Vetëvendosje duke festuar në Sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë
Sot në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të drejtë vote kanë pasur më shumë se 1 milion e 872 mijë qytetarë, me mundësi votimi në 889 qendra të votimit. Nga votimet e sotme do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.
Të gjitha vendvotimet, me disa përjashtime, janë hapur në orën 07 00 të mëngjesit, janë mbyllur në orën 19 00.
Në garë për të siguruar vende në Kuvend kanë qenë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.
Policia dhe organet e drejtësisë kanë mbikëqyrur gjithë procesin dhe kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj shkelësve.
Radio Evropa e Lirë ka mbuluar gjatë gjithë ditës gjithë procesin e zhvillimit të zgjedhjeve në kohë reale me lajmet më të reja.
Ndërkaq, do të vazhdojë të sjellë informacionet më të reja për pjesëmarrjen në nivel vendi, si dhe rezultatet e numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Veseli: Krenar me fitoren e sotme
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës së Kosovës, Kadri Veseli ka falënderuar qytetarët, të cilët kanë votuar sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Veseli në një postim në Twitter ka thënë se është “krenar me fitoren e sotme”.
Shënim i redaksisë: Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende asnjë rezultat zyrtar.
DnV publikon rezultatet e para, prin koalicioni PAN, pasuar nga Vetëvendosje
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, duke u bazuar në rezultate preliminare prej 65 për qind të vendvotimeve, ka dalë me rezultate të reja rreth zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Nga votat e numruara koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 34.60 për qind të votave. Pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 26.2 për qind. Kurse koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.8 për qind të votave.
Po ashtu, Demokracia në Veprim ka potencuar se Lista Serbe ka fituar 3.5 për qind, kurse subjektet tjera 8.8 për qind.
Delawie: Qëllimi i përbashkët është Kosova
Pa marrë parasysh numrin përfundimtar të votave, sfidat dhe mundësitë mbeten. Qëllimi i përbashkët dhe jo politika duhet të jetë qëllimi për Kosovën.
Sot ishte një hap i rëndësishëm për demokracinë e Kosovës. Unë i përgëzoj të gjithë qytetarët që votuan dhe do të qëndroni pranë qëndrimeve tuaja demokratike.
Thaçi: Pres që të formohet një Qeveri pro-evropiane
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka deklaruar se pret që fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të formojë një Qeveri pro-evropiane.
Ai ka thënë se pret që Qeveria e re të adresojë prioritetet e menjëhershme të vendit.
Thaçi po ashtu ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, që siç tha ai, ishin të standardeve demokratike.
Komentet