Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me rastet e arrestimeve në Kosovë, ku ata persona po portretizohen nga opinioni si kriminel, ende pa përfunduar proceset gjyqësore për ta.
KMDLNj, duke përmendur rastin e Azem Sylës, thotë se ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së mori epitete kriminale nga më të ndryshmet, ende pa filluar procesi gjyqsor ndaj tij.
Sipas KMDLNJ arrestimet e fundit e të dyshuarve për vepra të rënda të penale në krye me Azem Sylën, paraqet shkelje të të gjitha neneve të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara , Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës shkaku se të arrestuarit janë portretizuar si kriminelë të rrezikshëm, pa përfunduar hetimet e na të flasim për një vendim gjyqësor që dëshmohet fajësia e të arrestuarve të dyshuar e të cilët ende nuk e kanë një aktakuzë të ngritur.
“’Grupi i rrezikshëm kriminal, kriminelët që kanë bashkëpunuar me Serbinë, komandantë të Çagllavicës, Graçanicës ,etj; ata që e rrezikojnë jetën e dëshmitarëve të mbrojtur, etj ….’ këto janë cilësime që drejtpërdrejtë ndikojnë në procesin e hetimeve , bëjnë presion te hetuesit duke paragjyk uar fajësinë e të arrestuarve ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të një gjykate. Prokuroria e EULEX – it kërkon katër muaj paraburgim sikur edhe një proces të veçantë hetimor ndaj Azem Sylës shkaku se po u rrezikuakan dëshmitarët e mbrojtur. Këto janë sinjale të qarta se vështirë se do të ketë një proces të rregullt , të paanshëm , të pandikuar politikisht dhe të drejtë një atmosferë të linçimit publik të arrestuarve që tashmë duket se janë shpallur fajtorë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
KMLDNj rikujton raste nga e kaluara ku njejtë të akuzuarit linçoheshin në opinion, ndërsa ata në fund të proceseve gjyqësore shpalleshin të pafajshëm.
“Vetëm vendimi i formës së prerë i gjykatave përkatëse, pas administrimit të provave, krijimit të kushteve për mbrojtje efektive të të akuzuarve, mund të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve. Kështu ndodh në vendet demokratike nga vijnë prokurorët dhe gjykatësit e EULEX – it dhe atje mbrohet dinjiteti i të arrestuarve por edhe i të dënuarve kurse fushata linçuese përmes medieve do të llogaritej si e papranueshme. Në Kosovë ndërkombëtarët e testojnë opinionin duke i furnizuar disa medie me informata sensacionale sikur rasti i prokurorit Vrejsvik që deklaronte se Limaj i ka shpërdorur 80 milionë euro. Apo akuzat për rastin ‘Kleçka’ . Apo rasti i ish guvernatorit Rexhepi, drejtorit të Bankës Milazim Abazi e shumë raste të tjera që përfunduan në pafajësinë e plotë të të akuzuarve pasi që iu shkaktuan vuajtje të mëdha shpirtërore dhe fizikie , atyre dhe familjeve të tyre dhe pasi ua rrënuar krejtësisht karrierat duke i dëmtuar profesionalisht dhe moralisht”, thuhet në reagim.
Komentet