Dëshmori i atdheut Simon Gjeta do të prehet në krah të një tjetër heroi që dha jetën në krye të detyrës, efektivit të RENEA-s Ibrahim Bashës, që u vra në Lazarat.
Të hënën paradite në Pallatin e Brigadave do të mbahet ceremonia në kujtim të Simon Gjetës. Ai do të përcillet për në banesën e fundit pranë Varrezave të Dëshmorëve me një ceremoni zyrtare.
Një plumb në kokë i mori jetën nënkomisarit nga Mirdita gjatë aksionit për kapjen e autorit të një plagosjeje në fshatin Obot të ri të Shkodrës. Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë qytet, i doli në ballë aksionit për të kapur 56-vjecarin Ruzhdi Arishta që i përgjigjej me breshëri automatiku policisë nga brenda banesës së tij.
Ai humbi jetën si dëshmor, ndërsa kolegët e tij pas gati 15 orëve shkëmbimi zjarri me agresorin e ekzekutuan atë mëngjesin e kësaj të diele. 56-vjecari i cili dyshohet se kishte problem të shëndetit mendor “luftoi” me efektivët e RENEA-s deri në momentin e fundit.
Përkrah tij prehet edhe Dritan Lamaj, kryekomisari i Kombinatit i cili u vra në një atentat në shkurt të 2013-ës si dhe Musa Skura shefi i krimeve të Burrelit i cili humbi jetën në një spital në Itali pasi u qëllua gjatë një aksioni për arrestimin e disa të kërkuarve në Kurbin në janar të 2013-ës.
Komentet