“T’i jepet fund paqartësisë aktuale dhe të formohet qeveri pa vonesë, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston”, tha zëdhënësja e KE-së, Kocijançiç
SHKUP – Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç në fjalën e saj në ndërtesën “Berlemont” të KE-së sot ka folur për situatën aktuale politike në Maqedoni. Ajo deklaroi se pret zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe më pas formimin e një qeverie të re të reformave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mesazhin në fjalë nga Brukseli dërguar për deputetët e Kuvendit të Maqedonisë dhe deri tek presidenti i vendit, kërkohet zgjedhja sa më e shpejtë e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë. Në mesazhin nga Brukseli ritheksohet se duhet respektuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni.
“T’i jepet fund paqartësisë aktuale dhe të formohet qeveri pa vonesë, bazuar në shumicën parlamentare që ekziston. Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioneri Hahn i bëri thirrje presidentit të rishikojë qëndrimin e tij. Ne tani presim që të gjithë liderët dhe institucionet politike të lejojnë vazhdimin e procesit demokratik, ndërsa me këtë nënkuptohet edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit”, ka thënë zëdhënësja e KE-së, Kocijançiç.
Në Kuvend po mbahet vazhdimi i dhjetë i seancës konstituive në të cilën diskutohet për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ndërkohë, prej më shumë se një muaji mbahen protesta nga iniciativa qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët”, nga e cila kërkojnë që LSDM-ja dhe partitë e tjera politike të mos e pranojnë siç thonë “platformën e partive politike shqiptare” në Maqedoni.
Komentet