Pas njëmbëdhjetë vjetëve të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ish- hartuesit e saj thonë se ky dokument ka përmbushur misionin primar, themelimin e shtetit të Kosovës, por, sipas tyre, tani duhet të fillohet të mendohet për perspektivën e kësaj Kushtetute.
Tri vlera të përhershme që nuk guxojnë të ndryshojnë me asnjë reformë kushtetuese, sipas hartuesve të këtij akti më të lartë juridik, janë pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ishte hartuar më 9 prill të vitit 2008, derisa kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, të po të njëjtit vit. Kushtetuta e Kosovës bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, i njohur si Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës dhe mbi bazën e të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesor Arsim Bajrami, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kushtetuta mund të rishikohet në disa aspekte, por, në përgjithësi ky model i Kushtetutës, sipas tij, është treguar i suksesshëm, pasi që është një model i një shteti liberal demokratik që bazohet tërësisht në sovranitetin e qytetarit.
“Duhet të fillohet të mendohet për perspektivën e kësaj Kushtetute sepse në rast se arrihet ndonjë marrëveshje eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë pjesë e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë edhe çështja e vlefshmërisë së mëtejshme të Pakos së Ahtisaarit, dhe të diskriminimit pozitiv që zbaton Kushtetuta”.
“Kështu që në këtë rast unë mendoj se pas kësaj marrëveshjeje mund të hyhet të një rishikim substancial të Kushtetutës, një amandamentim të Kushtetutës, i cili do t’u jap fund privilegjeve që janë krijuar në kuadër të diskriminimit pozitiv si rezultat i Pakos së Ahtisaarit, sepse ajo marrëveshje duhet të përmbajë edhe fatin e mëtejshëm të planit të Ahtisaarit në Kosovë”, thotë Bajrami.
Si shtet me shoqëri shumetnike, Kosova ka një Kushtetutë e cila mund të ndryshohet vetëm me anë të votimit të dyfishtë, që nënkupton vota e dy të tretave të numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si tërësi dhe votat e dy të tretave të deputetëve nga komunitetet pakicë.
Nisur nga kjo procedurë, ndryshimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë, besohet se ka mbetur peng i votimit të dyfishtë, pasi që çdo propozim eventual për ndryshime duhet të miratohet edhe nga deputetët e komunitetit serb dhe komuniteve tjera.
Profesori Bajrami thotë se në rast se arrihet një marrëveshje në dialogun me Serbinë, duhet të shihet fati i mëtejshëm i kufizimeve të parashikuara me Planin e Ahtisaarit.
“Ndoshta mund të arrihet pëlqimi që të hiqen këto bllokada të dy të tretave, të cilat në praktikën 11-vjeçare janë treguar si elemente të bllokimit. Në kohën kur ato janë vendosur në Kushtetutë, qëllimi ka qenë që pakicat të mbrohen nga mbivotimi i shumicës dhe ato kanë degraduar në një element bllokues sepse pakica përmes votimit të dyfishtë ka bllokuar shtetin e Kosovës dhe vendimmarrje në Kuvend për çështjet vitale shtetërore”, thotë Bajrami.
Edhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu, po ashtu anëtar i Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht qëllimit të mirë të para njëmbëdhjetë vjetëve që të hartohet një Kushtetutë moderne, me kalimin e kohës janë vënë re çështjet që duhet të përmirësohen.
Por, që sipas tij, peng i ndryshimit të Kushtetutës mbetet votimi i dyfishtë.
“Që nga koha e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për statusin e Kosovës, që njihet edhe si Pakoja e Ahtisaarit, kam dhënë vërejtjet e mia se ky plan që më vonë është mishëruar në Kushtetutë, e bën Kosovën jofunksionale. E kemi vënë re edhe në punën e Kuvendit, vota e dyfishtë apo bllokimi që ka tendencë të bëhet nga komuniteti serb është ajo që në një mënyrë po e bllokon punën e Kuvendit në çështje të caktuara. Tani është tejet e vështirë dhe e pamundur që me këtë strukturë të përfaqësuesve të komunitetit serb, të kemi një ndryshim eventual të Kushtetutës sidomos në ato pjesë që janë të domosdoshme”, thotë Sjediu.
Një çështje tjetër që njëri prej ish hartuesve të Kushtetutës, Arsim Bajrami e sheh të nevojshme të amandamentohet është pjesa për presidentin e Kosovës. Ai thotë se ky ndryshim i Kushtetutës nuk duhet të shtyhet më tej dhe duhet të bëhen amendamente me të cilat populli i Kosovës përmes votës së vet e zgjedh presidentin.
“Ndryshimet duhet të bëhen në drejtim të rrugës që presidenti i ardhshëm i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, pasi që kjo do të stabilizonte demokracinë dhe do të krijonte një kredibilitet më të madh presidentit në mënyrë që ai mos të ndërlidhet me zhvillimet politike që gjithmonë janë më ndikim tek votimi parlamentar i presidentit”, thotë Bajrami.
Shkelësit e Kushtetutës
Gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve, jo rrallë janë shënuar edhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Korab Sejdiu thotë se që nga miratimi i Kushtetutë së Kosovës tentativat më serioze për të shkelur Kushtetutën e Kosovës janë veprimet e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me hapjen e temës së korrigjimit të kufijve.
“Cenimi më i madh që po i bëhet Kushtetutës po bëhet nga presidenti aktual i cili me aventurat e tij karshi dialogut me Serbinë është duke rrënuar edhe shtetësinë e Kosovës, atë të cilën e kemi arritur ai po e dëmton duke hapur tema të cilat me Kushtetutën e Kosovës janë të përcaktuar, siç është çështja e integritetit territorial”, thotë Sejdiu.
Kurse profesor Arsim Bajrami thotë se Kushtetuta e Kosovës është shkelur nga lidershipi i cili, sipas tij, ende nuk kanë një edukatë kushtetuese, shtetërore dhe institucionale.
“Kur them për lidershpin, mendoj për gjithë liderët, liderët e partive politike, deputetë, anëtarë të qeverisë të cilët akoma nuk kanë arritur kodet e sjelljes ligjore dhe kushtetuese, standardet e një edukate shtet-formuese, dhe kjo ka paraqitur një ngecje në shtet-ndërtim dhe duhet të ndërtojmë standarde që jo gjithmonë Gjykata Kushtetuese duhet ta rivendosë Kushtetutën, por secili që ushtron një post publik duhet ta njohë mirë Kushtetutën, ligjin dhe duhet të sillet brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore”, thotë Bajrami.
Gjykata Kushtetuese pati interpretuar si shkelje të rëndë të Kushtetutës rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu me mbajtjen e dy posteve. Si antikushtetuese ishte interpretuar edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli në shkurt të vitit 2011. Të dy presidentët, pas veprimeve të tyre ishin detyruar të japin dorëheqje.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera.
Komentet