Kombëtarja Shqiptare e Femrave është shfaqur shumë e vogël përballë rivaleve franceze në sfidën e zhvilluar në stadiumin, “Qemal Stafa”.
Përfaqësuesja e ardhur nga Parisi ka bërë ligjin në Tiranë, duke fituar me rezultatin 6-0, në ndeshjen e vlefshme për turin e tretë të grupit tretë, të kualifikuesve për Europianin, që do të zhvillohet në vitin 2017. Sfida e nisur në orën 21:00 u zhvillua në një atmosferë të ftohtë, kjo jo vetëm për shkak të temperaturave të ulëta, por dhe mungesës së tifozëve në shkallët e stadiumit, pavarsisht masave të shumta të marra nga Policia e Tiranës.
Tekniku Altin Rraklli kishte zgjedhur rreshtimin 4-4-2, i cili ishte i njëjtë dhe për kundërshtarët, që në kampionatin botëror të zhvilluar një vit më parë, u radhitën në katër përfaqësueset më të mira në botë.
Ndeshja nisi me skuadrën mysafire në sulm. Francezet treguan që në prekjen e parë të topit agresivitet, duke i’a vështirësuar jetën vajzave shqiptare. Ndeshja u përqendrua në gjysmë fushën e Shqipërisë. Mbrojtja dhe mesfusha kuqezi treguan brishtësi të madhe, duke rënë preh e panikut gjatë presionit të francezeve dhe duke bërë gafa amatoriale.
Loja e jo e mirë e shqiptareve dhe forma e shkëlqyer e vajzave nga Franca i dha mundësi mikeve të çojnë rezultatin në 3-0 brenda 25-minutave të para. Golin e parë e shënoi Houra D’ Hommeaux në të 12-ën përmes një goditje spektakolare nga hyrja e zonës, raporton Atsh. E njëjta lojtare do të shënonte tri minuta më vonë golin e dytë, kësaj rradhe me kokë. Goli i tretë do të shënohej në minutën e 25’ dhe autore kësaj radhe do të ishte Le Sommer, e cila do të ishte dhe autorja e golit të fundit të takimit, golit të gjashtë, në minutën e 81’. Golin e katërt dhe të pestë do ta shënonte Le Bihan, gjatë zhvillimit të pjesës së dytë, konkretisht në minutat 63’ dhe 73’.
Kjo fitore e ngjit Francën në kuotën e 9 pikëve me tre ndeshje të fituara, e ndjekur nga Rumania me 7 pikë, dy fitore dhe një barazim. Fitorja e fundit ishte ajo e pasdites së sotme, kur mundi në Greqi me rezultatin 3-1, skuadrën helene. Në vendin e tretë në tabelë është Greqia me një pikë të fituar, një barazim dhe 1 humbje dhe 1 fitore. Ukraina ka vetëm një pikë në vendin e katërt me një barazim dhe një humbje, teksa Shqipëria ka tre humbje në tre ndeshjet e para.
Komentet