Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Özkan Ulutaş, ka deklaruar se synimi i këtij misioni të NATO-s është të parandalojë përshkallëzimin.
Por në rastin se kjo veç ndodh, ai u shpreh se janë të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tyre.
Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka theksuar se pas agresionit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe sulmeve ndaj trupave të KFOR-it nga protestat e serbëve në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë.
Sipas tij, KFOR tani është duke zhvilluar më shumë aktivitete, duke e katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare.
Këto ai i konsideron si hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij.
I pyetur se nëse mobilizimi ushtarak i Serbisë është një paralajmërim për luftë në Kosovë, dhe në rast të ndonjë sulmi direkt nga ushtria serbe në territorin e Kosovës, Ulutaş është shprehur: “Siç e kam thënë më parë, nuk dua të spekuloj për një skenar të ardhshëm. KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore dhe unë e kam bërë prioritet timin të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim”.
“Jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë të Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta”.
Ndër tjera, Ulutaş ka theksuar se situata në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është e qetë, por sipas tij, mbetet e brishtë, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit.sn