DASHURIA
Na ishte njëherë një ishull ku jetonin të gjitha ndjenjat dhe vlerat e njerëzve:
Gazmendi, Zymtësia, Dituria, sikurse të gjitha të tjerat, përfshirë Dashurinë.
Një ditë iu bë e ditur ndjenjave se ishulli do të shpërngulej,
Atëherë ato të gjitha përgatitën varkat e tyre dhe u nisën,
Vetëm Dashuria donte të priste deri në çastin e fundit.
Kur ishulli përfundoi së shpërnguluri, Dashuria vendosi të kërkojë ndihmë.
Pasuria kaloi pranë Dashurisë me një barkë tejet luksoze
Dhe Dashuria i tha: “Pasuri, a më merr me vete?”
“Nuk mundem, ka shumë ar e argjend në varkën time e nuk ka vend për ty.”
Dashuria atëherë vendosi t’i kërkojë Krenarisë që po kalonte pranë
Mbi një anije të mrekullueshme: “Krenari, të lutem, më merr me vete?”.
“Nuk të ndihmoj dot, Dashuri,“ u përgjigj Krenaria,
“Këtu është gjithçka e përkryer, mund të ma dëmtosh varkën time.”
Atëherë Dashuria i kërkoi Zymtësisë që kalonte pranë saj:
“Zymtësi, të lutem, lermë të vij me ty.”
“Oh Dashuri,” iu përgjigj Zymtësia,
“Jam kaq e trishtë dhe kam nevojë të rri vetëm.”
Edhe Gazmendi kaloi përbri Dashurisë,
Por ishte shumë i kënaqur që nuk dëgjonte se dikush po e thërriste.
Papritur e pakujtuar një zë tha: “Eja, Dashuri, të marr unë me vete.”
Ishte një plakë ajo që fliste.
Dashuria u ndje pa masë mirënjohëse dhe plot gëzim
Saqë harroi ta pyeste plakën si e kishte emrin.
Kur arritën në breg, plaka shkoi në punë të vet.
Dashurisë i ra ndërmend se duhej pyetur Dituria:
“Dituri, a mund të më thuash, kush më ka ndihmuar?“.
“Ka qenë Koha,” tha Dituria.
“Koha?”- pyeti Dashuria, “Pse vallë më ka ndihmuar Koha?”.
Dituria, plot mençuri, iu përgjigj:
“Sepse vetëm Koha është e zonja të kuptojë sa rëndësi ka Dashuria në jetë.”
LUMTURIA
Ai burrë që përqafon një grua është Adami. Gruaja është Eva.
Gjithçka ndodh për herë të parë.
Kam parë një gjë të bardhë në qiell. Më thonë se është hëna, por
Çfarë mund të bëj me një fjalë dhe me një mitologji?
Lisat më frikësojnë. Janë kaq të bukur.
Kafshët e qeta më afrohen, sepse i thërras me emrat e tyre.
Librat e bibliotekës janë pa germa. Nëse i hap librat germat rikthehen.
Duke shfletuar Atlasin sajoj formën e Sumatrës.
Kush ndez një shkrepëse në terr është duke shpikur flakën.
Në pasqyrë kemi dikë tjetër që na spiunon.
Kush vështron detin shikon Anglinë.
Kush shqipton një varg të Lilienkronit merr pjesë në betejë.
Kam parë ëndërr Kartagjenën dhe legjionet që e shkretonin Kartagjenën.
Kam parë ëndërr shpatën dhe peshoren.
Qoftë lëvduar dashuria ku nuk ka pronarë as pronë, por të dy i dhurohen njëri tjetrit.
Qoftë lëvduar makthi që na tregon se mund ta krijojmë vetë ferrin.
Kush laget në një lumë, laget në lumin Gang.
Kush vështron klepsidrën, shikon shpërbërjen e një perandorie.
Kush mban një thikë në dorë parashikon vdekjen e Cezarit.
Në atë që fle janë të gjithë burrat.
Kam parë në shkretëtirë djaloshin Sfinks të sapolatuar.
Nuk ka asgjë të lashtë në të mbi fytyrë të tokës.
Gjithçka ndodh për herë të parë, por në një mënyrë të përjetëshme.
Kush i lexon fjalët e mia është duke i shpikur ato.
ELEGJI
Oh çfarë fati për Borhesin
Të ketë lundruar përmes deteve të ndryshme të botës
Ose përmes një deti të vetëm e vetmor me emra të ndryshëm.
Të ketë qenë pjesë e Edinburgut, e Zyrihut, e dy Kordovave,
E Kolumbisë dhe e Teksasit,
Të jetë rikthyer në tejskajin e breznive ndërruese
Në tokat e lashta të të parëve të tij,
Në Andaluzi, në Portugali dhe në ato rajone
Ku Saksoni luftoi kundër Danes dhe ata përzien gjakun e tyre,
Të jem sorollatur përmes qerthullit të kuq e të qetë të Londrës,
Të jem plakur në aq shumë pasqyra,
Të kem kërkuar më kot vështrimin e mermertë të statujave,
Të kem pyetur litografët, enciklopeditë, atlaset,
Të kem parë gjërat që njerëzi shikojnë,
Vdekjen, agimin e plogët, bimët
Dhe yjet e dobët.
Dhe të mos kem parë asgjë, thuajse asgjë
Përveç fytyrës së një vajze nga Buenos Airesi
Një fytyrë e cila nuk dëshiron që dikush ta kujtojë.
Oh çfarë fati ky i Borhesit,
Ndoshta jo më i çuditshëm se juaji.
PARAJA
Mund ta blesh një shtëpi, por jo një vatër.
Mund ta blesh një shtrat, por jo gjumin.
Mund ta blesh një orë, por jo kohën.
Mund ta blesh një libër, por jo diturinë.
Mund ta blesh një post, por jo respektin.
Mund ta blesh mjekun, por jo shëndetin.
Mund ta blesh shpirtin, po jo jetën.
Mund ta blesh trupin, por jo dashurinë.
MALLI PËR TË TASHMEN
Në atë çast të pikërishëm burri asaj i tha :
Me çfarë nuk do ta paguaja gëzimin
Që të rri ngjitur me ty këtu në Islandë
Nën ditën e madhe që bën vendnumëro
E ta ndajmë bashkë të tanishmen
Sikurse e ndajmë bashkë muzikën
Apo siç e ndajmë bashkë një frut.
Në atë çast të pikërishëm
Burri qëndronte pranë saj në Islandë.
VALLE E NGADALËT
A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur?
Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut?
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture?
Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm?
A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur
Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi,
Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje.
Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar.
ARGUMENTUM ORNITHOLOGICUM
Mbyll sytë dhe shikoj një vrundull me zogj.
Përfytyrimi zgjat një sekondë a më pak;
Nuk e di sa zogj kam parë.
Ishin të numërueshëm apo të panumërueshëm zogjtë?
Problemi na çon te ekzistenca e Zotit.
Nëse Zoti ekziston, zogjtë janë të numërueshëm,
Sepse Zoti e di sa zogj ishin.
Nëse Zoti nuk ekziston, zogjtë janë të panumërueshëm,
Sepse askush nuk mund t’i numërojë zogjtë.
Në një rast të tillë, kam parë më pak se dhjetë zogj
(për shembull) e më shumë se një zog,
Por nuk i kam parë nëntë, as tetë, as shatë, as gjashtë
As pesë, as katër, as tre, as dy.
Kam parë një numër zogjsh midis dhjetë dhe një,
E që nuk janë as nëntë, as tetë, as shtatë, as gjashtë,
as pesë e kështu me radhë.
Ky numër i tërë është i pakonceptueshëm;
Pra, Zoti ekziston.
ARI I TIGRAVE
Deri në çastin e perëndimit të verdhë,
aq e aq herë do ta kem parë me sytë e mi,
tigrin trup-fuqishëm të Bengalit
poshtë e përpjetë në rrugën e matur me hapa,
pas labirinteve të barrierave të hekurta,
pa dyshuar kurrë se ishin burgu dhe prangat e tij.
Më vonë tigra të tjerë shfaqen:
tigri prej zjarri i Blejkut 1), flakëron vezullues;
dhe pas tij do të vijnë të tjerë prej ari –
dushi i artë i dashurisë duke fshehur Zeusin,
unaza e artë, e cila çdo natë të nëntë,
sjell në jetë nëntë unaza të tjera, dhe këto, nëntë të tjera,
dhe kjo nuk ka kurrë fund.
Të gjitha ngjyrat dalldisëse,
bashkë me vitet e ikura, më kanë braktisur mua,
e tani më ka mbetur vetëm
drita e shformët, hija e koklavitur
dhe ari i fillimit.
O perëndime të diellit, O tigra, O shkëlqime
të mitit dhe epikës,
O ari im më i shtrenjtë, ari i flokëve të tu
të cilin duart e mia dihatin për ta prekur.
1)Borhes i referohet poezisë së famshme të poetit William Blake (1756-1827)
e cila titullohet The Tyger dhe konsiderohet një nga perlat më të bukura
të poezisë së shkruar në anglisht.
I Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ
Komentet