-Shënime rreth librit “Itaka e munguar” (poezi), Sh. B. “Naimi”, Tiranë, 2018.
1.Fllade kujtimesh…
Bedri Islami është një miku im i vjetër dhe i mirë. Nuk na lidh vetëm lagjja ku kaluam fëmijërinë, por edhe letërsia. E nisëm udhën e krijimit letrar që kur ishim gjimnazistë e më vonë studentë në Klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku ishte drejtor Ferdinand Bushati, zotni Nardi siç i thoshim atëhere, po siç i themi edhe sot sa herë e takojmë…
Nga dritarja e viteve, shumë kujtime më vijnë radhë-radhë, kujtime që kanë në palcë ëmbëlsinë dhe ngrohtësinë e një puhize shkodrane, e cila përkëdhelte herëpashere ëndrrat tona. Në rrethin letrar, në të të vetmit klub me moshë rinie në qytetin tonë, aktivizoheshin shkodranë dhe studentë të ardhur nga qytete e krahina të ndryshme të Shqipërisë, që vazhdonin studimet (ahere në Institutin e lartë 3-vjeçar, sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”). Sot, mund të them me plot krenari, të gjithë ishin të mirë, të talentuar, miqësorë e rrezatonin mirësi. Do të kalonin vite, dhe disa prej tyre do të bëheshin personalitete të letrave shqipe. Tregues për këtë janë librat që botojnë. Në atë aradhë të atëherëshme ishte dhe emri i Bedri Islamit, shkruante poezi, dhe ishte më i talentuari ndër të gjithë ne. E kam ndjekur poezinë e tij në vitet e mëpastajme, edhe për qëllime studimi. Teksa po lexoja librin “Itaka e munguar”, m’u kujtuan poezitë e Bedriut të botuara në almanakun “Shtigje të çelura, thashë me vete: “Po ai rrëfim, po ai stil, po ai dimension (sigurisht më të thelluara) shfaqet ende (në vijimësi) tek poezia e tij. Bedriu i talentuar ishte dhe i talentuar mbeti edhe sot e kësaj dite”.
2.Tipare të poezisë së poetit
Po përmend disa prej tyre:
-Në ligjërimin e tij poetik Bedriu është i prirur të ndërtojë një poezi me hapësirë universale, ku lëviz koha, bota e poetit, uni i tij poetik, paqja dhe dashuria… E gjithçka njerëzore shëtit në problematikën dhe tematikën e këtij libri me qenësi shoqërore e vlera artistike. Ndaj dhe shpirti i poetit flet: “të duash, përsëri të duash, të duash përsëri!” Lajtomotiv i përsëritur, i kthyer në metatezë dhe që shpreh vazhdimësi të përjetëshme, një vazhdimësi sa njerëzore aq dhe qiellore.
-Raportet e njeriut me fatin, mbart poetikën e metaforave të besimit, të luftës (motivet e Kosovës përbëjnë një studim më vete), të ekzistencës e të gjurmës si identitet…
-Raportet me historinë, gjithashtu, mbartin poetikën e metaforave të dhimbjes së zemrës e të dhimbjes së kujtimeve, të kujtesës dhe të mos-harresës, të përjetimit e të përkujtimit…
-Raportet me vetveten, intimja dhe shoqërorja, testament i emrit, autentikja, emri i paharruar i fisit, i të dashurve, e rrathët e kësaj embleme zgjerojnë diapazonin e tyre, dhe jetës i japin dritën e të jetuarit.
Poezia e Bedriut mbart dhe tiparet të tjera, si: thellësia e fjalës, mënyra se si është rrëfyer e përditshmja e njeriut me ikjen dhe ardhjen e tij, me vazhdimësinë, me kodet, me mos-humbjen, me mos-harresën, me ëndrrat e shumta dhe shpesh zhgënjyese, me kujtimet e rikujtimet… të shprehura plot ngjyrë e finesë, sinqerisht dhe njerëzisht; e gjithë kjo botë jete derdhur mjeshtërisht në librin “Itaka e munguar” bën që lexuesi “ta prekë”, ta jetojë, ta dashurojë dhe ta ëndërrojë një poezi të tillë. Dhe “Itaka e munguar” nuk mund të na mungojë, sepse dëshmitë, të ndërtuara dhe të shprehura bukur artistikisht, poeti Bedri Islami i ka rrëfyer në ciklet e titulluara “Rrugët”, që përbëjnë godinën dhe arkitekturën e librit, ku lëvizin mëngjeset, shpirti që klith, dyzimi i së djeshmes, rikthimi i të parëve, pragu i së ardhmes, hija, ëndrra, puhiza, dallga, deti, bekimi, mbrëmja, vjeshta, ditët, zanafilla, mëkati, dhimbja, pikat e shiut, caku, malli, heshtja, dëshira, ikja, rikthimi, mungesa, dëbimi, puthja, falja, pavdekësia, plaga, fryma… Dhe frymon ajo frymë përmes vargjeve plot emocion, ku shpaloset filozofia e poetit tok me artikulimin e ringjalljes si mesazh: “Kur dashuria të shuhet / unë do të jem dashuria!” Besoj një mrekulli poetike dhe njerëzore!
3.Detaje jete dhe adhurimi…
Libri i poetit Bedri Islami ka shumë pika shikimi për të interpretuar poezinë e tij refleksive, e mbushur me detaje jete, që rolet e tyre në avanguardë i kanë marrë përsipër metaforat, epitetet, krahasimet, inversioni, shkallëzimi ngjitës e zbritës, përsëritja, thekset logjike e plot figura të tjera të sintaksit poetik.
Nga dy librat poetikë të Bedriut “Vetmi akujsh” (Sh.B. “Naimi, Tiranë, 2018) e “Itaka e munguar” (Sh.B. “Naimi”, Tiranë, 2018) zgjodha një cikël me poezi gjatë qëmtimit tim, dhe i mblodha së bashku, ashtu siç mbledh njeriu një tufë xixëllonjash. Poezitë kanë të përbashkëtën: – i kushtohen Nënës, a siç thotë poeti: -Nënëzonjës sime, Drita.
Diku dukshëm dhe diku nënkuptuar, poezitë janë ndërtuar përmes dialogut të poetit me Nënën e tij, dialog që reflekton me ngjyra madhështie deri në shenjëtërim. Kjo gjetje ka shenjat dhe kodet e saj në vizatimin e portretit të Nënës. Në këtë vizatim sa të jashtëm aq dhe të botës shpirtërore, lëviz koha me penelatat poetike të poetit, si: *do të jem fjalë agimi, *tokë e premtuar, *pema ku mblidhen zogjtë në stuhinë e borës, *mëngjes i madh i harruar, *do të jem i denjë për dashurinë e atyre që nuk janë më.
Frymon poezia përmes një rrëfimi poetiko-emocional, ku rrezaton dashuria e djalit për Nënën. Por autori ka shkuar edhe më tej, përsëritja e vargut: “Sa kohë ti do të jetosh”, mbetet lajtmotiv e theks logjik bashkëngjizur me fjalët-çelësa: agim, premtim, pemë, zogj, mëngjes, yllëzim, etj., të cilët yllëzojnë e dritësojnë portretin e Nënëzonjës Dritë.
Figura e Nënës përshkruhet në një dimension tjetër, te poezia “Zemra”, e cila është e ndërtuar mbi këtë simbolikë, ku çdo varg me rrjedhshmërinë, ëmbëlsinë, ritmikën dhe theksat metrikë ngjan se rreh si rrahje zemre. Po e paraqesim të plotë:
“Netëve nëna ime lëviz në gjumë.
Kur lëviz majtas
është e shqetësuar për mua,
në krahun tjetër është e shqetësuar
për motrën e për vëllain tonë.
Oh, ajo e ka marrë zemrën në duar,
rreh pupthi,
e shtrëngon në gishtërinjtë e rreshkur
si trishtimi i saj
në mbështjelljen e shpresës…
E lindur nga dhimbja
Nëna ime plakë.
strukur si nën stuhi dëbore
beson në shpresën si një fëmijë…
Poezitë “Nëna”, “Pas pak” e “Zbritje” e kanë një përbashkësi në marrëdhënien e tyre, por ato poetikisht, si poezitë e mësipërme, thellojnë dhe plotësojnë më tej figurën e Nënëzonjës.
Te poezia “Nëna” trishtimi i ikjes së djalit mbetet dhimbje për Nënën. Edhe nga pikëpamja e konceptimit dhe strukturës së vargut, poezia është me varg të shkurtër, monokolonë dhe përgjithësisht, metrikisht, lëviz me 5-rrokësh, ndoshta për t’i lehtësuar dhimbjen Nënës, e cila vizatohet në një moment dramatik, mbase statujë, mbase në lëvizje, në këtë mënyrë: “Nëna ime, / si mjellmë e lashtë ‘ po qan në shi”. “Po qan në shi” – një portretizim domethënës.
Kurse tek poezitë “Pas pak” dhe “Zbritje”, autori është ndalur në vitet e hershme të Nënës së tij, shpesh si kujtime vuajtjeje dhe të hidhura, njëkohësisht duke i dhënë madhështinë që meriton, në këtë pritje takimi të shumëëndërruar. Ja, se si shprehet takimi i poetit me Nënënzonjën, në një qiell e dhe të huaj: “Pas pak avioni do të ulet / Në qytetin e largët Shtutgart. … Nëpër shkallë / Si nëpër vite / Do të ulet Nëna!..” Ndërsa te poezia “Zbritje” takimi mbart vlerën e një testamenti… “Mos më ik, / E mira, / E shenjta, / E shtrenjta, Nëna ime! // Trak – traku i viteve dëgjohet që larg, Fëshfërimë e përhershme. / Medet! / Të paktën Nënat të qenë të përjetshme!”
* * *
Bedri Islami është poet lirik, një lirikë që ka veçoritë dhe të papërsëritshmen e saj. Ajo është e ndryshme nga ajo e Lasgushit, Fred Rreshpjes e Jorgo Bllacit. Lirika e tij ka zërin e kohës dhe të talentit të tij. Ka të rezonuar: të djeshmen, të sotme dhe të ardhmen. Vargu i tij brilant (me ngarkesa emocionale, figura, rrimë e asonanca, etj.) rrezaton dhe mban aromë jete, hapësirën e saj që të pushton. E, nëpër këtë hapësirë është një poetikë që udhëton Brenda cikleve “Rrugët” e jashtë tyre; që poeti Bedri Islami e përsërit me zërin e jetueshëm të shpirtit të tij: “E di, Itaka ime e ka emrin Shkodër…”
Shkodër, 02.10.2018
Komentet