Deri para pak javësh kombëtarja zvicerane e futbollit konsiderohej kombëtarja e dytë shqiptare, për arsye se janë shqiptarët ata që ia japin tonin. Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, tashmë kombëtare e dytë shqiptare është ajo e Kosovës, ndërsa ajo e Zvicrës bie në vend të tretë.
Edhe vetë kapiteni i helvetëve e pranoi se ndeshja e sotme ishte një derbi. Të gjitha opinionet e këtushme e pranojnë se në një masë të rëndësishme kjo e sotmja ishte një ndeshje ndërshqiptare.
Zvicra ka marrë pjesë shumë here në finalet ndërkombëtare dhe në ato evropiane të futbollit. Asnjëherë, megjithatë, nuk e ka kaluar fazën e parë të këtyre finaleve. Fitorja e ndeshjes së parë, kësaj ndaj Shqipërisë, i krijon shpresa për ta kaluar këtë fazë për herë të parë dhe për të bërë histori.
Shqipëria bëri histori duke u kualifikuar për herë të parë në finalet e evropianit. Kjo krijon ngarkesë emocionale dhe do t’i kushtonte asaj pasigurinë e minutave të para përballë Zvicrës. E mori shumë shpejt veten, por pësoi goditjen tjetër të papritur – largimin e kapitenit. Komentatorët zviceranë, nga ana tjetër, e pranuan vetë se data 11 është shansi i tyre. Me Shqipërinë është takuar disa herë me datën 11 dhe ka fituar. Një herë që është takuar më 12, nuk ka fituar.
Humbja e ndeshjes së parë, gjithsesi, mund të ndikojë në zbehjen e shpritit të garës te Kombëtarja Shqiptare. Vetëm falë rolit vendimtar psikologjik të trajnerit De Biasi pritet që lojtarët tanë të jenë të mobilizuar për të dhënë ndeshje më të bukura se e sotmja. Me skuadra të fuqishme jo rrallë kombëtarja jonë ka shkëlqyer. Këtë fakt e nënvizoi edhe De Biasi për ndeshjen e ardhshme, atë me Francën.
Është për t’u vlerësuar shumë që në Shqipërinë zyrtare dhe në të gjitha mjediset e shqiptarëve të Shqipërisë anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA është pritur mirë, shumë më mirë se shpresohej madje.
Zvicrën e ka vënë në mendime ky zhvillim. Lojtarët shqiptarë, me prejardhje sidomos nga Kosova, vetë emigrantë ose me prindër emigrantë, janë fryt i drejtpërdrejt i investimit të ka bërë ky vend që në moshë të re për këta lojtarë. Shqiptarët janë ndjeshëm të pranishëm jo vetëm në Ligën e Parë, por edhe në të gjitha ligat e tjera. Janë të pranishëm në të gjitha ekipet e moshave të ndryshme dhe janë ndër më të talentuar, ndër më të dalluarit, ndër më të sukseshmit. Kjo tashmë është tejet e dukshme në futboll, por është gjithnjë e më e shumë edhe në sportet e tjera.
Të rinjtë dhe të rejat shqiptare edhe në vende të tjera kanë filluar të shkëlqejnë. Në vitet e ardhshme pritet veçse një bum në sporte, pak më ngadalë në arte, pastaj në fushat e dijes. Klima që kanë gjetur shqiptarët e moshave të reja në vendet ku i ka dërguar fati i emigrantit, ka bërë që ata të shpërthejnë fuqishëm.
Institucionet dhe pushtetet e interesuara për futbollin dhe sportin në Tiranë apo në Prishtinë nuk ka pse të vihen në siklet për mungesë talentesh në përfaqësueset e ndryshme sportive të Kosovës apo të Shqipërisë. Të dyja kryeqytetet tona domosdo të fillojnë të investojnë në talentet sportive në atdhe, por edhe nëpër botë. Individët e talentuar të rritur nëpër botë ndjejnë detyrime ndaj vendeve që kanë investuar për talentin e tyre. Ky do të jetë faktor ngurimi. Por, kur talentet e reja zbulohen nga kombëtaret tona në atdhe, e ndaj tyre investohet, e ardhmja e tyre në përfaqësimin tonë është e sigurtë.
Nga ana tjetër, traditat e zhvillimit të sporteve në Shqipëri e Kosovë janë të ndryshme. Në Shqipëri ndalimi i sporteve të quajtura të rënda apo i sporteve të quajtura borgjeze gjatë diktaturës ka krijuar mungesë tradite. Në Kosovë janë zhvilluar të gjitha sportet dhe kjo traditë ndihet. Në konkurrimet ndërkombëtare lind nevoja që, kur një përfaqësim i Shqipërisë është më i sukseshëm në disa sporte, Kosova dhe hapësirat e tjera kombëtare si dhe diaspora ta mbështesin me talente. E njëjta gjë për ato fusha ku Kosova e ka më të sigurtë përfaqësimin e suksesshëm.
Komentet