VOAL

VOAL

Koleksioni i fotografive Marubi drejt UNESCO-s (video)

March 19, 2021

Komentet

Shfaqet vetëm dy herë në vit, ja çfarë ndodh me statujën e faraonit të Egjiptit

Më 22 tetor 2024, rrezet e diellit ndriçuan statujat e mbretit Ramses II në tempujt e Abu Simbel, në Aswan, Egjipt.

Kjo dukuri unike ndodh dy herë në vit, përkatësisht në ditën e kurorëzimit të Ramses II më 22 shkurt dhe ditëlindjen e tij më 22 tetor, duke zgjatur për rreth njëzet minuta.

Ky fenomen natyror ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe studiuesve, duke reflektuar aftësinë e lashtësisë egjiptiane për të sinkronizuar arkitekturën e saj me ciklet e natyrës.

Tempujt e Abu Simbel, të cilat janë shpallur si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, vazhdojnë të jenë një simbol i fuqisë dhe historisë së Egjiptit të lashtë.sn

Artistë nga Kosova dhe Serbia me ekspozitë të përbashkët në Beograd

Sonja Goçanin

E kaluara e luftës, sfidat e bashkëpunimit mes artistëve nga Kosova dhe Serbia, propaganda nacionaliste – këto janë disa nga temat e punimeve të artistëve nga të dyja vendet në ekspozitën “MIR IS MIRË”, të hapur në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd.

Ekspozita prezanton punimet e dymbëdhjetë artistëve të rinj nga Sërbobrani, Prishtina, Pançeva, Beogradi, Gjakova, Zrenjanini, Tërsteniku dhe Novi Sadi.

Ajo u hap më 27 tetor, në kuadër të projektit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe ArtPolis-it nga Prishtina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Njëri nga organizatorët e ekspozitës, Bashkim Fazliu, tha për Radion Evropa e Lirë se ky projekt zbatohet tash e dhjetë vjet, me qëllim të promovimit të dialogut të artistëve të rinj.

“Ka pasur shumë persona të regjistruar në këtë program. Por, ne e dimë se këta njerëz përballen me rezistencë të caktuar në komunitetet e tyre [për shkak të pjesëmarrjes në një program të tillë]”, tha Fazliu.

Ekspozita e artistëve të rinj nga Kosova dhe Serbia “MIR IS MIRË” në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, 27 tetor 2024.

Ekspozita e artistëve të rinj nga Kosova dhe Serbia “MIR IS MIRË” në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, 27 tetor 2024.

Se artistët e Kosovës dhe të Serbisë duan të bashkëpunojnë përkundër paragjykimeve nga rrethi, e vërteton edhe artistja nga Prishtina, Aulona Hoxha, vepra e së cilës u shfaq në këtë ekspozitë.

“Më është thënë: ‘a e di se ku po shkon, është e rrezikshme’. Por, unë kam kaluar kohë të mirë këtu [në Serbi]. Kjo përvojë ma ka ndryshuar perceptimin për Serbinë”, u shpreh Hoxha.

Emri i ekspozitës “MIR IS MIRË” lidh fjalë nga gjuha serbe dhe shqipe, që tingëllojnë ngjashëm, por kanë kuptim të ndryshëm. Në përkthim, kjo do të thotë “Paqja është e mirë”.

Ekspozita u hap në vitin kur në Serbi u anulua festivali “Mirdita, dobar dan”, i cili promovon bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Policia në Serbi e anuloi këtë festival në qershor, pasi të djathtët e bllokuan për orë të tëra hyrjen në vendin ku duhej të zhvillohej ngjarja.

Çfarë porosish përçojnë veprat e artistëve?

Përmes videos së saj, Dunja Shkundriq nga Pançeva tregon një performancë, në të cilën duket se i janë lidhur këmbët dhe duart, si simbol i rezistencës së mjedisit ndaj bashkëpunimit dhe shkëmbimit të artistëve.

“Paragjykimet i pengojnë kontaktet e tilla [të artistëve nga Serbia dhe Kosova]. Unë jam ajo që dua që ne dhe artistët e tjerë ta thyejmë këtë dhe t’i kundërvihemi frikës”, tha Shkundriq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tha se mediat, shpeshherë, nuk japin një pasqyrë të qartë dhe shtoi se, përmes bisedave me artistë, ka mësuar më shumë për situatën me të cilën përballen kolegët e saj në Kosovë.

Vepra e Dunja Shkundriqit në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Vepra e Dunja Shkundriqit në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Alsea Ymeri nga Gjakova ia kushtoi veprën e saj “rritjes në atë që jemi në të vërtetë”.

“Është një vepër për udhëtimin tim këtu, në Beograd, në Prishtinë dhe në Prizren. Ky projekt ishte një lloj aventure për mua dhe një mënyrë për ta njohur veten më mirë”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se para se të shkonte në Beograd, dinte shumë për Serbinë nga rrëfimet e prindërve të saj që jetonin në Mitrovicë – qytet në veri të Kosovës, ku jetojnë shqiptarë e serbë.

“Kur erdha këtu [në Beograd], pashë se sa të ngjashëm jemi në të vërtetë”, tha Ymeri.

Vepra e artistes nga Kosova, Alsea Ymeri, në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Vepra e artistes nga Kosova, Alsea Ymeri, në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Aulona Hoxha ua kushtoi punën e saj pjesëmarrësve në projekt, duke i ilustruar në frymën e komikëve.

“Këto janë kujtime të aventurës sonë të përbashkët në formë komike. Secili nga pjesëmarrësit ka lënë komentet e tij”, tha ajo.

Hoxha tregoi se në këtë program ishte regjistruar nga kureshtja.

“Nuk jam penduar”, tha ajo.

Vepra e artistes Aulona Hoxha në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Vepra e artistes Aulona Hoxha në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Ekspozita, ndër të tjera, prezantoi punimet e artistëve që merren me të kaluarën e luftës, por edhe me “barrën e së kaluarës”, si dhe me trysninë e mjedisit për të vepruar në kuadër të “përkatësisë kombëtare dhe etnike”.

Në kuadër të instalacionit interaktiv në veprën e quajtur “Duart që shkruajnë pajtimin”, vizitorët lanë në telajo gjurmët e pëllëmbëve të djathta, si simbol pajtimi.

Vepra “Duart që shkruajnë pajtimin” e artistit Nikolla Kashash në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Vepra “Duart që shkruajnë pajtimin” e artistit Nikolla Kashash në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Cilat janë sfidat e bashkëpunimit?

Njëri nga organizatorët e ekspozitës, Bashkim Fazliu, tha se për shkak të rrethanave politike, hapësira për bashkëpunim “është duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë”.

“Rrethanat politike nuk janë në favorin tonë. Dinamika e marrëdhënieve politike, aktualisht, është në nivelin më të ulët. Ne nuk gëzojmë asnjë mbështetje politike. Në fakt, ka shumë njerëz që hezitojnë të marrin pjesë, për shkak të pasojave të mundshme politike”, tha ai.

Fazliu tregoi se në punën e tyre, ka bashkëpunim edhe mes universiteteve në Prishtinë dhe në Beograd.

“Është më e lehtë të punosh në Prishtinë, sesa në Beograd, për shkak të kornizës politike”, sipas tij.

Vepra e artistes Diona Kusari që përçon mesazhet dhe propagandën mediatike në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Vepra e artistes Diona Kusari që përçon mesazhet dhe propagandën mediatike në ekspozitën “MIR IS MIRË” në Beograd, 27 tetor 2024.

Artistja Alsea Ymeri tha se ka pasur rastin të shohë artistë të vjetër nga Kosova duke ekspozuar në Serbi dhe se kjo nuk konsiderohet më problematike.

“E di që festivali ‘Mirdita…’ u anulua, por nuk kisha frikë të vija”, tha ajo.

Hoxha tha se ka dëgjuar “paralajmërime” nga Kosova që të mos shkonte në Serbi.

“Megjithatë, takova njerëz shumë të mirë këtu. Mediat nuk na e japin të gjithë pamjen”, tha ajo.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Jemi harrestarë, mirëpo ç’pati hequr Skënderbeu, mos pyet!- Nga S. Guraziu

Ndër trevat shqiptare, gjithandej, ka mjaft gjëra interesante që i kanë mbijetuar shekujt e mijëvjeçarët, objekte që i kanë rezistuar kohës, mirëpo, për fat të keq, s’dihet saktë për to, për shumë gjëra kyç në fakt nuk dihet asgjë.

Psh. Ura e Vjetër e Gurit, e Vushtrrisë, vërtet objekt madhështor. Lidhur me vjetërsinë e urës ka opinione sa të duash, ka versione të ndryshme, ide të ndryshme. Optimistët thonë se dominojnë mendimet sipas të cilave është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane, apo ndoshta dhe më herët në kohën e Perandorisë Romake.
Shih pra, ndërsa dihet që mes kohës së Perandorisë Osmane dhe asaj Romake nuk ishin thjesht ca dekada “ndërmjet” por me shekuj e shekuj. Të Romës “perëndimore”, sepse ata patën qenë andej, s’e kemi fjalën për Bizantin. Si është e mundur t’jenë zhdukur kronikat ballkanike të dhjetra shekujve dhe të mijëvejçarëve – qëkur Lindja gjallonte, ishte fakt dmth. si “mbijetesë” e Romës!

E qartë, thuase dikush i “errërsirës” është impenjuar, është kujdesur sistematikisht për shekuj e shekuj që të zhduket gjithçka në këtë drejtim. Tani dihet për çdosecilin akuadukt madhështor, për secilën urë e për secilën kullë (gjermanët madje i ruajnë dhe ato pontonike, dhe ato të drunjtat, gjithçka), gjithandej skajeve të pafund të perandorisë dihet për secilën “Egnatia” të Romës, për secilën udhë, për secilën urë.

Mirëpo thuase “shkencat” e 2000 viteve ballkanike, regjistrat, kronikat e fuqive që e kanë sunduar rajonin e Ballkanit, e ruajnë historinë e Manastirit të Deçanit me të gjitha kronikat e rrotullamat, por thuase janë përpjekur me shekuj e mijëvjeçarë që gjithçka tjetër e trevave shqiptare të ngelet në mjegullnajë, e mbuluar me plafin e zi të harresës.

Apo pse t’mos thuhet troç e shqip, pse t’mos shkapuritet bërthama akoma më thellë në thelb; shqiptarët e Shqipërisë sot madje s’e kanë idenë mirëfilli as për “zanafillën” e vetë Tiranës komplet, të atij mega-shehrit si Kryeqytet, të Kryeqyetit të shtetit modern, të Zemrës urbane shqiptare, të Kryeqendrës artistike, ekonomike, kulturore… ehuuu ç’jam duke dërdëllitur tani, të gjithçkaje të shqiptarisë! Gjysma e popullsisë shqiptare jeton në Tiranë – andej gravitojnë dhe ajo gjysma tjetër e shqiptarëve të “provincave”.

Vallë a nuk është për t’u “çuditur sa e paturpshme” ishte thundërzeza e perandorisë osmane kur bëhet fjalë për vilajetet dhe trevat e shqiptarëve?!
Dhe prapë askush as gëk as mëk, përveç opinione e thashetheme, mirëpo shkencërisht s’ndjehet i gjallë kush, as Akademi, as universitet as askush, shtiremi shkencëtarë të zotët dhe arkeologë, shtiremi historianë por ku janë. Thuase “gjysma” e shqiptarëve akoma pas çallmave, tullumbave, bakllavave, hanumeve. Booo, mirë që vetëm të hutuar pas ëmbëlsirave turke, duhet ta ndiejmë veten fatlumë.

Nëse dihet që për 4-5 shekuj thundërzeza e çallmave na i ndaloi me diell, me dritë, me germa e me gjuhë, tani s’domend, sipas tyre duhet thënë “rahmetullaaaah” lum e lum që shqiptarët s’e shpallen veten “gjysmë-turq” or something. Si duket Qemali i madh, erdhi nga andej, u kthye por s’pati dhënë ndonjë shenjë – s’e bëri ai, heshti Shqipëria mbarë, s’e bëri të madhe kush. Njerëzia u rrekën pas ngushëllimit, pas mëkëmbjes, pas gjallimit, iu kthyen patriotizmit, nisën t’i kujtojnë vështirësitë e shekujve, uaaa ç’pati hequr Skënderbeu dikur, habiteshin, s’e kapërthenin dot : )

Nuk dihet saktësisht se kur lumi Sitnica ka ndërruar rrjedhën dhe nuk kalon më nën Urën e Gurit – thonë “shkencat” kosovare të së sotmes. Por dihet që ka sëpaku 2 shekuj që kjo Urë e Gurit ka mbetur pa lumin e vet, dhe si e tillë bëhet rast i rrallë në botë, bëhet Ura pa lumë. Uaaa… diç si mrekulli, “Lumë i Vdekur” do thoshte Jakov Xoxa, vetëm 2 shekuj dhe s’mbajkan mend shqiptarët asgjë!

U bë pothuaj gjsymëshekulli unë vetë s’jam në vendlindje dhe sikur s’ka ndryshuar “asgjë” e atjeshme, sa për 1 autostradë dhe sheshin e rrotulluar të Tiranës, qebesa këto shihen dhe nga sateliti, tashmë gjithçka regjsitrohet dhe në memorien e satelitëve të orbitës, s’do koment. Për sa më takon e historisë, për gjysmëshekullin tim mbaj mend gjithçka. Si t’mos e mbaja mend, bie fjala eventin fiktiv, kur Lana ia pati bër “mac” Tiranës, si ndonjë dhelpër-përrockë dinake duke u zhdukur, a duke e anashkaluar, për inat. Si t’mos e mbaja mend Tiranën e thatë, të ngelur pa lumë e pa freskinë. Ndërsa andej në Kosovë, vallë si na qenkan bërë shqiptarët “harrestarë” pas vetëm 2 shekujve… ec e mos u çudit.

Mirëpo, për fat të mirë, disa gjëra dhe nuk harrohen, shqiptarët i kanë ca mbamenje specifike, kur u teket, kur t’ndjehen vullnetmirë. Dikur, në të kaluarën jo dhe aq të largët, ekzistonte besimi a miti se prekja e gurëve të kësaj ure, u falte shëndet dhe harmoni në jetën bashkëshortore. Prandaj të sapomartuarit, bashkëshortët e rinj na paskeshin vajtur ta bënin betimin e tyre për dashuri.

Askund tjetër, por duke i prekur gurët e Urës së Gurit bekohej dashuria e shqiptarëve dhe gjithçka e lumturisë së çifteve. Urojmë ta kenë festuar daçulinë dhe me ndonjë puthje tinëz, mpuuuç, aty në hijen e harqeve s’do i shihte kush, do ishin rehat për cilëndo amoriadë-aventurë. Sa për të tjerat, harroji të tjerat, le t’ngelet “lumë i vdekur”, “urë pa histori”, herë quaje kryevepër e otomanëve herë e romakëve, herë who cares : (

Arti piktural, mitologjia, astrologjia – Ndërlidhje dhe (pa)saktësi!- Nga Senad Guraziu

Një artikull i “Artdaily-magazine” (nga autorja Ruxi Rusu, Cambridge University) thoshte se astrologjia perëndimore është e lidhur ngusht me mitologjinë dhe kulturën e lashtë greko-romake. Sipas autores, me kalimin e kohës secila nga shenjat zodiakale-astrologjike i ka zhvilluar “lidhjet” e veta me mitet, me kafshët, me simbolet. Shenja juaj e zodiakut i përshkruan tiparet kryesore të personalitetit, frikën dhe besimet tuaja – shkruante ajo.

Se shenja e zodiakut i përshkruan tiparet tona të personalitetit, ne lexuesit sikur pajtohemi aty për aty, tekefundit ashtu na thotë dhe astrologjia. Ta besosh astrologjinë dtth. t’i besosh shenjat e zodiakut, do t’thotë madje dhe më shumë. Psh. do nënkuptonte t’i besosh perëndeshës Asteria, apo vajzës së saj Hekate, apo t’i besosh perëndeshës Ishtar, apo Inana, apo Lakshmi, apo Afërditës… apo Venerës. Apo sido që të quhen, perëndeshat pothuaj të panumërta, besimi ka t’bëjë me besimin. Kur e ke besimin atëherë aq e lehtë, në fakt e gjitha ç’nevojitet është të besosh.

Si mund t’ketë astrologjia kuptim nëse t’mos i besonim, pa besimin madje as vetë Zoti (ai kryesori, jo vetëm i Universit por i Multiversit, i gjithçkaje) s’do ishte i besueshëm. Rregulla e hyjnorëve është e thjeshtë, fare bazike – o i beson o nuk i beson, s’ka tjetër alternativë : ) Natyrisht, “ndërlidhja” e artit me astrologjinë mund të shihet dhe ashtu, siç e ka thënë autorja. Nëse ashtu na pëlqen ta shohim, atëherë ashtu dhe do e shohim, ashtu dhe do e besojmë – ne vetë jemi zotërit e besimit tonë, të asaj çfarë besojmë (sapo e thamë më lart, o besojmë o s’besojmë).

Ashtu-kështu tropet e artit vetiu ndërlidhen me gjithçka të gjallimit tonë; me mitet, me ëndrrat, me besimet, me mosbesimet, me vizionet, madje dhe me halucinacionet, me lajthitjet, me dëshirat, me nëndijen, me vetëdijen… me një milion e një gjërat e psikës.

Bie fjala, vallë si do i pikturonte Dali ato surrealizmat, gjithë ato “vizione” surreale, vallë si do vinin në jetë gjithë ato shtrembërime (surreale) të realitetit… pa qenë i lidhur kryekëput me shtratin psikologjik?! Madje qoftë dhe me “automatizmin” (si teknikë krijuese, si tekno-kreativitet, siç do insistonin abstraksionistët e tipit “Pollock”) prapë s’ka ikje nga baza psikike. Me fjalë të tjera, truri i piktorit prapë e ka të qartë se është duke “pikturuar”, e jo duke fluturuar drejt Marsit. Qoftë me brusha o me tasa, qoftë me vazhgët e vetëdijshme a me spërkatjen automatike, truri i Pollock e “dinte se është duke pikturuar”. Pikturat lidhen me psikologjinë komplete dhe me shpirtin e artistit, pikturat dhe çdo krijim artistik janë diç si “zgjatim” i personalitetit, në rrafshin intelektual dhe ndjesor.

Dmth. nëse e “shohim” ashtu ndërlidhjen artistike me astrologjinë (siç ka shkruar autorja Rusu), atëherë e pashmangshme dhe buzëqeshja, atëherë e qartë se ne ashtu besojmë (na pëlqen ashtu të besojmë). Madje mjaft simpatike kjo punë, sepse pothuaj i bie “një udhë e dy punë”. Nga njëra anë i zbukurojmë artikujt e revistave me art, por njëkohësisht e “intrigojmë” vëmendjen astrologjike të lexuesve, e shkapurisim kureshtinë e tyre zodiakale. Padyshim kjo teknikë ndihmon për t’i afruar artin dhe astrologjinë. Absolutisht njësoj siç janë afruar ndër shekuj dhe arti me mitologjinë – mbase e njëjta gjë. Padyshim ia vlen, ta lidhësh artin dhe astrologjinë, do jetë diç edhe-edhe, diç si grep dhe si joshje e ëmbël rretherrotull materies revistologjike.

Edhe Botiçeli (ky madje sikur i kishte të gjitha “fajet për Venerat e reja” pikturale – jo se Botiçeli na ishte dje, por në kuptimin… pas Praksitelit dhe pas Frinesë), edhe Cabanel, dhe Bouguereau… edhe kush tjetër jo, i janë qasur Venerave të detit, shkumbëzuar e praruar nudistikat e tyre e mahnitin botën artistike sa i përket bukurisë së perëndeshës. Cilido muzeum i botës nëse ta ketë një Venera në koleksionin e vet pothuaj sikur nuk “preket” nga krenaria e mendjelartësia – fitohet përshtypja sikur Venera na i paska fajet që dhe biletat do jenë më të shtrenjëta. Ka diç të vërtetë, pakashumë ngjashëm si ai rasti i portretit të Mona Lizes, shpesh biletat e Louvre shtrenjtohen për sherr të saj – tjetër se zyrtarisht mohohet kjo punë, zyrtarët e Louvre kurrë s’e pranojnë : )

Kush, cilikush, që ka sadopak shije artistike dhe “sens për bukurinë” do thoshte se Venera na qenkësh një shëmtaraçe. Ç’është e drejta dhe mund ta thoshim, për “inat” dhe mund ta thuash, s’na e ndalon kush, por s’do përputhej. Jo pra, nuk shiten “dërdëllitjet” nga inati, më e lehtë ta pranojmë të vërtetën, ta kapërdijmë krenarinë, perëndesha e bukurisë patjetër se do jetë e bukur, sidomos nëse kemi shansin ta shohim nudo. Pa le që si mund t’na jesh perëndeshë e bukurisë dhe… shëmtaraçe. Jo pra, të njëjtën e dinin dhe Botiçeli, edhe Cabanel edhe Bouguereau, e dinte dhe skulptori i lashtësisë, Praksiteli – perëndesha Venera ishte “tmerrësisht” e bukur.

Botiçeli e pati pikturuar “Venerën” rreth 1484-86, edhe përkundër se krahu i majtë i saj i çrregullt, dorën në zemër mjaft “atavistik”… mirëpo për kohën e vet, si prurje artistike e shek. XV, kryevepër, asgjë s’e cenonte bukurinë veneriane. Sa e sa piktorët dhe artdashësit do jenë frymëzuar nga bukuroshja e Botiçelit, diç e tillë s’ka as si hamendësohet. E megjithatë, ku është Botiçeli e ku Praksiteli.

Mendohet se Frineja, bukuroshja antike ishte modeli dhe muza e Praksitelit për skulpturën e Afërditës. Kjo i bie pothuaj 2000 vjet para Botiçelit. Frineja ishte prostituta më e bukur dhe më e pasur e Greqisë së lashtë, pati qëlluar ishte e dashura e skulptorit të famshëm, Praksitelit. Frineja pati grumbulluar aq shumë pasuri, sa pas shkatërrimit të Tebës (nga Aleksandri i Madh, kur ata të Tebës qenë kryengritur), ajo e pati bërë publike ofertën që me ekonomikat e veta personale t’i rindërtonte muret e qytetit, me kushtin që t’vendoseshin pllakat “Çfarë qe shkatërruar nga Aleksandri, rindërtuar nga Frineja” !

Natyrisht grekët e patën heshtur, kishin ujë në sy dhe ata, ofertë mjaft tunduese por u vinte inat. Nëse dihet fakti që Teba ishte vetë djepi i “qytetërimit” grek, nga aty qe nisur gjithçka… mjaft “fyese” do ketë qenë që një prostitutë ta mëkëmbte privatisht, me ekonomikat e veta, qyetetin e shembur. Sidoqoftë, thuhet se Praksiteli qe frymëzuar kur ajo, në “Festën e Poseidonit” qe zhveshur dhe qe zhytur në det të lahej. Dhe duke dalur nga uji e rrethuar nga shkuma e shkëlqimi, detaj që do kthehej pastaj në versionin mitologjik për lindjen e Afërditës (Venerës) nga shkuma e detit.

Dhe ja, e dimë pakashumë si “lidhen”, si janë lidhur mitologjia greko-romake dhe arti piktural perëndimor – e lehtë me mitologjinë, por shtrohet pyetja vallë si t’ia bëjmë me astrologjinë.

Apo mbase, ashtu-kështu mjaft nga pikturat e artit perëndimor patjetër se “lidhen” me shenjën tonë të horoskopit. Gjatë shekujve të historisë pikturale, cilindo nga piktorët që i është qasur temave mitologjike, automatikisht mund ta “lidhim” dhe me astrologjinë. Psh. nëse na teket të flasim për “Demat”, e dimë detajin kyç, pa të cilin s’bën hiç se hiç, Venera (perëndesha romake e dashurisë) e sundon secilin aspekt të “shenjës së demave”. S’kemi si i shmangemi Venerës dhe po të donim, Demat (dmth. të Zodiakut, jo demat e vërtetë : ) kanë t’bëjnë me perëndeshën e dashurisë dhe të bukurisë, s’është shaka ky detaj astrologjik.

Le t’supozojmë se jemi “dem”, ai demi horoskopik – si mund ta konsideronim profecinë e zodiakut diç të besueshme nëse pikësëpari t’mos i besonim Venerës. Madje bën të thuhet se demat janë dhe fatlumë, s’do ishte e pavërtetë, pasi e kanë aq të lehtë. Fillimisht duke e patur besimin tek perëndesha Venera aq i lehtë për ta besimi i astrologjisë. Nëse i beson Venerës atëherë pse t’mos i besosh dhe Asterisë, dhe Afërditës, dhe perëndeshës Isis, perëndeshës Ishtar, perëndeshës Hator… etj. etj. aq e lehtë pastaj ta besosh gjithë mitologjinë.

Ja pse, në kohën moderne, ka kuptim ta lidhësh artin me astrologjinë, qëkur ashtu-kështu arti veç i lidhur me mitologjinë. Mitologjia dhe Astrologjia… pothuaj e “njëjta” gjë, pse t’mos zbukurohen të dyja me artin e mirëfilltë. Pse vallë do duhej vazhduar akoma dhe ende (në modernitetin tonë) me ilustrimet e shëmtuara të shtrigave, me ilustrimet e zverdhura, plot pluhur e merimanga të Mesjetës… duke i patur Venerat marramendëse : )

Për 12 shenjat e zodiakut të cilat autorja Rusu i ka “ndërlidhur” me pikturat e artit, për Demat e ka zgjedhur “Venerën” e Bouguereau. Anise mund t’i kishte zgjedhur dhe të tjerat, psh. Venerën e Cabanel, apo atë të Botiçelit etj. Mirëpo dihet, cilëndo ta zgjedhim s’prish gjë punë, Venera është mishërimi i bukurisë dhe i elegancës. Demat pëlqejnë t’jenë të llastuar – ka sqaruar autorja. Të qeverisur nga Venera, ata dinë të kujdesen për veten e tyre dhe të ndihen rehat në mjedise luksoze. Edhe pse ndonjëherë mund t’jenë kokëfortë, demat janë këmbëngulës por dhe besnikë ndaj miqve të tyre. Për shkak se elementi i tyre është Toka, ata dëshirojnë stabilitet dhe pëlqejnë t’i marrin gjërat ngadalë. Në përgjithësi, demat dinë ta shijojnë çdo moment të ditës së tyre.

Ec e mos buzëqesh, ec e mos u mahnit me saktësinë, i bindur jam secili dem e di dhe e ndjen të vërtetën zodiakale, jo sepse profecitë astrologjike janë “art në vete” por sepse ashtu kemi zgjedhur të besojmë – ba besimin asgjë, u muar vesh tashmë. Ne vetë jemi zotërit e besimit tonë – të asaj çfarë besojmë.

Le ta përmendim dhe shenjën e Luanit (pak dhe si shkas, lum si ata që në familje e kanë ndonjë “luan”, unë për vete i kam 2 luanë). Luanët janë të zjarrtë – paska shkruar autorja, të sigurtë, bujarë dhe ndonjëherë xhelozë, e dinë se çfarë nevojitet që t’jenë në qendër të vëmendjes. Janë liderë të guximshëm dhe yje të çdo shfaqjeje, s’ka sfidë të madhe për ta, luanët urrejnë të varen nga të tjerët dhe janë fort elastikë. Edhe pse kujdesen për imazhin, ata nuk shqetësohen për ndonjë dramë eventuale të jetës e tyre.

Dhe siç shihet, autorja ka zgjedhur t’i prezantojë “luanët e zodiakut” me një pikturë të Napoleonit, të artistit Jacques-Louis David, sepse Napoleon Bonaparte ishte “luan” në zodiak. Ku ka më luan sesa vetë luani Bonaparte. Piktura duke i kaluar Alpet, si një gjeneral i madh dhe komandues i ushtrisë madhështore, pikturë epike, pozë epikale si një kalorës i vërtetë. Paçka se imazhi i pikturës në fjalë s’është vërtetësi, as historike as artistike, është imazh i stisur, imazh imagjinar. Napoleoni pati refuzuar të pozonte për portretin (ehu, ku kishte kohë, ku kishte nerva të pozonte), e pati udhëzuar piktorin David ta pikturonte si një kalorës, si një Aleksandër të Madh. Piktori David na thotë se retë e errëta po mblidhen diku në distancë, sëshpejti do ngryset, qejfi mund t’i prishet dhe Napoleonit, ne duhet ti “shohim” ushtarët e Napoleonit duke marshuar pas tij – e vërteta pra është se Napoloni si “luan” nuk u pati prirë gjatë kalimit të Alpeve por pati vajtur pas ushtrisë mbi një mushkë. S’ishte askund “afër” imazhit piktural.

Më në fund “përndritësim”, çlirim i madh!- Nga S. Guraziu

(- ashtu-kështu politikat gjithmonë “problematike”, ja pse, nëse jashtë politikës, aty-këtu ia vlen ngapak humor )

…s’duhet mohuar, ishte diç si lajm-bombë, lajm bombastik, pothuaj sikur qesh “çuditur” me lajmin e arrestimit të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, athua vallë pse (pse-ja me P të madhe), nuk arrestohet një dikush tek ashtu, e sidomos një ish-President, e qartë se politikanët s’janë engjëj… dihet dhe kjo, por Meta një shiptar politikisht aq i “madh”, e sidomos si u arrestuaka një ish-President Shqiptar, qe zgjedhur President me votat e afro 90 “kolegëve” të politikës, athua vallë ç’të ketë bërë, mos vallë t’i ketë zhgënjyer vetë kolegët e vet, uroj t’mos ketë qenë ndonjë faj i madh sepse përndryshe mëkat ta arrestosh një të pafajshëm, mos vallë t’jetë korruptuar, helbete… sepse nuk i dihet, ego-ja e njeriut si gastarja e hollë e shampanjes, boooo uroj jo, sepse i bie t’ketë qenë President i korruptuar, i bie ta ketë pësuar dhe vetë Presidenca, e gjithë Shqipëria no, no nooo uroj jo… mozomokeq, sepse do ishte e pafalshme, s’duhet harruar, në kohën e Xhaxhit të vet do ta meritonte madje dhe pushkatimin, mos pyet, do ia ngjisnin ato etiketat e kuqe “tradhtar, tradhti ndaj Partisë, ndaj shtetit, tradhtar i popullit, i proletariatit” etj. etj., uroj t’mos i jetë korruptuar mendja, xhepi, gruaja, zemra, kravata etj etj. çfarë mund t’korruptohet tjetër tek burrat, pasi në kohët tona të bujshme aq e lehtë me korruptimet, me tundimet, me joshjet, me mashtrimet, kahdo që rrotullohemi na tundon e na trullos shumçka, vallë me cilët djaj t’ketë ndenjur, kush ta ketë mashtruar, dhe kështu… vramendje kot, më qe bërë pikë, duke e lodhur kokën sepse lajm i dhimbshëm, por s’e gjeja dot…

…dhe ja tani, fare papritmas hoooop diç si çlirim, më doli artikulli “SPAK: Të gjitha akuzat për Ilir Metën!”, e t’u gëzova… çlirim që ç’ke me të, dmth. larg keqkuptimit, jo gëzim për arrestimin, s’më ka bërë kurrë gjë, madje as nuk më njeh, as që e kam njohur, gjatë gjithë jetës 1 herë e pata takuar në avion, 1 herë të vetme, fluturuam “bashkë” me t’njëjtin avion nga Roma në Tiranë, saora ishte kjo punë, jo gjithë natën por 1 orë fluturim, shtireshim të dy lexues të pasionuar, ai andej tek ulëset djathtas unë majtas, atëbotë as që e pata përshëndetur, as mirëmbrëma, as gëk as mëk, as në “sy” s’jemi parë, sepse i panjohur, e njihja si “figurë”, e kisha parë në TV, surratin ia njihja dhe nga gazetat por ai s’e kishte idenë për mua, shikuar holl-e-holl pavarësisht se fluturonim për në Tiranë unë s’llogaritem madje as “shqiptar”, nuk e pata zgjedhur unë President, s’kam patur as të drejtë vote, s’kam as nënshtetësi as pasaportë shqiptare, dhe kështu… dmth. në këtë mes s’ka asgjë “pesonale”, ishte diç si keqardhje për arrestimin, dhe nuk e dija shkakun, arsyen, e ndieja keqardhjen por s’e gjeja dot, tani u gëzova që i mësova detajet dhe akuzat, jo për ndonjë diç tjetër, ruana zot… larg qoftë, pa le që sipas të drejtës dhe ligjeve gjithsekush është i pafajshëm derisa t’jetë provuar e kundërta, na mbron madje dhe policia, nëse nevoja angazhohet madje dhe ushtria, derisa me fakte të qëndryueshme t’jetë vërtetuar fajësia : )

Hollivudi dhe Klishetë rreth Mafiozitetit Ballkanik! “Wolfs (Ujqit)”, 2024- Nga S. Guraziu

T’ia vjedhësh ndokujt disa kilogramë drogë… s’ka si ndryshe por do jetë diç e rrezikshme, s’do jetë punë e hijshme dhe as e mençur. Qëkur fjala do jetë për miliona verdhushka, afërmendsh që ndokush nga mafiozët do na ndjek, kurrë s’do na lerë rehat. E sidomos, ruana zot, s’është punë asfare e mençur t’ua vjedhësh drogën mafiozëve shqiptarë – kështu aludon filmi “Wolfs (Ujqit)”, 2024 – për të cilin desha t’i radhis ca fjalë, si koment.

Me cilësimin e shqiptarëve si mafiozër të rrezikshëm, me kaq sikur dhe mbaron përmendja e “shqiptarëve” gjatë filmit, s’ka ndonjë pasqyrim më “keq” se kaq, për fat të mirë nuk portretizohet ‘in persona’ asnjë kriminel shqiptar.
Mirëpo, për audiencën filmike, si truk i çuditshëm psikologjik, rreth këtij detaji të vockël (gjoja vjedhja e drogës, e provokimit të mafiozëve shqiptarë) sikur vërtitet e gjithë “tendosja” filmike. Personalisht, sikur më qe krijuar përshtypja – detaj mjaftueshëm kyç, rrezikshmërinë dhe bujën famëkeqe të mafias shqiptare skenari e përdorte si “perin e kuq” rreth të cilit për ta “vërtitur” një film të tërë.

Sipas Hollivudit, për të gjitha aktivitetet e mafias del se shqiptarët na qenkan liderët global. Nëse, eventualisht kriminel a mafioz, megjithatë s’ke dëshirë të kesh punë me shiptarët, sepse fort të rrezikshëm, s’ke si shtyhesh me ta. Dhe këtë s’ta thotë ndonjë aktor i panjohur, ndonjë star-debutant por do e dëgjosh nga vetë George Clooney dhe Brad Pitt.

***
Meqë Amerika përbëhet nga 1001 kombe-kombësitë e planetit, sikur aty kryqëzohen e ndërthuren të gjitha mafia-organizatat e rrezikshme. Të paktën, sikur gjithmonë këtë përshtypje mëtojnë të ngjallin krimi-filmat e Hollivudit. Dhe meqë Amerika e madhe, kuptohet edhe spektakolaritet kinematografike zakonisht janë aso të mëdha. Investohen me dhjetra e qindra miliona, andaj dhe spektaklet janë diç si mega-spektakle filmike.

Mirëpo ta përdorësh namin e mafias shqiptare në v. 2024, tingëllon sa detaj qesharak… po aq dhe detaj realistik, probabilitet real. Andaj mbase dhe shitet si truk, me gjasë t’jetë diç si “detaj” i besueshëm. Nga njëra anë del se shqiptarët na qenkan të famshëm për të qënit “shqiptarë” (ngaqë janë thjesht siç janë, nga natyra, të rrezikshëm dhe të zotët si mafia-biznismenë – njësoj të rrezikshëm janë dhe mafiozët italianë, edhe ata irlandezë, japonezë etj.). Nga tjetra anë, aspak e lavdërueshme të të marrin si shembull i “botës së madhe të krimit”, si lider i mafiozitetit global.

Dhe meqë kriminaliteti është prore aktual, dhe meqë në Amerikë (siç e thamë) “gërshetohen” të gjitha mafiat e Evropës e të botës, dhe meqë mafioziteti s’ka t’bëjë me kombet… por është problematikë globale (Amerika është diç si “pekmez” i globalizmit, si marmelatë kulturore me lloj-lloj frutash) – i bie sikur amerikanët s’janë duke hyrë në hak të askujt, dhe as jo në “hak” të shqiptarëve nëse i cilësojnë (mjaft shpesh nëpër projektet filmike) si “liderë” të mafiozitetit botëror.

Doja të komentoja rreth Wolfs (2024) por s’e gjeja dot 1 min të klipit filmik, tani e gjeta… Sipas meje filmi s’është ndonjë projekt që ia vlen lodhje-mendjen (ndoshta qasjen e kritikëve s’e meriton as hiç, por madje as komentin tim : ) Përveç faktit se rolet kryesore luhen nga Brad Pitt dhe George Clooney… sikur s’ka ndonjë gjë tjetër aq “interesante”. Dy aktorët e njohur, dyshja, kjo duo simpatike sikur ishte “arsyeja” që dhe unë e pata parë filmin – duke pandehur 2 aktorë të hijshëm dhe të shtrenjtë, pa hë, të shohim… mbase dhe ia vlen.

Sidoqoftë, doli se nuk përputhej me parapritjen time, por nuk jam ankuar, as që kam menduar për ankesa. Dihet se regjisorët e Hollivudit nganjëherë i “lidhin” 1 a 2 emra të famshëm me ndonjë film-mediokritet, sa për bujën e marketingut, si truk për t’i vjelur ca metelikë më tepër.

E gjithë “tendosja” filmike thuase vërtitet rreth ca pakove të drogës, e cila drogë supozuar t’na ishte vjedhur si dërgesë e mafias shqiptare (e që gjoja duhej t’kishte qenë pjesë e furnizimit të narko-tregut amerikan). Dhe tani… mos pyet, mafiozët shqiptarë janë xhindosur, s’ka kush që i ndalë, i kanë vrarë dhe do i vrasin të gjithë ata që dyshohen si “hajna të drogës” së tyre. E thamë që në hyrje të komentit tonë – vjedhja e drogës së mafiozëve, mos pyet… e pafalshme.

Dhe siç dihet, ndër të tjera, aktiviteti kriminal i mafiozëve lidhet me tregti armësh, me trafik dhe distribuim narkotikësh (dmth. me shitje e shpërndarje të lloj-lloj drogave të rrezikshme), me kërcënime, me sulme, me ryshfet, me korrupsion, me zhvatje, me huadhënie e huamarrje, me pastrim parash, me vrasje e likvidime, me shantazhe, me grabitje, me trafik seksual apo të prostitucionit, me kontrabandë, me plaçkitje, me vjedhje automjetesh… etj etj. ka dhe plot të tjera, mjafton për momentin (të gjitha aktivitetet dhe punët e tjera mund t’i marrim dhe me mend, ndonjëherë tjetër, kur t’kemi kohë).

Natyrisht, Hollivudi i ka projektet dhe taktikat e veta, ka pothuaj mbi një shekull vazhdon me magjitë e veta, secilikush me bizneset e me punët e veta. Dihet se Industritë e Argëtimit të ShBA (udhëhequr nga Hollivudi) e ndihmojnë ekonominë amerikane me mbi 505 miliardë $ secilin vit. Afërmendsh, filmat janë filma, aspekti kriminalistik i kinematografisë amerikane dihet se është nga më të bujshmit – amerikanët i vërtisin në “zgarën” e investimeve dhe i pjekin me miliarda e miliarda. Vit për vit biznes marramendës duke “shitur vrasje fiksionale dhe krimi-ide”, shiritat dhe rrotullamat e Hollivudit e mahnitin mbarë rruzullin.

Krimi-mendësia e Amerikës pakashumë njihet si “Criminal Minds”, dhe të ngjashme – sa për ta përmendur ndonjë seri të famshme (me rreth 15 vazhdime sezonale, dmth. i ka 15 vjet që vërtitet). Kuptohet, asgjë nuk “vërtitet kot”, seria vërtitet për aq gjatë sepse ia vlen, nëse për asgjë tjetër atëherë sepse biznes fitimsjellës. Mirëpo ia vlen dmth. të inkuadrohen ndër projektet dhe krimi-mendësitë ballkanike. Sepse disa gjëra dhe janë ciklike, janë universale, diç si “rrathë të mbyllur”, s’ka si mohohet as kjo.

Shkurt, ia vlen të merresh me krimi-filmat – prandaj dhe biznes i levërdishëm. Mirëpo, sidoqoftë, me gjasë edhe klishetë rretherrotull mafiozitetit ballkanik, rreth bujës famëkeqe (si pjesë e “mozaikut” të grand-mafiozitetit evropian) kanë efekt të madh, ia vlen t’jenë pjesë e krimi-skenografive amerikane.

Prodhohen me qindra e me mijëra filma rreth krimeve, rreth dhunës dhe vrasjeve… Të gjitha vrasjet janë “akte”, të gjithë të vrarët janë aktorë (i nderojmë madje dhe me çmime akademike… nëse aktrojnë bukur, nga ta kërkohet që t’na gënjejnë sa më bukur). Me bukë e me mjaltë i fitojnë duke u shtirur, duke aktruar, duke na gënjyer ëmbël për “vrasjet, për dhunën… “. Aktorët e kanë për detyrë të impenjohen sa më bindshëm t’jetë e mundur, bëmat e tyre filmike duhet t’jenë sa më realistike. Nëse ia dalin, pastaj u takojnë dhe çmimet, e qartë.

Dhe bota nuk e njeh vetëm ndarjen e Çmimeve të Akademisë “Oscar”, as jo vetëm festivalin e Kanës, as jo vetëm mbrëmjet e BAFTA-s… bota i paskësh jo më pak por 2300 festivale filmike. Lexuesi le ta merr vetë me mend gjithë “marramendjen” e 2300 festivaleve – sa e sa qilimat e kuq, sa e sa kamerat, sa e sa fustanet, sa e sa shkrepjet, sa e sa verdhushkat, sa e sa buzëqeshjet, sa e sa çmimet yyyyyyyyyiiiii… pothuaj sikur duhet një kuantum-kompjuter për kalkulimin e saktë : )

Në këtë pikë, më shkrepi ashtu kot, e pyeta Internetin “sa filma prodhohen çdo vit” (sepse 2300 festivale vërtet shumë). As 1 sekondë s’iu desh, si rrufeja ma ktheu 4.752 filma. Imagjino, afro 5000 sosh – athua vallë sa prej tyre kanë t’bëjnë me krimet, me heroizmat e policisë, me heroinat, me heronjtë, me gangsterët, me temat e mafiozitetit. Mund ta pyesja rishtas… por e lashë, pasi e lehtë ta merrja dhe me mend (shifër aq e saktë dhe s’na nevojitet, për neve mjafton diç përafërsisht).

Po mendoja, nga këta 5000 filma secilin vit, padyshim rreth 2000 i takojnë sferës indiane, Bollivudit dhe industrive filmike të atjeshme (sepse kështu pata lexuar diku tjetër). Pra e qartë, 3000 filmat e tjerë i takuakan sferës amrikane-evropiane, Hollivudit… dhe botës rretherrotull (Azisë, Afrikës, Antarktidës etj).

Ndoshta 1500-2000 prej këtyre 3000 filmave kanë t’bëjnë me krimet, me dhunën, me vrasjet, me horrorin. Në fakt, nga statistikat e Worldmetrics doli se horror-filmat na qenkan zhanri më fitimprurës… Uaaa, ja pra e qartë, audiencat e botës i pëlqyekan argëtimet sa më horrorifike.

Absolutisht e qartë, mjaft argëtuese dhe fitimprurëse t’i filmosh tematikat e kriminologjisë. Pse jo, nëse vrasjet dhe krimet e argëtuakan njerëzimin aq shumë, pothuaj 1 shekull duke shitur krimi-filma… dhe njerëzia thjesht s’dinë të ngopur, atëherë pse jo. Atëherë lum e lum… aq fatlume kjo punë. S’do koment, biznesi-biznes, mjalti dhe miliardat janë të ëmbla, ç’të thuhet tjetër, ngelet vetëm urimi “suksese Hollivudit me mjaltin e vet” : )

***
Për ta kuptuar globin e mafiozitetit (qendra e të cilit “glob” tani për tani mund t’jetë Amerika, meqë aty gërshetohen të gjitha nacionalitetet dhe kulturat e globit) ndoshta më e lehtë ta krahasojmë me globin e politikave.

Si paralelizim, edhe në rrafshin politik e dimë se veprojnë forcat e rivalërisë dhe të interesave; psh. nga njëra anë na rreshtohen “Perëndimorja” e politikave, nga tjetra anë Lindorja; nga njëra anë të ashtuquajturat “super-fuqi” si ShBA, BRSS (etj. ok, histori kjo – por historirat përsëriten, apo jo) dhe nga tjera anë Kina, India, Azia, Afrika etj. Thjesht pra nja 2 kombinime fiksionale, si shembuj…

Aktualisht e kemi psh. mosmarrëveshjen Lindje-Perëndim, i kemi rusët, ukrainasit, i kemi invazionet, kundërsulmet, sanksionet, sabotimet e ekonomisë, i kemi luftrat, i kemi shtrenjëtimet (për t’i paguar luftrat dhe sanksionet), i kemi armatimet, tregtinë ushtarake (shit-blerjen e armëve), i kemi ndihmat ushtarake, i kemi taborret politike që i kundërvihen njëri-tjetrit… si gjithmonë, s’ka diç të re me veset dhe me hujet politike të globit. Edhe forcat politike ndonjëherë bashkohen, lindin aleancat, bëhen tok aleatët (nëpër konferencat) dhe merren vesh si t’ia hedhin grepin palës rivale.

E njëjta, ekzaktësisht, 100%, absolutisht e ngjashme është dhe pasqyra globaliste e mafiozitetit. Edhe në rrafshin e kriminalitetit të organizuar veprojnë forcat e rivalërisë rreth interesave. Sipas mafiozëve tani për tani globi është “përçarë” në dy hemisfera interesash; nga njëra anë janë bërë bashkë “mafia-aleatët” si vijon:
mafia shqiptare, narko-kartelet e mbarë Amerikës Jugore (booo dhe vetëm këta t’na ishin… mos pyet, tepër madje), mafia turke, mafia armene, mafia britanike, mafia bullgare, camorra, mafia çeçene, clan del golfo, “nëntoka” e organizuar holandeze, mafia greke, hells angels mc, mafia irlandeze, mafia marokene, ‘ndrangheta, mafia rumune, sacra corona unita, mafia serbe, mafia siciliane, sinaloa carte, societa foggiana etj. (edhe ndokush tjetër, s’i dimë të gjitha, s’jemi ekspertë : )

Dhe nga ana tjetër, kundër interesave të mafia-aleatëve (siç i përmendëm më lart), veprojnë rivalët të cilët janë diç si “super-fuqi mafiozësh”, e që janë: mafia amerikane dhe mafia ruse-ukrainase.

Shih pra, dhe vetëm mafia ruso-amerikane më e madhe se gjithë bota e mafia-aleatëve.
Prandaj s’është për t’u çuditur që amerikanët i njohin fort mirë punët e mafiozëve. Ata e dinë që shqiptarët janë liderët e mafias botërore, ua kalojnë edhe irlandezo-italianëve por dhe japonezo-kinezëve. Jo vetëm sepse aty “gërshetohen” të gjitha nacionalitetet e botës (ka madje dhe shqiptarë, e sidomos aq shumë italianë, lloj-lloj Al Kaponesh e Corleonesh, në Amerikë i kanë strofullat të gjitha mafiat e botës, i kanë dhe shqiptarët, psh. gjoja “strofulla paralele” me ato të Evropës), por dhe për faktin se mafia amerikane (si entitet mëvete, si entitet i pavarur kriminal) është diç masive, aq e madhe… sa vetë marramendja – aq sa gjithë mafiozët e botës janë shtrënguar t’bëhen “aleatë” kundër tyre.

Na kish marrë malli ta shihnim sallën e Universitetit të Arteve plot – Me flautisten Jonela Golemi, pinianistin Eni Barbullushi dhe dirigjentin Grid Kraja Nga Ilirjana Dema

Na kish marrë malli ta shihnim sallën e Universitetit të Arteve të mbushur plotë e përplotë me një publik që e do artin muzikor.

Kjo ndodhi sonte në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSh, me solistë flautisten Jonela Golemi, pianistin Eni Barbullushi, dirigjent Gridi Karaja.

Programi i përzgjedhur nga kryeveprat e literaturës botërore përmbante “Il Carnevale di Venezia op. 77 për flaut dhe orkestër,-Giulio Briccioldi, Koncertin për piano dhe orkestër nr 1 në Es Dur op. 124,- F. Liszt dhe Simfoninë nr 4 në f mol op. 36,- P. I. Tchajkovsky.

Flautistja e mirënjohur Jonela Golemi ka vite e vite që kontribuon me koncerte solistikë. Kurdoherë e suksesshme ajo gëzon respekt për talentin, seriozitetin dhe përkushtimin e treguar.

Tema me Variacione “Il Karnevale di Venezia kompozuar në shekullin e 19-të konsiderohet si një nga kryeveprat e flautit. Kompozitori Briccioldi ( 1818-1881) duke qëne edhe flautist virtuoz njihet për kontributin e tij në zhvillimin e teknikës së instrumentit, gjë që e ka pasqyruar më së miri në këtë vepër.

I frymëzuar nga tradita e festimit të Karnavaleve, citoi për temë një melodi të thjeshtë tradicionale veneciane që zhvillohet në variacione mes elegancës, virtuozitetit e shkëlqimit teknik. Vepra shquhet per frymën dhe idealet romantike të kohës, shprehshmërinë emocionale dhe plastikën ekspresive. Ndaj interpretimi mbetet sfidues për çdo flautist, pasi kërkon jo vetëm aftësi teknike virtuoze, por edhe ndjeshmëri e muzikalitet të thellë.

Flautistja me pjekurinë artistike, natyrshmërinë e lojës së përkorë, teknikën preçize dhe frymëzimin plot pasion i përcolli idetë e veprës bukur tek publiku, që e mirëpriti dhe e duartrokiti gjatë. Në suksesin e saj rol jo më pak të rëndësishëm luajti dirgjenti i cili diti me nuhatje artistike të ruante ekuilibrat e duhur mes solistit dhe orkestres.

Koncerti vijoi me pianistin Eni Barbullushi. I larguar nga Shqipëria në moshën 9 vjeç edukimi pedagogjik i tij muzikor vijoi në konservatorin G. Donizetti në Bergamo nën drejtimin e Maestro Marco Giovanetti, ku paralel ndiqte edhe Akademinë Santa Cecilia me pianistin dhe pedagogun e mirënjohur rus Konstantin Boginjo, deri sa mbaroi nivelin bachelor.

Masterin e vijoi në Edsberg ” Royal College of music” në Stokholm nën drejtimin e Maestro Mats Widlund, ku diplomohet me rezultate të shkëlqyera si solist dhe muzikë dhome.

Formimi i tij artistik plotësohet në vazhdimësi në nivel Master me artistë dhe mjeshtra me famë botërore si: Boris Petrudhansky, Tuija Hakkila, Vladimir Ogarkov, Aleksander Romanovsky etj.

Pas një përvoje koncertore të sukseshme në europe ai vjen për herë të parë në skenën shqitare me këtë background artistik..

Premiera e Koncertit për piano nr 1 u realizua nga vetë Liszt-i në vitin 1855. Ideja e tij zë fill që kur ishte ishte 19 vjeç në vitin 1830. Ky proces i gjatë kohor deri në përfundim të veprës është tregues i zhvillimit dhe formimit të Liszti-it, nga një pianist i shquar virtuoz në një kompozitor të pjekur dhe ndikues të periudhës romantike.

Strukturimi i formës së koncerti, që luhet e unifikuar si një e vetme i përmban të katër kohët e ciklit simfonik. Bartok e ka vlerësuar si “Kompozimi i parë perfekt i Sonatës ciklike”.

Ndjesia dramatike e madhështore e Allegro maestoso në kohën e parë qetësohet nga dialogu i një lirizmi të thellë mes pianos dhe orkestrës në kohën e dytë. Në kontrast me të karakteri lozonjar i Allegro animato i kohës së tretë është një çlirim emocional. Për të vijuar në kohën e katërt Allegro marziale animato ku kompozitori rikthen temat e mëparëshme në një temp të shpejtë dhe energjik, duke përfuduar koncertin me një shfaqe të shkëlqyer të virtuozitetit të pianos dhe fuqisë shprehëse emocionale të orkestrës.

Roli i saj në këtë vepër e tejkalon faktin e një shoqërimi. Në shumë raste dialogjet muzikorë shumë shpesh kthehen gati me të njëjtën peshë emocionale ndërmjet solistit dhe klarinetës, spalës së violinave, viollonçelave , por në kohën e tretë po kaq protagoniste bëhet triangola në grupin e perkusionit. Studjuesit e trajtojnë edhe këtë dukuri si risi individuale e të Liszt-it.

Pikërisht për risitë e saj vepra ndikoi shumë në brezin e kompozitorëve romantikë.

Pianisti me talentin, njohjen në thellësi të ideve artistike, aftësinë virtuoze teknike, kualitetin e tingullit, natyrshmërinë dhe artistizmin e kalimit të situatave të ndryshme e të larmishme emocionale tërhoqi në mënyrë manjetike vëmendjen e publikut, duke i dhënë tërë kënaqësinë e mundshme të shijimit të veprës.

Para koncertit e dëgjova me pianistë me famë botërore dhe në interpretimin e Enit dallova qëndrimin individual në konceptimin tërësor të veprës dhe realizimin e saj, që buron nga thellësia e brendëshme e ndjeshmërisë dhe kultura e formimit të tij.

Kjo është karakteristika e talentit me aftësi koncertale, kjo e bëri lojën e tij komunikuese jo vetëm me profesionistët, por dhe me publikun e thejshtë. Për dijeninë e lexuesit duhet thënë se pianisti e realizoj në gjëndje shëndetsore jo të mirë, por me përfshirjen maksimale në interpretim nuk u ndje aspak. Padyshim një bravo edhe për dirigjentin dhe orkestrantët, veçanërisht për solot e tyre.

Paraqitja për herë të parë në skenën shqiptare kaloi me shumë sukses dhe duartrokitjet zgjatën mbi disa minuta.

Në pjesën e dytë patëm kënaqësinë shpirtërore të ndiqnim simfoninë e katërt të Tchaikovsky-it premiera e së cilës u realizua në Moskë në vitin 1878, dirizhuar nga N. Rubinstein.

Periudha gjatë krijimit përkon me një gjëndje të rënduar psikologjike të kompozitorit. Situata ishte tepër e trazuar emocionalisht për faktin e zbulimit të prirjeve homoseksuale pas divorcit nga Antonia Milinkova.

Sipas studjuesve kjo krizë e rëndë ndikoi emoconalisht ne idetë estetike të veprës duke i dhënë asaj një karakter të fuqishëm dramatik në pershkrimin aktual të jetës së tij. Ndaj tema e fatit dhe lufta për lirinë individuale udhëheqin tërë strukturën e simfonisë dhe zhvillimin emocional. Motivi i fatit simbolizon jo vetëm krizën personale të kompozitorit, po edhe përpjekjet e tij për t’u shkëputur drejt lirisë.

Në aspektin teknik forma e saj mban lidhje me tradirën klasike në krijimin e situatave kontraste e të tensionuara, por me ngarkesa të dallueshme të frymës romantike.

Dirigjenti Gridi Kraja ka disa vjet që drejton orkestrën simfonike te RTSh. Pas një eksperience një vjeçare me orkestrën e Prishtinës ai rikthehet shumë i sigurt ne pultin e dirigjimit, duke shënuar suksese të njëpasnjëshme koncertesh.

Edhe në këtë mbrëmje me nuhatje të mirë artistike bëri dallimin mes shoqërimit të solistëve, duke ruajtur me ta raporte të drejta dhe koncertimit të vetë orkestrës.

Tek interpretimi i simfonisë Kraja i trajtoi me vërtetësi dhe emocion idetë e veprës. Pas hyrjes së fuqishme me karakter dramatik, në kontrast me të ai nënvijzojë karakterin e një meditimi të thellë në prezantimin e temës kryesore të kohës së parë – Andante sostenuto- Moderato con anima, duke luajtur bukur emocionalisht me dinamikën, tempet dhe valët e ngritjes dhe uljes së tensioneve gjatë ecurisë. Një qëndrim më i kujdesshëm për të mos e konsumuar gjithë forcën e shprehjes orkestrale që në fillim do t’i shërbente më bukur organizimit artistik drejt kulminacionit

Në kohën e dytë Andatino in modo di Canzone ruajti qetësinë duke kënduar karakterin lirik disi melankolik të temës prezantuar fillimisht nga oboja që më pas e merr sektori i harqeve. Bukuria e ngjyrave timbrike ndërmjet dialogëve të sektorit të harqeve dhe atij të frymës u trajtua me sens emocional.

Por edhe këtu dirigjenti pati kujdes të shprehte brishtësinë e ndjesive të individit përballë forcës së errët të fatit.

Koha e tretë Skerco: Pizzikato ostinato- Allegro dirigjenti jo vetëm ruajti karakterin skercoz, por kërkoi prej orkestrës kontraste te bukura dinamike forte- piano kaq artistike realizuar me shumë sens emocional në pizzikato. Krejt në kontraste me të e gjithë koha e katërt Finale:Allegro con fuoco, që si ide është fitorja e lirisë së individit ndaj paragjykimeve sociale, dirigjenti e trajtoi me një frymë me një ritëm shumë të shpejtë duke nënvizuar karakterin e saj dinamik. Edhe këtu për mendimin tim duhej patur parasysh një kujdes më i vëmendshëm ndaj dinamikës pasi gjithë kohës mbizotërojë forte dhe shumë forte. Gjithësesi këto sugjerime në shërbim të cilësisë nuk e zbehin suksesin e interpretimit të simfonisë, përderisa ajo komunikoi me publikun dhe e entusiazmojë . Ndaj ai jo vetëm e mirëpriti por dhe e duartrokiti gjatë.

Urime të përzemërta solistëve orkestrës dhe veçanërisht dirigjentit.

FALEMINDERIT!

I. Dama. 12. 10. 2024

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

Jetmira Delia-Kaci

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij.

Një nga punimet e Saimir Stratit në studion e tij

Një nga punimet e Saimir Stratit në studion e tij

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Artisti Strati duke pozuar me disa nga rekordet e tij Guinness. Tiranë, dhjetor 20111.

Artisti Strati duke pozuar me disa nga rekordet e tij Guinness. Tiranë, dhjetor 20111.

Asnjë ekspozitë në Shqipëri

“Veprat janë të ekspozuara te miqtë e mi, disa në magazina duralumini, apo në magazina të marangozëve, i mbështjellim, i fusim nëpër cepa. E turpshme është, por ç’të bëjmë”, thotë Strati.

Ai thotë se nuk ka mundësi të gjejë një sipërfaqe rreth 200 metra katrorë për vendosjen e veprave të veta, por shprehet i bindur se po ta gjente, ajo do të kthehej në një atraksion për turistët.

“… sepse është gjë e rrallë. Me 11 rekorde Guinness nuk ka asnjë tjetër në fushën e mozaikut – 7 vepra të realizuara në Shqipëri, asnjë e ekspozuar”, thotë artisti nga Vlora.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

“T’ju jap vetëm një shembull: në Kanada u bë lëmshi më i madh. U vendos [vepra] në një qendër ndërkombëtare kulturore. Duhej paguar 110 dollarë për ta parë dhe kishte dyndje për ta parë”, tregon ai.

Strati shprehet i zhgënjyer me politikën. Thotë se prej vitit 2006, kur ka shënuar rekordin e parë Guinness, ka bërë thirrje përmes medias për vlerësimin e artistëve, kryesisht atyre të artit figurativ.

I pyetur se përse nuk ka ekspozitë në Shqipëri, ai përgjigjet thjesht: sepse nuk ka ftesë.

“Kur shkon pa u ftuar, e gjen pashtruar – është thënie e urtë e popullit dhe duhet ta dëgjojmë”, thotë artisti 58-vjeçar.

Keqardhje shpreh edhe për faktin se në Shqipëri nuk ka ndonjë galeri arti, që t’i ketë hapësirat e veçanta për artistët e vjetër, për ata të rinj të talentuar dhe për artistë me aftësi të kufizuara, të cilat, siç thotë, i gjen në vende të ndryshme të botës.

“Sa metër kub beton ka në Tiranë? Po ngrihen kulla për të shkuar shumë lart, ndoshta te Zoti… Po t’i pyesësh se ku janë veprat e artit në këto kulla, nuk ka”, shprehet Strati.

Vlerësime në disa vende të botës

Përtej zhgënjimit në Shqipëri, Strati thotë se është ndjerë shumë i vlerësuar dhe i lumtur për duartrokitjet që ka marrë në Kosovë, Portugali, Turqi etj.

Në Kosovë ai ka realizuar portretin e Nënë Terezës, që menjëherë pas certifikimit është vendosur në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe me vendim të Parlamentit të vendit është cilësuar “trashëgimi kulturore”.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

“Vizitohet, mirëmbahet, pra është vlerësuar. Po kështu në Portugali, sa u certifikua vepra, portreti i shkrimtarit Jose Saramago, realizuar me tapa, u mor në mbrojtje nga shteti dhe u fut brenda 24 orësh në guidën turistike. Është mozaiku më i madh i realizuar me tapa”, thotë Strati.

“Sapo jam kthyer nga një ceremoni fantastike për 10-vjetorin e kësaj vepre. Kam marrë duartrokitje pafund dhe jam përlotur, sepse veprat janë si fëmijët”, thotë artisti.

Në Turqi ai ka realizuar portretin e udhëheqësit të dikurshëm, Kemal Ataturk. Kujton se në fillim kishte shumë mosbesues.

“I dëgjoja të thoshin se ky artist shtatshkurtër do ta bëjë Ataturkun e madh?! Por, në ceremoninë pas certifikimit, edhe prej tyre mora vlerësime të larta. Vepra është vendosur në Kapadokia, në një nga qendrat më të mëdha turistike, dhe mora çelësin e artë të qytetit”, tregon Strati.

Artisti Strati pozon pranë mozaikut të krijuar nga ai, teksa mban në duar certifikatën e rekordit Guinness

Artisti Strati pozon pranë mozaikut të krijuar nga ai, teksa mban në duar certifikatën e rekordit Guinness

Sipas tij, të gjithë thonë se sekreti i të bërit mozaik është durimi, por për veten thotë se është i paduruar, andaj “nuk e ndjen lodhjen.

“Ka gjithmonë një motiv, në aspektin personal, estetik etj.”, thotë ai.

Ceremonia në Portugali e 10-vjetorit të krijimit të vepërs nga Strati për shkrimtarin Jose Saramago.

Ceremonia në Portugali e 10-vjetorit të krijimit të vepërs nga Strati për shkrimtarin Jose Saramago.

Në dhjetor tregon se do të jetë në Itali për një ekspozitë me teknika të reja. Thotë se ka zgjedhur ta pasqyrojë detin duke krijuar mozaik me guaska.

Ëndrra e tij: Një Guinness për Skënderbeun

Ëndërr e tij thotë se është që Guinnessin e 12-të ta marrë për portretin e Skënderbeut.

“Kam shumë dëshirë ta bëj, por do të doja të zinte vend diku. Ndaj, duhet një ftesë, jo vetëm përmes shtetit, të jetë një ftesë serioze nga dikush që ka mundësi, hapësirë…”, thotë Strati.

“Jam gati edhe për një rekord tjetër, edhe pse një pjesë të atyre që i kam, shpesh i harroj, ngase nuk janë të ekspozuara. Të vetmen dëshirë kam këtë: nuk ka lidhje me elementin monetar, por kur bëhet fjalë për diçka të veçantë në botë, të trajtohet si e tillë”, thotë ai.

Mozaik i zambakut të ujit. Vepër e Aurora Stratit.

Mozaik i zambakut të ujit. Vepër e Aurora Stratit.

“Aurora” e Stratit

Një nga punimet me të cilat mburret, është edhe portreti i bashkëshortes së tij, Aurorës, me të cilën jeton tash e 35 vjet.

Portreti i saj, sipas tij, përmbledh dëshirën dhe ëndrrën e një artisti.

Mozaiku Aurora.

Mozaiku Aurora.

“Ka brenda dëshirën për ta bërë këtë portret për njeriun më të dashur në 35 vjet – nuk ka qenë lehtë, përmban histori, ndjesi – dhe dëshirën që çdo artist ka të bëjë një kryevepër”, thotë 58-vjeçari.

“Titullohet ‘Aurora’ – agimi i mëngjesit, i bukur, i shndritshëm. Përmban një portret dhe një sfond të shndritshëm dhe një vorbull drite që nuk preket dot, sado që të kesh dëshirë të madhe. Është ajo që kam dashur gjithnjë: veprën ta shikosh, ta shijosh, por mos ta prekësh dot, sepse ajo duhet të jetojë përtej kohës”, thotë ai për mozaikun me të cilin e ka befasuar bashkëshorten pak kohë më parë.

Prej disa vitesh, edhe Aurora i është përkushtuar mozaikut, por thotë se ky pasion ka qenë brenda saj shumë kohë më parë.

“Arti e dashuria për të kanë ekzistuar brenda meje. Njohja me Saimirin e zbuloi atë pasionin dhe talentin që e kisha. Duhej njeriu i duhur për ta nxjerrë në pah”, shprehet Aurora për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka bërë disa punime dhe më të veçantin që zbulon, është ai me të cilin do të marrë pjesë në një ekspozitë në Gjilan më 7 tetor, në kuadër të “muajit rozë”.

“Jam e lumtur që do të jem pjesë e ekspozitës së arteve figurative në Gjilan. Në zhanrin e mozaikut do të jem vetëm unë. Një nga arsyet pse e pranova ftesën, është shprehja e shkrimtarit William Shakespeare: ‘Brishtësi ke emrin grua’. Brishtësinë e kam sjellë me siluetën e një gruaje fine dhe elegante dhe përballë saj është një pasqyrë, për të kuptuar refleksionin e çdo gruaje kur ta shohë mozaikun – të kuptojë që përbri saj mund të jetë një grua e prekur nga kanceri i gjirit”, thotë Aurora.

Çifti, prej kohësh, ka hapur një studio, ku u mëson fëmijëve artin e të bërit mozaik.

Saimir Strati duke mësuar fëmijët se si të bëjnë mozaik

Saimir Strati duke mësuar fëmijët se si të bëjnë mozaik

Ata e morën këtë vendim edhe për faktin se asnjëri prej dy djemve të tyre nuk e ka trashëguar këtë pasion, por edhe kanë dashur që leksionet që japin në vende të ndryshme të botës, të marrin vlerë edhe në Shqipëri.

Ata thonë se ka shumë fëmijë të interesuar që të krijojnë diçka të bukur nga duart e tyre.

Krijimi i figurave të artit me motosharrë

VOA

Çfarë mund të quhet art? Kjo është një pyetje shekullore me shumë përgjigje. Një formë arti mund të jenë pikturat në kanavacë, qeramikë apo skulpturat. Pra, arti mund të jetë çdo gjë, madje ai mund të krijohet edhe me motosharrë. Ky është mendimi i një artisti nga shteti amerikan i Virxhinias, me të cilin së fundmi bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Adams.

Andrew Mallon me motosharrën e tij po shndërron trungjet e vjetra të pemëve në vepra arti.

Ai ka krijuar mbi 150 skulptura prej druri, shumica e të cilave janë në parqe dhe oborre private të fqinjëve të tij në pjesën veriore të Virxhinias.

Zoti Mallon thotë se qëllimi i tij është të gjallërojë vendet dhe t’u shtojë atyre pak magji.

“Sa herë që përfundoj një projekt, ju mund të shihni ndikimin që ka në një lagje ose komunitet përreth tij. Ato u sjellin njerëzve shumë gëzim!”, thotë ai.

Jeannie Reimers thotë se zoti Mallon po e ndihmon atë të transformojë oborrin e saj.

“Për shkak të këtyre telave, kompania elektrike priste vetëm njërën anë të kësaj peme. Kështu që një nga punonjësit më tha se duhet ta pres atë. Unë nuk pranove dhe ia dërgova një foton zotit Mellon. Ai më tha lejoi ata të presin pemën nga sipër, dhe unë pastaj do të vijë të flas me ju!”, thotë ajo.

“Në këtë pemë do të krijojë një tufë prej pesë ose gjashtë harabelash”, thotë ai.

Zoti Mallon thotë se filloi të merrej me punimet prej druri që nga viti 2012. Në atë kohë, ai punonte si zdrukthëtar dhe gjatë kohës së lirë filloi të gdhendte figurina të vogla nga lapsa të vjetër. Pastaj ai vendosi të krijonte skulptura më të mëdha prej druri dhe bleu një motosharrë.

“Gdhendja me motosharrë është disi si operacionet në tru. Duhet të jesh vërtet i kujdesshëm me gjithçka që bën, duhet ta kontrollosh vërtet këtë makinë të madhe”, thotë ai.

Sot ai punon me 10 motosharra, makina bluarëse, presa dhe dalta të ndryshme. Zoti Mallon thotë se ai e bën 90% të punës me motosharrë elektrike. Ai e fillon punën me motosharrën dhe pastaj përdor mjetet më të vogla për krijimin e skulpturave prej druri.

Në vitin 2016, zoti Mallon themeloi një kompani të quajtur “AM Sculptures” dhe pasioni i tij është kthyer në një biznes. Skulpturat e tij prej druri tani kushtojnë nga 3000 deri në 5000 dollarë.

Talenti i tij është bërë i njohur në botë dhe ai ka marrë pjesë në konkurse të shumta dhe në një shfaqje televizive të kanalit “Discovery”, të quajtur “A Cut Above”, ku 12 artistë luftuan për fitore.

“Bota e gdhendjes me motosharrë ka krijuar shumë mundësi për mua.”

Zoti Mallon thotë se po merret me atë i pëlqen atij dhe është bërë pjesë e rëndësishme e komunitetit.

“Ndërtova një kështjellë vërtet të madhe vite më parë në një pjesë të këndit të shtëpisë së dikujt. Fëmijët tani shkojnë atje çdo ditë dhe lozin me figurina të vogla prej druri”, thotë ai.

Në të ardhmen, zoti Mallon ëndërron të krijojë një kopsht skulpturash, ku vizitorët do të jenë në gjendje të shohin të gjitha punimet e tij në një vend të vetëm.

Mbrojtja e Shkodrës (në veprat e piktorëve të shquar europianë)- Nga FERID HUDHRI

Afresku Mbrojtja e Shkodrës vlerësohet midis veprave më të  rëndësishme me temë shqiptare jo vetëm për vlerat artistike, për autorin e shquar, vendin ku është pikturuar, por edhe për tematikën. Krijuesi i kësaj pikture, mjeshtri i njohur i Rilindjes italiane Paolo Calliari Veronese, që zotëron salla të mëdha në Galerinë Kombëtare të Londrës, apo bën pjesë në disa koleksione italiane si dhe nëpër muze të tjerë nëpër botë, e realizoi Mbrojtjen e Shkodrës pikërisht në kohën kur ishte në periudhën më të artë të krijimtarisë së tij. Tabloja u pikturua në Pallatin e Dozhëve, një nga selitë kryesore të institucioneve shtetërore të Vendikut.

Përkrah veprës monumentale Rrethimi i Shkodrës të Marin Barletit, kushtuar një prej episodeve më mbresëlënëse të luftës midis Perëndimit dhe Gjysmëhënës, siç e ka përcaktuar balkanologu Franz Babinger1, piktura murale Mbrojtja e Shkodrës e Veronese-s mund të përcaktohet si homazhi më i bukur artistik kushtuar qëndresës arbërore gjatë shekullit XV.

Tabloja u pikturua në vitin 1585, pas rikonstruksionit që iu bë pallatit, nga zjarri i vitit 1577 që e dëmtoi në krejt gjatësinë e tij. Mbrojtja e Shkodrës në muret e brendshme të Pallatit Dukal qëndron përballë Parajsës së Tintoretto-s, në krah të sipërfaqes ovale të zbukuruar nga afresku Apoteoza e Venecias.

Në kohën kur jetoi dhe krijoi artisti Veronese, në Venecia banonin edhe shumë familje shqiptare, që u shtuan pas vdekjes së Skënderbeut. Çdo qëndresë kundër pushtuesve osmanë në trojet shqiptare festohej bashkë me qytetarët italianë, si simpatizantë të atyre luftëtarëve që pengonin marshimin e pushtuesve përtej brigjeve të Adriatikut. Qëndresa  e Shkodrës më 1479, ku mbetën të vrarë qindra osmanë, u festua në Venedik me ngritjen e flamurit në Bazilikën e Shën Markut. Në vazhdimësi të këtij manifestimi, 106 vite më vonë Veronese realizoi pikturën murale më 1585. Mbi afreskun Mbrojtja e Shkodrës, ka shkruar me dorën e tij edhe këto fjalë: Scodra, bellico omni apparatu diù vehementerque à Turcjs oppugnata, accerima propugnatione retinetur (Shkodra e sulmuar me tërë mjetet e luftës prej turqve, për një kohë të gjatë e me fuqi, i bëri ballë duke qëndruar rreptë). Si një mbishkrim i saktë për këtë tablo mund të merren edhe fjalët e historianit Hammer-Purgstall i cili, duke përshkruar inkursionet osmane, që në vitin kur sulmuan Shkodrën arritën deri në Austri, nënvizonte: Qëndresë trimash, siç nuk i gjetën ushtritë grabitqare në Kroaci, Karnie, Karinti, Stiri dhe Slavoni, ato e gjetën në Shqipëri, përpara mureve të Shkodrës2. Shkodra ishte fortesa e fundit e Perëndimit.

Për realizimin e afreskut, Veronese është ndihmuar edhe nga i biri, piktori Carlo Caliari. Në moshën 15 vjeç, në kohën kur mësonte artin e pikturimit në studion e të atit, piktori i ardhshëm ka lënë gjurmët e tija në një nga veprat më të bukura me temë shqiptare.  Vite më pas Carlo u bë një nga artistët e njohur të Rilindjes Italiane. Disa nga pikturat e tij vazhdojnë të vlerësohen edhe sot nëpër ankandet e veprave të artit, por për shqiptarët mbeten më të çmuara penelatat e tij të para në tablonë Mbrojtja  Shkodrës. Pas vdekjes së të atit, Carlo vazhdoi të pikturonte në të njëjtën studio bashkë me të vëllain Gabriele, si dhe me xhaxhanë Benedetto, për të përfunduar veprat e lëna në mes të mjeshtrit të madh.

Anthony van Dyck, “Defence of Scutari; after Paolo Veronese”, British Museum, London
Fragment nga tabloja “Mbrojtja e Shkodrës” (Paolo Veronese, Pallati Dukal, Venecia)

Një nga skicimet e para për realizimin e tablosë Mbrojtja e Shkodrës ruhet në Oksford. Ky vizatim bën pjesë ndër ato krijime të rralla artistike ku autori, motivi dhe vendndodhja ndahen midis tri shteteve; tema shqiptare e vizatimit, e realizuar nga artisti italian Paolo Veronese, ruhet në një koleksion anglez, në Muzeun Ashmolean të Oksfordit. Vizatimi i Veronese-s, ndonëse daton rreth vitit 1585, është nga zbulimet e fundme midis krijimeve me temë shqiptare. Më parë njihej vetëm tabloja në Venedik. Drejtori i Kabinetit të Vizatimeve në muzeun e Oksfordit, Phd. John Whiteley, duke e quajtur si pjesë të rëndësishme të koleksionit dhe si një nga dëshmitë artistike për realizimin e tablosë së njohur (që ndodhet në Pallatin e Dozhëve në Venedik) e përfshin vizatimin e mësipërm midis eksponateve të çmuara të Muzeut Ashmolean3. Për ne shqiptarët është akoma më i vyer, se përjetëson një episod të rëndësishëm të historisë kombëtare, realizuar nga njëri prej mjeshtërve më të mëdhenj të Rilindjes Italiane në një nga godinat më të veçanta të arkitekturës botërore. Gjatë vëzhgimeve krahasuese midis imazheve të vizatimit origjinal që ruhet në Ashmolean dhe afreskut të pikturuar në Venecia, vihen re disa ndryshime në kompozimin e figurave dhe elementë të tjerë figurativë. Vizatimet paraqesin fragmente të ndryshme nga tabloja e pikturuar.

E përbashkët midis të dy krijimeve është figura e gruas që paraqitet në plan të parë. Me pikturimin e saj Veronese na kujton edhe shumë gra të tjera shkodrane që iu desh të përballeshin me sulmin e armiqve apo të ndihmonin burrat e djemtë e tyre gjatë betejave. Një pjesë e madhe prej grave mbetën të vetme me fëmijët. Albanologia L. Nadin, në një nga studimet e saj për këtë periudhë, përshkruan se një numër të madh grash dhe fëmijësh nga Shkodra u vendosën në qytetin e lagunave gjatë kohës së luftimeve për mbrojtjen e kështjellës. Nëpër faqet e regjistrave të Senatit ajo ka hasur shënimin se në Venedik gjenden shumë gra shkodrane, të cilat, nëpërmjet deklaratave me shkrim të kapitenit Antonio da Lece, dëshmojnë se janë bashkëshorte të luftëtarëve të angazhuar gjatë rrethimit të parë  e të dytë të Shkodrës4. Vlerësimi për gratë shkodrane paraqitet edhe në një gravurë të Giovanni Palazzi-t në vitin 1861 që është përdorur për lojën me letra La virtu in gioco (Virtyti në lojë). Sipas L. Nadin në atë tufë letrash të përgatitura nga Palazzi, saktësisht te Nënta Spathi, është paraqitur një grua që përfaqëson gratë shkodrane në Venedik, të cilat, siç shkruhet në botimin italian, edhe pas dy shekujsh nga mërgimi i vitit 1479 vazhdojnë të jenë simbol i ndershmërisë femrore5.

Përveç vizatimit në muzeun e Oksfordit, një skicë tjetër e Veronese-s për tablonë Mbrojtja e Shkodrës (në përmasat 121 x 198 cm) ruhet në një koleksion privat në Angli. Eshtë i vizatuar me pendë, me ngjyrë kafe të artë dhe kafe të errët. Ndërsa te vizatimi në Muzeun Ashmolean (me shifrën P2 742, në përmasat 123 x 215 cm), krahas skicimeve me pendë janë përdorur edhe bojra uji (acquarello).

Përmasat e vlerave artistike të veprave me temën kushtuar mbrojtjes së Shkodrës rriten më shumë dhe nga disa krijime të autorëve të tjerë të njohur. Më i rëndësishmi prej tyre është vizatimi nga Anton van Dyck, piktori më i shquar flamand dhe ndër më të spikatur në të gjithë artin botëror. Nga kërkimet në fondin e Muzeut Britanik në Londër zbuluam se vizatimin kushtuar shqiptarëve mjeshtri flamand e kishte bërë sipas tablosë Mbrojtja e Shkodrës të Veronese-s. Në kartelën e muzeut është vendosur ky shënim: “Anthony van Dyck: Defence of Scutari; after Paolo Veronese6. Në gjurmimet për të përcaktuar vendin dhe kohën më të saktë të realizimit (pasi në kartelë shënohej: midis viteve 1614-1641, periudhë që artisti e ndau midis Anglisë dhe Italisë), ishte i nevojshëm krahasimi me një nga vizatimet paraprake të Veronese-s për këtë tablo të ndodhur në Muzeun Ashmolean të Oksfordit. Nuk kishte ngjashmëri midis tyre. Vizatimi i Dyck-ut ishte bërë sipas afreskut origjinal të vitit 1585 në Pallatin Dukal në Venecia. Pra, sipas këtij hulumtimi del se lidhjet e mjeshtrit flamand me botën shqiptare kishin nisur gjatë viteve të para të qëndrimit të tij në Itali. Siç është paraqitur gjërësisht në studimin e Angela Valenti Durazzo, piktori A. Van Dyck pas udhëtimit në Venecia qëndroi për disa muaj në Genova, pranë familjes së njohur Durazzo. Gjatë pikturimeve në mjediset e Pallatit Mbretëror (Palazzo Reale) në telajot e këtij piktori u përjetësuan gjithashtu edhe fytyrat e disa prej pjesëtarëve të fuqishëm tё kësaj familje të madhe, të ardhur në Itali nga qyteti i Durrësit7.

Giovanni Palazzi, “Gruaja shkodrane në lojën me letra”, Venecia, 1861

Krahas veprave të këtyre dy autorëve më të shquar, për qëndresën shqiptare në muret e kështjellës së Shkodrës njihen edhe tri punime të tjera artistike. Nga më të hershmit është relievi kushtuar qëndresës së Shkodrës në vitin 1479, i vendosur në ballinën e Shkollës së Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi), në Shën Mauric. Në pjesën e poshtme të relievit shihet Sulltan Mehmeti me Vezirin e tij duke vështruar nga larg kështjellën e Shkodrës që paraqitet në anën e sipërme, mbi masivin shkëmbor. Në muret e brendshme të kësaj shkolle të njohur në Venecia është realizuar edhe një cikël i plotë pikturash nga artistët Vittorio Carpaccio  dhe  Marco Basaiti ku janë të pranishëm personazhe, vende dhe ngjarje të ndryshme nga bota shqiptare.

Në vitin 1720, piktori Andrea Zucchi e rikujtoi ngjarjen historike të qëndresës  së shqiptarëve duke gdhendur gravurën “Lufta për mbrojtjen e Shkodrës”. Krijimi i Zucchi-t është realizuar sipas tablosë së pikturuar në Pallatin Dukal në vitin 1585. Sipas një praktike të njohur të atyre viteve, kur tablotë më të bukura të autorëve të shquar riprodhoheshin në disa kopje përmes gdhendjeve grafike, edhe imazhet e luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës u shumëfishuan me këtë rast për koleksionistët dhe admiruesit e artit. Një nga gravurat e para të A. Zucchi-t, e gdhendur sipas imazhit të tablosë Mbrojtja e Shkodrës, tani ruhet në fondin e Muzeun Britanik në Londër8.

Giuseppe Lorenzo Gatteri, “Dëbimi i turqve nga kalaja e Shkodrës”, akuaforte e vitit 1860

Ndërsa në vitin 1860, kur piktori Giuseppe Gatteri realizoi 150 tablo të ndryshme që u përdorën për ilustrimin e historisë së Venecias, në atë cikël përfshiu edhe një imazh nga betejat për Shkodrën, që njihet gjithashtu me titullin Prapsja e turqve nga Shkodra (I Turchi respinti da Scutari). Bëhet fjalë pikërisht për luftën e vitit 1479, në kalanë e Shkodrës, për mbrojtjen e qytetit nga otomanët; e njëjta temë që është pikturuar nga mjeshtri Paolo Veronese në Pallatin e Dozhëve në Venedik. Krijimet e të dy autorëve italianë për ngjarjen e Shkodrës janë realizuar në teknika të ndryshme. Edhe këndvështrimi për të njëjtën temë është krejt i ndryshëm. Nëse Veronese mbrojtjen e qytetit e simbolizon me shpëtimin e një gruaje të re nga duart e pushtuesve, Gatteri pasqyron një çast beteje, ku duken turqit e rrënuar nga goditjet me gurë dhe objekte të tjera që zbresin prej bedenave të kalasë. Vizatimi i piktorit Gatteri është gdhendur në gravurë prej grafistit Enrico Reinhart.

Për mbrojtjen e Shkodrës janë realizuar edhe vepra të tjera që i përkasin viteve të mëvonshëm. A. Bianchini, autori i tablosë së njohur “Gratë shqiptare luftojnë përkrah burrave në mbrojtje të vendit të tyre”, ka pikturuar një skenë nga betejat e viteve 1912-13. Të kësaj periudhe janë edhe një numër i madh vizatimesh, ilustrimesh, gravurash dhe litografi nga autorë të ndryshëm europianë. Ekziston gjithashtu edhe një cikël karikaturash ku demaskohen qëllimet, ndërhyrjet dhe veprimet luftarake të shteteve shoviniste për pushtimin e Shkodrës, si dhe dështimi dhe dëbimi i tyre nga muret e kështjellës Rozafa. Pjesa më e madhe e këtyre krijimeve u botuan në disa prej gazetave dhe revistave të njohura të kohës si Kikeriki, Die Muskete, Le Monde illustré, Wiener Caricaturen, Simplicissimus, Punch, Illustrirte Zeitung, etj.

Paolo Veronese, Vizatim për tablonë Mbrojtja e Shkodrës, Muzeu Ashmolean Oxford
Andrea Zucchi, Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, gravurë e vitit 1742, Muzeu Britanik, Londër
Antonio Bonamore, Kalaja e Shkodrës, gravurë e shekullit XIX

Pas veprave të mësipërme, kryesisht atyre kushtuar qëndresës në shekullin e XV, marrin një vlerë të veçantë edhe shumë gravura, akuarele dhe vizatime të mëvonshme ku ravijëzohet pamja e plotë e kalasë së Shkodrës. Duket sikur gjithë ato imazhe të sjellin ndër mend qëndresën dhe luftimet e shkodranëve nga mesi i shekullit XV deri në pavarësinë e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e gravurave dhe akuareleve të mëpasshëm janë realizuan gjatë shekullit XIX, kur u shtuan përpjekjet e shqiptarëve për liri. Vëmendja e artistëve të huaj për Shkodrën ndjehet në çdo periudhë. Është qytetit ku kanë kaluar apo kanë qëndruar për të pikturuar më shumë autorë të njohur europianë. Edhe ekspozita e parë e  artistëve të huaj që kanë pikturuar në trojet shqiptare u çel në një nga sallonet e Shkodrës. Nga data 30 prill deri më 2 maj të vitit 1918, piktorët Armin Horowitz, Pravotinsky dhe skulptori László Beszédes ekspozuan para qytetarëve shkodranë skica, vizatime, peizazhe në akuarel dhe ngjyra vaji, me motive të ndryshme nga bota shqiptare8. Aty u paraqitën edhe disa imazhe nga kështjella legjendare. Në qytetin ku pikturuan dhe ekspozuan gjithë ata autorë të huaj është hapur gjithashtu edhe e para ekspozitë në grup e artistëve shqiptarë. Në muajin shkurt të vitit 1923, Shoqëria Rozafa mblodhi në një sallë të përbashkët veprat e artistëve të njohur Kol Idromeno, Ndoc Martini, Andrea Kushi, Simon Rrota si dhe të disa autorëve të tjerë që nuk e çuan deri në fund rrugën e artit. Në atë ekspozitë mori pjesë edhe At Gjergj Fishta me 24 punime9. Në një nga pikturat e asaj kohe mjeshtri Idromeno pasqyron “Ikjen së Zonjës së Shkodrës”. Mbështetur në legjendën e hershme ai paraqet fluturimin e ikonës nga kisha në rrëzë të kalasë Rozafa drejt Italisë në vitin 1467, pikërisht në kohën kur ushtritë osmane po dyndeshin drejt pushtimit të plotë të Arbërisë, pas vdekjes së Skënderbeut. Sipas legjendës ikona “Zonja e Shkodrës” arriti në qytezën Genazzano, pranë Romës, më 25 prill të vitit 1467 dhe u vendos në altarin e kishës Madre del Buon Consiglio. Udhëtimi nga Shkodra në Genazzano dhe pritja nga besimtarët vendas është pasqyruar në dy tablotë “Shkodër – Genazzano” dhe “Mbërritja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Genazzano” të artistit italian Prospero Piatti. Pikturat mësipërme të Idromenos dhe Piatti-t mund të cilësohen si imazhet më të afërta pararendëse për tablotë kushtuar luftrave për mbrojtjen e Shkodrës në vitin 1479, luftime që u zhvilluan pranë kishës, ku ndodhej ikona “Zonja e Shkodrës”, si dhe në pjesën e sipërme të kodrës shkëmbore, rreth mureve të larta të kalasë Rozafa.

Reliev kushtuar qëndresës së Shkodrës në vitin 1479, Scuola degli Albanesi, Venezia

Siç del nga përshkrimet e mësipërme, veprat me temë nga mbrojtja e Shkodrës, të pikturuara nga disa autorë të shquar, i dhanë jehonën e përjetshme qëndresës shqiptare gjatë shekullit XV. Që nga koha e realizimit të tyre, ato vazhdojnë të soditen nga vizitorë të shumtë në disa prej muzeve dhe galerive më të rëndësishme të Europës. Vazhdojnë t’i bëjnë jehonë botës shqiptare. Përveç Pallatit të Dozhëve në Venecia, ku është pikturuar afresku nga Veronese, veprat e tjera ndodhen në Muzeun Ashmolean të Oksfordit, në Museun Britanik në Londër, te Scuola degli Albanesi në Venecia, si dhe në koleksione të tjera private në Itali, në Angli dhe nëpër vende të tjera.

Nga kërkime e hulumtime të ardhshme me siguri do të  dalin në dritë edhe gravura, litografi, vizatime, akuarele, tablo apo relieve dhe punime të ndryshme artistike. Vepra të reja po zbulohen edhe në fusha të tjera. Para pak kohësh doli nga shtypi një libër i ri rreth një dorëshkrimi të panjohur kushtuar luftës për mbrojtjen e Shkodrës9.

Edward Lear, Shkodër 1848, The Houghton Library, Harvard University, USA

* Fragment nga libri  HISTORIA E SHQIPTARËVE NËPËR MUZETË E ARTIT, në proces botimi nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Bibliografi:

1.      Barleti, M.: Rrethimi i Shkodrës, përgatitur për botim David Hosaflook, f. 2-3, Onufri, Tiranë, 2012.

2.     Sipas Prof. Aleks Buda, Hyrje në botimin e librit të M. Barletit Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1967, f. 5-52, botuar edhe në librin Buda, A., Shënime historike, Vol. I, f. 346, Tiranë, 1987.

3.      Whiteley, J.: Sipas përshkrimit në skedën  e vizatimit për tablonë Mbrojtja e Shkodrës, të piktorit P. Veronese. WA 1938.44 , The Ashmolean Museum, Oxford, 2008.

4.     Nadin, L.: Shqiptarët në Venedik. Mërgime integrim 1479-1552, Shtëpia Botuese 55, f. 21,Tiranë, 2005.

5.       Nadin, L.: Venezia e Albania: Tracce di antichi legami, f. 8-9, Venezia-Mestre, 1995.

5.       Anthony van Dyck: Defence of Scutari; after Paolo Veronese, no 1957, 1214.207.52, British Museum, London. Shënime nga kërkimet në arkivin e Muzeut Britanik, Londër, 1992.

6.     Valenti (Durazzo), A.: I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova, f. 25, 42-43, 57, Genova, 2004.

7.      Zucchi, A.: La città di Scutari diffesa da Antonio Loredano contro Turchi, 1720 (after Paolo Veronese) 354 x 524 mm, British Museum, London.

8.      Sipas artikullit: Ekspozision pikturash në Shkodër, “Posta e Shqypnis”, f. 3, Shkodër, 4 maj 1918.

9.       Për më shumë shih: Ekspozitë pikturash kombëtare në Shkodër, revista “Hylli i Dritës”, nr. 2, f. 12, Shkodër, 1923.

10.   Bëhet fjalë për librin La guerra di Scutari, da un manonscritto, përgatitur nga  Lucia Nadin dhe Aurel Plasari me parathënie nga Matteo Mandala, botuar nga Viella, mars, 2024.

Marrë nga ExLibris

Më 29 shtator 1571 lindi piktori gjenial Caravaggio (Karavaxho)

Vitet e para

Michelangelo Merisi, i njohur si Caravaggio (emri i marrë nga qyteti Lombard ku lindi), lindi më 29 shtator 1571 nga një arkitekt në shërbim të Markezit të Caravaggio, Francesco Sforza.

Piktori i përkiste një familjeje të vlerësuar dhe mjaft të pasur. Vokacioni i tij duhet të jetë shfaqur shumë herët, pasi më 1584 tashmë ai hyri si nxënës në punëtorinë e piktorit të Bergamos Simone Peterzano, një nxënës i Ticianit.

Është një periudhë në të cilën ai përfiton nga disa mbrojtës, duke përfshirë Sforza dhe Colonna, ose si kardinali Del Monte, i cili e strehon atë në pallatin e tij dhe e urdhëron të pikturojë nature morte.

Caravaggio në Romë

Më 1592, piktori i shqetësuar vendosi të transferohej në Romë, ku u prit në mesin e shërbëtorëve të Pandolfo Pucci, një fisnik vendas.

Ende jo shumë i pavarur, ai u detyrua të punonte për artistë mjaft të njohur në atë kohë, si Antiveduto Grammatica, Lorenzo Siciliano ose Giuseppe Cesari i njohur si Cavalier d’Arpino, piktor i temave me lule, natyrave të qeta ose temave fetare.

Në këto vite “atë e goditi një sëmundje e rëndë, e cila, duke e gjetur pa para, e detyroi të shkonte në Spedal della Consolazione” (Baglione): kjo është periudha në të cilën ai pikturoi portretet e famshme të pasqyrës dhe “Bacchino-n e sëmurë” (ruajtur në Galerinë Borghese).

Pika e kthesës në karrierën e Caravaggio-s u shënua nga blerja e pikut¨res “I bari” nga kardinali Francesco Maria del Monte: pas kësaj ngjarjeje, ai u transferua në Palazzo Madama, rezidenca e kardinalit (tani selia e Senatit), ku qëndroi deri në vitin 1600.

Admirimi i kardinalit u nda edhe nga fqinji i tij i rëndësishëm, Markezi Vincenzo Giustiniani, banor në pallatin e familjes që ndodhet pak hapa larg Palazzo Madama. Përveç Giustiniani-t, klientët e Caravaggio-s përfshijnë familje të rëndësishme si Barberini, Borghese, Costa, Massimi dhe Mattei.

Vitet e trazuara

Por episodet e jetës së artistit gjatë këtyre viteve të hershme romane mbeten të errëta dhe shqetësuese. Më 1597 atij iu kërkua të pikturonte disa piktura për kapelën Contarelli në San Luigi dei Francesi, të gjitha të përqendruara në jetën e San Matteos:

Këto vepra e bëjnë atë të famshëm dhe të kontestuar. Atij do t’i duhet të japë një version të ri të kësaj vepre të fundit, pasi ajo ishte gjykuar në mënyrë vulgare të pandershme.

Vokacioni i Shën Mateut

Që atëherë e deri në vitin 1606, historia e Caravaggio-s është e mbushur me ngjarje të ndryshme të zymta dhe të dhunshme që mbivendosen.

Më 11 shtator 1599 ai dëshmoi ekzekutimin e Beatrice Cencit në sheshin e Castel Sant’Angelo, i mbushur me turma (midis të pranishmëve ishin edhe piktori Orazio Gentileschi dhe vajza e tij e vogël Artemisia). Tema e prerjes së kokës prek në mënyrë të pashlyeshme artistin: shembuj të qartë dhe të famshëm mund të gjenden në veprat: “Judith dhe Holofernes”, “Davidi me kokën e Goliathit”.

Judith dhe Holofernes

Në fillim të shekullit të ri ai krijoi vepra të shumta me rëndësi të dukshme, të cilat nënvizojnë frytshmërinë dhe fuqinë e tij krijuese: vetëm për të dhënë një shembull, midis viteve 1600 dhe 1601 ai pikturoi “Kryqëzimi i Shën Pjetrit” dhe “Kthimi i Shën Palit”; në 1604 “Madona e pelegrinëve ose e Loretos”, në 1605 “Vdekja e Virgjëreshës”, e refuzuar nga besimtarët e Santa Maria della Scala dhe e blerë në vend të saj nga Duka i Mantovës, me këshillën e të riut Rubens.

Një jetë në arrati

Në të njëjtat vite të shënuara nga ky shpërthim krijues, duke filluar nga viti 1603, ankesat në polici, zënkat dhe gjyqet pasuan njëra-tjetrën pa ndërprerje. Më 1605 Caravaggio u strehua në Genova pasi plagosi një kancelar në gjykatë. Në maj të vitit 1606, një duel përfundoi tragjikisht me vrasjen e kundërshtarit të tij (por ai mbeti i plagosur), një vrasje që e detyroi të arratisej, fillimisht në Palestrinë dhe më pas në Italinë e Jugut.

Më pas fillon një jetë si i arratisur, në të cilën sukseset dhe fatkeqësitë ndërrohen. Në vitin 1607 ai shkoi në Napoli ku ekzekutoi disa kryevepra si “Flagjella e Krishtit” dhe “Shtatë Veprat e Mëshirës” për kishat dhe manastiret.

Por bredhjet e tij nuk ndalen dhe me të vërtetë e çojnë atë, në vitin 1608, në Maltë. Portreti i mjeshtrit të madh Alof de Wignacourt i dha atij urdhra të tjera, në veçanti “nokturnin” e madh të “Prejtimit të kokës së Shën Gjon Pagëzorit”, i ruajtur në katedralen e Valetës.

Caravaggio është i mirëpritur në urdhrin e Kalorësve, por lajmet nga Roma në lidhje me arsyet e mërgimit të tij shkaktojnë një hetim dhe për këtë arsye arratisjen e njëmbëdhjetë të piktorit.
Vitet e fundit

Në vjeshtë shkon në Siçili, ku, duke lëvizur nga një qytet në tjetrin, ai lë shembuj të shumtë të gjenisë së tij: “Varrimi i Shën Luçisë”, i kryer në Sirakuzë për kishën me të njëjtin emër; “Ngjallja e Llazarit” dhe “Adhurimi i Barinjve” (tani i ekspozuar në muzeun e Mesinës); dhe një “Lindje me shenjtorët Lorenci dhe Françeskun e Asizit”, ruajtur në oratorinë e San Lorenzos në Palermo (nga studimet e fundit duket se kjo e fundit është krijuar në Romë në vitin 1600).

Pas kthimit në Napoli në tetor 1609, ai u sulmua dhe u plagos rëndë. Në të njëjtën kohë, mbrojtësit e tij romanë punuan për faljen e tij. Ende duke u shëruar, ai u nis për në Shtetin Papnor në korrik 1610. I arrestuar gabimisht në kufirin e Porto Ercoles dhe i liruar dy ditë më vonë, ai endet nëpër plazhe kot në kërkim të varkës që e kishte transportuar atje.

I goditur nga ethet, Michelangelo Merisi vdiq më 18 korrik 1610 në një han, i vetëm, pak ditë para se të shpallej miratimi i kërkesës për mëshirë. Ai ishte vetëm 38 vjeç.

Personaliteti i Caravaggio-s

Për të kuptuar më mirë personalitetin e Caravaggio, ne përfundojmë duke ofruar një profil përmbledhës të Gianni Pittiglio:

Romantizmi nuk bëri gjë tjetër veçse [bazuar në biografitë e kohës. Shënim i redaktorit] krijojnë një mit i cili, në shekullin e 20-të, siç ndodh në shumë raste të tjera, mezi u hodh poshtë. Edhe sot publiku i gjerë e njeh Caravaggio-n në versionin më pak besnik të gjeneruar në ato vite. Rezultati është një artist “i mallkuar”, bohem, pa marrë parasysh kontekstin. Në fakt, Caravaggio është i dhunshëm, por ai nuk kujton se në të njëjtat vite ngjarje të ngjashme kanë përjetuar figura të tilla si Cavalier d’Arpino, Torquato Tasso, Giovan Battista Marino, Ignazio da Loyola e shumë të tjerë; Prirjet e supozuara homoseksuale të Merisit nuk konsiderohen si një faktor margjinal në personalitetin e tij si artist (për disa ato madje përfaqësojnë rrugën interpretuese për shumë prej pikturave të tij rinore), si në rastet më të caktuara të Leonardo apo Michelangelo Buonarroti. Megjithatë, ateizmi dhe injoranca në lidhje me çështjet fetare janë elementi më i largët nga e vërteta: artisti është thjesht i lidhur me varfërinë e Federico Borromeos me gjithçka që kjo përfshin; Caravaggio nuk trajton kurrë një temë fetare pa pasur parasysh burimet e shkruara ose ikonografike, të cilat tregojnë tek ai një kulturë mbi mesataren e teksteve të shenjta.

Vepra të Caravaggio-s

Djali i kafshuar nga një hardhucë ​​(1595-1596)
Shporta me fruta (1596)
Lahutari (1596)
David dhe Goliath (1597-1598)
Judith dhe Holofernes (1597-1600)
Thirrja e Shën Mateut (1599-1600)
Shën Mateu dhe Engjëlli (1602)
Ngritja e Llazarit (1609)
Davidi me kokën e Goliathit (1609-1610)

Elida Buçpapaj

Kol Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar! Nga plani për ndërtimin e vilës së Presidentit Ahmet Zogu, te centrali elektrik dhe Banka e Shtetit, projektet e artistit

Përse ishte Shkodra e para, që u bë djepi i artit realist shqiptar? Përse Kolë Idromeno u bë artisti i parë realist shqiptar dhe përse do ishin të rinjtë shkodranë të parët ndër shqiptarët, që nisën të ëndërronin të bëheshin piktorë?

Rreth këtyre pyetjeve interesante u zhvillua takimi me studiuesen Eleni Laperi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Studiuesja në fushën e arteve pamore dhe autore e librit “Kolë Idromeo, themeluesi i artit realist shqiptar” u foli të pranishmëve mbi jetën e një artisti si Kolë Idromeno.

Takimi “Kur të rinjtë shkodranë nisën të ëndërrojnë të bëhen piktorë”, u zhvillua në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, duke u mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Muzeu “Marubi” shkroi në faqen e tij se, “kur nis të punosh për të njohur jetën e një artisti si Kolë Idromeno, kupton se sa e rëndësishme është të saktësosh faktet, të dish të ndash legjendën nga realiteti historik, të shpëtosh nga prirja për ta zbukuruar realitetin. Madje, edhe legjendave të duhet t’u gjesh shkaqet historike, që i krijuan”. Këto janë pika kyç që shënjojnë procesin e njohjes, të dokumentimit të zhvillimeve historike, gjeopolitike, ekonomike e kulturore, të cilat krijuan kushtet, që në Shkodër të hapej e para studio e fotografisë dhe e para atelie e artit realist shqiptar. Muzeu “Marubi”, ashtu si edhe institucione të tjera kulturore në vend, ka organizuar disa aktivitete në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore.

PREJARDHJA

Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek.

Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz. Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj tek Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu “Illyricum” dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozen e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858. U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones.

I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t’i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini. Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi. Kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme “Krye fëmije”, “Malësorja” dhe “Gomari n’udhë”. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuarelave të para “E vorfna”, “Baresha”, “Fshatarja”, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë “Pusija”, më pas “Netë kazanash” dhe “Dymdhetë luftarë të Pargës në Lundër”. Marubbi ndikoi tek Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studionte për fotografi në Trieste. Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian. Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist dhe hynë çirakë te “Dritëshkronja” e Marubit.

Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania “Pathé” në Francë, emërtuar “Dritëshkronja Idromeno”. Më 1884 Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Pas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesje vajzën e saj të mitur, Orsolinën. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm, Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi “Gjuha shqipe”. Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze “Joseph Stauber” për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare, ku u shfaqën pamjet e para filmike. Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol, një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera, quhej kinemaja, një theatër elektrik.

ARTI

Me hapjen e “Dritëshkronjës” së tij më 1885, Idromeno në Salnamenë (vjetarin) e vilajetit ishte regjistruar si fotograf, duke zënë një vend mes Marubit, Kodhelit, Kristo Shulit, Petro Korçarit etj.. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit. Pas vizatimeve dhe akuareleve të para, Idromeno kur ishte vetëm 23 vjeç punoi portretin e së motrës, që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, “Motra Tone”.

Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar, portret të cilin do ta riprodhonte me të njëjtën pozë, drejtim të syve, të njëjtat dritëhije më 1922-‘23, të veshur allafranga. Më 1898 u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Si skenograf punoi siparin e parë me dekor, një grup fëmijësh duke u argëtuar me lojën popullore të boçave. Më 1902 skenën e një pylli nga natyra e alpeve. Të mëvonshme janë skenat “Limani i Durrësit”, “Dhoma me qoshk”, “Dhomë shkodrane” etj.. Përgatiti po ashtu mjaft objekte butaforie për teatrin amator të kohës, si armë zjarri, shpata, heshta, përkrenare, mburoja, punoi edhe shtatore me aftësitë e tij si skulptor.

Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë punoi dekorin skenik “Festa e vetëqeverimit të Shqipnisë” për një shfaqje që u dha në qytet. Bazat e inxhinierisë dhe arkitekturës i mori nga i ati dhe Marubi, të dy autodidaktë. Më 1907 Idromeno bën projektin për një fabrikë, ndërsa më 1912 e nënshkruan një dokument me titullin e inxhinierit. Mendohet se planet e para të zbatuara prej tij nisën që pas tërmetit të 1905, që e dëmtoi shumë qytetin. Më 1908 ndërtoi shtëpinë e familjes Mazi, ku në mjedisin e poshtëm projektoi një sallon mbledhjesh e shfaqesh të klubit “Gjuha shqipe” dhe në katin e epërm për banim. Më 1925-1926 iu ngarkua zbatimi i planit për ndërtimin e vilës së Presidentit të Republikës, Ahmet Zogu, në Shirokë. Më pas projektoi një fabrikë lëkurësh, të cilën e zbatoi më 1927. Më 1928 bashkëprojektoi dhe zbatoi centralin elektrik që ndërtoi shoqëria italiane ‘SESA’. Në vitet ’30 projektoi dhe zbatoi planin e ndërtesës së Bankës së Shtetit me disa modifikime të mëvonshme, kafen “Adriatik” më 1932, kafe “Park” më 1935 dhe po këtë vit zbatoi edhe planin e kinemasë “Rozafat”./Gazeta Panorama


Send this to a friend