Gjatë një takimi me socialistët dhe mbështetësit e partisë ZGJIDHJA në Pogradec, drejtuesi i saj, Koço Kokëdhima deklaroi se partia e tij nuk do të futet në zgjedhje parlamentare me sistemin aktual zgjedhor. “ZGJIDHJA nuk do futet kurrë në zgjedhje jogjithëpërfshirëse.
“Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje pa opozitën. “Zgjidhja” nuk do të legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha. Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së!”- u shpreh Kokëdhima përpara të pranishmëve.
Duke komentuar anulimin e zgjedhjeve të parashikuar në Kavajë të dielën, Kokëdhima tha se ai e kishte paralajmëruar këtë. “Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve.
Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vinë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve”-u shpreh drejtuesi i partisë “Zgjidhja”.
Kokëdhima akuzoi Ramën se është përpjekur të fshehë e të mohojë të vërtetën e krizës së thellë dhe të shumëfishtë që ka përfshirë vendin tonë. “Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin perfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standarde”.
Kokëdhima u shpreh se për ta bërë Shqipërinë që duan të gjithë shqiptarët ai do të synojë të jetë së afërmi kryeministër: “Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken ëndrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi”
Fjala e plotë e Kokëdhimës në Pogradec
Të dashur miq!
Ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen dhe për mbështetjen. Kudo në Shqipëri, njerëzit na kanë pritur në mënyrën më të shkëlqyer. Sallat e takimeve tona janë rrafsh dhe duken të vogla. Njerëzit e presin Zgjidhjen me entusiazëm dhe besim. Tezat, idetë, propozimet dhe qëndrimet e “Zgjidhjes” kanë përkrahje të gjerë në rradhët e popullit, por sidomos në rradhët e rinisë universitare dhe shkollore, në rradhët e rinisë dhe të gruas në fshat e në qytet. Rinia dhe gratë janë mbështetja më e madhe e “Zgjidhjes”.
Me sa duket nga rinia dhe gratë do vijë energjia më e madhe transformuese e “Zgjidhjes”. Rinia dhe gruaja është pjesa më e ndershme e shoqërisë shqiptare, pjesa më e pastër dhe më e painfektuar nga degradimi moral i shoqërisë, nga mëkatet e mëdha që u bënë në këto vite kundër natyrës, mjedisit, shtetit dhe ligjit, kundër jetës, shëndetit dhe sigurisë së njerëzve, kundër ekonomisë, mirëqenies dhe pasurisë publike e kombëtare, kundër meritës, edukimit të shëndoshë, vlerave, parimeve të demokracisë dhe zakoneve të mira të vendit.
Rinia dhe gruaja do të bëjnë ndryshimin. Ato do të jenë burimi kryesor i energjisë që do të mobilizojë “Zgjidhja” për të bërë katharsisin që i duhet shoqërisë shqiptare për t’u çliruar nga këto mëkate dhe nga kjo elitë e degjeneruar politike, nga kasta sunduese e korruptuar, nga ky sistem i kalbur politik dhe nga ky regjim antidemokratik, nga tirania e skamjes dhe e korrupsionit, nga tirania e krimit dhe e hashashit. Rinia dhe gruaja janë zgjidhja.
Me këtë nuk dua të them se burrat nuk janë të rëndësishëm për Zgjidhjen. Ne vlerësojmë çdo qytetar të Shqipërisë. Çdo individ ka rëndësi të madhe. Ne do u japim vëmendje e mbështetje, dëgjim e respekt të gjithë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Të gjithë njerëzit e haruar, të shkelur, të varfër e të përbuzur kanë një rol të madh për të kryer, kanë një punë të madhe për të bërë me zgjidhjen: Krah për krah me rininë dhe gratë të përmbysim këtë konjukturë dhe këtë regjim antidemokratik e mizor që sundon prej 25 vitesh në Shqipëri.
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju prezantoj Kryetaren e rinisë së “Zgjidhjes” së Shqipërisë dhe Kryetaren e Gruas së “Zgjidhjes” së Shqipërisë, respektivisht Ermela Demollaj, shkurtimisht Mela Demollaj dhe Anelita Lila, shkurtimisht Ana Lila. Ermela Demollaj është 30 vjeçe. Ajo ka studiuar kontabilitet. Është një vajzë me cilësi të jashtëzakonshme, shumë punëtore dhe e zonja, me shpirt sipërmarrës dhe guximtare, me iniciativë dhe trimëreshë. Ajo do ta udhëheqë rininë e “Zgjidhjes” me kompetencë e përgjegjësi të madhe. E ftoj këtu përpara jush.
Kryetare e gruas së “Zgjidhjes” në Shqipëri është Anelita Lila. Ajo ka studiuar psikologji. Është 35 vjeçe. Ka përvojë të gjërë pune në media, biznes, marketing e menaxhim. Ka njohje të gjera. Është nënë dhe ka një bashkëshort të shkëlqyer që e mbështet me përkushtim të rrallë në karrierën e saj. Ana ka cilësi të larta. Është e vëmendshme dhe një luftëtare e vendosur për të drejtat e grave, për lumturinë e tyre dhe të popullit tonë. Ajo do jetë një politikane e rëndësishme e “Zgjidhjes” dhe e Shqipërisë. Ejani këtu, ju lutem, zonja Anelita.
Ju uroj shumë suksese në detyrat tuaja shumë të larta. Ju siguroj se rinia dhe gratë e Shqipërisë do ju japin një mbështetje të jashtëzakonshme. Ftoj të gjithë të pranishmit në sallë, t’i përcjellim Ermelën dhe Anelitën me shumë duartrokitje.
Pogradeci është një qytet i dashur jo vetëm për ju por për gjithë shqiptarët. Unë kam pasur rastin e lumtur në jetë të njoh djem e vajza dhe burra e gra plot talente si piktori i shquar Anastas Kostandini që i bën nder Pogradecit dhe Shqipërisë dhe këngëtaren e dashur Ermira Babaliu. Ardi Fejzullari është një artist i fotografisë që punon e jeton këtu që ashtu si Taso duan të provojnë se ky vend nuk do shuhet kurrë dhe do vazhdojë të nxjerrë e të ketë artistë të mëdhenj dhe njerëz të mirë. Jam shumë krenar për miqtë e mi dhe bashkëpuntorët e shquar e të dashur që kam bërë në jetë nga kjo trevë si Sajmir Aliçkollin, Erjon Gjergon, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Rudi Bregun, Vilma Lamçen, Enkelejda dhe Arlinda Purën, Irida Hamzallarin, Denisa Petrën, Laerta Xhanin, Marsela Kollçaku e shumë të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend dot të gjithë.
Situata në Shqipëri është shumë e ndërlikuar. Vendi po përgatitet për zgjedhjet e 18 qershorit. Këto zgjedhje nuk do jenë as të lira, as të ndershme, as gjithëpërfshirëse dhe as paqësore. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare ku populli ynë shkon i përçarë. Kriza që ka përfshirë vendin është e thellë, e plotë, e gjithanshme dhe e shumëfishtë. Qeveria dhe elita politike përpiqen të fshehin përmasat dhe rrënjët e vërteta të kësaj krize. Edhe Partia Demokratike nuk i thotë të gjitha të vërtetat e kësaj krize, i fsheh një pjesë ta madhe të tyre. Partia Demokratike e provokoi me çadrën dhe protestën e saj të pandërprerë këtë krizë që në të vërtetë është krijuar nga abuzimet dhe keqqeverisja e elitave politike të të dy krahëve në vite.
Shqipëria është sot vendi më i varfër, më i korruptuar dhe më i pashpresë në kontinent. Papunësia është shumë e lartë, pagat shumë të vogla, niveli i lirive është më i ulët se kurrë. Popullit i janë grabitur dhe nëpërkëmbur të gjitha të drejtat esenciale dhe elementare, përfshi të drejtën për të jetuar në tokën e vet. Në vend të demokracisë kushtetuese këtu sundon regjimi i partitokracisë, një konjukturë dhe oligopol i kryetarëve të partive të mëdha që ka kriminalizuar deri në palcë çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Ky rregjim ka përjashtuar popullin nga e drejta e pjesëmarrjes në qeverisje dhe e ka përqëndruar këtë në 4-5 duar.
Regjimi i partitokracisë, i përdor të gjitha burimet financiare, natyrore, materiale dhe njerëzore të shtetit dhe të pushtetit për të bërë para dhe pushtet për kryetarët e partive dhe klikat e tyre. Paratë këta i përdorin për të shtuar e kontrolluar pushtetin dhe për të bërë vota. Votat i përkthejnë në pushtet. Dhe pushtetin e përdorin për të bërë para me tendera, koncensione, shitje vendesh pune, shërbimesh e të drejtash publike dhe përmes trafikimit dhe tradhëtimit të interesave shtetërore.
Ka shumë ngjashmëri në veprimtarinë politike të kryetarëve dhe partive politike shqiptare të këtyre 25 viteve. Të gjithë kryetarët e partive dhe klikat e tyre kanë ndjekur të njëjtin parim: Qëllimi i vetëm i kryetarëve dhe klikave të tyre në ushtrimin e pushtetit është rritja e pushtetit dhe parave të tyre. Ndërkohë qëllimi i vetëm i rritjes së parave dhe pushtetit të kryetarëve të partive dhe klikave të tyre në pushtet, është rritja e mëtejshme e pushtetit dhe pasurisë së tyre! Me fjalë të tjera: Qëllimi i rritjes është vetëm rritja në fjalë. Kjo është ideologjia e qelizave të kancerit! Ato shtohen vetëm për t’u shumëfishuar me shpejtësi marramendëse. Nuk kanë asnjë funksion tjetër jetësor. Përkundrazi, shkatërojnë çdo funksion jetësor të trupit ku mbijnë dhe rriten!
Ja pse partitokracia që sundon në Shqipëri po i varros aspiratat e shqiptarëve që rrëzuan komunizmin me shpresë se këtu do të sundonin liritë politike, të mendimit, opinioneve e të shprehjes, liritë ekonomike, njerëzore e qytetare, liria e konkurencës dhe shteti ligjor, shpresa dhe besimi, e drejta për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet, për t’u shërbyer me kompetencë dhe mirësjellje nga administrata dhe pushteti, e drejta për të zgjedhur, e për të refuzuar, e drejta për t’u dëgjuar me respekt dhe për t’u zgjedhur lirisht.
PD dhe PS janë bashkëpërgjegjëse për këtë krizë të rëndë që po përjeton Shqipëria. Kjo krizë e shumëfishtë, ekonomike, besimi, vlerash, morale dhe politike, ka në themel shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, shkatërrimin e të drejtës së popullit për të zgjedhur përfaqësuesit e tij, për të ushtruar sovranitetin përmes votës dhe për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Ka në themel uzurpimin dhe shkatërrimin e partive politike nga oligarkët e dalë nga elita e korruptuar politike që po i pinë gjakun popullit shqiptar.
Këta politikanë dhe qeverisjet e tyre janë cinikë, të pashpirt e mizorë. Ata jo vetëm që nuk mendojnë për popullin tonë të shumëvuajtur dhe për nevojat e qytetarëve të thjeshtë, për njerëzit që e nxjerrin bukën dhe jetën e tyre me djersën e ballit, por mendojnë se sa më i mjerë e i këputur të jetë ky popull, sa më i shkelur e i varfër, sa më i përbuzur e i nëpërkëmbur; sa më i harruar e i nënvleftësuar të jetë qytetari shqiptar, aq më i sigurtë dhe më i gjatë është sundimi i tyre.
Kriza që ka filluar të shfaqet është vetëm maja e ajsbergut. Nën terrin mediatik dhe propagandistik që përhap qeveria, situata po zjen. Populli e di shumë mirë se kjo kastë politike ka 25 vite që e mashtron dhe e vjedh, nuk u zë më besë këtyre politikanëve. Shqiptarët e shtypur e të vjedhur po zgjohen e po lëvizin, po ndërgjegjësohen e po gatiten për luftë.
Kjo luftë nuk do të bëhet për kauzat e PD-së. Sistemi politik dhe elektoral që kemi sot është ai që ndërtoi Berisha dhe Rama dhe që e la në fuqi Berisha përpara katër vitesh. Nga ky sistem dhe nga të dy palët në fjalë kanë vuajtur dhe po vuajnë të gjithë në Shqipëri. Ky sistem është ngritur në kundërshtim me nenin 2 të kushtetutës që thotë se: “1. Sovraniteti në Shqipëri i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”.
Kjo luftë do të bëhet për kauzat e lirisë e të sovranitetit të popullit. “Zgjidhja” do qëndrojë në krye të kësaj lufte. Është moment historik. Momenti për të vendosur zgjedhjet e lira, demokracinë kushtetuese dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Kjo do të bëhet vetëm me angazhimin e drejtpërdrejtë të popullit siç përcaktohet në nenin 2 të kushtetutës.
Po fillon rrëzimi, rrënimi, përmbysja dhe shkatërrimi i kastës së korruptuar dhe i regjimit kriminal të partitokracisë që ka sunduar në Shqipëri këto 25 vite, regjimi i kryetarëve të partive, tirania e korrupsionit dhe e hashashit, rregjimi që i ndan institucionet e shtetit në feude për servilët dhe shërbëtorët e pushtetit të kryetarit, rregjimi i pashallarëve të zinj!
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë ndërtuar regjimin famëkeq të partitokracisë. Ato kanë monopolizuar dhe shkatërruar zgjedhjet. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm 4 parti numërojnë e rindajnë sipas qejfit votat e gjithë partive të tjera. Militantët e tyre të urdhëruar vjedhin e shqyejnë votat në çdo palë zgjedhje. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vjedhin dhe deformojnë çdo palë zgjedhje edhe kur janë në pushtet edhe kur janë në opozitë. Kuptohet se kush është në pushtet vjedh, blen e deformon më shumë vota.
Misionet e huaja të monitorimit dhe çertifikimit, kanë dështuar plotësisht të ndihmojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Diplomatët e huaj kanë në Tiranë ndikimin më të madh që kanë shërbimet e ngjashme dhe kolegët e tyre në vendet e tjera. Kjo ndodh jo vetëm për faktin se qeveritarët e politikanët e Tiranës, sa janë brutalë e arrogantë me qytetarët dhe popullin e Shqipërisë, aq edhe më shumë janë servilë e të përunjur ndaj diplomatëve të huaj, por ciç e dimë të gjithë, këta qeveritarët tanë janë të korruptuar e të kapur dhe lehtësisht të shtërnguar nga presioni ndërkombëtar.
Me të drejtë opinioni publik shqiptar ngre dyshime për këta diplomatë të huaj që çertifikojnë zgjedhjet shqiptare si të pranueshme pavarësisht problemeve për 23 vite me rradhë. Ata e dinë shumë mirë se zgjedhjet shqiptare janë të papranueshme në botën e sotme demokratike. Unë dua t’i pyes publikisht këta ambasadorë të huaj: pse ja bëni Shqipërisë këtë gjë që nuk do e pranonit kurrë për vendet tuaja?
Unë nuk dua t’i bashkohem opinionit që ndeshet gjthnjë e më shpesh se disa diplomatë të huaj mbyllin sytë ndaj keqqeverisjes dhe zgjedhjeve pa standarde në Shqipëri sepse ata përfshihen në interesa specifike me qeverinë. Zullumi me zgjedhjet është trashur në ekstrem, nuk mban më dhe do të këputet.
Në se këto zgjedhje do bëheshin në një vend nga vijnë zotërinjtë diplomatë në fjalë, vendet e tyre do përfshiheshin në zjarr, në flakë e në përleshje. Këta diplomatë e dinë shumë mirë se pa zgjedhje të lira e të ndershme sistemi nuk funksionon, elitat politike nuk përtërihen, demokracia kushtetuese shndërrohet në një farsë dhe asnjë reformë tjetër nuk jep rezultate. Si mund të pretendojnë këta diplomatë për reformë drejtësie në Shqipëri kur ky vend nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme? Kjo nuk qëndron, nuk bën sens.
Reforma zgjedhore dhe pastrimi përfundimtar i zgjedhjeve në Shqipëri është reforma e të gjitha reformave, është mëma e të gjitha reformave. Fakti se këta diplomatë të huaj me influencë të madhe në qeverisjen e vendit tonë për kaq kohë injorojnë plotësisht situatën reale të zgjedhjeve, e vë në dyshim gjithë sinqeritetin e tyre në investimin për reformën në drejtësi. Drejtësinë e Shqipërisë nuk do e regullojnë as këta diplomatë dhe as elita e korruptuar politike e Tiranës. Qeveria e ka bërë, e bën dhe do e bëjë korrupsionin edhe në të ardhmen.
Qeveritarët e majtë e të djathtë dhe elita politike shqiptare janë burimi më i madh i korrupsionit edhe në drejtësi. Drejtësia dhe çdo pushtet tjetër në Shqipëri do të fillojnë të regullohen vetëm kur sovrani të vendoset në rolin e vet në demokraci, në rolin e sovranit. Vetëm kur populli të zgjedhë vetë përfaqësuesit në të gjitha pushtetet përmes primareve dhe përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme me standarte dhe gjithëpërfshirëse si në të gjitha vendet e tjera demokratike të botës.
Si mund t’i besojmë këta diplomatë që thonë se mund të bëhet reforma në drejtësi edhe pa zgjedhje të lira e të ndershme, me zgjedhje pa standarde dhe jo gjithëpërfshirëse? Me këto zgjedhjet pa opozitën i bie që lidershipi i Rilindjes do të jetë edhe qeveria edhe opozita e ardhëshme. Kështu reformën në drejtësi do e bëjë Rilindja me kukullat e saj. Po kush shqiptar mund të besojë se Rilindja do bëjë reformën në drejtësi? As Rilindja vetë nuk beson te drejtësia e saj.
Rama është një kryeministër me një qeveri që ndërhyn tek njerëzit e drejtësisë, bën shantazhe e presion mbi çdo gjykatës dhe te çdo trup gjykues, kap prokurorët dhe ndërhyn te policët gjyqësorë, porosit procese e dënime penale për emra e persona të veçantë, urdhëron vetë dënime e ndëshkime të çdo lloji, pushon njerëz të thjeshtë nga puna për shkak të dallimeve të pikëpamjeve politike e filozofike, largon nga forumet e partisë pa asnjë rregull, forcërisht e me dhunë, çdo person që mendon ndryshe nga ai.
Të besojmë se këta ambasadorët në fjalë janë naivë dhe mendojnë se zoti Rama si “sulltani i vogël” i parlamentit të ardhshëm jopluralist do t’u japë shqiptarëve drejtësinë e ëndërruar dhe të bëjë drejtësinë të aftë për të kapur dhe ndëshkuar korrupsionin e qeverisë dhe zyrtarët e tij të lartë që merren me narkotrafikun. Ky duket si vetëmashtrim. Të gjithë thonë gjërat që duan të dëgjojnë veshët e shqiptarëve të thjeshtë e të lodhur, por nuk janë duke bërë në fakt çfarë duan shqiptarët. Të gjithë janë duke bërë punët e tyre.
Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore. Këto janë dy dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Shqipëria nuk mund të ngrejë kokë nëse nuk bën reformën zgjedhore, votimin elektronik në qendrat e votimit, numërimin elektronik, zëvendësimin e administratës zgjedhore partiake me një administratë zgjedhore shtetërore, futjen në fuqi të një pakete të plotë me masa të rrepta ligjore që do të garantonin pastrimin e zgjedhjeve nga çdo fenomen i deformimit, cenimit dhe tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Duhet gjithashtu të ndërhyhet në kodin elektoral dhe në kushtetutë për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë ngritur partitë e vogla, nevojës për hapjen e tregut politik, për respektimin e konkurrencës dhe diversitetit të përfaqësimit të votës së popullit në parlament.
Dua t’i pyes publikisht edhe një herë diplomatët e huaj në Tiranë: Kur e mendoni ju se është momenti që Shqipëria dhe shqiptarët të meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme me të njëjtat standarde si për të gjithë popujt e tjerë të demokracive perëndimore? Shqiptarët janë populli më proamerikan dhe më proeuropian në botën europiane. Ata kanë zgjedhur me besim të thellë dhe me koshiencë të plotë kombëtare, politike dhe kulturore të integrohen plotësisht në NATO dhe në BE. Megjithatë, shqiptarëve prej 23 viteve ju mohohet e drejta që të mbajnë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Zgjidhja” as nuk pret dhe as nuk dëshiron që diplomacia euroatlantike të bëhet palë me Partinë Demokratike, por nuk pret dhe nuk dëshiron që të bëhet palë as me qeverinë dhe me mëkatet e saj në kurriz të popullit tonë. Koha për zgjedhje të lira e të ndershme është sot. Situata nuk mban dhe nuk duron më. Zgjedhjet e sivjetme duhet të bëhen me standardet më të mira. Nuk është asnjë humbje nëse shtyhen zgjedhjet në vjeshtë. Humbje e rëndë është në se bëhen zgjedhje si ato që janë bërë deri sot.
Populli ynë ka një besim të madh te Presidenti Trump. Ai është një njeri i drejtë dhe me zemër të madhe, e ka provuar në garën e vetë për president se sa të gabuar dhe të padrejtë janë kryeministri ynë dhe qeverisja e tij. Shpreh besimin se administrata e presidentit Trump do të ushtrojë gjithë ndikimin e vetë për të ndihmuar popullin tonë ta kapërcejë këtë moment të vështirë.
Shqipëria është në një moment kyç të historisë së saj. Ajo duhet të instalojë sot dhe përfundimisht zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme, të paqta dhe gjithëpërfshirëse. Shqipëria duhet të shkatërrojë sot sistemin e oligopoleve dhe monopoleve që sundojnë në politikën dhe në ekonominë e vendit. Sistemi i falimentuar politik në Shqipëri, po e zgjat agoninë e vet vetëm, sepse ambasadorët e vendeve partnere i shkelin syrin dhe vazhdojnë t’i injektojnë shiringa me mbështetje qeveritarëve të korruptuar të Tiranës.
Ky sistem i kalbur e i korruptuar do të shembet. “Zgjidhja” i fton të gjitha partitë shqiptare që e kuptojnë se kolapsi ka ardhur që të tërhiqen nga zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen. Zgjedhjet pa opozitën e eleminojnë edhe të vetmen arritje të sistemit politik të këtyre 25 viteve që shkuan, pluralizmin politik dhe nuk mund të prodhojnë institucione legjitime dhe stabilitet. Përçarja e popullit në zgjedhje është e barabartë me tradhëtinë kombëtare.
Teoritë konspirative që qarkullojnë në qarqet gazetareske në Tiranë, thonë se kokëfortësia e Ramës për të përçarë popullin shqiptar më 18 qershor buron nga plani I diplomatëve të huaj për të bërë zgjedhje pa opozitën dhe me parlamentin e Ramës të marrin kontrollin nbi organet e reja të drejtësisë. Pastaj, për 5-6 muaj të çojnë vendin sërish në zgjedhje. Ky është një plan ogurzi, është një puç kushtetues. Kushtetuta e vendit e ndryshuar më 22 korrik 2016 parashikon që reforma në drejtësi të bëhet me përfshirjen e opozitës. Nëse rolin e opozitës reale do ta luajë opozita farsë dhe e emëruar e Ramës, vetëm do të humbet kohë. Kjo reformë në drejtësi do të diskreditohet dhe nuk do të njihet dhe pranohet nga shqiptarët, vendi do të humbasë edhe zgjedhjet edhe paqen dhe stabilitetin si dhe reformën në drejtësi.
Thirrjet e Edi Ramës se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi nuk e fshehin dot makthin që ai ka nga reforma zgjedhore. Çjerrjet e Ramës janë veçse një ekran tymi për të fshehur prapaskenat ku po luhet një tragjedi e vërtetë shekspiriane me metodat nga më të shëmtuara për ta detyruar popullin shqiptar të shkojë në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Kryeministri, si hajduti, thërret: “kapeni hajdutin”. “Zgjidhja” i kërkon publikisht edhe një herë lidershipit të opozitës, të rikthehet pa humbur më kohë në Parlament dhe të votojë ato ligje që kanë mbetur nga Reforma në Drejtësi. Vetëm kështu i hiqet çengeli i fundit dhe alibia ku janë kapur Edi Rama dhe klika e tij, të cilët, pasi kanë uzurpuar Partinë Socialiste dhe të majtën shqiptare, po synojnë që të kapin edhe të ardhmen e Shqipërisë.
Dua të ritheksoj edhe një herë shqetësimin tim dhe ftesën për Lulzim Bashën të distancohet nga krimet elektorale të Partisë Demokratike në vite. Ai kërkon që të braktiset Republika e Vjetër dhe të vendoset republika e Re. Por Basha duhet ta dijë se Republika e Vjetër që ai anatemon në ligjërimet e tij, është pikërisht republika që u ndërtua me konsensus nga Partia Demokratike dhe nga Partia Socialiste, nga Berisha dhe nga Rama.
Basha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve si lider i opozitës për rolin e PD-së në ndërtimin e republikës së vjetër, e cila s’është gjë tjetër, por ajo që zgjidhja e ka përkufizuar si regjimi famëkeq i partitokracisë. Basha gjithashtu duhet të deklarohet hapur për departizimin e administratës zgjedhore. Këtë nuk e ka bërë asnjë herë deri më sot. Mund të na thotë Basha, a ka ndonjë vend në Europë që administrimi i zgjedhjeve bëhet nga dy partitë e mëdha?! Nuk ka asnjë vend në botë. Dy partitë e vetme në botën që administrojnë zgjedhje janë PD-ja dhe PS-ja.
Dje ranë zgjedhjet në Kavajë. Unë e kisha paralajmëruar këtë gjë. Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve. Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vinë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve.
Ne e kishim thënë me kohë se zgjedhjet në 7 maj ashtu si ato të 18 qershorit nuk mund të bëhen. Lidershipi i qeverisë deklaronte me kokëfortësi se zgjedhjet do të bëhen në 7 Maj. Rama është përpjekur të fshehë e të mohojë të vërtetën e krizës së thellë dhe të shumëfishtë që ka përfshirë vendin tonë. Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin perfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standarde.
Qeveria e di të vërtetën e zgjedhjeve në Shqipëri dhe duhet të bënte reformë zgjedhore edhe pa protestat e opozitës. Për 4 muaj mund të ndërtohet dhe implementohet plotësisht sistemi i votimit dhe numërimit elektronik. Për 4 ditë u shpërndanë dhe instaluan makinat e një sistemi të tillë në Filipine në vitin 2016 për 55 milionë votues. Votimet elektronike kanë filluar qysh në vitin 1964 në SHBA. Sot teknologjia e votimeve elektronike është plotësisht e maturuar dhe e sigurtë. Me votim dhe numërim elektronik bëhen zgjedhjet e SHBA, Anglisë, Francës, Gjermanisë, BE-së etj.
“Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje jogjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje pa opozitën. “Zgjidhja” nuk do legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha. Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së!
Të dashur pjesëmarrës,
Të nderuar miq,
“Zgjidhja” do qëndrojë në krye të luftës për t’i çelur një përspektivë të re popullit tonë që të mund të ngrejë jetën dhe ekonominë në vend. Ne duam që të ndalet largimi popullsisë së aftë nga Shqipëria për shkak të shkatërimit të çdo shprese tek e ardhmja e bujqësisë, ekonomisë, punës, paqes e mirëqënies në këtë vend. Çdo ditë mësojmë lajme të trishtueshme edhe për braktisjen e shkollave 9-vjeçare nga fëmijët sepse edhe ata emigrojnë bashkë me prindërit për të mos u kthyer më mbrapa, lindjet po bien nga viti në vit dhe mësuesit po pushohen nga puna.
Kryemësuesi i shkollës 9- vjeçare të Ajasëm në Shkodër, Agron Kastrati thotë se “Vjet kishin 50 nxënës ndërsa sivjet vetëm 41 nxënës. Në një shkollë tjetër ku kam qenë mësues përpara 5 vitesh ishin 350 nxënës, tani janë vetëm 200 të tillë. Fëmijët që largohen nuk kthehen më në shkollë dhe këto shkolla po shkojnë gradualisht drejt mbylljes”.
Dje tregu i punës në Shqipëri mori një goditje dramatike me marrëveshjen e qeverisë italiane me operatorët kryesorë të call center-ave, 80 deri 90 për qind e këtyre vendeve të punës do mbyllen në Shqipëri. Mbi 20 mijë të rinj e të reja do të mbeten pa punë. Këto djem e vajza do të detyrohen që të ikin nga Shqipëria si dhjetëra mijëra të tjetë që largohen çdo vit.
Asnjë reagim serioz nuk bëri qeveria. Përkundrazi në dhjetorin e kaluar qeveria gënjeu dhe u përpoq të thoshte se është e ekzagjeruar frika dhe se nuk do ndodhë largimi i call center-ave. Ajo është inefiçente dhe e paaftë të gjejë dhe negociojë zgjidhje. Po ta drejtoja unë këtë qeveri, kurrë nuk do të kisha lejuar një situatë dhe hemoragji të tillë të detyruar që e than dhe boshatis vendin nga rinia e aftë për punë.
Shqipëria është në duar të të paaftëve, të kusarëve, të servilave dhe injorantëve. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë punë. Këta nuk dinë të bëjnë asnjë kanal, as vaditjen dhe kullimin e tokave që janë bërë me shekuj. Nuk dinë të bëjnë ekonomi. Dinë vetëm të vjedhin, të bëjnë tendera e konçensione turpëruese për interesat e vendit, nuk dinë të nxjerrin përfitime për vendin nga integrimi i tij dhe nga bashkëpunimi me tregjet e tjera. Vetëm “Zgjidhja” do t’i heqë tutkunët e të korruptuarit dhe do vendosë në krye të punëve të shtetit e të popullit njerëzit më të zotë të këtij vendi.
Në se demokratizojmë qeverisjen, në se pastrojmë zgjedhjet, në se vendosim demokracinë dhe lirinë e konkurencës, në se vendosim sovranin në vendin e tij duke ua marrë pushtetin e grabitur kryetarëve dhe duke ia kthyer popullit që ky i fundit të zgjedhë përfaqësuesit e vet, në se zbatojmë programin e “Zgjidhjes”, vetëm atëhere në këtë vend do të fillojë shpresa dhe kthesa e dëshiruar. Vetëm me “Zgjidhjen” do mund të ndryshojmë fatin tonë. Ne dimë të punojmë. Ne kemi vullnet të madh. Në dimë që të drejtojmë punët dhe ekonominë e popullit. Ne dimë të bëjmë pasuri për vendin. Ne jemi në politikë për të bërë pasuri për popullin, jo për vete dhe për një grusht mbështetësish. Ne e duam me zemër këtë vend dhe këtë popull.
“Zgjidhja” e mbështet programin e saj dhe e sheh zgjidhjen e problemeve te ushtria e madhe e njerëzve të thjeshtë, të heshtur e të varfër të këtij vendi, gratë dhe burrat e harruar e të braktisur në gjithë këto vite. Rinia është zgjidhja e Shqipërisë. Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e “Zgjidhjes”, t’i bashkoheni dhe të bëheni anëtarë të saj. “Zgjidhja” do ju ndihmojë të kuptoni rrugën e drejtë, nuk do lejojë më askënd që t’ju mashtrojë e manipulojë.
Të dashur vëllezër dhe motra pogradecarë!
Është një kënaqësi e madhe për mua të jem sot me ju në tokën e dy monumenteve te letrave shqipe Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli, i cili thoshte për të parin se qe “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. Edhe sot, kaq kohë më pas nga jeta dhe vepra e dy shkrimtarëve, ky qytet vazhdon të rrezatojë paqe, dashuri e poezi siç qenë vargjet e këtyre dy burrave të mëdhenj. Vij këtu në Pogradec, larg zhurmës së politikës të Tiranës për të rigjetur vlerat e vërteta të popullit tonë dhe aspiratat e tij më të thella. Vij këtu për të dëgjuar sensin e jetës dhe të arsyes. “Bëni dashuri mos bëni luftë”, do të thoshte Lasgush Poradeci në vazhdën e pacifistëve amerikanë kundër luftës në Vietnam. Në këto momente dramatike që po përjetojmë, kombi ynë i vogël për nga popullata, por me zemër të madhe, ka nevojë më shumë se kurrë për këtë forcë dashurie dhe vëllazërie ndaj njëri- tjetrit. Ne shqiptarët jemi të bekuar nga Zoti për nga pozita gjeografike, për nga bukuritë e mahnitshme të peizazheve si këtu në Pogradec, për nga pasuritë natyrore, për nga burimet vitale njerëzore , për nga kultura dhe gjuha që na japin një identitet dhe homogjenitet kombëtar thuajse unikal. Ajo që na ka munguar dhe vazhdon të na mungojë, është një klasë drejtuese e denjë për këtë popull i cili meriton shumë më tepër.
Një klasë politike e cila gjate nje çerek shekulli , nuk ka arritur të kryejë as misionin më elementar pas rënies së diktaturës, mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta pa hile dhe pa ankesa. Populli ynë është më superior se klasa e tij politike pasi edhe në kohët më të thella të mesjetës, pa politikanë, por vetëm me forcën e arsyes dhe kulturën e besa-besës arrinte të vetëqeverisej paqësisht, falë respektit të kodeve të epokes si Kanuni apo kuvendet e të urtëve. Të parët tanë kishin një botëkuptim shumë më të qartë për vlerën e kompromisit në emër të interesit të përgjithshëm. Është e vajtueshme të konstatosh sot, në kohën e librave dhe të internetit, sesa e paaftë është kjo klasë politike për zgjedhje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Them qëllimtazi kjo klasë politike. Pasi është e njëjta familje politikanësh që zotëron në duart e saj periodikisht frytet e pushtetit që prej 27 vjetësh, një herë njëra dhe një herë tjetra. Kjo farsë ka zgjatur shumë.
Unë dhe partia Zgjidhja duam ta ndryshojmë një herë e përgjithmonë kursin tragjik të ngjarjeve në vendin tonë. Por Zgjidhja nuk jam vetëm unë. Zgjidhja është secili nga ju. Ju që ju trajtojnë si sklleverit e kohëve moderne, pre e mafias dhe e korrupsionit në tokën tuaj, pre e diskriminimeve dhe e poshtërimeve kur merrni në masë rrugën e kurbetit ne dhe të huaj. Zgjidhja, vëllezër dhe motra, është partia e atyre që nuk kanë asgjë të humbasin, por vetëm të fitojnë. Dhe gjëja e parë që do te të fitojmë është dinjiteti. Jashtë njëherë e përgjithmone kjo klasë politike e paaftë dhe e diskredituar deri në palcë!
Pushteti t’u kalojë atyre që nuk kane patur kurrë poste të larta shtetërore. Pushteti t’u kalojë atyre që nuk janë infektuar nga veset e politikanëve zanatçinj, të cilët i kane kthyer postet në karrierë të perjetshme. Pushteti t’i kalojë shoqërisë civile. Të rinjve dhe të rejave, mjekëve, bujqve, profesorëve, sipërmarrësve , artistëve dhe punëtorëve. Pushteti do t’i kalojë popullit. Pushteti do t’i kalojë Zgjidhjes. Kjo është rruga jonë e vetme nëse duam ta nxjerrim këtë vend nga prapambetja dhe ta rreshtojmë krah kombeve më moderne të kontinentit. Ky është vizioni im që dua ta ndaj me ju dhe ta sjell në pushtet për realizim bashkë me ju. Unë dua të bëhem kryeministri juaj në të arthmen e afërt për të kryer ato vepra që sot ju duken endrra dhe iluzione, por që nesër do të jenë realitet po të udhëhiqemi nga treshja e vlerave kardinale: ndershmëria, atdhedashuria dhe profesionalizmi. Vlera që i kemi si këtu në Pogradec dhe në mbarë Shqipërinë.
Deri në marrjen e pushtetit, sfida të mprehta na presin. Pushtetin s’do na e falë kush. Atë do ta marrim me votën e lirë të shqiptarëve. Dhe kjo është sfida jonë e parë. Të sigurohemi që ajo vote do të jetë vërtetë e lirë dhe e ndershme. Me sistemin aktual bastard të zgjedhjeve , Zgjidhja nuk hyn në zgjedhje. Kete sistem zgjedhjesh, Partia Socialiste e denoncoi tetë vjet rresht kur ishte në opozitë. Këtë sistem zgjedhjesh e denoncojnë tani me forcë dhe ata që e konceptuan në fillim , eksponentët e Partise Demokratike. Kur dy partitë ulkonja të politikës shqiptare e kanë kritikuar me fjalorin më të ashpër këtë sistem zgjedhjesh, atëherë Zgjidhja i vë ato para përgjegjësive që ta ndryshojnë para se të mbahen zgjedhjet e reja. Nuk mund të ndryshohet një sistem një çerek shekullor zgjedhjes në një çerek muaji. Prandaj Zgjidhja nuk heq dorë nga kërkesa e saj legjitime, që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë.
“Zgjidhja” do ju ndihmojë të merrni fatin në duart tuaja dhe të mos shpresoni më te ata që ju vodhën dhe ju shkelën gjithë kohën tek ata që ju joshin me përfitime pragmatiste dhe premtime të rreme në çdo palë zgjedhje. I vetmi zot i fuqishëm që do ndryshojë për mirë fatin tuaj është populli i thjeshtë e i varfër i Shqipërisë me programin e Zgjidhjes! Mos besoni te të fortët e politikës. Ata janë tigra prej letre edhe pse kanë grumbulluar në rrugë kriminale shumë pasuri dhe një lukuni me mbështetës të shpërblyer e paguar me paratë, bukën dhe gjakun tuaj. Ne jemi zgjidhja! Ju jeni zgjidhja! Unë jam Zgjidhja! Ti je Zgjidhja!
Rroftë Zgjidhja! Rroftë Shqipëria!
Rroftë populli i Pogradecit! Flm.
Komentet