Jeffrey Frank, The New Yorker
Përktheu: Granit Zela
Kam jetuar për ca kohë në Kopenhagen, duke u përpjekur të mësoj gjuhën daneze, dhe pikërisht atëherë zbulova shkrimtarin norvegjez Knut Hamsun, karriera e të cilit ishte një nga më të çuditshmet e shekullit të kaluar. Hamsuni nuk është aq i njohur në Amerikë, ndoshta mallkimi i një gjuhe të vogël, por ndikimi i tij sigurisht ndihet; Isaac Bashevis Singeri ka pohuar se “e gjithë shkolla moderne e letërsisë artistike në shekullin e njëzetë buron nga Hamsuni, ashtu si letërsia ruse në shekullin e nëntëmbëdhjetë “doli nga fraku i Gogolit”. Megjithatë, në Skandinavi, Hamsuni nënkuptonte telashe. Gjatë atyre muajve në Kopenhagen, hyja herë pas here në një nga libraritë e vjetra që mund të gjendeshin në të gjithë lagjen latine të qytetit. Sa herë kur pyesja për veprat e Hamsunit, njeriu pas banakut (ishte gjithmonë një burrë) tundte kokën dhe deklaronte: “Ai ishte tradhtar!” U përpoqa të mbaja mend dyqanin që të mos ndihesha sërish në siklet.
Sigurisht, e dija se për çfarë bëhej fjalë. Gjatë pushtimit gjerman të Norvegjisë në Luftën e Dytë Botërore, Hamsuni kishte qenë bashkëpunëtor; takoi Gëbelsin dhe Hitlerin dhe kishte qenë i papenduar deri në fund. Ishte befasuese: si ishte e mundur që njeriu që shkroi “Uria”, “Misteret” dhe “Pan”, libra jashtëzakonisht origjinalë, të kishte pasur simpati për nazistët? Hamsuni kishte fituar çmimin Nobel në vitin 1920 dhe, ndryshe nga simpatizantët e tjerë të fashizmit, si Céline dhe Pound, ai kishte pasur një ndikim të madh kontrollues dhe të qëndrueshëm ndaj publikut, atë të një magjistari. Singe-i pranoi se ishte “hipnotizuar” prej tij; Hese e quajti shkrimtarin e parapëlqyer; Heminguej ia rekomandoi romanet e tij Skot Fitzxheraldit; Ande Zhid e krahasoi me Dostojevskin, por besonte se Hamsuni ishte “ndoshta edhe më i mprehtë”. Lista e atyre që e donin zërin e tij dinak dhe anarkik është e gjatë.
Vendet skandinave, në më pak se një shekull, krijuan një letërsi të jashtëzakonshme; një listë e shkurtër përfshin Andersen, Kierkegaard, Jens Peter Jacobsen, August Strindberg, Henrik Ibsenin dhe Sigrid Undset. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ishte aq magjepsës sa Hamsuni, veprat e të cilit përfshijnë njëzet romane, gjashtë drama, dy vëllime me poezi dhe tri përmbledhje tregimesh. Më bindës janë romanet e hershme, dhe, në veçanti, “Uria”, një lloj “Rruga e Re Grub” e George Gissing, haluçinante, përvëlak, gjysmë çmenduri dhe argëtues.
Një shenjë paralajmëruese e këtij romani u duk në vitin 1888, kur një nga katër pjesët e tij u botua në një revistë letrare daneze jetëshkurtër të quajtur Ny Jord (“Tokë e re”). Autori e nënshkroi si “Anonim”, por bashkësia e vogël letrare daneze-norvegjeze e mësoi shpejt emrin e tij. Hamsuni, pa mbushur ende të tridhjetat, u bë befas një njeri për t’u marrë parasysh, dhe aq më tepër kur një vit më vonë, ai botoi librin e parë, “Nga jeta kulturore e Amerikës moderne”, një sulm i vrazhdë, zbavitës dhe herë pas here i marrë ndaj Botës së Re, të cilin kritiku Georg Brandes (përkrahës i hershëm i Niçes) e vlerësoi shumë. Kur u botua “Uria”, në vitin 1890, Hamsuni informoi recensentët se po provonte diçka ndryshe; nuk ishte, këmbënguli ai, i interesuar për martesat dhe topat, libri nuk ishte në të vërtetë roman. Përkundrazi, siç i tha një shoku: “Ajo që më intereson janë emocionet e pafundme të shpirtit tim të vogël, jeta e veçantë, e çuditshme e mendjes, misteret e nervave në një trup të uritur”.
Rrëfimtari i Hamsunit, shkrimtar, është një katalogues i kujdesshëm i gjendjeve të tij psikologjike, nuk është viktimë e tyre, por, si vetë Hamsuni, një zë i brezit të vet kundër sistemit. Nuk ka shumë ngjarje, por që nga rreshti i parë: “Pikërisht kur po ecja i uritur në Kristiania, nëpër atë qytet të çuditshëm prej të cilit askush s’mund të ikë pa u shenjuar prej tij” – dëshpërimi i çuditshëm, i gëzueshëm i romanit nuk të shqitet kurrë. Shkrimtarët e varfër, ambicioz të pavarur në qytetet perëndimore mund të mos jenë më të uritur, por sigurisht ata vuajnë të njëjtat poshtërime si rrëfimtari i Hamsunit: botuesit i paguajnë shumë pak, i bëjnë të presin pafundësisht për një përgjigje dhe janë indiferentë ndaj dhuntive të tyre të fuqishme të dhëna nga Zoti. Më shumë se një herë, heroi i uritur i Hamsunit zbulon se “gjendja e tij nervore kishte dalë jashtë kontrollit”, si në rastin kur, në një çast, ai nuk është në gjendje të flejë: “Papritmas kërcas gishtat disa herë dhe qesh. Çfarë dreqin ishte kjo! Ha! Mendova se kisha gjetur një fjalë të re. Ulem në shtrat dhe them: Nuk gjendet në gjuhë, e kam shpikur unë – Kuboå. Ajo ka shkronja si një fjalë – i dashur Jezus, njeri, ti ke shpikur një fjalë me rëndësi të madhe gramatikore…Kuboå… Fjala u shqua fort në errësirën që kisha përballë. Ulem me sy hapur, i mahnitur nga zbulimi dhe duke qeshur me gëzim. Pastaj filloj të pëshpëris: ata mund të më spiunojnë dhe kisha ndërmend ta mbaja sekret shpikjen time. Kisha kaluar në çmendurinë e pastër të urisë”.
Pjesa e parë përfundon me rrëfimtarin në një gjendje gati të lumtur pasi merr dhjetë korona për një fejton, por situata e tij në përgjithësi nuk duket se do të përmirësohet. Romani nuk respekton rregullat gramatikore, kohët kapërcehen dhe rrëfimtari duket gjithnjë e më i pavarur. Në fund, kur rrëfimtari hip në një anije, ngjan sikur Hamsuni ka hequr mënjanë perden e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të shikonte absurditetet e shekullit të njëzetë.
“Uria” ishte një ndjesi letrare, megjithëse reagimi kritik ishte i përzier. Hamsuni natyrshëm shpresonte që Brandes, një zë i modernizmit, të bëhej aleat, por për Brandesin libri ishte monoton, një gjykim kaq i dhimbshëm për Hamsunin, saqë ai i shkroi, duke i thënë: “S’ndihem krejt vetëm pa ty, por pa mirëkuptimin tuaj, është e kotë të vazhdoj”. Ai besonte se Brandesi s’e kishte lexuar mjaftueshëm romanin: “Po ta shohësh në tërësi, s’mendoj se do të gjenit më shumë emocione psikike te “Raskolnikovi” sesa në librin tim”. Brandesi dhe të tjerët, sidoqoftë, kishin filluar të kuptonin se Hamsuni jo vetëm që nuk ndihej rehat me kohën e tij, por ishte në shumë mënyra një personalitet që e kishte të pamundur t’i përshtatej, ndoshta edhe i rrezikshëm.
Knut Hamsun – i pagëzuar Knud Pedersen – lindi në vitin 1859 në Norvegjinë qendrore rurale. Tre vjet më vonë, familja u zhvendos në Hamarøy, për të punuar në Hamsund, një fermë që i përkiste xhaxhait të tij. Hamsun nuk ndoqi shkollën deri në moshën nëntë vjeç, dhe më pas jo për shumë kohë; fëmijëria e tij ishte e izoluar dhe e mjerë. Xhaxhai, të cilin më vonë e përshkroi si “beqar i përjetshëm, dorështrënguar dhe gjaknxehtë”, e rrihte me një vizore dhe abuzoi me të; por ai ishte gjithashtu përgjegjës për bibliotekën lokale dhe Hamsun pak a shumë vetëmësoi norvegjishten, e cila atëherë, në formën e saj të shkruar, ishte pothuajse identike me gjuhën daneze. Prejardhja e tij modeste dhe mungesa e edukimit zyrtar ishin çështje që lidheshin me ndjeshmërinë ashtu si edhe me krenarinë e tij; në një letër drejtuar Brandesit shumë vite më vonë, ai pyeti: “Çfarë di dikush si unë – i lindur fshatar-fermer, pa diplomë në asgjë, i paaftë për të ulur dhe lexuar filozofi?”
Në adoleshencën e parakohshme, Hamsun kishte dy tregime të dobëta të botuara në tirazh shumë të kufizuar dhe, për shkak të kësaj, i kërkoi një tregtari të pasur norvegjez të quajtur Erasmus B. K. Zahl, mbështetje financiare. Për të tronditur Hamsunin, Zahl i dërgoi gjashtëmbëdhjetëqind korona, atëherë me vlerë rreth katërqind dollarë. Megjithatë, paratë nuk e çuan shumë larg dhe Hamsun luftoi për të mbijetuar, kryesisht në Kopenhagen, e cila në atë kohë ishte qendra e gravitetit kulturor në Skandinavi.
Në vitet tetëdhjetë, udhëtoi dy herë për në Amerikë. U ndal në Nju Jork, ku u mahnit nga një hekurudhë që ngrihej “në ajër, mbi shtëpitë e njerëzve”, por qëndroi më shumë në Wisconsin dhe Minesota. Kaloi gjithashtu tetë muaj në Çikago si fatorino teleferiku dhe punoi në një fermë të madhe në Dakota, një mjedis që e përdori për disa histori të hershme. Mendimi i Hamsunit për vendin ishte i përzier. Sipas tij Amerika ishte i pushtuar nga materializmi dhe patriotizmi i tepruar, dhe në një moment mbajti një fjongo të zezë në mbështetje të katër anarkistëve të dënuar me varje pas bombës në Haymarket, në Çikago. Por i admironte parimet e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë. Dhe e admironte Mark Tueinin, të cilin e pa duke mbajtur një leksion në Nju Jork, dhe nga i cili sigurisht mësoi shumë për përdorimin e të folurës së përditshme popullore. U kthye në atdhe në verën e vitit 1888.
Një vit pas botimit të “Uria”, Hamsun nisi serinë e leksioneve në Norvegji, duke sulmuar me guxim dhe pa pikë turpi brezin e vjetër letrar; një objektiv i veçantë ishte Ibseni, i cili atëherë ishte gjashtëdhjetë e tre vjeç dhe sapo ishte kthyer pas njëzet e shtatë vjetësh jashtë shtetit. Kur Hamsun foli në Kristiania (tani Oslo), Ibseni kishte një ndenjëse në rreshtin e parë dhe aty ishin, ndër të tjerë, kompozitori Edvard Grieg, eksploruesi polar Fridtjof Nansen dhe një pianiste e re koncertesh, Hildur Andersen, e cili ishte bashkëpunëtorja më e ngushtë e Ibsenit. Pas gjysmë ore ligjëratë, siç e përshkruan Kolloeni, Hamsun shpërtheu në akuza ndaj Ibsenit i cili sipas tij kishte sjellë në skenë një përmasë psikologjike “të i rëndomtë dhe të rreme”. Ibseni, nga ana e tij, thjesht ndenji ulur aty, pas asnjë lloj reagimi. (Besohet të ketë pasur në mendje Hamsunin kur shkroi dramën“Arkitekti”, i botuar vitin e ardhshëm. Drama flet për një arkitekt të plakur, i cili është i tmerruar se mos e ka lënë pas brezi i ri. “Kam filluar të kem frikë, kaq shumë frikë nga të rinjtë, – thotë ai.
Hamsun, deri atëherë portreti i një artisti të ri, i kompletuar me syze pa bishta; një bashkëkohës e përshkroi si “të rrezikshëm për të gjitha gratë, interesant dhe mbresëlënës”. Grimca të kësaj mbrese vërehen në romanin e tij të dytë, “Misteret” (1892) – një titull i përshtatshëm për një nga librat e tij më të çuditshëm dhe më të çmuar. Gjithçka në lidhje me të është pak misterioze, që nga çasti kur “një i huaj u shfaq në qytet, një farë Nagel, një sharlatan i jashtëzakonshëm, i çuditshëm që bëri shumë gjëra të çuditshme”. Nuk është e qartë pse Nageli është atje ose çfarë do të përfitojë nga qëndrimi. Ai bie në dashuri me Dagny Kiellandin, vajzën e një kleriku dhe ka një lidhje me një grua më të vjetër; mban një kuti violine, por gati është e sigurtë që s’ka asnjë violinë brenda.
Ai është ndoshta në kufijtë e çmendjes, dhe padyshim vetëvrasës; megjithëse romani ka një rrëfimtar në vetën e tretë, po aq provokues sa “Uria”. Biografi i Hamsunit me origjinë angleze, Robert Ferguson, citon përshkrimin e vetë Hamsunit për librin: “Heroi i “Mistereve” është një dukuri patologjike, pjesërisht i çmendur dhe pjesërisht gjeni” – përshkrim që ngjan shumë me autorin. Romani është disi fragmentar; monologët joracionalë ndërkëmbehen me diskutimet e Marksit, Tolstoit ose Ibsenit, dramat e të cilëve, s’është çudi që hidhen poshtë nga Nageli si “tallash i dramatizuar”.
Recensat për të, sërish, ishin të përziera; një kritik tha se Hamsuni “nuk kishte hequr dorë nga haluçinacionet e sëmura të romanit “Uria” dhe u etiketua si një kopjues oportunist i letërsisë moderne ruse. Sot te “Misteret” mund të dallohet forma dhe shpirti i romanit modern, i krijuar në një kohë kur romani modern ende nuk ekzistonte.
Dy librat e ardhshëm “Botuesi Lynge” dhe “Tokë e përhime”, ishin romane të mbështetura në personazhe realë, i pari për një redaktor të urrejtshëm gazete dhe i dyti një vështrim poshtërues ndaj bashkësisë artistike në Kristiania, dhe meritojnë errësirën në të cilën kanë përfunduar. Por më pas erdhi “Pan”, botuar në vitin 1894, një roman i shkurtër, seksi, lirik i mbushur me aludime të mbinatyrshmes. Hamsun, me anglishten e tij të mangët, e përshkroi “Pan” me saktësi goxha të madhe në një letër drejtuar botuesit të tij gjerman, Albert Langen: “Mendoni për Nordlandin në Norvegji, këto rajone të Lapper-t, misteret, bestytnitë madhështore, diellin e mesnatës, mendoni për J. J. Rousseau në rajone, duke u njohur me një vajzë nga Nordlandi, ky është libri im”. Rrëfehet si kujtime nga një Tomas Glahn, i cili është zhvendosur në pyllin verior me qenin e tij, Ezopin, dhe ngatërrohet në mënyrë romantike me Edvardën, vajzën e një tregtari të pasur vendas. Glahn, me “sy kafshe”, është si Nageli, i tërhequr nga veprimet joracionale.
Në një moment, Edvarda e krahason Glahnin në mënyrë të pafavorshme me një rival, një mjek të çalë. “Edhe sikur të ishe i çalë, para së gjithash, nuk mund të përballesha me të”, këmbëngul ajo. Glahn më vonë fillon të përsiasë: “Jo, edhe sikur të isha i çalë e para e punës, s’mund të dilja kundër doktorit, apo jo? Përfundimisht s’do të përballesha me të; këto ishin fjalët e saj… Duke qëndruar në mes të dyshemesë, tund armën time, e vendos tytën në këmbën e majtë dhe tërheq këmbëzën. Plumbi më përshkon këmbën dhe dyshemenë. Ezopi i frikësuar, lëshon një psikamë të shkurtër”.
“Pan” është i tillë; Glahn dhe Edvarda e mundojnë veten po aq sa mundojnë njëri-tjetrin, Glahn bën gjëra të tilla si hedhjen e njërës prej këpucëve të Edvardës në ujë “qoftë nga gëzimi që ajo është kaq e afërt ose prej një dëshire për të pohuar veten dhe për t’i kujtuar asaj ekzistencën time”. Ndër befasitë e librit është struktura, e cila përfshin një epilog, “Vdekja e Glahnit”, të treguar nga një rrëfimtar i dytë, i cili duket se i përket tërësisht një romani tjetër. S’ka rëndësi, rrëfimi i Glahnit dhe vdekja e tij i përkasin atij. Hamsun i shkroi Langenit se “çdo kapitull është një poemë, çdo varg i punuar shumë” dhe se çdo faqe, mendonte ai, ishte “mall mendimesh dhe fantazish”.
Romani tjetër “Viktoria”, një romancë e stërmbushur, verbuese, e ndërgjegjshme për klasën shoqërore dhe e dhimbshme për djalin e një mullixhiu që dashuron vajzën e një aristokrati, erdhi katër vjet më vonë, pikërisht pasi Hamsuni u martua me Bergljot Bech, vajzën e një familje të shuqar norvegjeze, dhe ishte suksesi i parë i vërtetë financiar. Kaluan gjashtë vite të tjera para se të botohej romani i tij i ardhshëm, “Ëndërrimtarët”, dhe pas kësaj karriera e Hamsunit filloi të merrte një rrugë disi të ndryshme.
Ingar Sletten Kolloen-i është biografi i parë që ka pasir mundësi të plotë përdorimi të arkivit të Hamsunit dhe në Norvegji, libri i tij shkaktoi debate të rëndësishme për bashkëpunimin e shkrimtarit me nazistët dhe për trajtimin nga autoritetet pas luftës. Kolloen tregohet veçanërisht i aftë në përshkrimin e jetës personale: e martesës së dytë me aktoren Marie Andersen, e trazuar nga xhelozia dhe tërbimi, kur ai ishte dyzet e nëntë vjeç dhe ajo njëzet e shtatë; dhe marrëdhënieve me fëmijët, një vajzë me Bergljotin dhe dy djem e dy vajza me Marien. Mund të shihet interesi i Hamsunit për çështjet botërore, i cili është mjaft i ngushtë: besimin në fatin e parcaktuar të Gjermanisë dhe, për arsye që askush nuk i ka kuptuar, ndonjëherë, urrejtjen ndaj Anglisë.
Robert Ferguson vëren se Hamsuni e kishte ushqyer këtë paragjykim që në rininë e tij dhe mund të hamendësohet vetëm se disa takime personale e ndihmuan të krijonte një pikëpamje për një komb të tërë; siç kanë vërejtur Kolloeni dhe të tjerët, britanikët ishin për Hamsunin siç ishin hebrenjtë për nazistët. Anglezët shfaqen në role arrogante në disa nga librat e tij. Në mes të “Në vendin e çudirave”, Hamsun kujton një udhëtim me tramvaj në Mynih: “Një vajzë e vogël . . . bie, futet midis kuajve dhe shkelet, lëndohet. Por arrijmë ta nxjerrim të gjallë. Ndërkohë britaniku po pi duhan me llullë. Kur gjithçka ka mbaruar dhe shoferi vonon një çast para se të niset, britaniku shikon orën i acaruar, dhe kërkon rimbursim të biletës”.
Në dy romane, “Benoni” dhe “Roza”, një anglez i përshkruar në mënyrë karikatureske takon dhe më pas martohet me Edvardën, vajzën nga romani “Pan” dhe te “Gëzimi i fundit”, i vitit 1912, Hamsun nuk vetëpërmbahet: “Anglia së shpejti do të duhet të krijojë shtëpi të të moshuarve për fëmijët e vet. Ajo i zhvesh nga identieti gjinor njerëzit me anë të sporteve dhe ideve të ngulitura; nëse Gjermania nuk do ta kishte mbajtur në një gjendje shqetësimi të përhershëm, do të ishte kthyer te pederastia n”ë disa breza. Ndoshta, këto pikëpamje u përforcuan me kalimin e viteve, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, për një arsye tjetër, më egoiste: Anglia kurrë nuk i vlerësoi në të vërtetë për librat e Hamsunit, ndërsa publiku i lexuesve gjerman e adhuroi qysh në krye të herës.
Në shekullin e ri, Hamsun dukej se pikëllohej për jetën e mëparshme; në pranverën e vitit 1907, mbajti një leksion, “Ndero të rinjtë”, në të cilin, afër të pesëdhjetave, denoncoi urdhëresën e katërt dhe, bashkë me të, brezin e prindërve të tij. (Kolloen vëren se Hamsun ishte aq i zënë me këtë leksion sa s’pati kohë të udhëtonte për në Hamarøy për të marrë pjesë në funeralin e të atit.) Pas “Gëzimi i fundit”, sikur të pranonte se nuk ishte më një rrëfimtar i besueshëm rinor, Hamsun e braktisi tërësisht rrëfimin në vetën e parë; me “Segelfoss Town”, në vitin 1915, ai filloi të shkruante romane voluminoze me dy vëllime, ngjarjet e të cilave vendosen në qytete të vogla të populluara nga endacakë, shitës droge, dhe burokratë. Deri më tani, më i suksesshmi prej tyre ishte “Zgjimi i tokës”, botuar në vitin 1917, një sagë epike rreth mundimeve dhe gëzimeve të Isakut, një fermer, dhe Ingerit, një grua me buzë të shtrembëra me të cilën kalon një jetë.
“Zgjimi i tokës” ishte një sensacion i vërtetë në Norvegji, botimi i parë prej tetëmbëdhjetë mijë kopjesh u shit në rreth tre javë – një numër i jashtëzakonshëm në një vend me një popullsi nën tre milionë – dhe pothuajse që nga dita e botimit kishte zëra se Hamsun do të fitonte çmimin Nobel për Letërsinë. Kur nuk u dha asnjë çmim për letërsinë në vitin 1918, basti ishte se ai do ta merrte atë në vitin 1919, kur mbushi gjashtëdhjetë vjeç, por atë vit Akademia Suedeze zgjodhi një zviceran, Carl Spitteler-in, i njohur për katër vëllimet e tij poetike me titull “Pranvera olimpike”.
Kur fitoi Hamsuni, në vitin 1920, kjo ndodhi më shumë për shkak të “Zgjimi i tokës”, të cilën Akademia e pa si një mësim për “luftën heroike”. Libri ka pjesën e tij të errësirës – një ngjarje qendrore është vrasja e një foshnje, por ishte para së gjithash përbënte një kremtim të virtyteve të thjeshta rurale. Lexuesve sot mund t’u ngjajë me llojin e romanit që vetë-shpallet i rëndësishëm, me të cilin Hamsuni i ri do të ishte tallur. Asokohe nuk i pëlqente më daljet publike dhe shkoi gati pa dëshirë në ceremoni, në Stokholm, ku, nën efektin e një jehone kureshtare për pohimet e tij “Ndero të rinjtë”, tha diçka shumë të trishtueshme dhe shumë të çuditshme: “Ajo që unë duhet në të vërtetë të bëj tani, në ndriçimin e plotë të dritave, përpara kësaj asambleje të lavdishme, është të mbuloj secilin prej jush me dhurata, me lule, me blatime poezie – të jesh edhe një herë i ri, të hipësh mbi kreshtën e valës… Sot më janë bërë ndere dhe lavde, por më ka munguar një dhuratë, më e rëndësishmja nga të gjitha, e vetmja që ka rëndësi, dhurata e rinisë”.
Në vitin 1970, një danez i quajtur Thorkild Hansen shkroi “Gjyqi i Hamsunit”, një studim me tre vëllime që pak a shumë arriti në përfundimin se nazizmi i Hamsunit ishte rezultat i pleqërisë (Hamsun ishte tetëdhjetë e një vjeç në prill 1940, kur ndodhi pushtimi gjerman); i shurdhimit (edhe radioja ishte deri diku e padobishme për të); iizolimit (jetonte në Nørholm, prona e tij në Norvegjinë jugore); dhe i ndikimit të gruas së tij, Maria, entuziazmi i së cilës për Gjermaninë naziste është i dokumentuar mirë. Biografia e Robert Fergusonit (1987) pak a shumë miratoi idenë se Hamsun nuk e kuptoi kurrë plotësisht poshtërsinë me të cilën e lidhi emrin e tij, një pamje ngushëlluese për njerëzit si unë, të cilët jo vetëm e donin Hamsunin, por s’mund të besonin se simpatitë e tij për pushtuesit ishin shumë të thella. (Filmi i shkëlqyer i vitit 1996 “Hamsun”, në të cilin Max von Sydoë luan Hamsunin e moshuar, ka këtë këndvështrim.) Por Kolloeni tregon se ishte më e ndërlikuar se kaq.
Ndërsa opinionet e Hamsunit u bënë shumë publike gjatë viteve 1930, ai dukej se e kuptoi që artisti dhe polemisti duhej të ndaheshin nëse duhej të lulëzonin të dy. Në vitin 1936, kur Hamsun ishte shtatëdhjetë e shtatë vjeç, u botua romani i tij i fundit, “Unaza është e mbyllur”, dhe recensentët vunë re me njëfarë lehtësimi që ishte thjesht një roman në të cilin, pavarësisht gjithçkaje, artisti i kishte qëndruar besnik artit të tij. Por admiruesit e tij e kishin parë me njëfarë shqetësimi qëndimin e tij politik; për shumë ishte e pafalshme kur, në mesin e viteve tridhjetë, ai sulmoi aktin e dhënies së çmimit Nobel për Paqen gazetarit anti-nazist Carl von Ossietzky, i cili ishte torturuar dhe burgosur nga kolegët e tij gjermanë. Edhe më keq, ai mbështeti Vidkun Kuislingun, ministrin norvegjez të mbrojtjes që themeloi Partinë por-fashiste të Bashkimit Kombëtar, në vitin 1933. Megjithëse kjo mund të tolerohej si një veprim trillan, gjithçka ndryshoi pas pushtimit gjerman të 9 prillit 1940. dhe Hamsuni u kërkoi bashkatdhetarëve të tij të flaknin armët dhe të bashkëpunonin.
Pushtuesit nazistë u bënë gjithnjë e më të pamëshirshëm dhe më të zgjuar në manipulimin e trofeut të tyre, Hamsun, i cili disa herë u përpoq të shpëtonte bashkatdhetarë të ndryshëm, gati gjithmonë pa sukses. Kur botuesi i Hamsunit, Harald Grieg, kërkoi ndihmën e tij për të siguruar lirimin e një shkrimtari të cilin e kishte arrestuar Gestapo, Hamsun organizoi një takim me Jozef Terbovenin, Komisionerin e Rajhut në Norvegji. Terboven luajti të gjitha kartat me Hamsunin para se të thoshte jo; u ndanë me neveri të ndërsjelltë. Gazetat e Oslos, megjithatë, botuan fotografi të Hamsunit në një takim në dukje të gëzuar me Komisionerin e Rajhut, dhe ai sigurisht e kuptoi se ishte përdorur.
Hamsun nuk i miratoi politikat racore të Hitlerit dhe, siç thekson Kolloeni, ishte në kontakt miqësor me hebrenjtë gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë Georg Brandes-in dhe botuesin e tij të parapëlqyer, Christian Kønig-un. Megjithatë, ai ishte një njeri i kohës së tij dhe një herë sugjeroi, jo sipas frymës së Deklaratës Balfour-it, se mund të ishte me përfitim për të gjithë nëse populli hebre do të kishte vendin e tij. Dy nga fëmijët e Hamsunit, i biri Tore, një artist dhe e bija, Ellinor, e cila studioi aktrim, jetonin në Berlin në fund të viteve 1930, megjithëse jo, me sa duket, me shumë entuziazëm për atë që po ndodhte. Kur Hamsuni i vizitoi në shkurt të vitit 1938, ata jetonin në një lagje hebreje dhe kishin miq hebrenj. Tore ishte veçanërisht i afërt me Maks Taunin, një botues, i cili ishte takuar me Hamsunët në Oslo; me ndihmën e Hamsunit, Tau u shpëtua nga nazistët.
Takimi i Hamsunit me Hitlerin u zhvillua në Berghof më 26 qershor 1943, një kohë kur lufta po shkonte keq për gjermanët. Hitleri, atëherë pesëdhjetë e katër vjeç dhe me shumë mjekime, nuk ishte në formë të mirë. As Hamsun nuk ishte; kishte pësuar të paktën një atak të lehtë në zemër dhe dëgjimi i ishte përkeqësuar. Pasi Hitleri e pyeti për zakonet e të shkruarit, duke shtuar se ai personalisht parapëlqente të punonte në mbrëmje, ai e çoi Hamsunin në dhomën e tij të punës, ku u shërbyen çaj dhe u ra dakord që Egil Holmboe, një norvegjeze, të bënte përkthimin. (Përkthyesi i zakonshëm i Hitlerit, Ernst Züchner, mbajti shënime pas një perdeje.) Hitleri me sa duket shpresonte që shkrimtari ta frymëzonte, ta gëzonte dhe ndoshta të fliste për gjeniun, një temë që i interesonte gjithmonë. “Përveçse plotësisht i lidhur me ju, ndiej se jeta ime ngjan shumë në disa mënyra me tuajën” – i tha Hitleri në një moment. Por Hamsun-i nuk kishte dëshirë të fliste as për shkrimin, as për artin, as për gjeniun. Ai donte të fliste për politikën dhe për egërsinë e pushtimit. Në veçanti, donte që Hitleri ta shkarkonte Jozef Terbovenin. Hamsuni filloi duke u ankuar se Terboveni po pengonte rrugët e kalimit të anijeve norvegjeze dhe kur Hitleri u përpoq të ndërpresë këtë linjë diskutimi, ai vazhdoi: “Për më tepër, Komisioneri i Rajhut në disa raste ka thënë se në të ardhmen nuk do të ketë asnjë vendi të quajtur Norvegji.”
“Ndryshe nga vendet e tjera të pushtuara”, i tha Hitleri, “Norvegjia ka qeverinë e saj”. “Gjithçka që ndodh në Norvegji vendoset nga Komisioneri i Rajhut!”, ishte përgjigja e Hamsunit dhe ai u përpoq të shpjegonte se Terboveni po shkatërronte reputacionin e Hitlerit. Përfundimisht, Hamsuni bëri diçka të padëgjuar: e ndërpreu Hitlerin. Metodat e Komisionerit të Rajhut “nuk funksionojnë këtu, ne nuk mund ta durojmë prusianitetin e tij”, tha Hamsuni. “Dhe pastaj ekzekutimet! Duhet t’u jepet fund!” Züchner, pas perdes, e dinte që Holmboe nuk e kishte përkthyer shpërthimin e fundit. Kur Hitleri filloi të fliste, Hamsuni e ndërpreu përsëri: “Terboveni nuk do një Norvegji të lirë, por një protektorat, kjo është perspektiva që ai na jep”. Pastaj ai kishte një pyetje: “A do t’i kujtohet atij ndonjëherë se për çfarë është këtu?” Hitleri u përpoq ta mbyllte temën, duke thënë: “Komisioneri i Rajhut është një luftëtar, ai është aty vetëm për detyra të lidhura me luftën”. Shumë shpejt Hamsuni filloi të qajë. “Nuk është se ne jemi kundër pushtimit”, i tha Hitlerit. “Do të na duhet për një kohë. Por ai njeri po shkatërron më shumë sesa mund të rindërtojë Hitleri!” Përsëri, Holmboe nuk e përktheu pjesën më të rrezikshme. Përkundrazi, ai u largua nga Hitleri dhe e paralajmëroi Hamsunin: “Mos fol”. Nuk kishte mbaruar me kaq. Hitleri filloi të fliste për prodhimin, për më shumë divizione tankesh dhe armë të reja sekrete. Ndërsa po fliste, Hamsuni u përpoq disa herë të tjera të ndërhynte, duke thënë se nuk kishte ardhur për këto. Kur Hitleri përsëriti se mund të shihej vullneti i mirë i Gjermanisë në faktin se Norvegjia kishte qeverinë e saj, Hamsuni, i dëshpëruar, e ndërpreu dhe tha: “Po flas me një mur!” Holmboe, shkruan Kolloen, nuk e përktheu as këtë duke thënë: “Ne kemi premtimin e Fyhrerit”. Para se të largohej, Hamsun tha: “Ne besojmë te Führeri, por dëshirat e tij po shtrembërohen”. Ai shtoi, “Nuk është lloji i duhur i ndryshimit në Norvegji. Gjithçka do të çojë në një luftë të re.” Edhe kjo mbeti e papërkthyer, por tashmë Hamsun kishte thënë mjaftueshëm që Hitleri të thoshte: “Mjaft! Ti s’kupton asgjë!” Hitleri doli jashtë dhe Hamsun qau përsëri; ai ishte veçanërisht i mërzitur që Hitleri nuk i kishte thënë personalisht lamtumirë. Më vonë, Hitleri u kishte bërtitur ndihmësve të tij: “Mos ta shoh më këtë lloj njeriu këtu!”
Reputacioni i Hamsunit ishte i rrënuar; jo vetëm q e kishte takuar Hitlerin, por, në një moment, i këshilluar gabim, ia kishte dhënë Gëbelsit medaljen e tij të çmimit Nobel. Fati i tij i pasluftës ishte tashmë në diskutim. Në nëntor 1944, në Moskë, Molotov, ministri i jashtëm sovjetik, diskutoi rastin Hamsun me Terje Wold-in, ministër norvegjez i drejtësisë në mërgim dhe Trygve Lie-n, ministër i jashtëm në mërgim. Autori i “Viktoria” dhe “Pan” është një artist shumë i madh për t’u trajtuar si një nazist i zakonshëm, tha Molotov, dhe, në një moshë kaq të shtyrë, duhet të lejohet të ketë vdekje natyrale. Wold u përgjigj në anglisht: “Ju jeni shumë i butë, zoti Molotov”.
Norvegjia u çlirua në maj të vitit 1945 dhe norvegjezët nuk i falën bashkëpunëtorët. Terboveni u vetëvra para se të pushkatohej; Kuislingu dhe drejtues të tjerë të Bashkimit Kombëtar u ekzekutuan me pushkatim në tetor dhe mijëra u burgosën, duke përfshirë Marie Hamsun, aktoren, shkrimtaren dhe bashkëshorten e Hamsunit e cila u dënua me tre vjet burg dhe gjobë. Hamsun u përball me akuza për tradhti, por askush s’dinte çfarë të bënte me shkrimtarin më të madh të kombit, tashmë pothuajse tetëdhjetë e gjashtë vjeç. Ai u arrestua dhe në tre vitet e ardhshme u mbajt në një azil pleqsh, në klinikën kryesore psikiatrike në Oslo dhe më pas u kthye në azilin e pelqve. U vizitua nga disa mjekë dhe psikiatër dhe shumë norvegjezë u ngushëlluan me një gjetje psikiatrike se Hamsuni, megjithëse i arsyeshëm, ishte “përgjithmonë i dëmtuar” mendërisht. Vetë ai u ndie i fyer nga ideja që dikush mendonte se aftësitë e tij mendore ishin të mangëta. “S’kishte asnjë problem me mua, isha thjesht i moshuar dhe i shurdhër!” këmbënguli më vonë. Ai e dinte se njerëzit e shihnin si tradhtar prandaj nuk i lexonte gazetat.
Gjykata norvegjeze e gjobiti me katërqind e njëzet e pesë mijë korona (atëherë rreth tetëdhjetë e shtatë mijë dollarë) dhe u lejua të kthehej në Nørholm, ku pati një rënie të ngadaltë dhe të qëndrueshme fizike. Në pranverën e vitit 1950-të, e nxitur nga fëmijët e saj, Marie, e cila atëherë ishte gjashtëdhjetë e tetë vjeçe, u kthye në shtëpi dhe, pas një ndarje katërvjeçare, gjithçka që Hamsuni i tha asaj ishte: “Ti ke ikur për një kohë të gjatë, Marie. Gjatë gjithë kohës që nuk ishe, nuk kam pasur me kë të flas përveçse me Zotin.” Pak ishin të gatshëm ta falnin atëherë për sjelljen gjatë luftës, dhe duket se edhe sot është e pamundur të bëhet një gjë e tillë. Megjithatë, mund të shikosh ende, i magjepsur, teksa shkrimtari bën kthesën e tij të fundit në librin “Nëpër shtigje të pashkelura”. Ai duket se po synonte atë që e kishte quajtur “dhurata e rinisë” dhe në ato faqet e fundit duket sikur kishte arritur, sado pak, ta rifitonte.
Marrë nga ExLibris
Komentet