Kolegji Zgjedhor ka vendosur që të përsëritë zgjedhjet në Rrogozhinë.
Në vendimin e zbardhur të Kolegjit, thuhet se përfshirja e tabelës së rezultateve të votimit në burgun e Rrogozhinës ka qenë e paligjshme.
Për këtë arsye kolegji zgjedhor ka vendosur që të ripërsëriten zgjedhjet në bashkinë e Rrogozhinës. Ankesa në Kolegj u bë nga koalicioni Bashkë Fitojmë.
KQZ pritet të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 4 javësh.
Pak ditë më parë u rinumëruan votat në këtë bashki dhe Edison Memolla, kandidati i Partisë Socialiste, rezultoi fitues. Edison Memolla rezultoi me 21 vota avantazh nga 30 të tilla që kishte shpallur KZAZ.
NJOFTIM PËR MEDIA
Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr.31 Regj. Themeltar, Datë 09.06.2023 Regjistrimi, me:
ANKUES: Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’.
ANKUES: Person i tretë, kandidati për kryetar bashkie, Bashkia Rrogozhinë, z. Shkëlqim Hoxha.
KUNDËR: Vendimit nr.174, datë 06.06.2023 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, KQZ.
Për dijeni, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), me Vendimin nr.174, datë 06. 06. 2023, objekt i ankimittë mësipërm, ka vendosur:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023, të depozituar nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’.
2. Ndryshimin e vendimit nr.531, datë 18.05.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve ‘Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023’, sipas tabelës përmbledhëse të miratuar me vendimin e ndërmjetëm të KAS të datës 05.06.2023. Data: 06.06.2023 Nr: 174 Ora: 12:15 ‘Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.80, datë 23.05.2023 të depozituar nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’’.
3. Rrëzimin e kërkesës për mospërfshirjen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023, të rezultatit të zgjedhjeve për Qendrën e Votimit nr. 2224/01, IEVP Rrogozhinë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bazuar në pikën 1 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij, sipas përcaktimit të pikës 2 të nenit 152 të Kodit Zgjedhor’.
Më datë 12.06.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:
1. Esmeralda Xhili (Relatore);
2. Blerona Hasa (Anëtare);
3. Emona Muҫi (Anëtare);
4. Edlira Petri (Anëtare);
5. Marsela Dervishi (Anëtare).
Me Urdhër datë 13.06.2023 ‘Për caktimin e seancës gjyqësore’ të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 15.06.2023, ora 15:00, për zhvillimin e seancës gjyqësore. Relatori i ҫështjes ka disponuar Vendimin datë 13.06.2023 ‘Për plotësimin e të metave të kërkesëpadisë’.
Lidhur me ambientin e zhvillimit të seancës gjyqësore, Kolegji Zgjedhor Gjyqësor caktoi Gjykatën Administrative të Apelit, në adresën Rr.’Ismail Qemali’, Njësia Bashkiake nr. 2, Tiranë, në kushtet kur prej njoftimeve të datave 12.06.2023 dhe 13.06.2023, në grupin e gazetarëve në aplikacionin WhatsApp, nuk pati asnjë konfirmim për pjesëmarrje në seancë, ҫka do të diktonte zhvillimin e seancës në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.
syri.net