Publikohen disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
STUDENTËT
Po iu kthehem viteve 1990-‘91. Pas Kavajës, në Tiranë studentët u ngritën dhe filluan lëvizjen studentore për një jetë të re, për një sistem të ri politik, për një të ardhme më të mirë, të bukur, për liri e demokraci, për lirinë e fjalës, 50-vjet të mohuar barbarisht.
Ditën që rinia shkuli me themel dhe hodhi poshtë bustin e diktatorit Enver Hoxha, nga sheshi, jo shumë larg bustit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, me atë shikim burrëror, sikur donte t’i thoshte diktatorit:
“Për atdheun tim, Shqipërinë e popullin tim shqiptar, i hodha poshtë të gjitha ofiqet që më ofroi Sulltani, kurse ti ishe i pangopur me çdo gjë, edhe me gjakun e popullit e të shokëve të tu!
Doje të bëheshe zot mbi zot, por në të gjithë botën ka vetëm një Zot! Atë që kërkove, atë gjete”! Atë ditë që ndodhi kjo ngjarje e paharruar, Bardhi dhe Xhevdeti, ishin për darkë tek halla, në Tiranë. Ata ishin të pranishëm në shkuljen, si një dhëmballë e prishur, të përmendores së tiranit Enver, nga studentët dhe populli liridashës.
Ishin me dhjetëra qytetarë edhe nga Kavaja, edhe nga të fisit të Bardhit! Njerëzit nuk ngopeshin duke e tërhequr zvarrë, si një qen të ngordhur. Kur erdhën në shtëpi, po shikonin lajmet. Xhevdeti e pa veten në televizor dhe thirri i befasuar: “Oh! Ja, ja ku jam! Më paska kapur edhe mua kamera”!
Për fat të keq, ai i kishte ngrënë ca shkopinj gome, vendi i qe ënjtur e i qe nxirë. Por nuk ndiente dhimbje. Ndiente krenari e gëzim dhe nuk gjente dot fjalë për t’i treguar këto ndjenja.
“Tashti, edhe të vdes,- më thoshte me lot në sy,- nuk jam pishman, sepse për shkak të atij njeriu të pashpirt, u dogjëm e u përvëluam. Pishman e kam se nuk shkova të vendosja një tufë me lule, tek varri i babait tim në Australi, e t’i thoja:
“Baba, ti fole për Shqipërinë, the se këtu s’ka liri të fjalës, fole për të drejtat e njeriut, për mbylljen e vendit tënd nga bota e, për rrjedhojë, në atë kohë jeta jonë u bë sterrë, u bë ferrë nga gjembat helmues të atij sistemi. Tashti fli i qetë, se atë njeri, që të bëri të marrësh arratinë, e na le ne si copa mishi, e tërhoqëm zvarrë, nga varri e nxorëm”!
VDEKJA E IJES
Atë grua fatkeqe, që ishte nëna e Bardhit, e quanin Naile, por të gjithë e thërrisnim Ije, siç thërrasin kavajasit nënat. Ija pati një fat të keq, vetëm 11 vjet martesë gëzoi, pasi iu arratis burri jashtë shtetit, në Itali dhe më vonë në Australi.
Ishte viti 1944, kur ai iku dhe la katër djem të vegjël. Në vitin 1939, e kishte lënë qytetin e tij, Kavajën, e kish shkuar në qytetin e Fierit. Burri i saj, Musa Cara, ishte tregtar. Mirëpo bashkimi me “Ballin Kombëtar” solli arratisjen e tij jashtë vendit.
Po të rrinte këtu, e priste vdekja e sigurt. Ishin ditët e para të pasluftës. Vendi ishte i rrënuar nga lufta, mjerimi ishte ulur këmbëkryq kudo. Fukarallëku e skamja. ishin futur në çdo vatër.
Musa Cara kishte qenë eksponent i “Ballit Kombëtar”, dhe qeveria e Enverit, këta njerëz i quante armiq të popullit, duke i dënuar, të pranishëm ose në mungesë. Ashtu vepruan me ne. Të gjitha pasuritë ia konfiskuan Musa Carës: dyqanet, makinat, mallin, tokën për shtëpi, magazinat, shtëpinë dykatëshe ia kthyen në çerdhe, tokën e ndanë për troje, kështu që fëmijët e tij, ngelën me gisht në gojë!
Ija ishte shumë e re në atë kohë dhe, bashkë me vjehrrin e saj, xha Lamin, përballuan shumë vështirësi në jetë. Nailja pati sjellë pajë të madhe, e cila iu gjend për ato ditë të zeza e të vështira. Sepse dhënia e pajës për vajzën që martohej, ishte traditë e Kavajës; kishin, s’kishin, gocave ju jepnin pajë, kush më shumë e kush më pak.
Kohë të vështira. Fëmijët kërkonin bukë për të mbushur barkun, se ishin të vegjël. Ija, me sy të përlotur, e detyruar nga skamja, filloi të shiste bukuritë e asaj paje, për të cilën kishte qorruar sytë e vet, duke i qëndisur me duart e saj.
Kur i rriti fëmijët e, ata u bënë për punë, Ija i martoi dhe pandehu se me aq i ishin mbaruar hallet. Por pikërisht atëhere, filluan hallet më të mëdha e, më të hidhura: arrestimi dhe burgimi i djemve, internimi i familjes, provokimet e herëpashershme e, më në fund, eliminimi fizik, i dy djemve të mëdhenj, nga njerëzit e pushtetit komunist enverjan, e shtrënguan, e mblodhën dhe e bënë një grusht.
Duroi si kallëp, por me shpirt jo. I humbi durimi, se e dinte që shkëmbit, nuk i bihej me kokë, pavarësisht se djemtë e saj, ishin të pafajshëm. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Deveja duroi 40 vjet, por më në fund plasi”!
Erdhi dita kur nënë Nailja, ose Ija, u sëmur nga depresioni. E shtruam në spital. Nga tensioni i lartë, në moshën 61 vjeçe, aty në spital, i plasi syri, pikërisht në duart e mjekëve, të cilët nuk treguan kujdesin e duhur. Më pas Ija, kaloi në sklerozë. Nuk dinte çfarë bënte.
Por ajo pati kujdes shumë të madh, nga mbesa e saj, Irma, që e mbajti shumë, shumë, gjyshen e vet. Pas shumë vuajtjesh e sikletesh, ajo u nda nga jeta më 8 janar 1993. Vdiq e martirizuar. Ija, veç sëmundjeve e vuajtjeve, nuk pa asnjë ditë të gëzuar.
Jeta e saj ka qenë e zezë, siç thotë populli: “Delja që lind e zezë, edhe kur e therin ose ngordh, e zezë është prapë”. Kështu na vdiq Ija, pa parë e gjora asnjë ditë të bardhë. Djemtë e saj, nuk mund të bënin dot asgjë për nënën e tyre, që i rriti me shumë mundime e sakrifica të mëdha.
Jo se nuk donin, por ata nuk patën asnjë mundësi, për t’ia shpërblyer asaj. Ija u përcoll për në banesën e fundit, me shumë respekt. Si shpërblim për jetën e saj plot vuajtje, ajo mori vetëm një varr, që ia bëri i nipi i saj Arian Cara. Nënë Nailja, do të mbetet e paharruar në jetë të jetëve!
EKSODI I DYTË
Pasi ishin shpërthyer dyert e ambasadave në Tiranë, shumë shqiptarë, pa pyetur për moshën, rrinin të ngujuar brenda mureve të ambasadave, në pritje për t’u nisur drejt një jete të re e më të mirë. Ata morën rrugët e kurbetit duke vënë kokën në torbë. Pasi kaloi eksodi i parë në marsin e vitit 1991, më vonë u hap fjala për një eksod të dytë.
Në fakt, qysh në eksodin e parë deshëm të iknim dhe ne, por sëmundja e Ijes, prej vitesh na bëri të qëndrojmë pranë saj, sepse sakrificat e saj, për t’i rritur të katër fëmijët, kërkonin edhe mbështetjen tonë.
Një ditë morëm vesh, se do të hapeshin portet, prandaj shkuam në Durrës. Ishte hera e dytë që shkonim si familje. Kësaj radhe Durrësi, ishte i rrethuar me sampistë e me forca speciale me skafandra. Në Durrës kishin ardhur njerëz nga shumë qytete e fshatra dhe prisnin me padurim hapjen e portit.
Ata rrinin e prisnin si gjynahqarë nëpër lulishtet, që ishin afër portit. Sampistët, ndoshta morën ndonjë urdhër, sepse pastaj u turrën si bisha drejt turmës, e cila u shpërnda me vrap, e frikësuar, ca andej e ca këndej, në drejtime të ndryshme.
Nuk më harrohet kurrë një i ri nga Librazhdi, i cili ishte ulur në trotuarin në anë të lulishtes e, po hante bukë. Në atë lulishte po rrinim edhe ne. Sampistët erdhën nga rruga tjetër e, veç kur u gjendën përpara nesh! Ne nuk mundëm të lëviznim e, as ai nuk iku.
Ata iu drejtuan të riut dhe e pyetën: “Nga je ti”? – “Nga Librazhdi”, – u përgjigj ai, me gojën të mbushur me bukë. “Ke ardhur këtu për të ikur”?- e pyetën ata me arrogancë. Si duket ata kishin marrë urdhër, që ta vrisnin, edhe pa marrë përgjigjen e tij.
Pa e bërë të gjatë dhe pa u menduar, njëri prej tyre ia shkrepi “Kallashin” në kokë. Gjaku shpërtheu në çast, e i shkoi si vijë uji rrëzë trotuarit. Turma e pa që u vra një njeri dhe e tmerruar iku me vrap, sa i hanin këmbët. Ky i ri, me sa dukej, u bë shembull për të tjerët, që të frikësoheshin e të iknin prej portit. Ne kishim ngrirë afër tij, me fytyrën e një të vdekuri, të ulur në lulishte e, nuk lëvizëm.
“Të bëhet si ta ketë shkruar i madhi Zot”, i thashë vetes. Bardhi na mërmëriti: “Mos lëvizni”! Zemra po na rrihte fort si zog, për të dy të rinjtë. (një apo dy?) Ishin shumë të rinj! Jeta e gjitha, është një shpresë, që duhet ta jetosh, sido që të bjerë, me të mira apo me të këqija. Fëmijët drithërinin nga skena që përjetuan, kur panë të riun nga Librazhdi të gjakosur.
Pastaj xhelatët, e lanë të shtrirë për tokë, viktimën e tyre dhe erdhën tek ne e, na pyetën: “Nga jeni”? Na kishin rrethuar si veza në mes të kulaçit. Ishte një tromaksi e madhe, kur shikoje gjithë familjen të rrethuar, nga tytat e “Kallashëve”.
S’më hiqej nga sytë e mendja skena e mëparshme dhe këtë radhë vrasësit, na i kishin drejtuar neve armët. Kishin urdhër të prerë për të qëlluar. Ishin orët e fundit të kuçedrës së kuqe! Nga shtatë “kokat”, gjashtë i qenë prerë.
E fundit ishte “koka” e shtatë, që edhe ajo po jepte shpirt. Nga Kavaja, – iu përgjigj Bardhi. “Për çfarë keni ardhë këtu?”- pyetën ata prapë e Bardhi i sqaroi: “Kemi ardhë për në spital dhe do të rrimë për drekë tek xhaja, që e ka shtëpinë tek Currilat, por nuk na lejuan të kalonim.
Po presim të hapet rruga, prandaj nuk lëvizëm”. “Ju doni të na e hidhni ne”?!- shprehën dyshim ata. “Jo, jo,- kërkoi t’i bindte Bardhi,- le të vijë një nga ju, e të na shikojë ku do shkojmë”.
Xhaja me të vërtetë shtëpinë e kishte atje, por ne nuk qemë nisur për tek ai. Një nga sampistët, që quhej Bardhyl dhe e kishte martuar motrën në Kavajë, afër nesh, na njohu si duket, por ne nuk e njohëm, sepse ai ishte me maskë e, i tha shefit: “Po, komandant, nga Kavaja janë, i njoh unë, se e kanë shtëpinë afër motrës sime”.
Ai me të vërtetë, na shpëtoi prej tyre! “Paskeni gjetur edhe ju ditën për të ardhur sot”!- tha me tallje shefi. – “Ne nuk dinim gjë”, -i tha Xhevdeti. Atëhere ai na porositi të shkonim lart nga rruga e kishës, se aty nuk lejohej. Ikëm shpejt e u zhdukëm mes turmës!
Më vonë, pas disa orësh, si duket qentë-roje kishin marrë urdhër ta ulnin kërkesën dhe atëhere njerëzit vërshuan e hynë në port. Gjendja u qetësua. Tek-tuk shikoje ndonjë polic a ushtar, edhe ata gjuanin në ajër kot! Turma kishte sajuar një barelë, e vunë trupin e pajetë të të riut nga Librazhdi lart dhe e shëtitën drejt bulevardit të Durrësit.
Atë ditë në Durrës sampistët, ishin si rrënjët e gramit. Dilnin e zhdukeshin, si me magji. Ata ishin bijtë e atyre, që po u rrëshqiste pushteti nën këmbë. Nga ai pushtet i urryer, morën arratinë me eksode të rinjtë, djem e vajza dhe nënat e tyre, mbeten qyqe, me lot në sy.
Do të kalonin orët, ditët e javët e ato të gjora nëna do të prisnin me drithërima lajme për fëmijët e tyre, pa e ditur se disa prej tyre, u bënë ushqim për peshqit në fund të detit, pa e ditur se kush e pati fatin tragjik, të binte si kokërr fiku, nga litarët e trageteve! Nënat prisnin e prisnin lajme nga fëmijët e tyre, që zemrat e tyre të gëzoheshin, kurse lotët e tyre, nuk u shterën kurrë, por lanë shenja nëpër faqe e në zemër. Memorie.al