Shaban Bali Nokshiqi: ”N’kufi te shqipes e thej gurin”,vargje epike,botoi “Blini”-BK- Gjakovë
Këto ditë me vapë vere,Shaban Nokshqi,botoi librin e tij të tretë me poezi epike,me titull: “N’kufi te shqipes e thej gurin”, libër me rreth 100 faqe, ku trajtohen mjeshtërisht pjesë të historisë sonë kombëtare,në të kaluarën dhe të tashmen.
Autori i këtij libri,tani i dëshmuar në zhanrin e krijimtarisë epiko-historike, begatoi me pendën e tij letërsinë, këtë vakum letraro-historik,duke e brumosur me shpirtin e tij prej krijuesi të ndjeshëm,me jetën plot katrahura,duke na sjellë vargje brilante, që ndërtojnë e drejtojnë karakterin individual,me ndikim në edukimin e mirëfilltë patriotik e kombëtarë.
Tani kemi në dorë një librin e një autor,që koha e regji,e poç në zjarrin e sajë ,duke e sprovuar gjatë jetës,i cili diti të le gjurmët e jetës së jetuar. Sot vërehet një kthjelltësi e paparë ,te një burrë 91 vjeçar,duke dëshmuar me punën e tij, aktivitetin e palodhur kudo.
Vepra më e re e autorit Shaban Bali Nokshiqi,përfshinë ngjarjet e mëhershme të historisë sonë në luftërat e pareshtura për liri e bashkim kombëtarë,gjakun e derdhur nëpër beteja e varret e pagjetura deri me sot të baballarëve tanë,duke mbrojtur këtë copë tokë nga zaptuesit e Malit të Zi e Serbisë,që përherë konsiderohen si gllabëruesit më të mëdhenj të tokave tona.
Në kontest të kësaj pjese të historisë sonë,te autori,zgjohen emocione e reaksione të reja lidhur me çështjen e kufijve të vendit tonë,ku tash e një vit,kemi parë e dëgjuar çështjen e tensionuar politike lidhur me kufirin mes Kosovës e Malit të Zi. Për këtë arsye, autori rikthen kujtesën në vitet e mëhershme dhe reaksioni krijues,rikujton kohët, vjell vargjet si në poezinë e parë të librit për të rikujtuar shumë gjëra të së kaluarës,shumë gjak të derdhur,dhe rrëfen vargje:”Haxh Keri trim atdhetar/çetnikëve para u ka dalë/Kufijt shqiptar në flakë jan kallë/Kurrni pllamë s’muj me ti falë…”Në këtë kuptim,pasojnë emrat e luftëtarëve që mbajtën lartë bajrakun e luftës për lirinë e pavarësinë e vendit. Po ashtu,duke simbolizuar qëndresën kombëtare të popullit nëpër histori,si simbol qëndrese,poeti liriko-epik,i drejtohet Shkëlzenit,të cilin e personifikon me gjithë kombin,si paralajmërim e qëndresë të rreziqeve,si të pathyeshëm dhe mjeshtërisht e artistikisht,e glorifikon me vargje:”Shkelzeni është zbukurue/Plisin e bardhë e paska nue/Popullin e ka lajmrue/Dimri na u ka afrue….”Mendoj se kjo strofë paraqet një gdhendje mjeshtërore artistike që buron nga një ndjenjë e thellë me trashëgimi kombëtare,si dëshirë primare për lirinë e kombit.
Duke skalitur në faqet e këtij libri emra të merituar të luftëtarëve të lirisë dhe të historisë sonë,autori Shaban Nokshiqi,i kushton një poezi të gjatë trimave të paepur ,qëndresës së paparë në luftëra të gjata,si vëllëzërit Emin e Beqir Arifi, ku pos tjerave shkruan:”Sekerica fort gjëmon/Fort shqiptarët po luftojnë/Pa dekë kufinin nuk e lëshojnë/Tokat tona s’mujm me falë/Trashegue prej t’parve tanë”…Pastaj,në kuptimin e qëndresës në fronte,rrjedhin vargje te fuqishme qëndrese të pa parë,ku imagjinata fishtjane e autorit, i shtjellon fort bukur:”Ç’ka ke hangër,çka ke pi/Qysh vetëm në borë e shi/Kam majt shpirtin me lvore ahi/Njiqnd vjet me dal sabahi….”

Një moshë e shtyrë dhe nostalgjia si ndjenje ngacmuese…
Tani ,dihet mirëfilli se autori i librit më të ri,”N’kufi te shqipes e thej gurin”,z.Shaban Nokshiqi,ka vite të ngarkuara mbi supet e tij dhe se përjetimet janë shumë të gjata,të mundimshme, një jetë shumë kontroverse,e cila padyshim se ka lënë gjurmë,e këto gjurmë i shndërron në art,pasuri letrare, për t’ua dhuruar gjeneratave. Këtë edhe po e bënë z. Shaban Nokshiqi, duke na trasuar një rrugë të mundimshme, ecje nëpër flakë, një përvojë me vlera historike si trashëm. Në këtë kontest Shabani nuk i këndon vetëm të kaluarës,por edhe të sotmes, me baticat e zbaticat e saja. Shaban Nokshiqi, duke qenë vet emingart, që njëzet e më shumë vite në SHBA,duke parë e ndier në shpirt peshën e kurbetit,pasojat në gjeneratat e reja,pamëshirshëm aludon më thesarin e tij krijues që mos t’i lënë trojet e shkreta,mos ta lënë shtëpinë pa Zot,mos t’i lënë djepat e zbrazët në këtë truall të lasht. Nuk është vetëm vetmia si shkas,por edhe rreziqet që sjellë apo ka sjellë eksodi shqiptarë kurdoherë. Në poezinë”Puna e kurbetit”,pos tjerash shkruan:”E provuam shpesh punën e kurbetit/Plot me djem asht fundi i detit…”ose:”Nuk ka nanë që s’digjet malli/Kah kqyr derën,mos po i vjen djali…”Dhe,ajo qe aludon poeti ne këtë poezi,si porosi imanente,vijnë vargjet:”Ktheni djem,msyne vatanin/Babës e nanës kajani hallin/Hajde e mos rrini n’gurbet/Leni helmin,për këtë sherbet…”Me pjekuri mund të them se këto vargje,kanë në vetvete karakterin edukativ,që ndikojn në ndalimin e ikjes nga vendi,shtojnë dashurinë ndaj atdheut e vendlindjes. Në këto kohë plot valëvitje politike brenda kombit tonë,këso vargje janë specifike e me peshë,ju ngjajnë rilindësve për nga porositë,por që do ishte e udhës për një dëgjueshmëri të spektrit politik me qëllim të një mbarëvajtje ndryshe politike. Mbi të gjitha, krijuesit kanë synim,pa asnjë dyshim, edhe ndikimin në masë,ndryshimin e raporteve shoqërore për një jetë sa më të mirë e të begatshme për të gjithë ,për një harmoni brenda kufijve të vendit të vet.
Një poezi nostalgjike,mjaft e sinqertë,plot dashuri e respekt nga autori, me rastin e ftesës së Bytyqit në Dajt,vjen si një kushtrim shpirtërorë. Në pamundësi që të jetë pjesëmarrës në atë manifestim,poeti Shaban Nokshiqi,shprehet me vargje :
“Ja la Dajtit ni amanet/Veç për mue çoje ni shnet/ T’parin shnet çoje për Ptyçn/M’nderuet mue e krejt Nokshiqin…”
Janë këto vargje me shumë refleksion,me shumë ndjenjë,kur dëshira të shtytë të jesh në mesin e atyre që të donë,por mundësia fizike frenon….
Marrë në tërësi,libri me poezi i autorit Shaban Nokshiqi, është edhe një e arritur e suksesshme në moshën këtij burri me freski të paparë,një pasuri me larmi temash të ndryshme që duhet pasur lakmi. Ky libër i thurur bukur me vargje epike,bartë në brendësi zjarrin e një kohe plot vuajtje e gjak,një libër me përjetime të rënda personale,shoqërore e kombëtare,me të cilat vargje,jo vetëm se plotësohet një vakum historiko-letrarë në fushën e letërsisë,por tërheq vërejtjen për syçelësi veprimesh politike me armiqtë historik të këtij trualli….
Komentet