Kampionati evropian i futbollit, EURO 2016, që aktualisht po mbahet në Francë, është një ndër kampionatet e organizuara më së miri, qoftë për formatin e saj, qoftë për shikueshmërinë, vlerësojnë dashamirët e futbollit nga fusha e medieve në Kosovë.
Sipas tyre, ndryshe nga kampionatet evropiane të kaluara, ku pjesëmarrëse kanë qenë 16 përfaqësuese, pjesëmarrja në kompeticionin e sivjetmë e 24 përfaqësuesve, e ka rritur konkurrencën.
Gara në Euro 2016, është duke u zhvilluar në fazën e kualifikimeve në çerekfinale.
Por, çfarë ka sjellë kampionati Euro 2016 deri më tash?
Përparim Isufi, gazetar i Rrjetit Rajonal për Gazetari Hulumtuese – BIRN, thotë për Radion Evropa e Lirë se kampionati i futbollit Euro 2016 ka nxjerrë në pah zvogëlimin e diferencave në cilësi ndërmjet shteteve pjesëmarrëse.
“Ajo që u pa këtë vit, nuk është e habitshme. Secili ekip ka brenda vetes një apo më shumë lojtarë që mund ta bartin barrën dhe ta qojnë ekipin përpara, deri në një pikë të caktuar, por jo deri në fund të garës. Sivjet, këtë e dëshmuan Islanda, Polonia, Uellsi dhe deri diku edhe Shqipëria. Kombëtaret e famshme të futbollit duhet t’i përshtaten këtij realiteti”, thotë Isufi.
Gani Kosumi, redaktor përgjegjës i sportit në Radio Kosovë, transmetues ky publik në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjerimi i pjesëmarrjes në Euro 2016, u ka dhënë shansin edhe, siç i ka quajtur ai, shteteve të vogla, që të arrijnë suksese të dukshme.
Por, siç thotë ai, shorti ka qenë i pamëshirshëm për disa kombëtare, të cilat që moti ishin llogaritur si favorite të kampionatit, ndërkohë që ka pasur edhe ekipe me shumë fat.
“Në këtë drejtim, kur jemi te çerekfinalet e para, mund të themi se Portugalia, pa asnjë fitore deri më tash, ka shkuar përpara dhe është plasuar në gjysmëfinale, me penallti. Në këtë mënyrë shumicën e ndeshjeve i ka përfunduar. Kështu që, nganjëherë edhe fati sportiv bën që të arrihen suksese. Pra, është në mesin e 4 skuadrave më të mira”, vlerëson Kosumi.
Por, Shkëlqim Hysenaj, redaktor përgjegjës i portalitZëri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, po ashtu, e veçon Portugalinë si ekip me fat. Por, sipas tij, të fitosh me fat, është fatkeqësi e kampionatit.
“E konsideroj fatkeqësi faktin që Portugalia ka vazhduar tutje, meqë e dimë se nuk fitoi asnjëherë në kohë të rregullt, barazoi në 5 ndeshje deri më tash. Gjermania, gjithashtu, konsideroj që është një favorit, por, megjithatë, nuk e kam humbur besim në triumfin e saj në këtë garë, për shkak se po vërehet se disa lojtarë të saj nuk janë në formën e duhur”, thekson Hysenaj.
Por, ndryshe mendon Kosumi. Sipas tij, gjasat më të mëdha i ka Gjermania për ta fituar kampionatin.
“Sipas meje, Gjermania mund të jetë mëtuesi kryesor për titullin e kampionit. Kurse, në grupin tjetër mund të jetë edhe Portugalia që do të ishte befasia e këtij kampionati. Por, jam i bindur se gjermanët do ta fitojnë titullin e kampionit të Evropës në Francë 2016”, shprehet Kosumi.
Isufi shpreh mendimin se fjalën e fundit në këtë kampionat do ta thonë kombëtaret, siç i quan ai, të mëdha:
“Unë pres që, si vend pritës dhe për cilësinë që ka, sivjet Franca ta fitoj këtë kampionat”.
Mendim të ngjashëm ka edhe Hysenaj.
“Besoj që Franca do të triumfojë në finale për shkak të paraqitjes së mirë, por edhe për shkak se janë pikërisht francezët që e kanë organizuar kampionatin evropian”.
Sido që të jetë, këta dashamirë të futbollit që vijnë nga mediet e Kosovës, theksojnë se pjesëmarrja e përfaqësueses së Shqipërisë në kampionatin e futbollit Euro 2016 në Francë, e ka bërë më interesant gjithë këtë edicion për dashamirët e futbollit në vend.
Ndeshjet gjysmë finale të Euro 2016 do të mbahen më 6 dhe 7 korrik. Ekipet fituese nga këto dy ndeshje do të takohen në ndeshjen finale, më 10 korrik.
Komentet