Ernest Koliqi: /
Kolë Bib Mirakaj
Edhe nji shok i vlefshëm u shkoq papritmas nga aradhja në mëgrim e dalzotsave të Liri, i ftuem përte Dyerve të kësaj Jete nga ai Za urdhënuer të Cilit çdo njeri mishit e gjakut asht i shtërnguem t’i ndëgjojë. Kolë Bib Mirakaj na la shi në nji kohë kur mërgata ndiente ma tepër se kurr nevojen për hovin e pashterrshëm të ndiesive patrjotike dhe për rysnin e tij njerzore e shoqnore. Mund të thuhet se Vdekja e gjet në kambë, në llogor të qëndresës së ngrehun kundra mohuesave të traditave ma të shëndoshta shqiptare, kundra zotnuesave qi përpiqen me i a tha tharmet jetësore kombit t’onë. Ai dikur luftar trim e i vaditun në përdorim të pushkës, tashi në megrim zhvillonte nji luftë idenash me armët kalorsiake të ndiesive të zjarrta të veta. Ushqente bindje të patrandun në vërtytet rilindëse të popullit prej shtresave ma gjenuine të cilit ai rridhte.
Kolë Biba si moshë përfshihej n’at ortë qi njofti dy luftat e mëdhaja botnore, qi u gazmue e u dejë në shpalljen e pamvarsis shqiptare, qi u dalldis n’epopen e shkurtë por plot afsh pësimi patrjotik të Mbretit Wiedit, qi gzoi e vuejti në tallazin e ngjarjeve nëpër të cilat u përshkue ky brezi ynë i pafat. Ajo e Kolës mund të quhet brezni orëzezë, sepse fati e paracaktoi të gjallojë në nji periudhe historike ku kënaqjet qenë të shkurta dhe mjerimet të pambarueme. Rrethana të turbullta, – qi terratisshin shpesh-herë ndër shpirtna dritën udhëhjekse t’idealeve kombtare edhe n’atdhetarët ma të kulluet, – kërkuen prej vepruesave në fushë kombtare dej arenzi (çelikut) e qindresë së rrebtë ndër nisme e ndër përpjekje politike. Therorit ma të nalta, guximi ma i vërvitun, vendosja ma e ngurtë nuk mjaftuen orvatjeve të shqiptarizimit, shpesh të denueme për në mposhtje nga fuqi madhore, nga anmiksija e fatit. Historija e Shqipnis, tue zanë fill nga veprimtarija e Skanderbegut, e tue vazhdue me nisme vetqeverrimi të Karamahmud Bushatit e t’Ali Pashë Tepelenës, me kryengritje kosovare e të Ded Gjo’ Lulit, e prap ma vonë me tjera orvatje të Rilindasve deri në ditën e sotme, paraqitet përgjithsisht si varg deshtimesh, të rrethueme, po, me trimni kreshnike por e shkueme huq, – varg epopesh lavdiplote, drita e së cilave u shue në terr e në harresë.
Zanafillen i Ndiemi e kishte prej atyne fiseve malsore, në të cilat mbet e paprekun gjatë rrjedhimit të qindvjetave rraja ma e pastër e bujare e gjindes arbnore. Ato fise qenë muroja e rracës s’onë e ruejten kufijt e atdheut me gjoksa viganorë e, mbrenda kufijve, doket e gjuhën e të Parvet, fizjonomin e vetit ethnike, pasunin e pikatun të traditave qi ne na shquen nga kombet tjera e na lejon m’u thirrë Shqiptarë. Para se me u arsimue në Shkodër në shkolla austrjake, Kolë Biba e begati menden e zemrën dhe e mbrumosi karakterin në frymë të dokeve qi ushqehen në gjak ilyro-shqiptar. Idealet e burrnis e të nderit i a gdheni në shpirt vargu i kangve të rapsodve qi përmban, në trajtën njomsisht primitive, nji palc përftimesh e ndiesish të larta njerzore. Afshi epik i rapsodive të bjeshkve, ku Zanat ruejnë sekretet e thalbit ethnik t’onë, e frymzoi gjatë jetës – jo vetëm atë por edhe rrethin e tij shtëpijak dhe krahinuer. I vëllai Pashuk Biba, i biri Ndoc Kolë Mirakaj e tjerë pjestarë të farefisit e të krahinës shuguruen me gjak të pastër fisnikinë e zanafilles së tyne dhe fituen të drejtën m’u këndue në lahuta të sotme e t’ardhëme si Kalorsa kreshnikë të Lirisë. Kola ra deshmor në nji luftë tjetër, n’atë të përpjekjeve civile jo ma pak e vlerët, ndoshta tue shpresue të kapi heret a vonë pushkën m’u mate ballafaqe me anmiqt e Shqipnis ashtu si ishte matun shpesh ma përpara. Në shtat mbante varrët qi luftat për liri t’atdhuet i shkaktuen dhe ndoshta ato varrë i a kanë shkrutue të të gjallët.
Ndonse travajët e jatës s’e lanë kurr të qetë, Kolë Biba nuk e ndërpreu asnjiherë mundimin e vet për forcim e naltësim t’atdheut. Meritë kryesore e tij qe orientimi i pashëmangun në vijën e drejtë të shqiptarizmit. Ai si fënerë kishte testamendin e patrjotve ma mende-ndritun që shprehi Shqipnija nga gjini i vet. Në pështjellim të ngjarjeve, në përleshje të pasjoneve, në rrapamë të rrymbave të nduernduerta politike qi dallojnë botën e vogël të politikës shqiptare, ai mbante syt e ngulun n’epope të përflakun të Fishtës, në mësime largpase të Gurakuqit, në thjeshtësin burrnore të Bajram Currit. Këta të Mëdhej ai i njofti si udhëhjeksa në lamije të atdhetarizmit, shembullin e tyne përpiqej të ndiqte.
Mjerisht, po e shtjerrtueme në dukje, pa e thellue vargun e ndodhive qi u gërshetuen në përiudhat e fundme të historis së kombit t’onë, na jepet me mendue se kreshnikija – begati e madhe në trashigim të gjakut arbnuer, – u shkri kot e se përpjekjet atdhetare ma të shqueme i asgjasoi nji fat plotë mizori.
Nuk asht ashtu. Edhe Skanderbegu humbi luftën mbasi çmeriti botën në Lindje e në Prendim me trimnit e veta. Epopeja e tij nuk u vorros me të. Erdhi tue lëshue dritë përhera ma tepër e, mbas pesqind vjetësh, lulzoi e qiti fryt agimesh fatlume për kombin t’onë. Therorit e atdhetarëve nuk njohin bjerrje. Kohë mbas kohe ato kërthnetën në dobi të popullit të cilit i u kushtuen.
Kolë Biba jo vetem kreu mbrenda rrethanave qi fati i parashtroi detyren e vet si Shqiptar gjallnik e zemër-ndezun, por u naltësue nëpërmjet flijes së trupit të vet dhe të gjakut farefisnuer, në kambën e atyne atdhetarvet qi fuqizuen rrajën e shqiptarizmit. ( “Shejzat”, 1968. Nr. 4-6, fq. 247).
Ndërkaq, prof. Rexhep Krasniqi, historian i njoftun në kohen e tij dhe Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, shkruen ndër të tjera me rastin e vdekjes të Kolë Bibë Mirakajt:
“ …Me 17 Maj ndrroi jetë bashkatdhetari Kolë Bib Mirakaj. Jeta dhe veprat e tij në sherbim të çashtje shqiptare janë të njoftuna prej të gjithve dhe me gjithë anmiqësitë që ka krijue në sheshin politik, të gjithë ata që e kanë njoftë kanë qenë të detyruem me e çmue për burrninë dhe virtytet e tij të nalta, tipike të krahinavet tona malore…” (“Shqiptari i lirë”, Mars-Gusht 1968. fq. 4).
****
Librin e Kol Bibë Mirakajt: “Vdekja e nji kombi” e kam lexue me vemendje. Kjo vepër, pa marrë paraysh se çfarë debati mund të ngritë sot ose nesër, asht me randësi të veçantë historike. Për mendimin tim, kambëngulja e autorit për qendrim të pamshirshëm ndaj rrymës komuniste, dhe kritikat për përçamjen e krenve të nacionalizmit, janë shumë të drejta. Sot mund të kundërshtohet ky mendim, por në qoftë se analizohen në hollësi tmerret që i solli komunizmi kombit tonë dhe damet që sollën përçamjet e krenve të nacionalizmit gjatë asaj periudhe nuk ka si mos të simpatizohet Kolë Bib Mirakaj për shprehjen e mendimeve të tij shkoqun dhe guximshëm në këtë vepër historike me titull tronditës: “VETVRASJA E NJË KOMBI”. Fundi i fundit ai ishte pjesëmarrës i dalluem në ato zhvillime historike-politike dhe i njoftun për sakrificat përsonale, familjare dhe farefisnore ndaj çeshtjes shqiptare, gjatë asaj përiudhe. Prandaj, mendimet e tij të shprehune burrnisht qendrojnë në çdo kohë. Kur mendohet se në çfarë gjendje mbeti shteti shqiptar para zbarkimit të forcave pushtuese italiane asht prekse dhe e ndershme kjo shprehje tij :
“ Kemi hy me bindje se me veprimtarinë dhe vetmohimin tonë, po i kursejshim atdhuet një “ katastrofë ” ma të madhe, e kështu, kemi bindjen edhe sot e kësaj dite. Kemi pasë vetëdijen se Shqipnija n’atë gjendje të krijueme nga forca madhore, kishte humbë nji pjesë të indi- pendencës së sajë, po që askush nuk mund t’ia evitonte ose kufizonte ma tepër se ne atë humbje ndër ato rrethana, kemi ndije për detyrë impe- rarive ndaj atdheut mos me e dezertue në atë kohë aq të vështirë dhe mos me e lanë barken pa zot në fatin tragjik të tallazeve.” (“VETVRASJA E NJË KOMBI” fq. 81). Kurdo të shkruhet historia jonë kombëtare për të cilën bahet shumë fjalë, hatrtuesit e saj nuk mund të nxjerrin nga tryeza e analizi- mit të zhillimeve historike të asaj përiudhe këtë vepër të Kolë Bibë- Mirkajt.
***
Ky shkrim i kushtohet Pal Bibë Mirakajt, i cili ishte mik i ngusht i familjes tonë. Për 7 vjet Pali mbajti ndërlidhjet midis grupeve luftara- ke antikomuniste prej maleve të Pukës, Mirditës, Shalës e Shoqshit, Lumës, Hasit dhe Malësisë Gjakovës. Axha im Alush Halili Lamaj qendroi në mal me Tahir Hoxhën e Gashit prej pushtimit të Tropojës nga komunistët me 16 tetor 1944 deri nga fundi i vitit 1949, kur u arratis në Jugosllavi. Pal Bibën e lidhte miqësia e ngusht vllaznore me babën tim, Shpendin dy axhallarët Alushin e Shabanin, dhe nanën time Borën. Gjatë atyne viteve Pal Biba, sa e sa herë levizte nëpër Malësi të Gjakovës dhe kishte takim me Tahir Hoxhën në Lum të Gashit, ndalohej te kulla jonë, në katundin Shoshan, furnizohej me ushqim dhe përcillej natën nga baba im, për në vendin që ai e kishte caktue.
Kur ne erdhëm këtu në New York, dy muaj mbas vdekjes të Kolë Bibës, Pali menjiherë erdhi dhe u përqafue ashtu si burrat e dikurshëm malsor me axhen babën dhe nanën time. Kurr nuk harroj kur hyni për herë të parë në shtëpinë tonë në Bronx dhe të dera e apartmentit i tha nanës t’ime: “ Oj Borë, nji bukë kollomoqi të nxet dhe nji pshere djath se jamë përngutë ”, dhe nanës time iu mbushen sytë lot m’u te dera e dhomës pritjes ku nana, axha dhe baba im të plakun e të lodhun memzi pritshin me u përqafue me Pal Bibën.
* Majte sot me 3 Dhjetor 2015 ne promovimin e librit te Kol Bibe Mirakaj”Vetvrasja e nje Kombi” org
Komentet