Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm ky që po lëmë pas për Kombëtaren shqiptare, ndërsa një edhe më i bukur na pret. Pas kualifikimit për në finalet e Europianit të Francës, në 2016-n do të kemi mundësi që për herë të parë të valëvisim flamurin kuqezi në një event të tillë madhor.
Kapiteni Cana, trajneri De Biasi dhe lojtarët Hysaj, Agolli e Berisha kanë shfrytëzuar murin e Kryeministrisë për të uruar të gjithë shqiptarët për festat e fundvitit. Derisa Cana premton një tjetër vit të paharruar, tekniku italian i Shqipërisë uron që ëndrra kuqezi të vazhdojë edhe në 2016-n. Mbrojtësi i Napolit, Hysaj, nuk harron të falënderojë për mbështetjen gjatë 2015-s, ndërsa Berisha e Agolli urojnë që buzëqeshja të shoqërojë çdo shqiptar edhe në vitin e ardhshëm.
Ja Urimet e kuqezinjve :
Lorik Cana, kapiten i Kombëtares: I uroj të gjithë shqiptarëve kudo ndodhën Gëzuar Vitin e Ri 2016!. Sjelltë ky vit sa më shumë shëndet e dashuri për çdo vatër shqiptare, ju premtojmë një vit të paharruar dhe uroj që së bashku të përjetojmë emocione edhe më të mëdha!
Gianni de Biasi, trajner i Kombëtares: Urimet më të mira për festat e fundvitit për të gjithë shqiptarët. Çdo çast të këtij viti marramendës, e kemi përjetuar së bashku dhe urojmë që ëndrra të vazhdojë edhe në 2016!.
Elseid Hysaj, mbrojtës: Kaluam së bashku një vit të paharruar, faleminderit për mbështetjen. Urimet më të mira për çdo shqiptar.
Etrit Berisha, portier: Gëzuar Vitin e Ri! Suksese dhe mbarësi për të gjithë. Gaz e lumturi për çdo shqiptar.
Ansi Agolli, mbrojtës: Gëzuar festat! Mbretëroftë gëzimi dhe hareja te të gjithë shqiptarët.
Kombëtarja falënderon dhe uron shqiptarët

Komentet