Po jetojmë në kohë çudirash, bash në ato kohë ku shumica të bardhës i thonë e zezë dhe të zezës e bardhë. Jemi çakorduar si telat e kitarës e po lëshojmë tinguj kuturu.
Shpeshherë si popull na pëlqen të shkojmë pas berihajës e nuk i grushtojmë pak kryet që të flasim me mend në kokë dhe këmbë në tokë.
A vjen kjo nga lart (krerët) poshtë(populli) apo është e kundërta, ju betohem për Det e Kënetë, për Qiell dhe për Dhé, nuk kam përgjigje.
Nejse, le të hyjmë në temë! Temë dite tashmë është lufta midis Izraelit dhe Palestinës, pasi ajo e Ukrainës me Rusinë u la mënjanë.
Pas këtij lajmi vjen një lajm i dytë më i rëndësishëm: Censusi. Të gjithë sy e vesh janë aty dhe presin rezultatet. Japin mendime, vërejtje, sugjerime lloj e lloj personash. Në emisione janë ftuar dhe krerë të komuniteteve fetare. Por ai “që vuri pikat mbi i” ishte Kryegjyshi i Bektashinjve Baba Mondi. I ftuar nga Fevziu në “Opinion” ai u shpreh si më poshtë vijon:
” Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror, thotë se 50% e popullsisë shqiptare janë bektashinj.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Baba Mondi u shpreh se myslimanët përbëjnë 21% të popullsisë shqiptare, ndërsa 50% i përkasin besimit bektashi.
Sipas tij, bektashinjtë shtrihen në të gjithë jugun, por edhe në veri deri në Shkodër.
Blendi Fevziu: Pse kjo lidhje e fortë e bektashinjve me Shqipërinë?
Baba Mondi: E kanë përkrahur sre bektashinjtë i kanë mbrojtur domethënë kombin, edhe shqiptarët i kanë parë gjithmonë në luftë për kombin, për të pasur liri, demokraci, paqe siç kërkojmë dhe tani.
Blendi Fevziu: Kur kanë qenë vitet më të arta dhe sa përqind e popullatës shqiptare sipas jush janë bektashi?
Baba Mondi: Bektashinjtë për mendimin tim janë 50% e popullsisë shqiptare.
Blendi Fevziu: 50% e gjithë popullsisë apo e myslimanëve shqiptarë?
Baba Mondi: Po. Myslimanët janë 21%, bektashinjtë janë 50%.
Blendi Fevziu: 50% e gjithë popullatës së Shqipërisë?
Baba Mondi: Po.
Blendi Fevziu: Ku shtrihen? Kush janë zonat më intensive?
Baba Mondi: E ke jugun komplet deri në veri është, pjesa më e madhe. Se gjithë kohën kanë qen Bushatllinjtë e Shkodrës para se të bënin debat me Ali Pashë Tepelenën, se po të ishin bashkuar atëherë nuk do ishte kjo Shqipëri që është sot. Mirëpo nuk u morën vesh, atëherë plasi lufta. Ata luftuan bektashinjtë meqë u bashkuan me Perandorinë Turke. Ali Pasha ka qenë kundër Turqisë, ai i përkrahu se i njihte kush ishin.”
(Burimi:/tvklan.al)
Këtu i themi ne nga ana jonë qëndron dielli. Po si ka mundësi kjo shifër? Kaq të jenë vërtetë? Pra që nga censusi i parë, para 100 vjetësh na paskan gënjyer? Nuk di të flas shumë por kjo llogari e Baba Mondit nxjerr që gjysma tjetër të jetë myslimane. Po katolikët, ortodoksët, protestantët, ateistët?
Por dhe kjo deklaratë e drejtuesit të Kryegjyshatës Botërore, mbeti në hije e askush nuk ndërhyri të na sqaronte. Por duke rrëmuar sa andej- këndej gjeta të dhënat e mëposhtme:
Praktikon fe (37.3%)
Nuk praktikon fe (62.7%)
Censusi i 2011 në Shqipëri:
Myslimanë
56.70%
10Katolikë
.03%
Ortodoksë
6.75%
Bektashinj
2.09%
Të krishterë të tjerë
0.14%
Besimtarë të pacilësuar
5.49%
Të padeklaruar
13.79%
Ateistë
2.5%
Ndër vite:
Përkatësia fetare 1923 dhe 1927
Nga 814 mijë banorë që u regjistruan në vitin 1923 në Shqipëri, 558 mijë, ose 68.5 %, rezultuan myslimanë, 171 mijë ose 20.5% rezultuan Ortodoksë dhe afro 85 mijë vetë, ose 10.5 %, rezultuan katolikë. Në vitin 1927, popullsia totale e regjistruar arriti në 833 mijë vetë, nga të cilët, 563 mijë ose 67.6 % rezultuan myslimanë, 181 mijë ose 21.7% qenë ortodoksë dhe 88,739 vetë ose 10.6 % qenë katolikë. Në Shqipëri në atë kohë raportohen edhe 99 hebrenj, që jetonin në Prefekturat e Gjirokastrës, Vlorës dhe Tiranës.
Këto të dhëna të shkruara që ndodhen në arkivin qendror të shtetit besoj se flasin qartë.
Ndërsa përsa i përket minoriteteve kam rezervat e mija, nuk duhet të përfshiheshin në formular.
E mori e mira e mori për pak harrova! Ka dhe superlajme! Në Kosovë fillon Big Brother! Tashmë kemi me ç’të ngjëllijmë sytë, pasi libri për shumicën është shpallur non grata.
Ndërsa qershia mbi tortë, televizione dhe portalet që kuturu merren me gjëra që janë personale e nuk përbëjnë lajm! Cilat do të më pyesni? Ja! Fero u kthye në mysliman, la muzikën etj., etj. Së fundmi dy kosovarë ( shqiptarë) konvertohen në katolikë. Shumë mirë kanë bërë e drejta tyre! Por mendiet ç’kanë? Janë të lirë me Kushtetutë dhe të Drejtat Ndërkombëtare të besojë, mos të besojë, të zgjedhin besimin e tyre etj.
Ja me kësisoj lajmesh e emisionesh janë mbushur televizionet shqiptare, ato që paguhen nga taksat tona.
Bibl.:
1.(/tvklan.al
^ “Religious Tolerance in Albania” (PDF). UNDP. 25 prill 2018. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 5 maj 2018. Marrë më 18 qershor 2018.
^ Third Opinion on Albania, adopted on 23 November 2011. Published Strasbourg 4 June 2012. http://www.coe.int/t/dghl/monitoring/minorities/3_fcnmdocs/PDF_3rd_OP_Albania_en.pdf
^ http://www.pewforum.org/Muslim/the-worlds-muslims-unity-and-diversity-infographic.aspx