Beteja për pushtetin e drejtuesve të PDK-së e LDK-së ka pasur çmim të lartë për Kosovën këto 16 vite. Këta na kanë dhënë dëshmi të shumta që mund të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, mbi idealin e tyre. Këta nuk e kanë të vështirë të shkelin Kushtetutën sa herë është në pyetje mbajtja e pushtetit vetjak.
Viti i ri në Kosovë po fillon me hallet e vjetra. Me gjithë hallet e grumbulluara të qytetarëve, nisur nga papunësia, varfëria, shërbime të dobëta në shëndetësi dhe në anën tjetër, premtimeve përrallore të partnerëve të koalicionit aktual qeverisës për zhvillim ekonomik e vende të reja të punës, kjo Qeveri vazhdoi dhe ka vendosur të vazhdojë me avazin e vjetër të paraardhëses së saj, me Negociatat me Serbinë si top-prioritet.
Strumbullari i koalicionit Thaçi – Mustafa – Lista Serbe janë kushtet e marrëveshjes me këtë të fundit, ku në krye të kësaj marrëveshjeje qëndron themelimi i “Zajednicës”. Duke e pasur parasysh se Lista Serbe është zgjatim i Qeverisë së Serbisë brenda institucioneve të Kosovës, kushtet e marrëveshjes për koalicionin qeverisës janë kushte të Serbisë. Këto kushte si edhe çdo veprim tjetër i Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë kanë për qëllim zhbërjen e asaj republike-në-bërje, ani pse të shpallur në 2008 me rezerva, me kushte, me kompromise, duke fshehur historinë e re të Kosovës. Ky është thelbi i kësaj Qeverie. Të tjerët janë gëzhoja e fortë që e mbështjellë, mbron dhe pavetëdijshëm zhvillon idenë e shtetrrënimit. Mbështjellësi Thaçi-Mustafa ka për qëllim të vetëm pushtetin, sepse po doli Lista Serbe, bie Qeveria. Prandaj, koalicioni qeverisës shtynë me çdo kusht themelimin e “Zajednicës”, qoftë edhe kur një gjë e tillë është antikushtetuese.
Hashim Thaçi me moton ‘familja, prona, shteti’ Kosovën e konsideron si pronë për familjen, miqtë dhe militantët. Prandaj nuk është çudi që këta politikanë venë gjithçka në shërbim të familjeve të tyre, përfshirë këtu edhe shtetin. Ky njeri, i cili nënshkroi shuarjen e UÇK-së kur nuk pati nevojë, pranoi karakterin multietnik të shtetit, ndonëse rreth 92% të popullsisë janë shqiptarë, për dy mandate si kryeministër, përmes dialogut të Brukselit e me koncesione të vazhdueshme, hap pas hapi shtroi rrugën për “Zajednicën”.
Isa Mustafa, ky dorëzues historik i lirisë së Kosovës, pjesëmarrës në keqpërdorimin e Fondit të 3% të mbledhur nga mërgata shqiptare, keqpërdorues i pushtetit sa ishte kryetar i Prishtinës, tani u vu në krye të qeverisë për ta kthyer Serbinë përmes “Zajednicës”. Këtij autokrati të heshtur përfundimisht i ra maska. Nuk është në natyrën sadomazohiste të Isa Mustafës dialogu i brendshëm. Opinionit në Kosovë e jashtë saj i kujtohet fare mirë sesi i përjashtoi përfaqësuesit e degëve të LDK-së në diasporë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm. Me qasjen përjashtuese u përpoq pasukses ta heshtë e ta mposhtë opozitën.
Isa Mustafa, na kërcënohej nga Brukseli për një aksion krejt të thjeshtë e simbolik pranë rrethojave të pronës së tij në rrethinat e Prishtinës, në Prapashticë, ndërkohë që pranonte shtrirjen e “Zajednicës” gjerë e gjatë nëpër Kosovë, me kompetenca ekzekutive e kushtetutbërëse, përballë të cilës edhe Kuvendi i Kosovës do të ishte i pafuqishëm që në çfarëdo rrethane ta shpërbënte atë.
Nga fundi i gushtit 2015 e deri fund të dhjetorit 2015 qoftë Isa Mustafa qoftë Hashim Thaçi i ndërruan deklaratat e tyre lidhur me marrëveshjen e Brukselit. Por ata nuk ndërruan vetëm një parullë të cilën e përsëritën në mënyrë automatike në çdo konferencë, mbledhje qeverie, intervistë e takim publik. Të dy thanë se kishin nënshkruar marrëveshje në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me interesin e vendit. Opozita e bashkuar vërtetoi pikë më pikë se Kushtetuta e vendit ishte shkelur rëndë. Në thamë se Zajednica nuk është OJQ dhe nuk i ngjan Asociacionit të Komunave të Kosovës, se po ka kompetenca ekzekutive, se është etnike dhe raciste dhe se është në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, se e ndan arsimin e shëndetësinë mbi baza etnike dhe rrezikon pronën e ekonominë e vendit tonë nga telekomunikacioni e energjitika tek pronat e shqiptarëve në Suhodoll e tek Trepça e Liqeni i Ujmanit.
Në krahun e argumenteve të Opozitës së bashkuar u vendosën 205 mijë qytetarë në Peticionin e shtator-nëntorit 2015, mijëra shqiptarë të mërgatës, dhjetra specialistë të fushës, qindra intelektualë nga Shqipëria e Maqedonia e dhjetëra opinionistë shqiptarë e ndërkombëtarë, madje dhe serbë si rasti i Sonja Biserkos.
Në krahun e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit përpos që nuk gjen asnjë gjurmë a dëshmi për mbështetjen nga qytetarët e Kosovës, shqiptarët në rajon, shqiptarët në mërgatë, nuk gjen madje as dhe një jurist me integritet e profesionalitet që t’ua justifikojë shkeljet e rënda kushtetuese dhe dëmin që i sjellin Kosovës marrëveshjet me Serbinë.
Në krahun e gënjeshtrave të tyre se Marrëveshja e 25 gushtit Mustafa-Vuçiq është në përputhje me Kushtetutën janë vetëm “specialistët” e oborrit të pushtetit.
Beteja për pushtetin e drejtuesve të PDK-së e LDK-së ka pasur çmim të lartë për Kosovën këto 16 vite. Këta na kanë dhënë dëshmi të shumta që mund të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, mbi idealin e tyre. Këta nuk e kanë të vështirë të shkelin Kushtetutën sa herë është në pyetje mbajtja e pushtetit vetjak.
Këta ne kemi legjitimitetin t’i quajmë shtetrrënues. Shqetësimi i tyre kryesor është kush dhe si po i ndajnë postet shtetërore teksa edhe vendimi i Gjykatës që e kontrollojnë vetë iu thotë se e kanë shkelur Kushtetutën. Këta nuk i ndal as ligji as rendi kushtetues sepse këta nuk janë prodhuesit kryesor të shkeljeve. Këta nuk mendojnë për pasojat e dëmshme e afatgjata që ia shkaktojnë vendit. Këta mund të vazhdojnë kështu pa ndalim nëse nuk ndërhyjmë për t’i ndalur.
Kjo Qeveri ka afat deri më 9 janar të largohet. Në të kundërtën, me 9 janar qytetarët do të flasin siç flitet kur Qeveria tradhton vendin. E shtuna e 9 janarit shënon datën e fillimit të rënies së tyre.
Poshtë Qeveria! Rroftë Republika!
Aida Dërguti është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Komentet