“Besa, kjo mrekulli e botës shqiptare, me të cilën
ndiesia heroike e detyrës dhe e nderës, e sheroi
gjatë shekujve plagën etnike të indvidualizmës”
At Zef Valentini
E them këtë me bindjen më të madhe se kjo ndodhë vetëm në Shqipëri! Mjafton të shikosh foton më poshtë që flet aq shumë për bashkjetesën fetare në Shqipëri. Eh, sikur edhe politika shqiptare të gjente një gjuhë, sadopak të përbashkët konsensusi, për të nxjerrur Shqipërinë dhe Kombin nga humnerat politike, eknomike dhe kombëtare në të cilat e kanë zhytur sot e mbi tri dekadat e kaluara.
Megjithkëtë, duke shikuar këtë foto dhe vendin ku është marrë dhe për çfarë rasti, njëherazi, kam edhe besimin e palëkundur se — pavarësisht politikës aktuale konfliktuale dhe korrupcionit të gjithëanëshëm të politikës shqiptare dhe të aparatit shtetëror – Shqipëria mund dhe duhet të bëhet.
Kjo foto e udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri nuk është marrë në ndonjë piknik pranveror, por tregon pjesëmarrjen vëllazërore të këtyre udhëheqësve fetarë të Shqipërisë, në përurimin e Qendrës Kulturore-Sociale, “At Zef Valentini, SJ” dhe kumbonaren e Kishës Famullitare, “Zemra e Krishtit” në Tiranë, e drejtuar nga etërit Jezuitë shqiptarë.
Burime nga Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës, pëfshir portalin e saj nga ku u morën këto foto, njoftojnë se ceremonia e përurimit dhe bekimit solemn u mbajt të shtunën e kaluar, më 18 maj, në prani të autoriteteve kishtare, Kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj dhe Eprorit të Përgjithshëm të Jezuitëve, At Arturo Sosa dhe autoriteteve përfaqësuese të komuniteteve fetare, civile e kulturore të vendit, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve e miqve. Në këtë frymë përbashkimi pa dallim feje, hapësira e Qendrës, “At Zef Valentini” në Tiranë, sipas të dhënave të botuara, do të shërbejë, përveç tjerash, si librari, ambiente kulturore e arsimore e sallë konferencash, dyertë e të cilës do të jenë të hapura edhe për qytetarët, të rinj e të reja, që angazhohen në mbrojtjen e themeleve e të drejtave të shoqërisë dhe vlerave më të larta njerëzore. “Kjo qendër kulturore sociale e do të jetë jo vetëm multifunksionale, por edhe një pikë referimi në Shqipëri, për t’i bashkuar njerëzit që e duan kulturën, që nuk harrojnë të kaluarën dhe që punojnë me dashuri për vendin, fenë, dijen, të ardhmen në Shqipëri”, shënon Radio Vatikani në gjuhën shqipe.
Historikisht, urdhëri i Jezuitëve në Shqipëri ka një histori të lavdishme në trojet shqiptare dhe prania e Jezuitëve në kryeqytetin shqiptar, në këtë periudhë të historisë kombëtare, merr një rëndësi të veçantë dhe të rëndësishme për ditët e sotëme dhe të ardhmen – një mision që udhëheqsi i Urdhërit të Jezuitëve në Tiranë, Át Zef Bisha S.J e cilësoi si, një shprehje e vazhdimësisë së misionit të sotëm të Jezuitëve, në përputhje me traditën e tyre të rëndësishme e të lavdishme në trojet shqiptare, që nga viti 1841.
Me pjesëmarrjen e autoriteteve fetare të Shqipërisë ditën e shtunë, më 18 maj 2024, është përuruar Qendra Kulturore-Sociale “Atë Zef Valentini SJ”, pranë Kishës Famullitare “Zemra e Krishtit” në Tiranë, ku shërbejnë etërit Jezuitë.
Prandaj përurimi i kësaj qendre fetaro-kulturore në Tiranë përshkruhet nga zëdhënsit e përurimit të saj, si multifunksionale e që do mbajë emrin e At Zef Valentinit, albanologut jezuit të njohur italian, njeriut të palodhëshëm për dekada, Jezuitit i cili ka lenë pas dyzina veprash të botuara mbi kulturën dhe gjuhën shqipe, mbi historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Si i tillë, sot e kësaj dite, At Zef Valentini njihet si njëri prej albanalogëve më të mëdhej të botës shqiptare. Ishte dhe mbetet ndër më të njohurit kёrkues shkencor nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme, sidomos, tё Vatikanit dhe Evropёs, mbi historinë e Shqipërisë e tё shqiptarёve siç dëshmojnë shumë vepra e shkrime, lenë pas prej tij, përfshir bashkpunimin e tij me revistën Shëjzat të Ernest Koliqit, mikut dhe bashkpuntorit të tij të ngushtë.
Qëllimi i këtij shkrimi modest nuk është për të folur për veprat dhe kontributet e At Zef Valentinit, por është një shikim fluturimthi për lexuesin se kush ishte/është At Zef Valentini në emër të cilit u pagëzua Qendra e re në emër të tij në Tiranë. Megjithë denigrimet dhe fyerjet ndaj tij nga regjimi komunist dhe apologjetët e tij edhe në ditët e sotëme – At Zef Valentini mbetet emri përfaqësues më i njohur i jezuitëve, por jo vetëm, në Shqipëri sa i përket kontributeve të tija në fushën e historisë, gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare. Por, pa harruar Atë Giovanni Faustin SJ, edhe ai misionar italian dhe Atë Daniel Dajanin, jezuit shqiptar – viktima të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndër shumë të tjerë klerikë të vendit, të martirizuar nga regjimi sllavo-komunist.
Me rastin e 500-vjetorit të Kryetrimit të Kombit, Gjergj Kastrioti -Skenderbeg, Papa Pali i VI në fjalimin e tij para shqiptarëve emigrantë nga mbarë bota të mbledhur në Vatikan me atë rast (1968) u kishte bërë thirrje që, ndër të tjera, të mos harronin At Valentinin, shkrimtarin dhe albanologun e njohur të përkushtuar ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare: “Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai u dashuron me zemër. Çmojeni se ai punon papra për t’ia bërë të njohur botës vlerat shpirtërore e artistike tuaja. Ai është i juaji pse ia ka kushtuar çështjes suaj, mendjen e zemrën e vet”.
Rëndësinë dhe rolin e kësaj qendre në kryeqytetin shqiptar, pagëzuar me emrin e At Zef Valentinit, më së miri e ka përshkruar Eprori i jezuitëve në Tiranë, Át Zef Bisha S.J, që është shprehur për Radio Vatikanin se, “Kjo qendër kulturore sociale do të jetë jo vetëm multifunksionale, por edhe një pikë referimi brenda e jashtë Shqipërisë, për të bërë bashkë njerëzit, që e duan kulturën, që nuk harrojnë të kaluarën dhe që projektojnë me dashuri për vendin, fenë, dijen, të ardhmen”.
Frank Shkreli
KUSH ishte/është Ar Zef Valentini, sipas të ndjerit Moikon Zeqo: Moikom Zeqo: In Memoriam për At Zef Valentinin | EuroEmigrant (wordpress.com)
“Zef Valentini është jo vetëm një emër emblematik, dijepërhapës dhe kulturëpërcjellës. Ky emër ka koncentruar një materie të dendur shkencore. Të jesh brenda tij do të thotë të ringjallësh hulumtime të ngjashme, të jesh jashtë tij, do të thotë të tejkalosh arritjet diturake, kulturologjike, gjë, që në thelb është të rikthehesh prapë tek ai. Kështu emri i Zef Valentinit është një Medium ndërmjetës, i pashmangshëm, ai mund të quhet një mentor shpirtëror i raporteve të Shqipërisë me Venedikun në shekuj, ai është gjithashtu një rojtar grifon i një thesari ende të pazbuluar plotësisht…”.
“Por kryemjeshtri i botimit të dokumenteve venedikase për Shqipërinë është padyshim i paharruari Zef Valentini. Nga thellësia e zemrës unë mund të shprehem:Nderim Zef Valentinit! Do të ishte jo vetëm honorifike, por edhe morale si dhe mirënjohje e madhe, që Shqipëria të kish festuar 100 vjetorin e lindjes së tij para 3 vjetësh. Shkrimet e pafudme e librat e botuar nga Valentini përbën një korpus të pashembullt. Ai është nga albanologët më të mëdhenj të të gjithë kohërave dhe me të drejtë poeti dhe dijetari Martin Camaj e vlerëson Valentinin jo vetëm “Historiani më i madh i kohës, jo vetëm i Shqipërisë, por një ndër më të mëdhenjtë e Gadishullit Ballkanik”. George Shtatmyler e vlerëson kryeveprën e Valentinit “Acta Albaniae Veneta” si shprehje të mahnitëshme të këmbënguljes së tij të famshme për erudicion.
Zef Valentini duke mos qenë etnikisht shqiptar ju afrua kulturës dhe gjuhës shqipe më në substancë se sa vetë shqiptarët. Ai përfaqëson tipin e klerikëve humanistë të kulturës baroke, enciklopedike si askush tjetër. Kryesore për njohjen e veprimtarisë së Valentinit është padyshim bibliografia e shkrimeve të tij paraqitur për herë të parë nga dietari i ndjerë Vinçens Malaj. Për të ka shkruar edhe Vili Kamsi. Në Arkivin e Shtetit është gjithashtu një dokumentacion i hatashëm prej njëmijë e ca referencash, përpiluar prej Zef Valentinit për Historinë e Shqipërisë. Do ishte kuptimplote një skulpturë e Valentinit në Muzeun Historik Kombëtar. Valentini me botimin e koleksionit të mahnitshëm të dokumenteve është prijëtar dhe pishtartregues si dhe udhëhapës, njësoj si Farlati,Shuflai, Jeriçeku etj. Të vjen keq që ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli dhe s’kemi asnjë botim kushtuar Valentinit në Shqipëri apo ribotime jetike referenciale të veprave të tij të panumërta. Besoj se puna e tij nuk mund të quhet e shteruar por struktura treguese dhe shembullore për tërë hulumtuesit e ardhshëm. Interesat e Valentinit janë polivalente dhe të shumëfishta. Ai njeh shkelqyeshëm fondet burimore, dokumentacionin shkrimor, ai studion kanunet e popullit shqiptar, folklorin, krijimtarinë artistike, pikturën religëioze, muzikën madje dhe kinematografinë dhe eseistikën letrare moderne. Ai është autori i shumë syzheteve madje dhe i rikonstruksioneve arkitektonike të kishave të Shqipërisë siç është ajo e Shën Stefanit brenda kështjellës së Shkodrës…”.
At Zef Valentini: “Prijëtar dhe pishtartregues si dhe udhëhapës…” ka shkruar i ndjeri Akademik Moikon Zeqo