Korça mirëpriti dekorimin e Petrika Rizës “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti Meta
Para disa ditëve, në dt. 2 shkurt 2021, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin e mirënjohur korçar Petrika Riza, për kontributin profesional ndaj artit shqiptar dhe interpretimit me nivel të lartë artistik të roleve të tij në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë, dhe meqenëse dekorimi u mirëprit nga gjithë opinion qytetar i rajonit të Korçës dhe jo vetëm, menduam të sjellim jetën e tyre aktoriale, Petrika dhe Kaludeta Riza si dy artistë të respekuar dhe të adhuruar nga mijëra qytetarë shqiptarë.
Në fjalën e tij, ndër të tjera Presidenti Meta tha: “Karriera dhe puna e gjatë krijuese e Petrika Rizës, aktorit dhe më pas drejtorit të Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, është e stolisur hollë në dhjetëra e dhjetëra personazhe në dramë, komedi dhe kinematografi, duke u shpalosur përpara spektatorit, si një artist i kompletuar shumë planesh, i cili ka lëvruar me shumë sukses të gjitha interpretimet e tij”. “… Ai ka interpretuar në skenë shumë role të rëndësishme dhe protagoniste, si Xhaxha Madhi te “Rruga e Madhe”, Xhon Kelleri tek “Ishin të gjithë bijtë e mi” Dhespoti Filothe te “Plumbat e shkronjave”, komisari te “Përbindëshi”, prokurori te “Denoncimi” e shumë role të tjera. Në kinematografi Petrika Riza ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilat kujtojmë rolin e Rustemit tek “I teti në Bronz”, Neimi në filmin “Yjet e netëve të gjata”, roli i Dhespotit te “Mësonjëtorja”, Kajmekami te “Kush vdes në këmbë” e shumë personazhe të tjera të gdhendura prej tij”. Tashmë për të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më shumë për këtë çift artistësh, rrëfimi vjen më poshtë.
Rëfimi
Isha në vit të parë të shkollës së mesme kur shkolla jonë organizoi një mbrëmje vallëzimi, – rrëfen aktorja Klaudeta Riza për veten dhe bashkëshortin e saj, Petrika Riza. U mlodhëm të gjithë. Atje pashë edhe Petrikën, e kisha njohur që kur isha në klasë të gjashtë. Unë isha e datëlindjes 2 qershor 1949, Petrika 1 qershor 1947. Në atë kohë, ai dhe motra ime ishin në vit të parë në të njëjtën klasë të shkollës së mesme, “Fuat Babani”, dhe siç ndodh me shokët e një klase, vinin te njeri-tjetri për ndonjë libër, fletore apo për zgjidhjen e ndonjë ushtrimi. Pas dy vjetësh edhe unë shkova në të njëjtën shkollë të mesme. Me Petrikën takohesha çdo mëngjes dhe gjithnjë më zgjonte respekt. Edhe kur e pashë që kishte ardhur për mbrëmjen e vallëzimit, u ndieva mirë. Nuk e dija që miqësia jonë do të merrte një rrjedhë tjetër. Kur mbrëmjës po i vinte fundi, njoftuan: “Vallëzimi i fundit!” Në këtë moment i thashë motrës: “Kush kërcen mirë nga të klasës tënde?” Ajo më tha: “Petrika Riza kërcen shumë mirë”. “Thuaji një çikë Petrikës të vijë të më marrë!” Pasi motra komunikoi me të, sa filloi muzika u nisëm drejt njëri-tjetrit. Sipas zakonit, kërcimi i fundit vazhdoi gjatë dhe në u ndjem shumë mirë në këtë kërcim dhe pas kësaj, sa herë bëheshin mbrëmje, ne kërcenim të dy. Petrika Riza ishte gjithnjë tepër korrekt dhe i edukuar.
Vallëzimi i fundit
Vallëzimi i fundit zgjati rreth 25 minuta. Petrika vallëzonte shumë bukur. Më vonë mësova prej tij, që një xhaxha i Petrikës, (babai i aktorëve Jani dhe Ligoraq Riza), ishte një nga këngëtarët dhe kërcimtarët popullorë më të dëgjuar të kohës. Madje edhe dalja e disa artistëve prej këtij fisi të madh kishte qenë ndikimi i tij. Por edhe unë nuk ngelesha pas në vallëzim. “Vallëzimi i fundit” më kujtohet shpesh. Petrika ishte regjistruar edhe për balet në Shtëpinë e Pionierit, kishte dëshirën ta njihte artin e valleve edhe nga ana profesionale dhe artistike. Në atë kohë po ngjiteshin në skenë edhe balete moderne. “Shko, – i kishin thënë prindërit, – por pa lënë pas dore mësimet e shkollës”, dhe Petrika, si gjithnjë, i edukuar mirë, e mbajti fjalën. Pasi përgatiste mësimet shkonte në shtëpinë e pionierit. Mësimet e baletit fillonin në orën 16.00. U regjistrua edhe në kursin e fisarmonikës që të kishte edhe një vesh të kultivuar. Rrinte me Minella Borovën, Niko Kanxherin etj, ishte një grup djemsh që dëshironin të ishin dikushi. Merrte pjesë edhe në mbrëmjet shqiptaro-sovjetike të asaj kohe, të cilat përgatiteshin nga dy regjisorët e mirënjohur Pirro Mani dhe Sokrat Mio. Qëndronin deri në orët e vona të mbrëmjes. Petrika ishte i talentuar. Unë njihesha si “vajza rebele” e shkollës, isha vajza e tretë e familjes Llogori, por të tria të shkëlyera në mësime. Kur shkova në kopësht, ngaqë kisha zë të veçantë, më bënë pjesë të aktorëve të vegjël, luaja rolin e mamasë, partner kisha aktorin Perika Gjezi, (tashmë nuk jeton më), rolin e fëmijës tonë e luante Maqo Lakrori, ish-deputet. Filloren dhe 7-vjeçaren i përfundova te “Mësonjëtorja e parë shqipe”, ku më regjistruan në korr, në kompleks me profesor Vaskë Kolacin. Në 75-vjetorin e shkollës isha drejtuesja e koncertit dhe recituesja e parë. Ashtu si Petrika edhe unë isha regjistruar në shtëpinë e pionierit.
Familja e Petrikës
Petrika Riza kishte lindur në Bulgarec, fshat pranë Korçës, në një familje të madhe. Kishin edhe një shtëpi të bukur. Gazetari Fiqiri Sejdia, në një intervistë të tij, e përshkruan kështu shtëpinë e Rizave: “Fisin Riza e kam njohur qysh në vitet ’60, ishte një fis mjaft i madh, unë çuditesha me këta njerëz të cilët edhe pse punonin gjithë ditën në kooperativë, përsëri gjenin kohë: ndërtonin shtëpi të reja, mbillnin bahçen me lloj-lloj pemësh, qilarët i kishin gjithnjë plot dhe oborret me lule dhe trendafila. Në familjen Riza kishte mjaft dashuri, mjaft harmoni, paqe dhe respekt për njeri-tjetrin. Ata e donin artin, këngën, muzikën dhe të bukurën”. Dhe vërtet, Petrika Riza vinte nga një familje intelektuale, por edhe patriarkale për nga pjestarët që e përbënin familjen. Të gjithë bashkë bëheshin 17 veta, Gjithsecili kishte ëndrrat dhe synimet e veta. Petrika më tregonte se në këtë familje të madhe ka patur vërtet njerëz që demonstronin të dhëna (prirje) të ndryshme në jetën e tyre, ku dilnin në pah traditat patriotike, arsimdashëse, kulturore dhe artistike, dhe ai si i vogël që ishte në atë kohë, i ndiqte, përpiqej t’i kuptonte, i imitonte, dhe vazhdoi kështu të rritej me atë frymë që ishin rritur edhe kushërinjtë e tij të parë, përpara tij, duke ruajtur gjithnjë afinitetin me ta. Njerëzit e fisit Riza ishin të edukuar e donin, e respektonin dhe e ndihmonin njeri-tjetrin. Gjithashtu, Petrika, kishte edhe një djalë xhaxhai, i cili bashkë me Petrikën i përkushtoheshin valles dhe këngës, si vazhdues të traditës së xhaxhait të famshëm për kohën. Kur mblidheshin në mbrëmje, në shtëpinë e tij, këndonin dhe hidhnim valle, ndërsa më vonë edhe me muzikën e të vetmes radio në fshat. Kushërinjtë e tij merrnin pjesë edhe në olimpiada dhe aktivitete sportive, bashkë me ta merrte pjesë edhe Petrika që i pëlqente shumë edhe futbolli edhe volejbolli, por më shumë teatri. Bulgaerci kishte një nga grupet teatrore më të mira të zonës së Korçës, zinte pothuajse gjithnjë vendin e parë, shkonin fshatrave dhe bënin turne. Përveç Janit edhe Petrikës edhe Pertef Larti dhe Dhimitra Plasari nga ky teatër kanë dale.
Familja ime
Unë e dëgjoja me vëmendje Petrikën sa herë më fliste për familjen e vet. Edhe unë i tregoja për familjen time, Llogori, e cila ishte nga familjet më të vjetra autoktone, banonim në qendër të Korçës, prapa Ushtarit të Panjohur, ose sot, prapa Katedrales. Edhe Llogorët ishin fis i madh. Në kohën e Perandorisë Osmane emigruan në Bullgari, Rumani dhe Egjipt, punuan për çështjet shqiptare, veçanërisht për alfabetin e gjuhës shqipe. Një nga përfaqësuesit e fisit tim është edhe Qelidhona Llogori Athanas, mësuesja e parë e gjuhës shqipe për emigrantët në Sofje; Vasil Llogori solli nga Sofja shumë abetare për fshatrat e Devollit, vetëm në Progër çoi 20 abetare; Pandi Llogori dhuroi shtëpinë e vet për Mësonjëtoren e Vashave, ku shërbeu edhe vetë si kujdestar i saj; Loni Llogri qe përfaqësues i shqiptarëve të Misirit në Kongresin e parë për alfabetin e gjuhës shqipe në Dibër, deputet i Korçës në Parlamentin e Zogut, mbështetës i ideve patriotike të Mihal Gramenos, gjithashtu edhe shkruesi i teksit të himnit të qeverisë së princ Vidit; ka shkruar edhe tekste këngësh patrotike dhe lirike si: “Kënga e drenovares”, “Çelu, çelu mos rri sëndisur”, “Çelu lule se erdh pranvera” etj. Babai im, i datëlindjes 1912 kishte biznesin e vet, kurse mamaja ishte 18 vjeçe. Babai i mamasë ishte në Amerikë, kurse gjyshi nga mamaja jurist në Stamboll. Babai ishte i pashëm, me sy bojëqielli, por shpirtin e kishte edhe më të bukur, rriti edhe dy vëllezërit dhe motrën e mamasë, të mbetur jetimë të cilët studiuan jashtë shtetit, kurse motra e tyre studioi për ekonomi. Edhe oborri i shtëpisë tonë ishte plot lule dhe plot kalamaj.
Petrika Riza shkoi për aktor në Tiranë
Me përfundimin e shkollës së mesme, Petrika Riza shkoi në Tiranë, do të konkuronte për aktor. Prindërit e tij dëshironin të studionte për mjekësi, por tashmë ai e kishte ndarë mendjen, kishte vendosur të bëhej aktor. Më pas i mora vesh të gjitha. Për t’u përgatitur për konkurim ishte ndihmuar nga djali i xhaxhait, Todi Riza, edhe materialet ishin zgjedhur prej tij, pra, nuk e pati ndihmën e një aktori profesionist si Minella Borova apo Niko Kanxheri. Veç kësaj ai shkonte dhe vinte çdo ditë me biçikletë, Bulgarec-Korçë dhe anasjellas, koha që i mbetej ishte e paktë. Me t’u gjendur përballë komisionit të konkurimit, në një sallë të madhe, të kryesuar nga pedagogia Drita Agolli dhe regjisorët e mëdhenj Pandi Stillu, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli etj, pati një çast humbje të besimit. Megjithatë nisi të recitonte, por befas ngeci, teksti nuk po i kujtohej më. U ndje i frikësuar, por pedagogia që do të merrte kujdestarinë e kursit të vitit të parë, i kishte thënë: “S’ka gjë Petrika, ulu qetësohu!” Edhe në aq sa kishte mundur të interpretonte Petrika, anëtarët e komisionit kishin vënë re fizikun e tij, ngrohtësinë e timbrit dhe plotësinë e zërit, aq të domosdoshme për një aktor. Ata që e përfunduan konkurimin, përgjigjen do ta merrnin në rrethet e tyre, kurse Petrikës i thanë: “Do të vish përsëri javën tjetër”, dhe sigurisht në provimin e dytë, i përgatitur nga Sotiraq Çili më së shumti dhe nga Jani Riza, mundi t’i tregonte aftësitë e veta aktoriale dhe të shpallej fitues.
Po unë?
Dy vjet më pas e përfundova edhe unë gjimnazin “Fuat Babani”. “Vallëzimi i fundit” me Petrikën, vijonte të mbetej për mua një nga kujtimet më të bukura të jetës time, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe në shkollën e mesme “Fuat Babani” vazhdova të merrja pjesë në balet, ndaj edhe vallëzimi me Petrikën u pëlqye nga të gjithë. Edhe mua më pëlqente baleti. Gjithashtu isha edhe në korr, dhe në teatër, ku mësues muzike kishim Niko Ilon, dhe kur vonoheshim në provat e fundit që bëheshin në teatrin “Çajupi”, pas shfaqjeve që jepte vetë teatri, mësuesit tanë na çonin shtëpi më shtëpi. Regjisor kishim të madhin Pirro Mani. Aftësitë e mia si aktore tashmë njiheshin edhe nga regjisorët tanë, por atë vit shkolla për aktorë ishte mbyllur dhe mua m’u desh të punoja një vit në trikotazh deri sa të çelej përsëri. Aty gjeta një trupë teatrore shumë të mirë me aktorë si K. Prifti, Ylli Trajçe, Keti Çili, Liza Dhimitri, Niko Qirici, Vangjush Qendro, me të cilët edhe sot e kësaj dite ruaj miqësi me shumicën e tyre dhe me punonjësit e repartit ku punova. Ndoshta edhe Zoti deshi të ndodhte kështu… Studimet në Tiranë do të më krijonin edhe mundësinë për të forcuar miqësinë time me shokun e shkollës, Petrika Riza… Në të vërtetë nuk e thosha më zë të lartë këtë gjë, por ndieja një lloj sigurie përpos diçkaje të pashpjegueshme që më shtynte drejt tij. Në pushimet e verës prisja kthimin e Petrikës nga xhirimet e filmave në Tiranë, i cili vijonte të ishte po ai shok i sjellshëm, i vëmendshëm, i respektueshëm dhe i dashur… ndaj dhe shoqëria me njeri-tjetrin na pëlqente.
Konkurimi im për aktore
Vitin tjetër më dërguan të konkuroja për aktore, por ditën e konkurimit u ndjeva në siklet, isha e drojtur, nuk dija si do dilja, udhëheqës artistik i kursit të parë do të ishte i madhi Kujtim Spahivogli, emocionet ishin të shumta. Recitova poezinë, “Kujtime për Prespën”. Dëgjova zërin e Spahivoglit që më tha: “Mjaft, nuk ka nevojë për më shumë!”. U drodha kur dëgjova fjalën “mjaft”, deri atë çast kisha menduar se isha e talentuar për të qenë aktore, habia ime u nxit edhe prej egos dhe sedrës time. “Po pse!”- pyeta, – unë, kam edhe materiale të tjera…”. “Nuk ka nevojë vajzë”,- ma ktheu. Atë çast nuk u ndjeva mirë, sepse mendova që nuk kisha fituar. Dola nga konkurimi më shumë se e mërzitur. “Do të shkoj për fizikë”, – i dhashë kurajë vetes, sepse ishte dega që më pëlqente, por në fakt e kisha fituar konkurimin, Spahivogli më kishte vlerësuar që në recitimin e parë, ndaj nuk kishte qenë e nevojshme të vazhdoja më shumë. Atë çast u ndjeva e lumturuar. Shoku im më i mirë edhe në Institutin e Lartë të Arteve, “Aleksandër Moisiu” mbeti Petrika, rrinim bashkë, shkonim edhe në konvikt, dilnim të dy, i kërkoja ndihmë për problemet e shkollës dhe të mësimeve. Edhe pse ishim dy natyra të kundërta vazhduam lidhjen njeri me tjetrin. Njeriun që e vështroja me zili kur ishim në shkollën e mesme, tani e kisha përkrah meje.
Talenti po na shpërblehej
Kur Petrika Riza ishte në vit të tretë të Institutit, regjisori I Kinostudios, Pirro Milkani e mori për një rol figutranti te filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, një rol figuranti i një ushtari gjerman, i cili mbart vlerat e çeljes së rrugës drejt filmit. Ndërsa në mbarim të vitit të katërt, Petrikës dhe Mevlan Shanajt iu ofruan role nga regjisori, i madhi Viktor Gjika, te filmi me metrazh të plotë, “I teti në bronz”. (Tashmë Gjika, nuk jeton më, ishte një nga regjisorët më të mirë dhe më kërkues të Kinostudios në atë kohë, siç ishte edhe regjisori Muharrem Fejzo etj). Petrika kishte rolin e Rustemit, ndërsa Mevlani të Ibrahimit. (Rustemi dhe Ibrahimi ishin vëllezër). Edhe për mua vitet e Institutit qenë të mrekullueshme. Kur ende isha në vit të parë, regjisori Pirro Mani, i cili punonte me kursin e vitit të tretë, më ftoi të luaja rolin e Violës te komedia “Nata e dymbëdhjetë”, por me qenë se nuk i plotësoi dot të gjithë personazhet, vuri në skenë një pjesë tjetër ku unë pata rolin e vjehrrës. Mundësi të tilla që në vitin e parë ishin të rralla ose të pamundura. Në vit të dytë pata rastin të luaja edhe një fragment nga një tragjedi ruse e Vishnjevskit, ku u vlerësova me notën më të lartë. Në vit të tretë vumë në skenë “Të pamposhturit” “e Mirush Jeros, ku luajta rolin kryesor, të nënës, Hava.
Propozime për të qendruar në Tiranë
Po atë vit Spahivogli krijoi Teatrin e të Rinjve, ku Mihallaq Luarasi vuri në skenë “Mosha e bardhë”, unë luajta rolin e Meribanit, ku si partner të parë në teatër profesionist kam patur Robert Ndrenikën. Vitin tjetër, te komedia lirike, “Ylli pa emër” me regjisor Mario Ashikun, pata një rol karakteri shumë të bukur. Në rolet kryesore ishin: Agim Qirjaqi, Astrit Çerma, Bujar Lako, Pandi Siku, Pirro Malaveci, Fatos Sela, Justina Aliaj etj. Kjo shfaqje më krijoi mundësinë të njihesha me aktorët e mëdhenj të Teatrit Kombëtar dhe ata të njihnin aftësitë e mia aktoriale. Në kohën kur u vendos të merrnin Vangjush Furxhiun në Tiranë, u propozua edhe emri im, por Korça nguli këmbë: “Mund ta merrni Furxhiun, nëse Klaudetën e dërgoni në Korçë!”. Sigurisht, Furxhiu shkoi në Tiranë. Pas kësaj bënë përpjeke të më mbanin edhe mua në Teatrin e të Rinjëve, por edhe kjo nuk u bë e mundur. Unë kisha edhe një arsye më shumë për të qendruar sepse edhe për Petrikën po bëheshin përpjekje për ta mbajtur në Tiranë, madje u emërua tri herë për të qëndruar në Tiranë dhe tri herë u çemërua, nuk e lanë të qëndronte as si pedagog në Institut dhe as si asistent regjisor në Kinostudio, ku për 6 muaj punoi si i emëruar, sepse Korça ngulte këmbë të kthehej në aty. Kështu ndodhi edhe me Minella Borovën dhe Llazi Serbon. Në atë kohë ekzistonte një ligj që të ardhurit nga rrethet, duhej të ktheshin përsëri në rrethet e tyre.
Petrika, aktor në Korçë
Petrika shkoi në Korçë. Teatri i Korçës në atë kohë ishte në kulimin e vet, kishte krijuar emër të mirë që nga fillesat e tij. Vajtjen në Korçë e priti mirë, nuk i mbeti peng mosqëndrimi në Tiranë, sepse e shihte të nevojshme të ishte pranë familjes; në atë kohë ishin ngushtë ekonomikisht, vetëm me rrogën e babait sepse nëna e Petrikës ishte e sëmurë, nuk dilte në punë, megjithatë punonte shumë për të përballuar nevojat e kësaj familje të madhe: gatimet, punët e shtëpisë e gjithçka tjetër, ku lodhej më shumë se një tjetër që punonte në kooperativë. Në Teatrin e Korçës Petrika gjeti një ambient artisëtësh të mëdhenj dhe një regjisor të mrekullueshem, si Mihal Luarasi. Një nga rolet e parë të tij në Teatrin e Korçës ishte Xhaxha Madhi te drama “Rruga e Madhe”, e Vangjush Zikos, pastaj erdhen role të tjera: Xho Keller te drama “Ishin të gjithë fëmijët e mi” e Artur Miler; Dhespoti Filothe, te drama “Plumbat e shkronjave” e Naum Priftit, e në vijim roli i hetuesit te shfaqja “Përbindëshi” e Agatha Krist, kryeroli i profesorit tek drama në vargje “Stuhi në Prill”, shkruar nga Skënder Luarasi, roli kryesor i Sofkinit tek drama “Koha në gjunjë, s’na ka parë” e Namik Dokles; Hilmiu tek drama “Të pamposhturit” e Minush Jeros, Marku te “Bijat e çobanit” e Vangjush Zikos, Duka te “Triptik”-u i Pushkinit, “Gosti në kohë kolere”, Ralf Komo te drama “Engjëjt e sketerrës” e autorëve francezë, Zhorh Bellok e Pol Kanten dhe kryeroli i babait tek tragjedia greke “Pazari”.
Kryerole të tjerë
Dhe sigurisht, Petrika ka interpretuar edhe kryerole të tjerë, si: Lini te drama “Njerëz dhe minj”, ku u vlerësua “Aktori më i mirë i vitit”; kapiteni Koks tek drama “Famur në dallgë” e Miliano Stefës; Marku tek drama “Vajza e Uzinës”; Abdi Sharra tek drama “Këneta” e Fatmir Gjatës; Xha Hekurani te drama e Riza Hysës, “Njerëz të afërt”; kryetari i Komitetit tek “Mësuesi i letërisë” e Ruzhdi Pulahës; roli i Aleksandrit te Madh të Maqedonisë, tek drama “Proskimes” e Miço Kallmatës, si dhe role të tjerë në zhanrin e komedisë, ku e tregoi veten edhe si aktor i humorit, ndër të cilët mund të përmendim rolet kryesore të Turhanit tek komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”; shefin e Policisë tek komedia “Kohë për t’u çemdnur” e Kiço Blushit; Mbreti Oberon tek komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit; babain te komedia greke “Puthja” e autorit Grigoris Ksenopulos; Çizon tek komedia e Astrit Çermës, “Qytetrrethimi”; Hetuesin te komedia greke “Hajdutët ikin në D.P.”; Kasapin tek komedia “Pallati i grave” e Erald Sojlit; hotelxhiun Kristaq tek komedia greke “Hipokritët e vegjël”; babain te “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços; Postierin Malo te komedia e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati”; Qazimin te komedia “Ju ftojmë në dasmën e babait”, të Petrit Koçibellit; Petron te komedia greke “Zonjusha 39 vjeç” e Aleksandër Saqellarit; Volponen tek drama me të njëjtin titull, etj.
Role në kinematografi
Petrika u miqësua shpejt me të gjithë, ishte tepër njerëzor, i çiltër, i mirëkuptueshëm, me humor dhe me një të qeshur të këndshme. Ishte një aktor që i duhej skenës shqiptare. “Por, nëse në hapësirën e skenës aktori Petrika Riza, improvizoi me sukses të dyja planet e aktrimit, – shkruan Miho Gjini,- në ekranin e kinemasë do të interpretonte role serioze, personazhe të karakterit dramatik, me psikologji të brendshme, si edhe karaktere të llojeve të ndryshme e të fushave shoqërore të ndryshme, të luftës, të punës dhe të mjediseve të veçanta. E gjithkund do të linte pas një vizion krijues që ka mbetur dhe është fiksuar në ekran, me dinjitetin e duhur të vlerave të artit”. Nga rolet e interpretuara në kinematografi, mund të përmendim: Rustemin te “I teti në Bronz”; Neimin te “Yjet e netëve të gjata” (nënë Pashako); kapitetin Koks tek telefilmi “Flamur në dallgë”; dajën e Petritit te filmi televiziv “Me hapin e shokëve”; Janushin te filmi “Një emër midis njerëzve”; shoferin e autobusit te filmi “Shokët e klasës sime”; zëvëndësministri, te filmi me dy seri “Fletë të bardha”; Abdi Shara tek telefilmi “Këneta”; Rrapi te filmi “Në fillim të verës”; Rusta tek seriali televiziv me pesë seri “Agimet e stinës së madhe”; Koço Sharko te filmi “Përballimi”; xhandari Qazim te filmi me dy seri “Rrugicat që kërkonin diell”; Xhaxha Madhi te telefilmi “Rruga e madhe” ;Kamjekami te filmi “Kush vdes në këmbë”; Dhespotin te filmi “Mësonjëtorja”, ku shënoi nivelin më të lartë artistik etj.
Vlerësimi i kolegëve për Petrika Rizën
Nga intervistat e kolegëve të Petrikës, duket vlerësimi I vlerave njerëzore dhe artistike për të, pedagogia vet Drita Agolli shprehet: “Kemi pasur shumë Riza aty në Institut, të gjithë ishin shembullorë, të displiniuar dhe aktorë të mirë, Petrika ishte edhe kujdestar i kursit, shembullor, njeri pa fjalë, dhe i etur për dije”; regjisori Mihallaq Luarasi: Petrika Rizën e njoh qysh në fillimet e veta, unë isha regjisor i Teatrit të Korçës kur ai erdhi në qytetin e vet dhe që atëherë u shfaqën tiparet e tij si aktor i talentuar, por më tepër si njeri, djalë shumë punëtor, i heshtur, i qetë, gjithmon jashtë konflikteve, jashtë fërkimeve me të tjerët, bënte punën e vet me përkushtim”; kolegët Timo Floko: “Petrika është shoku ynë i klasës, ka qenë i veçantë në një kuptim, ka patur maturitet që në moshën e rinisë, ka qenë korrekt, sillte një natyrë dhe një karakter të ngrohtë në përgjithësi që e zhvilloi më tej në marrëdhëniet me njerëzit”; Llazi serbo: Petrika çmohej për korrektesën, pikë që unë e kam dobësi. Petrika, bashkë me bashkëshorten e tij, ishin njerëzit më të përpiktë në disiplinën artistike, dhe këtë e them me kurajo. Petrika ka patur gama rolesh të ndryshme, është ndryshe tek “I teti në bronz”, ndryshe te “Yjet e netëve të gjata”, ndryshe të “Mësonjëtorja” me dhespotin, që ai e ka me shumë dinjitet”; Albert Minga: “Petrika është një aktor që e meriton fjalën “aktor” me stof aktori; veçanërisht për konstruktin e tij, për portretin tepër ekspresiv, për seriozitetin me të cilin i zbërthen personazhet dhe punën profesionale që bën për të arritur te personazhet e tij; Gëzim Kame: “Petrika ka një botë të pasur emocionale, zë të ngrohtë dhe fizik të madh që janë avanatazhe për skenën”; Tinka Kurti: Për mua Petrika Riza është një aktor i mrekullueshëm, partner shumë i dashur, dhe unë nuk do të harroj kurrë marrëdhëniet e mia me Petrikën gjatë xhirimit të filimit Nënë Pashako”; Guri Koço: “E them me gojën plot: Petrika Riza është edhe një aktor shumë i mirë komedie”.
Puthja e parë!
Petrika shkoi aktor në Korçë. Mëngjesin e të nesërmes ndieva mungesën e tij, nuk erdhi të më takonte ashtu siç bënte gjithnjë, m’u duk sikur kisha mbetur vetëm. Gjithçka rreth meje ishte bosh. Por nuk ndodhi ashtu, ai prapë mbeti i lidhur me Tiranën në proces te xhirimit të filmave si “I teti në bronz” dhe “Montatorja” .Ndihesha ndryshe sa herë takoheshim. Një radhë mbërriti me trupën teatrore të Korçës për të dhënë në Tiranë shfaqjen “Engjëjt e Skëterës”, të Pol Kanten dhe Zhorzh Bellak. Ishte një shfaqje shumë e bukur, sapo kishin filluar tendencat moderniste të shfaqura në vitet 1971-72, të cilat nuk e patën jetën e gjatë, sepse shumë shpejt u kthyem atje ku kishim qenë. Për mua dhe Petrikën kjo periudhë mbeti nga më të bukurat. Pata përshtypjen se kishim filluar ta donin njeri-tjetrin edhe me fort. Petrika vijonte të ishte ai që kishte qenë: i dashur, i qetë, i sjellshëm, ndërsa unë e entuziazmuar, i tregoja gjithçka me lëvizjen e duarve, me zë të lartë, pa u meraksor nëse dëgjonin njerëzit në rrugë, ndoshta ngaqë isha gjithnjë e sinqertë dhe s’kisha pse të druhesha. Në raste të tilla Petrika më thoshte: “Këtë histori e tregove për mua apo për spektatorin?”. Njëherë tjetër më tha: “Ty Klaudeta do të kenë thënë që Petrika nuk dëgjon mirë nga veshët!”, dhe qeshte. Një natë, pas shfaqjes, ndërsa po ktheheshim në konvikt, nuk e di pse mbetëm të heshtur, pa asnjë fjalë… një çast më pas duart tona u ndjenë të bashkuara… ndaluam diku rrugës së konviktit…befas në strehzën e një kioske e pamë veten duke u puthur… dhe përsëri asnjë fjalë. Ishte një prej netëve tona më të bukura. Pastaj vijuam të heshtur drejt konviktit. Kur arritëm te dera, Petrika më tha: “Epo… do iki unë tani… do takohemi prapë…” Pas mbrojtjes së diplomës, shkova në Korçë, mezi prisja të takoja Petrikën, tashmë takimet tona po më ngjasonin me lumturinë e “Vallëzimit të fundit”, kur ishim në shkollën e mesme.
Dashuria jonë e kërcënuar
Në vititn 1972, fillova punë në Teatrin e Korçës. Ishin kohë të bukura! Më pas shkuam në një turne me teatrin, ato ditë dashuria jonë ra në sy të të gjithëve. Dikujt prej njerëzve të teatrit (nuk dëshiroj t’ia përmend emrin) që nuk i kishte pëlyer dashuria dhe sjellja jonë në turne, tentoi ta kthente në çështje, por në analizën e turneut, nuk e përkrahu askush. Kështuqë unë dhe Petrika vazhduam si gjithnjë. Mirëpo pas ca kohësh në familjen time ndodhi një ngjarje që për atë kohë mund të ishte me pasoja për ne e familjen time. Edhe pse thellë-thellë, i trembesha humbjes së dashurisë me Petrikën, i tregova gjithçka që kishte ndodhur , duke qenë e ndërgjegjshme dhe mirëkuptuese për çdo vendim që do të merrte, sepse nuk doja që ai ta pësonte për hir të kësaj ndodhie. Petrika më pa me habi dhe pasi kuptoi gjendjen time më tha: “Ne e kemi zgjedhur tashmë bashkë këtë rrugë, kemi marrë dhe një vendim, kështu që çfarëdo që të ndodhë do të jemi përkrah njeri-tjetrit”. Ju hodha në qafë, fjala e tij më ngrohu… më shkriu gjaku. Pas disa ditësh erdhi në familjen time dhe iu tha: “Ju jeni familja e Kaludetës, jeni edhe familja ime, jeni prindërit e saj, por tani e tutje do të kini edhe një djalë tjetër, ne së shpejti do ta zyrtarizojmë lidhjen tonë”. U habita nga fjalët e Petrikës, foli si i moshuar dhe ishte vetëm 25 vjeç. Pas një muaji e gjysmë, më 2 janar 1974 u fejuam, unë isha 23 vjeç. Fal vendosmërisë së Petrikës për të mos e braktisur dashurinë tonë, ata që deshën të na bënin keq, kuptohet që u tërhoqën.
Çiftet e Tetrit të Korçës
Kur u ktheva në Korçë gjeta edhe disa çifte aktorësh (bashkëshortë): Qefsere dhe Vani Trako, Dhorkë dhe Dhimitër Orgocka, Vjollca dhe Aleko Prodani, Florika me Stavri Shkurtin dhe së fundi unë me Petrika Rizën, edhe si çifte patëm shoqëri të mirë e të sinqertë. Unë bashkë me Petrikën patëm fatin të interpretojmë drama jashtëzakonisht të fuqishme si “Denoncimi” e Ruzhdi Pulahës, një dramë që rrallë u bie në dorë aktorëve me personazhe të tilla. Petrika ishte në rolin e Prokurorit, Bekim, kurse unë në rolin e bashkëshortes së prokurorit, të cilët gjenden përballë një intrige; vajzën e tyre e kanë përdhunuar e kanë filmuar, kanë bërë afishe e video, dhe nëse prokurori do të dënonte një vrasës, të gjitha filmimet do të reklamoheshin dhe mendo ç’tragjedi familjare mund te ndodhte?…
Vlerësimet si aktore
Gjatë jetës time si aktore kam luajtur edhe role burrash, ku së fundi luajta rolin e Skënderbeut, asnjëri nuk më njohu, me përjashtim të vajzës sime të vogël, që më tha: “Mami,unë të njoha nga unaza që kishe në dorë”. Në vitin 1989, në Javën e artit skenik me kryerolin e Gazepes te drama satirë e vangjush Zikos, ” u vlerësova “Aktorja më e mirë”, këtë çmim e mora edhe te “Protagonist 2000”, si aktorja më e mirë e vitit, gjithashtu në vitin 2000 u vlerësova me “Emblema e artë”, kurse me rolin e nënës te drama “Kohë pa emër” e Ruzhdi Pulahës dhe regji të Dhimitër Orgoockës, u vlerësova “Aktorja më e mirë”, e Festivalit teatror të komedisë “Ballkan 2000”, çmim të cilin disa muaj më vonë e mora edhe në Gjilan të Kosovës, në Festivalin “Flaka e Janarit”. Në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi me rastin e 60-vjetorit të Teatrit të Korçës më vlerësoi me urdhërin e “Naim Frashëri i Artë”.
Petrika në verësimet e presidentëve
Petrika Riza, përveç çmimeve të tjera, si “Medalje pune”, “Naim Frashër i klasit të dytë”, është është vlerësuar edhe me dy çmime të mëdha nga Presidenca: në vitin 2003 me medaljen “Naim Frashëri i Artë”, kurse më 2 shkurt të këtij viti me medaljen “Mjeshër i Madh”,. Petrika është edhe iniciuesi i Festivalit teatror të komedisë “Ballkan 2000” si dhe drejtor i teatrit “Andon Zako Cajupi” gjatë viteve 1998-2004. Besojmë se me punën tonë kemi nderuar edhe dy vajzat tona, njëra stomatologe, tjetra gazetare si dhe mbesën tonë të shtrenjtë. Mirënjohje publikut që na ka ndjekur e duartrokitur gjatë gjithë jetës tonë artistike. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e saj për veten dhe bashkëshortin, aktorja e mirënjohur Klaudeta Riza.
PETRIKA RIZA, ROLET NË KINEMATOGRAFI E TELEVZION
Në kinematografi ,Petrika e ka filluar kontibutin e vet me rolin e Rustemi te filmi “I teti në bronz”; më pas me rolin e brigadierit te “Montatorja”; Neimin te “Yjet e netëve të gjata”. (Nënë Pashako); kapitenin Koks tek telefilimi “Flamur në dallgë”; dajën e Petritit, tek filmi televiziv “Me hapin e shokeve”; Janushin tek flimi “Një emër midis njerëzve”; shoferin e autobuzit, tek flimi televiziv “Shokët e klasës sime”; zëvëndësministrin tek filmi me dy seri “Fletë të bardha”; Abdi Shara tek telefilimi “Këneta”; Rrapi tek filimi “Në fillim të verës”; Rustën tek seriali televizim me 5 seri; “Agimet e stinës së madhe”; Koço Sharko tek filmi “Përballimi”; xhandarin Qazim tek flimi me dy seri “Rrugicat që kërkonin diell”; Xhaxha Madhin, tek telefilimi “Rruga e Madhe”; Kajmekamin tek flimi “Kush vdes më këmbë”; Tahiri te “Dasmë e çuditshme”; Dhespotin tek filim “Mësonjëtorja”, ku shënoi edhe nivelin më të lartë artistik etj.
KLAUDETA RIZA, ROLET NË TEATËR
Ndërsa unë kam luajtur qysh në fakultet në vitin e tretë, kryerolin e Nënë Havasë, te drama “Të pamposhturit” e Minush Jeros; po në vitin e tretë kam luajtur Madmauzel Kuku, te komedia rumune, “Ylli pa emër”; në vitin e katërt kam luajtur rolin e Meribanit te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, me partner të madhin Robert Nderenika, ndërsa kur erdha në teatër, kam luajtur rolin e Lonevicës (një personazh i thyer në moshë) te drama “Këneta” e Fatmir Gjatës; rolin kryesor të Pranverës te drama “Rruga e madhe” e V. Zikos; kryerolet te “Prova e rritjes” dhe “Troket historia”; mësuesen e matematikës te drama “Mësues i letërisisë”; kryerolin e nënës Semi te “Denoncimi” i Ruzhdi Pulahës; Dhespina te “Pazari”- komedi greke, dhe te komedia “Zonjusha 39 vjeç”, rolin e zonushës, Krisanthi; Rajmondën te komedia “Kur çel dashuria” e Teodor Laços; Hanxhesën tek drama e Naum Priftit, “Plumbat e shkronjave”; Vullnetaren tek komedia e Ruxhdi Pulahës “Zonja nga qyteti”; kryerolin e Lumturisë, te “Troket historia” dhe Donika te “Procesi i hapur” e Shpresa Vretos. Ndërsa si role kryesore mund të përmend: “Zonja e shtëpisë” te drama “Përbindëshi”; Nëna te shfaqja e Ruxhdi Pulahës “Kohë pa emër”; Frosina te “Kopraci” i Molierit; Lucia te “Interesi i përgjithshëm”; Nëna te “Zgjohu Vasil”, Nëna te “Fryrja” dhe Nëna te drama “Për këtë truall” të Teodor Laços; Motra e Stasit te “Një nuse për Stasin; Gruan e aviatorit te “Pallati i grave”, Raimonda te “Shtëpia në rrugicë”, Aspasia te “Karnavalet e Korçës”, e Spiro Çomorës; Egra te drama “Era e Lartësive” e N. Dokles, Shpresa te komedia “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës
Role te tjera
Parnela te komedia “Tartufi” e Molierit, Zhulieta te drama “Koka e tjetrit” e Marsel Eme, Sariqe te drama “Paja” e Di Maxhios, Nënë Rina te drama “Zeko Shkoza” e R. Pulahës, Xheni te drama “Opera për dy grosh” e Brehtit, Suzana te drama “Ishin të gjithë bijtë e mi” e A. Miler, Myrveti te drama “ Qytetrrethimi” e A. Çermës, Emilia, te tragjedia “Otello” e Shekspirit, Kontesha te “Lakuriq me violinë”, gruan e aviatorit te komedia “Pallati i grave”, mamnë e nuses, te komedia “Nusja modern”; nënën te komedia greke “Zgjohu Vasil”, nënën te “Qytetrrethimi”; Folerncën te komedia e Pëllumb Kullës “Kështu të dua”, nënëN te komedia greke “Hajdutët ikin në D.P” etj.
Në estradë: Kam interpertuar në shumë spektakle, madje për gati dy vjet, mbajta peshën kryesore në trupë, si rolin e profesores te skeçi “Bosi dhe profesorja” që m’u bë emër i dytë, shumë njerëz më thërasin me emrin e personazhit- profesore; Krisën tek “Bishti i shqiptarit”, një skeç që fatmirësisht e kam interpretuar me të madhin Aleko Prodani dhe Arben Dervishin, skeçi i vdekjes “Grykësit” që spektatorët na i kujtojnë batutat gjithandej, shkruar ngë Petrit Koçibeli; Gjyshen te skeçi “Gjyshja e Droguar”; Gruan te skeçi Letër nga Larg”. Shitësen te skeçi “Mall vendi”; Evën te skeçi “Eva dhe Adami” Nënën te skeçi “Pronarët”, si dhe dhjetra role të tjera.
Komentet