Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani
Ajo ditë e acartë janari kishte shkaktuar, natyrshëm, rënie të theksuar të humorit tim. Kishte disa kohë që shkoja në zyrë duke u dridhur nga të ftohtit dhe i vendosja shuplakat mbi kaloriferin e vakët, që nuk më ngrohte dot as duart. Ishin ditë mërzie, që të kujtonin ngjarjet dramatike të ishujve Pago-Pago, të përshkruara aq mjeshtërisht nga shkrimtari i madh Samërset Moem në novelën e tij të bukur “Bie shi”. Ditë të ftohta, ditë të vrenjtura, me shi e dëborë, ta bëjnë llucë edhe shpirtin.
Në mëngjes, posa u çova nga shtrati, hapa pa kujdes derën e ballkonit, duke pritur në fytyrë shuplakën e ftohtë të tufanit, që më shkaktoi drithmë në tërë trupin. Përmblodha veten dhe hodha sytë përballë, ku pashë një autoveturë që priste përpara dyqanit, edhe e mbuluar me dëborë. Ishte vetura e një anëtari të Komisionit, të cilit, një ditë më parë, i isha lutur të vinte e të më merrte edhe mua, për shkak se nuk e përballoja dot në këmbë atë rrugë të gjatë në një ditë kaq të ftohtë. Dhe pikërisht atë ditë do të kishim probleme të rëndësishme, do të shqyrtonim disa dosje për figura punonjësish të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe do të merrnin vendimet përkatëse të penalizimit të tyre. Fjala ishte për disa personalitete të njohura, por ajo që e bënte më të veçantë këtë mbledhje, ishte shqyrtimi i dy kërkesave zyrtare, drejtuar Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe Komisionit të Kontrollit të Figurës së Zyrtarëve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Shërbimi informative Kombëtar (SH.I.K) me anën e të cilave kërkohej rehabilitimi i dy të penalizuarve, për t’u emëruar në funksione të rëndësisë të veçantë.
Kërkesat e mësipërme më ishin paraqitur mua verbalisht një muaj më parë, por unë u tregova rrugët që parashikonte ligji për rehabilitimin e personave të tillë. U thashë se kërkesa duhej bërë me shkrim Kryetarit të Këshillit të Ministrave, duke bërë të qartë, mbi të gjitha, nevojën e domosdoshme për këta specialist, si dhe garancitë që u bëjnë të besoni në kryerjen me përkushtim të detyrave që do t’u ngarkoni. Në rast se Kryeministri bindet për kërkesën tuaj, ai na e dërgon ne, si Komision, për ta shqyrtuar dhe për të dhënë vendimin përkatës.
Dhe, pasi kaluan pak ditë, u njoftova në telefon për nisjen e kërkesës.
Të tilla kërkesa më ishin paraqitur verbalisht edhe herë të tjera, por kishin marrë të njëjtën përgjigje. Komisioni nuk mund të jepte autorizime të pambështetura në ligj. Përshtypje të madhe më kishte bërë një kërkesë verbale e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, zotit Avni Shehu. U takova me të rastësisht në një darkë që shtroi në Pallatin e Brigadave Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, me rastin e festës së 28 Nëntorit. Avniu më tha se kishte një nëpunës shumë të mirë dhe shumë të aftë, të cilin dëshironte ta emronte Kancelar të Gjykatës së Kasacionit, por kishte pengesë ligjore, sepse kishte qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme për Rrethin e Dibrës. Kur ai fliste, mbeta paksa i hutuar dhe nuk mund t’u besoja veshëve të mi. Si është e mundur, vallë, që Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, në një situatë kaq të ndezur, të kërkojë për koleg të tij një ish kryetar Dege të Sigurimit të Shtetit? E shikova në sy pa përgjigje, kur ai e kuptoi habinë time dhe shtoi:
-Mos u çuditni, zoti Bezhani, atë e kam patriot, është bir e një trungu të fisëm dhe populli thotë se “fisi është si lisi”, pra, u qëndron tufaneve. Atëherë u binda se propozimi i tij ishte serioz, por unë e shikoja atë shumë të vështirë, për shkak se detyra e Kancelarit nuk përbënte ndonjë specialitet që lidhet me atë të sigurimsit. Megjithatë unë ju përgjigja:
-Zoti Avni, e kuptoj mirë qëllimin tuaj, por kjo nuk është në kompetencën e drejtpërdrejt të Komisionit. Në bazë të ligjit nr. 8020, dt.15.1.1998, për rehabilitimin e personave të tillë, institucionet e interesuara duhet t’i drejtohen Kryetarit të Këshillit të Ministrave, i cili, kur e shikon të arsyeshme, ja dërgon për kompetencë Komisionit tonë.
Disa ditë më vonë, rastësisht më dolli një shteg dosja e Hysenit, dhe i nxitur nga një kuriozitet i veçantë, vendosa ta lexoj. Gjithçka shkëlqente, por bukurinë e saj e kishte turbulluar një ngjarje fatkeqe. Hyseni kishte ardhur në Tiranë për shkak se kishte të atin shumë sëmurë. Në mbrëmje ai vdiq, por po atë natë Hysenit i kishte ndodhur edhe një fatkeqësi tjetër: kufitarët kishin dalluar një shkelës kufiri dhe i kishin bërë thirrje të ndalonte, por ai nuk ishte bindur urdhrit. Në këto kushte kishin bërë thirrje të ndalonte, por ai nuk ishte bindur urdhrit. Në këto kushte, ata kishin qëlluar në ajër, por pa sukses. Atëherë kishin marrë vendimin dhe e kishin qëlluar drejt duke i marrë jetën. Kjo ngjarje e kishte tronditur shumë Hysenin, prandaj vendosi t’i kërkojë falje të atit që, për shkak të detyrës, nuk mund të qëndronte edhe pak orë, për varrosjen e tij. Dhe ishte nisur me urgjencë për në Dibër, për të analizuar çështjen dhe për të marrë masat përkatëse. Kjo ngjarje ishte hiperbolizuar aq shumë, sa ishin bërë edhe propozime për të gjykuar Hysenin “për Genocid”! Dhe i shkreti njeri mbetet i shokuar kur bën analogjinë e krimeve të kryera: Për vrasjen e një shkelësi të kufirit, kërkohet që një ish Kryetar Dege të gjykohet “për Genocid”, ndërsa për mijëra të tjerë, të vrarë për fajet e politikanëve, është heshtur dhe nuk është kërkuar asnjë lloj dënimi.
Natyrisht, gjykime të tilla absurd, të lënë të trishtuar dhe të humbasin besimin në të ardhmen. Ndoshta këto absurditete kishin rënduar edhe në logjikën e kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, për të hequr dorë nga paraqitja e propozimit të tij edhe pse ishte i bindur se kishte të bënte me një kuadër të vlefshëm.
Por Komisioni do të shqyrtonte dy kërkesa të tjera, që ishin paraqitur për Shërbimin Informativ. Rehabilitimi i tyre, përbënte një akt të përgjegjshëm, për shkak se të dy të propozuarit për rehabilitim, ishin shqyrtuar njëherë nga Komisioni, në Tetor të v.1997, ku ishte vendosur për t’i shkarkuar nga detyrat që mbanin. Kjo e bënte çështjen edhe më të vështirë, veçanërisht për mua që do të relatoja dhe natyrisht, do të mbaja përgjegjësinë kryesore. Si mund të vendosej aq lehtë për të rehabilituar dy persona që vetëm pak kohë më parë kishim vendosur po në këtë Komision për t’i shkarkuar nga detyrat që mbanin, për shkak se nuk plotësonin kushtet ligjore? Si mund të mendohej se brenda një kohe kaq të shkurtër ishte bërë riedukimi i dy ish kuadrove të larta të Sigurimit famëkeq të Shtetit, të cilët kishin drejtuar Degë të rëndësishme të një institucioni inkuizitor, që zbatoi me egërsi të ashtuquajturën “luftë të klasave”, duke lënë si trashëgim në kujtesën e njerëzve vetëm histori dramatike? E, pra, pikërisht këto dyshime dhe kjo logjikë, më detyruan të bëja një kontroll të ri e të përgjithshëm të figurës së tyre, jo vetëm nëpërmjet dosjeve të punës dhe arkivit sekret, por edhe në rrugë të tjera ligjore. Dhe vetëm pas një kontrolli të tillë të imtë, unë u binda plotësisht, për të vendosur rehabilitimin e tyre, me një vendim të argumentuar në mënyrë të tillë që nuk mund të kontestohen dhe nuk do të kishte pasoja negative. Për të gjitha përpjekjet e mia paraprake njoftova edhe Kryeministrin, por ai ma preu shkurt: “zbatoni ligjin”! I bindur se gjithçka do të kuptohej dhe do të zgjidhej drejt, vendosa ta shtroja për shqyrtim para Komisionit, konform detyrimit ligjor.
Ajo ditë ishte e ngarkuar me material të shumta dhe të rëndësishme. Në fillim kisha vendosur të shqyrtonim figurën e disa oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dërguar me një listë të gjatë, ku përfshiheshin oficerë me grada dhe funksione të larta, kontrolli i të cilëve ishte i parashikuar në ligj, si dhe shumë të tjerë me funksione më të ulëta, një e drejtë që i ishte njohur me ligj këtij dikasteri. Dhe fillova të parashtroj propozimet e mia për personat që duhet të merrnim vendim për t’i penalizuar, si më poshtë:
N/Kolonel Besim Asllan Dylberi, ka qenë i tërhequr si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, në kategorinë e informatorit, në vitin 1978, është aktivizuar deri në vitin 1985, me pseudonimin “Zambaku”. Këtë vit ai është bërë anëtar i Partisë së punës dhe në këto kushte, dosja e tij është arkivuar. Për mendimin tim duhet të vendosim largimin e tij nga ai funksion, për shkak të pengesave ligjore.
-E kini parë ju dosjen e tij?- pyeti një nga anëtarët.
-Po! – u përgjigja unë. Kemi të bëjmë me një person që ka patur aktivitet të gjerë dhe të ndërgjegjshëm.
-Është e kotë të diskutosh për tipa të tillë! – e preu shkurt një antar tjetër, duhet të hiqet menjëherë nga ajo detyrë.
Ndërsa të tjerët e miratuan në heshtje propozimin. Unë nxitova:
-Atëherë nuk na mbeti gjë tjetër veç ta votojmë. Kush është dakord për ta penalizuar?
Të gjithë ngritën duart përpjetë, pra, u miratua unanimisht shkarkimi i tij nga detyra që ishte ngarkuar.
-Atëherë vazhdojmë me tjetrin: Kapiten Mark Ndue Marku. Është tërhequr si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në vitin 1983, në kategorinë e Rezidentit. Fillimisht kishte në drejtim 4 informatorë dhe brenda vitit, me aktivitetin e tij, e shtoi këtë numër në 7 informatorë. Ka patur veprimtari të gjerë.
-Mos e zgjat më tej!- më ndërpreu fjalën një nga anëtarët, – rezidentët duhet të përgjigjen edhe për veprimtarinë e agjentëve, apo informatorëve që kanë patur nën drejtimin e tyre. Dhe u kthye nga anëtarët e tjerë, duke i pyetur: A po jo, si thoni ju?
E pashë të arsyeshme të bëja edhe një ndërhyrje sqaruese: Pavarësisht nga të gjitha këto, për kapiten Markun nuk kemi të drejtë të marrim vendim për shkarkimin e tij. Ai është emëruar në një funksion nën nivelin e funksioneve të parashikuara në ligj, prandaj ne duhet që çështjen t’ia parashtrojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ajo ka të drejtën për të vendosur për rastet e punonjësve nën nivelet e parashikuara në ligj.
Për shkak se për të nuk pati diskutime të tjera, u hodh në votë. Të gjithë shprehën të njëjtin mendim që kjo çështje t’i kalonte për kompetencë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
I erdhi radha Kolonelit Abedin Mehmeti, i tërhequr në bashkëpunim në kategoritë e informatorit në v.1979, me pseudonim “Lisi” dhe me dosjen Nr. 23475. Ishte një kuadër me eksperiencë dhe aftësi profesionale, por këto vlera kishin shumë pak ndikim në marrjen e vendimit tonë. Në të gjitha rastet e Komisionit ishte i detyruar të zbatonte vetëm ligjin, prandaj parashtrova mendimin se duhej vendosur largimi i tij nga detyra që i kishin ngarkuar, por për shkak të reputacionit të tij, do të ishte e këshillueshme që të veprohej me kujdes, për të mos cenuar nderin dhe dinjitetin e tij, pra, që largimi i tij nga ajo detyrë, apo transferimi i tij në një funksion tjetër, të lejuar nga ligji, të bëhej nga Dikasteri, duke përdorur motive të tjera. Këtë propozim e quajtën të drejtë dhe e pranuan edhe anëtarët e tjerë.
Mora listën, të mbushur me emra dhe shënime, për të diskutuar një emër tjetër, por një nga anëtarët më pyeti:
-Kini edhe shumë, zoti Kryetar?
-Natyrisht ka, pse e bëni këtë pyetje?
-Se, për mendimin tim, deri sa ligji parashikon penalizimin e atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, për ne nuk mbetet gjë tjetër veçse të ngremë duart e të miratojmë propozimet tuaja. Prandaj, do të ishte më me efektivitet në rast se ju do të referonit për të gjithë, ndërsa secili nga ne, po të ketë probleme, le të kërkojë fjalën.
-Për mendimin tim, është një propozim që nuk cenon procedurën demokratike të shqyrtimit, në rast se do të jenë të gjithë dakord! – u përgjigja unë duke hedhur një sy kalimthi anëtarëve të tjerë, për të parë reagimet e tyre. Por ky propozim u pëlqye nga të gjithë. Kështu vazhdova të relatoj në mënyrën e re: Atëherë zotërinj, po ju paraqes të dhënat arkivore për secilin dhe propozimin tim:
Zoti Josif Kiço Milo, vjeç 42, aktualisht Shef Rajoni. Ka qenë tërhequr në bashkëpunim nga Sigurimi i Shtetit në kategorinë e informatorit në v.1980-’86, me pseudonimin “Ariu”. Dosja e tij më Nr.74217 është arkivuar në v.1986 për shkak të pranimit të tij anëtar partie. Aktiviteti i tij ka qenë i vlerësuar pozitivisht nga organet e larta, por në raportet e pakta të tij nuk rezulton të ketë kryer veprimtari antiligjore. Funksioni i tij si shef Rajoni nuk përfshihet në listën e kategorive që parashikohet penalizimi i tyre nga ky komision, prandaj çështja do t’i parashtrohet për kompetencë Ministrisë Punëve të Brendshme.
Relatimi po ndiqej me shumë vëmendje dhe vura re në mimikën e tyre një shprehje miratuese për propozimin tim. Fill pas këtij, vazhdova relatimin për një Shef tjetër policie në një rreth me shumë problem. Ishte N/Koloneli Artan Ahmet Bregu, i lindur në v.1954. Kishte mbaruar shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme me notën “Shumë mirë”. Në një karakteristikë që ndodhej në dosjen e tij dilte se ishte tërhequr në bashkëpunim si informator i Sigurimit të Shtetit gjatë kohës që ishte student i vitit të tretë. Në karakteristikë thuhej se gjatë dy vjetëve që ka ndjekur studimet në këtë shkollë, ka qenë shembullor, në sjelljet e tij dhe në rezultatet e programit mësimor. Gjithashtu e shkëlqyer është edhe biografia e familjes së tij. I gjithë rrethi familjar është i lidhur “si mishi me kockën” me Partinë e Punës. Gjyshi i tij, ish partizan i Brigadës së Parë, ka rënë dëshmor në luftë kundër pushtuesve nazistë gjatë operacionit të dimrit në Tendën e Qypit, ndërsa i ati i tij, Ahmeti, është instruktor në Komitetin e Partisë. Nga rrethi i tij familjar nuk ka asnjë të arratisur dhe as të dënuar penalisht. Dhe pikërisht me këtë begraund, Artani ishte emëruar menjëherë, pas mbarimit të shkollës, operativ i një zone të rëndësishme, por çuditërisht dosja e tij ishte e “thatë”, vetëm me një deklaratë të tij që pranonte të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, pesë copë karakteristika, njëra më e mirë se tjetra, si dhe dy copë fotografi. Mbi ç’baza vallë, mbështeten ato karakteristika kur në veprimtarinë e tij nuk ka asnjë aktivitet konkret apo shembull që të shprehë qartë devotshmërinë e tij në zbatim të luftës së klasave? Por pavarësisht nga fakti që nuk rezulton të ketë asnjë provë për veprimtari antiligjore, çështja duhej t’i përcillet për kompetencë Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shkak se funksioni I tij është i një kategorie më të ulët nga ato që parashikohen në ligj për t’i penalizuar nga ky komision.
Komentet