqiptare është jetike për kombin shqiptar.
Prof. Dr. Nusret Pllana ishte i burgosur politik, luftëtar i lirisë dhe tani veprimtar i palodhur për dokumentimin e krimeve serbe dhe dënimin e kriminelëve dhe të shtetit fashist serb. Shkurt, ai është një figurë kombëtare. Shqetësimi dhe paralajmërimi i tij i hapur për rrezikun nga ekstremizmat brenda kombit tonë, duhet të merret seriozisht nga strukturat shtetërore dhe shoqërore në të gjitha nivelet.
Është i njohur fakti se armiku shekullor serb e ka sponzoruar islamin radikal si mjetin kryesor për shkatërrimin e kombit shqiptar dhe rrëmbimin e trojeve tona. Kjo theksohet edhe në pamfletin e shovinistit katil serb Vaso Çubrilloviç “Dëbimi i shqiptarëve”. Serbia fashiste është munduar të na paraqesë përballë Evropës si një popull mysliman radikal të prapambetur, ndërsa veten si “mbrojtëse të krishterimit evropian”.
Kështu Serbia arriti të mashtrojë Evropën me shekuj, duke i hapur rrugën gjenocidit ndaj shqiptarëve. Falë rezistencës popullore dhe ndërhyrjes së Amerikës në vitin 1999, kombi shqiptar u shpëtua nga zhdukja. Por një pjesë e Evropës ka ende paragjykime fetare dhe është e ftohtë ndaj shumicës myslimane shqiptare. Pikërisht për këtë po bën çmos që ta rikthejë Kosovën nën kontrollin e Serbisë duke abuzuar me dialogun, duke insistuar në krijimin e një asociacioni krejtësisht të panevojshëm serb, para njohjes nga Serbia.
Amerika nuk paragjykon shqiptarët myslimanë, përderisa ata kultivojnë një islam tolerant, laik. Por nëse feja jonë islame kthehet në ekstremizëm urrejtës dhe kultura jonë përzihet me kulturën arabe, rrezikojmë të humbasim mbështetjen e Amerikës. Ne nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes këtë sepse armiku ynë nuk është vetëm bisha serbe. Është edhe bisha ruse, të cilën vetëm Amerika mund ta ulë në bisht. Vendet arabe dhe myslimane nuk mund të na ndihmojnë, disa prej tyre janë satelitë të Rusisë.
Përplasjet e shumta historike na kanë sjellë fe të ndryshme. Por, gjatë gjithë historisë, edhe pse herë pas here ka pasur urrejtje dhe radikalizim nga të gjitha fetë, shumica thelbësore e kombit e ka ruajtur tolerancën fetare. Kjo e ka ndihmuar kombin shqiptar të mbijetojë. Këtë duhet ta vazhdojmë edhe tani e tutje me guxim, vendosmëri dhe përkushtim.
Besimi fetar është çështje personale, e drejtë individuale e rregulluar me ligj dhe e garantuar në shtetet e vërteta demokratike, siç është Republika e Kosovës. Çdokush ka të drejtë të vlerësojë, promovojë dhe lavdërojë fenë e vet, por jo të nxisë urrejtje dhe të kërcënojë besimtarët e feve të tjera për t’u imponuar. Ata që e bëjnë këtë duhet të izolohen, të distancohen dhe të ndiqen penalisht në baza ligjore. Sidomos nëse financohen nga Serbia dhe nga burime të jashtme armiqësore.
Krishterimi urrejtës radikal është gjithashtu shumë i rrezikshëm sepse e nxitë myslimanizmin urrejtës radikal. Imamët dhe priftërinjtë nuk kanë imunitet absolut, të mirët duhen vlerësuar ndërsa të këqijtë duhen kritikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar, njisoj si politikanët.
Dhe të mos harrojmë kurrë se feja mund të ndryshohet, por kombi jo. Ata që mendojnë se mund të ndryshojnë kombin janë humbës, të mjerë dhe bastardë pa vlerë. Askush nuk ka respekt për ta.
Pranimi dhe promovimi i vlerave të këqija dhe i kulturave të huaja të dëmshme janë gjithashtu të rrezikshme për të ardhmen e kombit. Ne nuk kemi nevojë për veshje të huaja që nënçmojnë, denigrojnë dhe robërojnë nënat, motrat dhe vajzat tona. As nuk kemi nevojë për ekstremin tjetër imoral të lirisë së çfrenuar në veshje dhe sjellje. Familjet e forta dhe me traditë kanë ndihmuar në ruajtjen e lirisë dhe identitetit tonë kombëtar. Ato janë shtylla kurrizore e shteteve dhe kombeve të forta.
Ndasitë dhe urrejtjet rajonale shkaktojnë përçarje kombëtare dhe dobësojnë kombin shqiptar. Na pëlqen apo jo, ne jemi një komb dhe kemi të njëjtin fat. Kombëtarët e vërtetë duhet ta respektojnë, ta duan dhe ta mbështesin njëri-tjetrin, pavarësisht politikanëve zuzar që vijnë e shkojnë.
Kujdes, qeveri, opozitë, media, organizata joqeveritare, shkolla dhe institucione fetare, akademi të shkencës, familje dhe individë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata. Thirrja e sinqertë emocionale e profesor Pllanës për mbrojtjen e kombit nga ekstremizmat e ndryshëm vlen për të gjithë ne dhe është paralajmërimi i fundit për shoqërinë dhe vendet tona.
Të gjithë kemi për detyrë ta ruajmë, mbrojmë dhe forcojmë kombin tonë të ndritur paqësor, me tradita të lashta pozitive dhe vlera të larta njerëzore e kombëtare.