E quajnë Xhemal Karaj. Një burrë i pashëm, me tipare ekspresive e me qëndrim dinjitoz. Nuk të jep përshtypjen se i ka kaluar të tetëdhjetat. Vjen çdo mëngjes atje te kafja ku takohemi, ulet në një tavolinë, i vetmuar. Porosit sipas xhepit, herë vetëm kafe e herë të shoqëruar me raki.
-Sa mbushe Xhemal,- e ngacmoj unë nga tavolina karshi.
– Unë? Duket sikur i ka harruar dhe vitet që i kanë ikur. Ja…në 43-shin kam qenë 14 vjeç…
43-shi për Xhemalin është një vit historik. Ishte ai vit kur djaloshi nga Picalli i Tiranës do të dilte partizan dhe, gjashtë muaj më pas do të përfundonte në kampin famëkeq të Mathauzenit. Dy hapa larg tavolinës sime pi kafe një dëshmitar i gjallë i atyre vuajtjeve. Askush s’ka shkruar asnjë fjalë për të. Do të shkruaj unë,- mendova, ndonëse nuk dija asgjë për të. Për më tepër, isha kureshtar të dija si kishte shpëtuar nga ai kamp famëkeq.
-Po ti, si shpëtove? e pyeta – paske pasur fat.
-Po. Kam pasur…Më ka shpëtuar një kolonel gjerman.
-Kolonel Gjerman?! Po hë? Po si…
– Është një histori e gjatë,- thotë ai. Midis tyre ka pasur dhe gjermanë të mirë. Njerëz ishin dhe ata. Shpirt kishin dhe ata. Fëmijë kishin dhe ata…
Nuk e ngacmova më tej, duke menduar se do të gjeja një kohë tjetër që historinë e tij dhe të kolonelit human ta hidhja në letër…
-Si e quanin kolonelin? – e pyeta.
– Besa nuk e di. Nuk ia mësova dot emrin. Ashtu e quanim. Koloneli. Ashtu mbeti në mendjen time. Mbaj mend që veç gjermanishtes fliste dhe serbisht. Këtë e mësova kur na çuan në kampin e Zemunit. Atje e kam parë së pari. Kur na mblodhën, ai na foli në gjuhën serbe. Ishte një burrë i pashëm. Bjond. I gjatë. I ashpër. I prerë. Fliste me gjeste energjike. I heshtur dhe tepër inteligjent. Kishte shumë autoritet te oficerët e tjerë. Kështu më është ngulitur në kujtesë…
Shënimet e mëposhtme ia mora disa ditë më vonë.
* * *
Ka qenë muaji qershor. Viti 1943. Ishim në fshat. Unë shkova me prindërit për të korrë misër në arë. Baba kishte marrë dhe dy miq të tij për të na ndihmuar në korrjen e misrit. Nëna kishte marrë gjashtë gra, shoqe të saj, nga fshati. Korrëm dy-tre orë. Në njëmbëdhjetë, kur bëmë pushim, baba më thotë. – O çun! A po shkon me na mbush kotruven te burimi.
– Po babë!- I thashë. Nëna më dha një kaçile me vete. Te burimi që mbante rreth çerek ore larg, kishte dhe disa rrënjë fiq. Ishte koha e fiqve. U nisa drejt burimit. Kur po futesha në pyll më zuri syri një çadër. Ishin çadrat e ushtarëve italianë. E dinim të gjithë. Italianët kishin disa ditë që kishin hyrë në Pezë. Dy kilometra më tutje kishte komandën çeta partizane e Pezës. Ato ditë priteshin luftime të reja. Kur kalova pranë çadrës së parë vura re një grykë pushte që kishte dalë jashtë çadrës. Nuk e di si ma dha truri. Nuk mendova gjatë. Iu afrova çadrës, me kujdes. S’pipëtinte njeri. Ushtari flinte brenda çadrës. Ia tërhoqa pushkën me kujdes, e hodha në krahë dhe ai mbatha drejt pyllit… Mbusha kotruven me ujë në burim. Mblodha dhe ca fiq dhe, pas gjysmë ore unë u ktheva në arë. I shkoj babës me katruven me ujë, me kaçilen me fiq dhe me një pushkë italiane në krah, te tipit 41 .Baba u çudit… “Ku e more?” më pyeti… I tregova si ndodhi. Ai nuk po më besonte… Në atë çast na vjen në arë vet komisari i çetës së Pezës, Spiro Moisiu. Takoi babanë. E pyeti: “Ky është djali yt?”. “Po”- i tha babai.
Pastaj m’u drejtua mua. Hë qerrata… Më lëmoi flokët. Si nuk pate frikë kur ua rrëmbeve pushkën. Po sikur të të kishin kapur…
-Unë e pashë të gjithë ngjarjen me dylbi,- iu drejtua babait. Djalin e paske të shkathët. Dhe trim.
-Bujrum!- i tha baba… duke e ftuar të hante diçka. Nëna i zgjati fiq në një pjatë.
– Nuk do rri, -tha ai.-Po këtë djalë do ta marr me vete… Në qoftë se ma lejon.
-Si jo – i tha baba.
Spiroja para unë pas, shkuam në shtabin partizan.
– O babë, e njeh këtë çun?- e pyeti Spiroja Babë Myslimin.
-Si jo. Është çuni i Qazimit – tha baba.
-Shiko se çfarë u mori italianëve.
Ma hoqi pushkën nga supi dhe ia zgjati Babës. Babë Myslimi pasi më pyeti se si arrita që t’ua marr pushkën italianëve, ma hoqi pushkën nga supi dhe më tha:
-Ik tani, se të pret Qazimi.
-Jo. Nuk iki. -I thashë i vendosur. Ose më jep pushkën, ose më mbani dhe mua partizan.
-Si thua Babë? – e pyeti Spiroja – Ta mbajmë?.
– Mbajeni,- miratoi me kokë Babë Myslimi.
Qysh atë ditë u inkuadrova në çetën e Pezës. Në tetor të atij viti bashkë me disa partizanë të tjerë të çetës kaluam në brigadën e tretë. Në nëntor kaluam në Priskë. Në maj të vitit tjetër shkuam në Shëngjergj, ku qëndruam 15 ditë. Pastaj u hodhëm në Labinot. Nga e gjithë ajo kohë mbaj mend luftën e Polisit të Elbasanit. U bë luftë e madhe. Patëm humbje të mëdha. 46 të vrarë dhe po aq të zënë robër. Mua me ca shokë na kapën rob dhe na mbajtën disa ditë në një shtëpi ballisti. Më pas më dorëzuan tek gjermanët. Gjermanët na mbyllën në një kapanon. Kishin dhe një përkthyes. Na pyetën një nga një. Donin të dinin cilët ishin udhëheqësit tanë. Nuk treguam asnjë. Tre prej tanëve, për të cilët dyshonin se ishin drejtues, i nxorën jashtë dhe i pushkatuan. Ditën e katërt qysh herët na hipën në kamiona dhe na nisën për në Prishtinë. 10 ditë qëndruam në kampin e Prishtinës. Më pas na kaluan në kampin e Zemunit. Atje nisën të na torturonin pa mëshirë. Na çonin njëshkollonë diku larg qytetit. Ngrinim gurë. Këtë gjë e bënin vetëm për të na torturuar. Pas torturës së gurëve na priste një torturë dhe më e rëndë. Na merrnin një nga një, kur të donin. Na fusnin në një dhomë, na zhvishnin dhe na qëllonin me shkop gome. Të nesërmen po ajo punë. Në një nga këto ditë, hyri në kapanon një Kolonel. Na vërejti të gjithëve me radhë. Mua më vërejti më gjatë. Më pas më nxori nga rreshti. Për të tjerët urdhëroi të nxirreshin jashtë. Kur ikën të gjithë m’u afrua dhe më tha.
-Ti nuk do të dalësh në punë, as sot as ditët e tjera..
Të nesërmen qëndrova në kapanon. Një roje gjermane erdhi dhe më solli një pako me ushqime. Ishin pakot e ushqimeve që u vinin të internuarve. Thërrisnin emrat e tyre. Pakot e të vdekurve ua jepnin të tjerëve. Një nga këto pako më erdhi mua. Përsipër saj ishte shkruar me shkrim dore “Savos”. Më shkoi mendja që këtë pako e kisha peshqesh nga koloneli. Ditët e tjera, me urdhër të tij rojet më binin pako me ushqime me mbishkrimin “Savos”. Nuk e di pse më kishte vënë këtë emër. Pakoja nuk thoshte se kush e dërgonte, por, unë e kuptoja. Gjithë kjo përkujdesje bëhej me urdhrin e kolonelit.
* * *
U nisëm me tren nga Banica e Serbisë. Na ndaluan në një qytezë të vogël. Emrin s’ ia mbaj mend. U hapën dyert e vagonit. -Zbritni!- thirrën ushtarët e vagonit që na shoqëronin. Rruga tjetër do të bëhej me kamiona. Ishte një rrugë malore. Pas disa orëve na zbritën sërish. Ne vepronim të bindur, sipas komandave të tyre. Na zbritën, na vunë në rresht dhe na futën në një kapanon ku kishte dhe shqiptarë të tjerë.
-Si quhet ky vend -pyeta një shqiptar.
-Mathauzen,-tha ai. Ky është një kamp internimi ndërkombëtar. Po ti mos ki frikë…-më tha ai.-Ky kamp nuk bombardohet nga aleatët. Aleatët kanë dijeni për ndodhjen tonë.
Të nesërmen na vunë në njëshkolonë dhe na çuan tre-katër kilometra larg kampit. Atje na vunë të ngrinim gurë… Këtë punë bëmë për disa disa ditë. Mbartnim gurë. I zbrisnim nga mali. Në fund të javës po ata gurë i kthenim mbrapsht për t’i çuar tek vendi. Ishte një lloj torture. Një mëngjes, na rreshtuan para kapanonit.
-Ti dil këtej – më tha oficeri. Shokët u nisën të gjithë. Mua më shoqëruan për në kapanon. Atë çast nuk më shkoi mendja se ky ishte një nder që më bëhej mua dhe këtë nder ma bënte vetë koloneli. Në një nga këto ditë kur unë isha jashtë kapanonit pashë kolonelin duke hyrë në kamp i shoqëruar. Sa më pa ma bëri me dorë. Shkova drejt tij.
-Të kam hequr nga lista, më foli serbisht. –Ti nuk do të shkosh më të mbartësh gurë.
Kaq tha dhe u nis drejt zyrave. Ktheu kokën dhe ma bëri me dorë që ta ndiqja pas. Ai para unë pas tij, u futëm në një kapanon tjetër. Atje më prezantoi me një të internuar nga Vojvodina. Ishte i plagosur rëndë. Pas kurimit e kishin marrë gjermanët nga spitali dhe e kishin sjellë në kamp. Kishte qenë komandant brigade i forcave partizane.
-Ti do të kujdesesh për këtë djalin, – tha koloneli…Me sa dukej koloneli kishte simpati të veçantë për të. Ai pranoi, mirëpo, unë iu luta kolonelit që të mos më ndante nga shqiptarët. Më hodhi një shikim dyshues, por vendosi menjëherë.
-Shoqërojeni në kapanonin e tij,- u dha urdhër dy ushtarëve, pa m’i hedhur sytë.
Kështu, unë vazhdova dhe ditët e tjera të mos shkoja për të mbartur gurë. Mëngjeseve më linin të dilja jashtë kapanonit, në oborr. Kishin porosi nga koloneli që të trajtohesha në mënyrë të posaçme. Bëra gjashtë muaj në atë kapanon.
Një mëngjes na vjen vetë koloneli në kapanon duke thirrur në serbisht.
-I gjithë kapanoni, jashtë!
Dolëm të gjithë. Na rreshtuan sipas shtretërve që kishim në kapanon. Ishim rreth 300 të internuar. Shumica ballkanas. Ndaj dhe ai kur na drejtohej neve, fliste në serbisht.
-Kush dëgjon emrin të dalë nga rreshti!
Thirri 27 emra. Emrin tim nuk e thirri. Kur mbaroi listën m’u drejtua mua.
-Ti dil këtej!
Edhe pse nuk më thirri emrin, dola dhe unë së bashku me të tjerët.
-Të tjerët të futen nëpër kapanone, -thirri sërish.
Më pas sollën nga një kapanon tjetër dhe 17 të tjerë. Unë iu afrova dhe e pyeta: -Ubit?…Doja t’i thoshja “Do të na pushkatoni”?
Ai më vërejti me inat. U kthye nga unë dhe më rrahu krahët. Për të më dhënë të kuptoja se emri im nuk ishte në atë listë dhe… ai e dinte vetë këtë punë. Me shikimin e tij të përzemërt, m’u duk sikur më tha “Rri i qetë”.
Pasi u plotësua numri, na hipën në dy kamiona dhe na nisën të shoqëruar. Nuk dihej ku shkonim. “Do të jetë për mirë…” mendova, duke sjellë ndër mend kujdesin që ai kishte treguar gjatë gjithë kohëve, dhe shikimin e tij dashamirës.
Na çuan në një kapanon më të mirë, ku kishte edhe dushe për t’u larë. Na futën nëpër dushe. Kishim kaq kohë pa u larë. Rrobat tona i futën dhe i dizinfektuan. Dhe pasi i thanë na i sollën sërish. Qëndruam në dushe rreth një orë, lakuriq. Rrobet tona na i sollën të thara. Atë natë fjetëm aty.. Të nesërmen na hipën nëpër kamiona. Në krye të kolonës më zuri syri kolonelin dhe u gëzova. Në një stacion ndaluan karvanin. Erdhën ushtarë me qese në duar. Na pajisën me nga një qese me ushqime. Rruga e kthimit drejt Prizrenit do të bëhej me tren, i shoqëruar me roje gjermane. Në një tunel qëndruam gjatë… U fol që treni kishte ndaluar pasi mund të bëheshin bombardime nga forcat aleate.
Në Prizren mbërritëm në mbrëmje, vonë. Na zbritën nga treni dhe na futën në burgun e tyre.
Të nesërmen po ai avazi i listave. Vinin në kapanon lexonin listën. I merrnin dhe i sillnin sërish. Askush nuk e kuptonte se çfarë kishin ndërmend të bënin. Unë isha i qetë. Unë e kisha shpresën te koloneli, i cili na kishte shoqëruar gjer në Prizren. I thirrën të gjithë. Vetëm mua jo. Unë nuk isha në listat e tyre…
-Ka më?- pyeti oficeri
Është edhe një, i thanë.
-Silleni!
Më morën dhe më çuan para një oficeri shqiptar me veshje gjermane.
-Afrohu!- më foli shqip.
U afrova.
Prej nga je ti?
-Prej Tirane – i thashë.
-Ti je djali i Qazimit, – tha ai gjithë nervozizëm. Ky është djali i korrierit të shtabit të Pezës… u tha të tjerëve. Ky ka luftuar kundër gjermanëve…
-Të kthehet pas!- thirri gjithë nervozizëm. Ndërkohë tek dera u shfaq koloneli. Sikur e solli Zoti vetë.
-Këtë e kam liruar unë,- I tha atij që më vonë do ta merrja vesh që ishte Xhafer Deva. Më tërhoqi për dore, më çoi gjer tek dera dhe më shtyu me forcë përjashta. Unë qëndrova pas derës. Dëgjoja si ziheshin me njeri-tjetrin. Xhaferi me Kolonelin. Më pas doli koloneli. “Hip në makinën time”, më tha. Më mori dhe më çoi në një kapanon që ishte gjysmë ore larg burgut. Tre ditë më vonë mora vesh se unë isha përfshirë në listat e atyre që i kishin lënë të lirë. Na morën me makina, dhe na nisën për në Shkodër. Kur hyra në kufirin shqiptar nisi të më hovte zemra nga gëzimi. Shpëtuam! Shpëtuam! Gati sa s’thirrja nga gëzimi. E gjithë merita ishte e kolonelit. Ishte pikërisht ky kolonel nazist të cilit ia kam borxh jetën.. E kam kujtuar gjithnjë.
Kanë kaluar 71 vjet që nuk më del nga mendja. Çudi! Si nuk munda të mësoj asgjë nga jeta e tij S’ja mësova dot as emrin!?
Komentet