“Historia duhet të jetë ajo që të na tregojë se si të mos përsërisim disa nga gabimet që janë bërë ose disa nga eksperiencat që kemi kaluar.”
“Ne nuk dimë shumë gjëra për të gjithë krimet e komunizmit në vendin tonë. Krimi më i madh është antinjeriu, është mënyra se si është shkatërruar Uni njerëzor, duke filluar te familja.”
Studiuesja e njohur Keda Kaceli, hulumtuese dhe përkthyese në italisht e veprës së At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, ishte e ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV në një bisedë për tema të ndryshme që preokupojnë sot shoqërinë shqiptare, duke filluar që nga shpopullimi, masat që po merr Kosova fqinje për të nxitur lindshmërinë, braktisja e moshës së tretë dhe politikat që ndjek qeveria shqiptare, krimet ende të pagjykuara të diktaturës etj.
Ishin dy moderatorët, Flavio Qarri dhe Ola Bregu, që e zhvilluan bisedën me studiuesen
Kafe Shqeto: Znj. Kacel, po e nis me të dhënat paraprake nga Censusi. 1.7 apo 1.8 milionë banorë kanë mbetur në vend.
Keda Kaceli: Pak a shumë aq sa kemi qenë pas Luftës II Botërore, që është realisht e tmerrshme, sepse Censusi i vitit 1036 ka pas nxjerrë pikërisht këto shifra, pak a shumë dhe … është e tmerrshme.
Kafe Shqeto: Disa nga burimet thonë se popullsia është e njëjtë sa në kohën e Zogut.
Keda Kaceli: Pikërisht, kjo është e tmerrshme sepse në kohën e Zogut kishte një pjesë të mirë e popullsisë që ishte shumë e pasur, aktualisht varfëria ka kapur nivele të tmerrshme. Censusi, përveç faktit që po e mbajnë të fshehur, është tepër shqetësues. Është tmerrësisht shqetësues, se janë larguar mbi 1 milionë.
Kafe Shqeto: Thonë se është larguar krahu i punës, por me sa duket janë larguar dhe persona me aftësi riprodhuese.
Keda Kaceli: Sigurisht, sepse krahu i punës sigurisht që do të krijojë famije; është pikërisht trendi i moshës rinore që ikën, që kërkon jetë më të mirë, që mundohet për të krijuar të ardhmen e vet dhe detyrimisht krijon dhe familje dhe nuk ka si të mos e kuptojmë faktin që do të krijojë familje në vendet e huaja ku mundësitë janë pa dyshim më të mira.
Kafe Shqeto: Lind një emigrant të brezit të dytë kur shkojnë atje…
Keda Kaceli: Tashmë të brezit të tretë rrezik, sepse brezi i dytë është stabilizuar. Unë kam 30 e ca vite që jam fëmijë emigrantësh. Pra, unë kam ikur fëmijë dhe i bie që unë duhet të kisha fëmijët e e mi më të mëdhenj se ç’kam ikur unë vetë e kjo është tepër shqetësuese. Ne po po popullojmë vendet e tjera të Europës. Shqipëria gjeografikisht është në qendër, në zemër të Evropës dhe si vend ndër vendet e Evropës, jemi më pak me lindshmëri, me vdekshmëri. Të gjithë parametrat janë tmerrësisht në bjerrje të vazhdueshme dhe kjo është tepër shqetësuese.
Kafe Shqeto: Znj, Kaceli, të bëjmë një krahasim. 500 euro për çdo grua që lind në komunën e Rahovecit dhe 400 mijë lekë që ofrohen nga qeveria në vendin tonë e që nuk dhanë efekte pozitive, po përkundrazi.
Keda Kaceli: Padyshim, se pikërisht në këtë katërvjeçarin e fundit është shtuar numri i të ikurve, kështu që kush do të lindë këtu?! 60-vjeçarët?! 80-vjeçarët?! Këtu edhe po tkurremi. Domethënë popullsia jonë është ndër popullatat më të plakura fatkeqësisht, këtu ne po lemë moshën e tretë. Për më tepër po e lëmë vetëm, që është dhimbje mbi dhimbje. Pra, veç shpopullimit, kemi dhe faktin se është edhe braktisja. Kush merret me moshën e tretë?! Këtu nuk kemi as struktura për moshën e tretë. Këtu nuk ka asgjë.
Kafe Shqeto: Kemi nga ato sanitaret që i rrahin pleqtë.
Keda Kaceli: Është një tmerr i vërtetë, janë krime. Nuk çuditem, duke qenë se baza antishqiptare këtu ka mbi 80 vjet që ushqehet, kështu që mua nuk më çudit edhe fakti që kemi sanitare që rrahin sepse edhe jeta e sanitareve është e tillë që shkon drejt asaj.
Kafe Shqeto: Rikthehemi në një aspekt tjetër, se ka një aspekt që është më shumë filozofik se praktik. Nëse i rikthemi përkthimit tënd të “Rrno për me tregue” dhe parathënies së një personazhi legjendar tashmë si Silvio Berlusconi, duket sikur ai ishte profetik në parashikimin e tij se pikërisht harresa ndaj një sistemi të tillë do të sillte drama edhe më të forta.
Keda Kaceli: Pa diskutim! Kush e harron të kaluarën e vet është i destinuar ta ripërsërisë historinë. Historia jemi ne, sepse jemi ne ata që e bëjnë, jeni ne ata që e jetojnë. Është edhe ky aspekt, që me parametrat e sotëm nuk mund të gjykojmë të kaluarën, megjithatë historia duhet të jetë ajo që të na tregojë se si të mos përsërisim disa nga gabimet që janë bërë ose disa nga eksperiencat që kemi kaluar. E thashë edhe dje te “Rrugica e lirisë” që kush harron, është i destinuar të rishikojë dhe të rijetojë atë që po jetojmë sot.
Ne kemi rënë në një diktaturë. Unë e quaj Diktatura 3.0, sepse 2.0 ishin këto 12 vitet e fundit, sepse përfundimisht nuk ka më pluralizëm e për t’iu kthyer asaj që edhe padër Zefi më ka lënë amanet, do të ishte mirë që të tregohej. Unë dje i tregova në njëfarë mënyre njerëzve që ishin atje, atyre qëndrestarëve që nuk po jepen, nuk po dorëzohen dhe kjo është e vetmja mënyrë për të mos e përsëritur edhe të kaluarën, edhe krimet që janë bërë që as nuk janë ndëshkuar, nuk janë gjykuar. Madje, as nuk janë hulumtuar mirë.
Ne nuk dimë shumë gjëra për të gjithë krimet e komunizmit në vendin tonë. Krimi më i madh është antinjeriu, është mënyra se si është shkatërruar Uni njerëzor, duke filluar te familja. Askush nuk e diskuton aspektin se nuk ishim bij të familjeve tona, domethënë hiq pjesën që e mbante të fortë atë lidhjen me genin e vet, me traditën e ishim “bij e bija partie”.
Ti kape aspektin filozofik, por është pikërisht te aspektet më të thella të matricës ideologjike, aty fillon gjithçka. Duke shkatërruar Unin familjes, u shkatërrua gjithçka që ishte tradita e zejtarisë, tradita e bujqësisë… Kolektivizimi çfarë solli?! Domethënë, jo vetëm që janë aspektet e krimeve të vrasjeve të shkatërrimit e të djegies, të prerjes, të internimeve, po ato që nuk kemi quajtur krime, ajo mënyrë se si është formësuar, se si është edukuar populli, domethënë është ajo mënyra se çfarë edukate kemi marrë në shkolla. Se thonë kanë qenë shkollat “e mira”, ka pasur “vlera”! “Mjekësia e mirë, shkolla e mirë, kishim rregulla”!!!
Cilat rregulla??? Se komunistët kur erdhën në pushtet mbaruan punë me elitën e kombit, po pastaj iu vunë gjithë popullit! Pra, nuk të bëri vetëm armik të ideologjisë, të bëri armik të popullit. Dhe armik i popullit është një term shumë i rëndë. Është term shumë i rëndë, sepse populli është ai entiteti që e mban…Ka qenë një praktikë e vazhdueshme e përditshme e Urrejtjes së Aplikuar.