Para ca ditësh u dëgjua kuja e Athinës të ankohej zyrtarisht në Zyrat e Brukselit dhe më tej në Berlin e Washington, sepse në Dhërmi të Shqipërisë u prishën muret e kishës së Shën Thanasit, sipas tyre një kishë “orthodokse”! (Kisha e Athina notë proteste e ankesë në KE, BalkanWeb, 27.08.2015; gaz. Tema, 27.05.2015). Sa komshinj të ndjeshëm që kemi, i duan shumë kishat tona ortodokse në truallin tonë! Asnjëherë Athina nuk ka qenë më e lumtur në historinë e saj, sesa në 23 vitet e fundit, derisa Kishën Autoqefale Shqiptare e udhëheq një komandant shpirtëror 24 karat nga barku i tyre, safi grek – me pjellje, mendësi dhe nacionalitet! Lumturia e Orthodoksisë së Athinës ka qenë rrallë kaq e dalldisur, derisa merr kurajën t’u çirret Elefantëve të botës me diplomacinë e qaramanit ballkanik, pse fqinji ka prishur një faltore të tij në oborrin e vet. Ankimi i paudhë i Komshiut, i kriposur pak si tepër me histeri ortodoksie, pse fqinji matanë gardhit prishi apo ndërtoi një faltore në oborrin e vet, bëhet, pa dyshim, me dozë guximi të paturpshëm dhe grotesk, çka tregon se Komshiu e vlerëson fqinjin si inferior për nga aftësia shtetërore dhe i ekspozon vetë shqiptarët, si të vetmit që lejojnë dhe durojnë paudhësitë e Athinës në Evropën e sotme. Si nuk pamë një dhemokrat grek alla evropian të ankohej në Bruksel për shkeljen e Kushtetutës së Shqipërisë, meqë udhëheqësi i Kishës Autoqefale shqiptare duhet të ketë nënshtetësinë shqiptare dhe jo greke. Si duket nuk ka qenë e nevojshme të ankohej qytetari grek, sepse ka pasur qytetarë shqiptarë që e kanë ngritur zërin për këtë në mediat e vendit, por udhëheqja dhe politika përgjegjëse vendase, as ia ka fërshëllyer. Përse ankohet Athina për kishën e Dhërmiut? Pse bën sikur nga Dhërmiu po i vjen fundi ortodoksisë greke, domethënë kombit grek? Cila është dredhia e saj e radhës?
1. Nënshtresa fetare e Kapelës së Shën Thanasit në Dhërmi: Siç flasin dokumentet historike, një pjesë e të cilave janë paraqitur mjaft qartë edhe në formatin publicistik konciz nga studiues seriozë në ditët e fundit, Kapela e Shën Thanasit në Dhërmi gjatë periudhës e shek. 16-19 ka qenë pa asnjë pikë dyshimi një kishë uniate shqiptare (Matteo Mandala, Kisha ka qenë katolike e ritit lindor, Shqiptarja.com, 25.08.2015). Kjo do të thotë se ajo nuk ka qenë një kishë thjesht ortodokse, por nuk ka qenë as vetëm katolike. Kjo faltore ka qenë një kishë katolike, brenda së cilës kryhej riti ortodoks. Pra kemi të bëjmë me një faltore që prezantohet nga jashtë si kishë katolike, por në brendinë e saj besimtarët kryenin ritin bizantin. Kapela e Dhërmiut nuk ka qenë e vetmja e këtij lloji, por njëra në vargun e dhjetëra e dhjetëra kapelave dhe kishave të ngujuara kryesisht në pjesën malore të bregdetit shqiptar të Jonit (të paktën deri në Pargë), por edhe më në thellësi të vendit, pa llogaritur këtu një numër të pafundmë të kishave uniate në hapësirën e arbëreshëve në Italinë e Jugut. Kisha uniate është një produkt i mirënjohur historik – një kompromis historik midis dy aktorëve: Ortodoksëve Shqiptarë (arbëreshët e sotëm), të shpërngulur në Itali në shek. 15-16 prej vërshimit osman, dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit, që ajo të mbronte besimin e tyre shekullor.
Shqiptarët e shek. 15-16 nuk u hodhën në Italinë e Jugut apo në Veriun e saj (Venedikun) si dyndja ekzilante e tyre në 25 vjetët e fundit. Vepra gjigante që bënë ata nën udhëheqjen e Skënderbeut për mbrojtjen e qytetërimit të krishterë, e bëri Selinë e Shenjtë matanë detit mirënjohëse të përjetshme ndaj shqiptarëve. Prandaj, kompromisi për krijimin e Kishës uniate kishte në njërën anë, kërkesën dhe lutjen jetike të shqiptarëve të besimit ortodoks (bizantin) që t’u lejohej atyre në ngujimet e reja ndërtimi i faltoreve për të ushtruar ritin bizantin, ndërsa në anën tjetër, lejen historike që Vatikani u dha shqiptarëve në shenjë mirënjohjeje për të ndërtuar faltoret e tyre të dëshiruara ortodokse, por me një kusht. Meqenëse ato do të ndërtoheshin në një truall të mbushur me faltore katolike, Vatikani i kushtëzoi brenda marrëveshjes, që faltoret e tyre të ndërtoheshin nga jashtë me fytyrën arkitektonike të kishave katolike. Ai që ka pasur rastin të vizitojë me një interes të tillë Siqelinë, Bazilikatën, Kalabrinë dhe më tej, nuk është larguar pa takuar dhe pa u sqaruar, se ç’është kisha uniate arbëreshe.
E themeluar fillimisht në viset e mërgimtarëve shqiptarë ortodoksë në Itali, kisha uniate prej shek.16 erdhi e u përhap edhe në Shqipëri. Me pushtimin e vendit nga administrata osmane, kisha ortodokse shqiptare dhe besimtarët e saj mbetën pa përkrahje, jetimë. Në këto kushte ata kërkuan ndihmë dhe iu lutën Kishës së Perëndimit për mbijetesën e kishës së tyre ortodokse, sepse nga Lindja nuk kishte kush t’ua jepte. Prej shek. 16 ndërtohen kishat uniate (kryesisht kapela) në thellësi të vendit, që të mos binin në sy të administratës osmane, të ngjashme me atë të Dhërmiut. Jo vetëm kaq, por është edhe koha e pikturave murale dhe ikonografike me ndikime të ndjeshme perëndimore (Renesancës), kryesisht të shkollës venedikase, ndikime që studiuesit tanë tashmë i kanë zbuluar me kohë në muret e brendshme të këtyre kishëzave. Kemi të bëjmë pra me një kishë ku kanë të drejtë të hyjnë besimtarët e të dyja riteve, katolikë dhe ortodoksë, por mesha mbahet sipas liturgjisë ortodokse. Si të thuash në gjuhën popullore, Kisha e Shën Thanasit për nga statusi fetar, ka pasaportë të kishës katolike dhe një kombësi të ortodoksisë shqiptare.
Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi qysh prej shek. 16 është përdorur nga shqiptarë të krishterë uniatë, pra edhe nga ortodoksë shqiptarë, por kanë pasur të drejtë të merrnin pjesë në meshën ortodokse edhe katolikë shqiptarë. Siç e kanë theksuar shumë studiues, shqiptarët e dy riteve të krishtera, duke mos qenë fanatikë të besimit fetar në përgjithësi, nuk kanë penguar kurrë veten të kërkojnë dhe të pranojnë kujdesin e Kishës Romane, sidomos në periudhën e sundimit të administratës osmane, në një kohë kur për mbijetesën e tyre nuk i ndihmonin më institucionet kishtare ortodokse fqinje. Një gjë është e qartë: sido që t’i kthesh dokumentet, Kapela e Dhërmiut nuk ka të bëjë aspak me ortodoksinë greke dhe nuk mund të jetë përdorur nga ortodoksë grekë. Nuk mund të besohet se këta të fundit mund të falen në një kishë katolike.
Publiku shqiptar është njohur tashmë mbi misionet e murgjve bazilianë në Himarë (shek. 17-18) dhe kudo gjetkë në brigjet e shqiptarëve të Detit Jon, të mirëpritur prej kërkesave dhe lutjeve të pareshtura të popullsisë së krishterë shqiptare të këtyre viseve. Por publiku shqiptar nuk është njohur ende sa duhet me një rezultat tjetër origjinal kombëtar të krishterimit mesjetar shqiptar, më të hershëm se dukuria e kishës uniate, me sintezën e bashkimit të të dyja riteve të krishtera nën të njëjtën ndërtesë kishtare, proces që ka nisur qysh në kohën e Topiajve dhe Muzakëve të shek. 14, dukuri kjo unikale e historisë kishtare botërore
2. Kapela e Shën Thanasit të Dhërmiut u prish në vitin 1972-‘74: Sipas vëzhgimit tim, kishat uniate (katolike të ritit lindor) nuk patën shumë fat në vlerësimin që u bëri të gjitha kishave të Shqipërisë një komision ndërshtetëror në vitin 1967. Mjerisht, qysh prej vitit 1991 koha u ka dhënë lapsa në dorë dhe të drejta të pakuptueshme një tufë “gazetarëve” për të shtrembëruar të kaluarën, jo vetëm me pasaktësi, por me gënjeshtra të gjalla dhe mashtrime me peshë kombëtare. Kështu është edhe me historinë e të ashtuquajturit “revolucion kulturor në vitet 1967”, pjesë e të cilit është edhe e ashtuquajtura “Lëvizja për prishjen e kishave dhe të xhamive”. Ata që e kanë shtrembëruar dhe mundohen çdo ditë ta shtrembërojnë më tej këtë histori, janë ideatorët, hartuesit dhe drejtuesit e kësaj lëvizjeje. Kishat dhe xhamitë që u prishën në Shqipëri, nuk u prishën brenda ditës dhe nuk u caktuan as nga Enver Hoxha dhe as nga partia që udhëhiqte. Listat e kishave që do të ruheshin u caktuan nga një Komision Ndërshtetëror në rangun më të lartë njohës shkencor të vendit të asaj kohe. Shteti nuk kishte mundësi ekonomike të mirëmbante me paratë e popullit faltore pa pikë vlere historike, arkitektonike, etnografike etj. Kanë qenë udhëzime shumë të qarta nga qeveria që u janë dërguar institucioneve kompetente të asaj kohe, për krijimin e këtyre komisioneve shtetërore dhe vlerësimin e veprave me seriozitetin më të madh, cilat prej tyre përfaqësonin dokumente për historinë e Shqipërisë dhe më tej. Kapela e Shën Thanasit, për të cilën po flasim sot, e cila në vitin 1967 ka qenë në këmbë, nuk u përzgjodh nga Komisioni Ndërshtetëror për t’u futur në listën e veprave-dëshmi të çmuara të trashëgimisë kulturore, pra për t’u shpallur monument kulture, pra për t’u futur në mbrojtje të shtetit. Por nuk ka qenë vetëm kishëza e Dhërmiut, por edhe disa të tjera, të cilat kishin të bënin kryesisht me sferën e kishës katolike. Mbi faltoret, kishën katolike dhe prelatët e saj ra kasaphana më e madhe, në krahasim me faltoret myslimane-osmane, ato bektashiane dhe sidomos ndaj kishave ortodokse, të cilat u listuan me shumicë për t’u mbrojtur, do të thosha, si më të privilegjuarat. Një peshë në këtë përzgjedhje luajtën edhe prania e pikturave murale te faltoret. Por nuk mund ta lë pa vënë në dukje konstatimin tim, se përçmimi që iu bë veprave të kultit të lidhura me kishën dhe ritin katolik në vitin 1967, është i njëjtë me atë të sotmin. Qëndrimi ka mbetur i pandryshuar. Kjo nuk ka të bëjë me të vërtetën historike, por me një lloj qëndrimi politik tradicional, që po i rezistoka kohës, me gjithë ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Shikoni, edhe tani që kishës katolike të Shën Thanasit të ritit lindor iu zbuluan vlerat pozitive historike në mbijetesën dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, nuk mendon kush ta shpallë atë monument kulture pikërisht për këtë vlerë historike kombëtare, por dëgjohen klithma nga segmente politike tepër të errëta brenda dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë me paturpësi të ndërtohet në vend të saj një kishë ortodokse?! Pse dhe kush fshihet pas? Përgjigjen po ia lë lexuesit. Por ju lutem, mos harroni Kalin e Trojës të dhuruar nga Komshiu i evropianizuar. Largoheni atë, përpara se ai t’i vërë zjarrin qytetit!
3. Çfarë kërkoi Athina në Bruksel? Strategjia e Athinës është – të ndërtohen sa më shumë kisha ortodokse në oborrin e fqinjit. Sidomos tani që komandanti i Kishës Autoqefale Shqiptare është grek, Mirësia e tij Janullatos, i cili i jep vetvetiu bekimin dhe rrjedhimisht, pse jo, ndoshta me kalimin e kohës edhe autorësinë greke të tyre. Sa herë që sajohet mundësia për të ndërtuar kundër së vërtetës një kishë ortodokse në oborrin e fqinjit, duhet ulëritur aq sa të dëgjohet në Bruksel, pse jo edhe në Washington apo Berlin. (E padrejta ka shans të bëhet një copë e Drejte, vetëm duke bezdisur me ulërima dhe kërcënuar). Një kishë ortodokse e ndërtuar në këtë konstelacion aktual në Shqipëri i duket Komshiut, copë Greqie. Në të vërtetë, Athina nuk e ka fare hallin pse po prishet një kishë apo xhami në Shqipëri. Strategjia e saj është që, çdo faltore që prishet në Shqipëri, të thuhet fillimisht se ishte kishë ortodokse, ashtu si çdo varr që zhduket, mundësisht të shpallet se i varrosuri ishte grek. Në rastin konkret, Athina donte patjetër që Kapela e Shën Thanasit në Dhërmi të prishej tërësisht, madje të zhdukeshin të gjitha gjurmët direkte apo indirekte që mund të ruhen në nëntokën e saj, sepse ajo e di mirë, se ato gjurmë nuk flasin kurrsesi për një kishë ortodokse greke, por tregojnë pikërisht identitetin e saj fetar të kishës uniate shqiptare. Athina ulërin që kisha të mos prishet, me qëllim që shqiptarët ta prishin.
Sepse Athina e di që gjërat në Shqipëri prishen pa u dokumentuar më parë, madje shpesh edhe pa vendime të rregullta shtetërore. Sidomos ato prishen edhe nga inati e sipër mes shqiptarëve, për t’i treguar njëri-tjetrit se kush e ka hundën më të madhe. Ajo e di që në këtë vend nuk bëhen vetëm ndërtime pa leje, e di që nuk bëhen as ekspertiza kur prishen monumentet, nuk mbahet as dokumentacion profesional, ose që merren vendime në shkelje të ligjit, që falsifikohen dokumentet, që nuk ndëshkohen dëmtuesit. Ajo e di që aksionin për prishje do ta realizojnë vetë shqiptarët, si në Kishën e Dhërmiut, kundër rregullave të shkruara, si gjithnjë për pesë aspra, madje në mes të errësirës, që të zhdukeshin sa më shumë dëshmi historike rreth kishës uniate shqiptare. Athina e di, se mbasi të prishej Kishëza uniate e Shën Thanasit në Dhërmi nga vetë shqiptarët, ajo do ta bindte Brukselin se ajo kapelë ishte ortodokse greke, siç po ndodh. Cili institucion shtetëror shqiptar përgjegjës po e kundërshton këtë të pavërtetë? Kush po ia tregon vendin me dokumente, provokimit dhe karshillëkut arrogant që Kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë i bëri me këtë rast shtetit shqiptar?
4. Çfarë mendon institucioni shtetëror përgjegjës në këtë vend; është Kapela e Dhërmiut ortodokse (shqiptare apo greke), apo uniate shqiptare? Si ka ardhur puna, ortodoksia greke nuk e ka kapur kurrë më të dobët Shqipërinë sesa sot. Jo vetëm se në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare ka një Kalë Troje, por sepse në 23 vjetët e fundit ajo nuk i ka pasur kundërshtare institucionet shtetërore të këtij vendi për t’i denoncuar dhe ndaluar të pavërtetat që manipulon. Kundërshtarët e saj për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike janë vetëm personalitete individuale shkencore qytetare. Ndërsa tonin e jep shoqëria civile miqësore origjinale e papërsëritshme e këtij vendi dhe bandat mediatike politike nën komando, që merren me gjithçka. Midis këtyre të fundit komandohen shpesh politikanë dhe titullarë pushteti, që të lënë me gojë hapur (të habisin) për shkelje të kompetencave dhe për kaosin që shkaktojnë.
Ende pa u shprehur zyrtarisht ndonjë institucion shtetëror përgjegjës për të nxjerrë në dritë se e kujt nënshtrese fetare të krishterë i përket Kapela e Dhërmiut, dëgjon nga kryetari i Bashkisë së Himarës, se ai “beson” se kisha duhet të jetë e ritit ortodoks (Jorgo Goro, Kisha e Shën Thanasit do të rindërtohet, intervistë në Gazeta Shqiptare, 27.08.2015). Kompetencën e një historiani nuk mungon ta dëgjosh edhe në recitimet fëminore të Kreut të OMONIA-s, sipas të cilit, “populli i Himarës ka traditë dhe ka thurur edhe këngë, me të cilat ironizon përpjekjet e vazhdueshme që ndër shekuj janë bërë për tjetërsimin e besimit fetar nga Vatikani, por pa rezultat”(Kreu i OMONIA-s: Vatikani s’i tërhoqi dot në anën e vet ortodoksët e Himarës, 28 gusht, 2015, gaz. Panorama). Deri në vitin 1992 jam i sigurt se asnjë himarjot që jetonte në Himarë dhe sidomos ata më të shumtit që jetojnë matanë Adriatikut gjenerata pas gjeneratash, nuk kanë pasur këtë mendim. Përkundrazi, ata i janë mirënjohës Vatikanit, sepse përveç mikpritjes që u është bërë atyre prej shekujsh për themelimet e reja pas shpërnguljeve, nuk e harrojnë edhe kompromisin jetik historik në ndërtimin e kishave uniate, që himarjotët të mos e ndryshonin besimin e tyre ortodoks shqiptar, siç e kanë prej 500 vjetësh. Kush i ndihmoi stërgjyshërit e himarjotëve të sotëm të mbanin gjallë kishat e tyre ortodokse në shek. 16-19, Kostandinopoja, Athina apo Beogradi, të cilat nuk ekzistonin as si shtete? Është mungesë e madhe qytetarie për një drejtues institucioni, të mohosh dhe të ironizosh ndihmesën e paçmueshme që i ka dhënë katolicizmi, besimi më i lashtë dhe i përhershëm, historisë fetare të Ilirisë dhe Shqipërisë, gjithashtu të mohosh kontributin e madh të murgjve bazilianë dhënë besimtarëve ortodoksë shqiptarë dhe në veçanti atyre himarjotë, nëpërmjet kishës uniate shqiptare, për të ruajtur besimin që ata kanë dëshiruar gjatë historisë dhe për t’i ndihmuar djemtë himarjotë në mënyrë shembullore për mbijetesën dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, tejpërtej robërimit stërshekullor osman të Shqipërisë.
Nuk më duket ortodokse të harrohet, se ishin besimtarët ortodoksë himarjotë me shtëpi e katandi të përvëluara, pa udhëheqje dhe përkrahje kishtare në toka të huaja, ata që i kërkuan dhe iu lutën Kishës Romane për t’i ndihmuar në ngritjen e institucioneve të tyre fetare dhe që ajo t’i përkrahte në zhvillimin e fesë së tyre ortodokse. Dhe Vatikani ia dha këtë ndihmë, himarjotët e morën dhe sot janë përsëri ortodoksë. Nuk është mirë të lëshohen deklarata apo të jepen përkufizime historike prej picirruku pa u konsultuar me historianët e vendit tënd.
Studiuesi i mirënjohur i kishave, A. Meksi shprehet se “kisha dhe trualli ku është ngritur, u përket besimtarëve ortodoksë, … se kishë katolike quhet ajo që përdoret nga besimtarët katolikë” (Aleksandër Meksi në krah të ortodoksëve: Kisha u përkiste atyre, Panorama/BalkanWeb, 27. 08. 2015). Nuk e di pse studiuesi ka ardhur në këtë përfundim, por Kapela e Dhërmiut ka në themelet e saj të varrosur një murg katolik. Duket pak kjo? Domethënë se kisha është përdorur edhe nga katolikët midis ortodoksëve, madje për të mësuar, shkruar dhe folur gjuhën shqipe në shekujt e errët të ortodoksisë. Pra mendoj, se nuk është e saktë të thuhet se kisha uniate u takon vetëm besimtarëve ortodoksë.
5. Si do të jetë fundi i fatit të Kapelës së Dhërmiut? Mjerisht ka ardhur kohë e keqe në këtë vend për ruajtjen e veprave ndërtimore historike, për respektimin e së vërtetës dokumentare historike që shprehin ato. E përsëris, ka 15 vjet që edhe vetë monumentet e kulturës që mbrohen nga shteti me ligj, më shumë po shpërfytyrohen dhe zhduken sesa po ruhen dhe aq më pak po mbrohen. Ka tashmë më se 15 vjet që shkatërrimet më të mëdha të tyre po vijnë me shembuj nga vetë Instituti i Monumenteve të Kulturës, i mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, natyrisht jo pa tutelë më sipër. Në këtë situatë nuk është çudi, që Kapela e kishës uniate shqiptare të Dhërmiut të përfundojë në një kishë ortodokse. Shumë shpejt pas kësaj, mund të forcohet zëri i Athinës, se Dhërmiu ka qenë përherë ortodoks, pra ka qenë përherë grek. Më pas çështja do të humbasë shumë nga e vërteta. Ata politikanë, analistë, qeveritarë, forumsa, gazetarë që po llapin tani pa përgjegjësi, vetëm për t’u dukur, nuk do jenë në gjendje nesër të riparojnë dëmin që po bëjnë duke lozur sot me dokumentet dhe të vërtetën e historisë së vendit.
Më bëri përshtypje të hidhur kuraja e një ministri të qeverisë aktuale, duke paraqitur një projekt me tri pamje për të ardhmen e rrënojave të Kapelës së Dhërmiut me titull “Kisha si ishte, si është dhe si do të jetë” (Klosi në Dhërmi: “Shën Thanasi” do rindërtohet në një vend tjetër, Shqiptarja.com, 28.08.2015). Padashur, ndoshta nga padituria profesionale nga njëra anë, por edhe nga sinqeriteti për të zgjidhur problemin, në projektin e paraqitur prej tij është përmbledhur në mënyrën më koncize komedia që po luhet, ku vetëm mendimi profesional nuk është pjesëmarrës. Dihet tashmë se kisha uniate ka për fasadë, atë të arkitekturës së kishës katolike, ndërsa interieri i saj është i pajisur me orenditë e kishës ortodokse. Siç duket edhe në foton “si ishte”, fasada e hyrjes së Kapelës të Shën Thanasit në Dhërmi para se të prishej në vitin 1972, duket sheshit se ishte një fasadë tipike e një kapele katolike me çati tjegullash. Përkrah saj ministri servir një foto të një projekti të ri arkitektonik, se “si do të jetë” kisha e re, e projektuar nga arkitekti i tij i padeklaruar. Shumë interesant të shihet – se për kishën e re, projekti paraqet një kishë tërësisht ortodokse me kupole të vetme mbi tambur. Ka më komedi se kjo?
Pra kemi një shpërfytyrim flagrant të arkitekturës së jashtme të Kapelës së Shën Thanasit, siç ajo vjen nga historia. Ky veprim, sipas Kartës së Mbrojtjes së Monumenteve Evropiane dhe Shqiptare klasifikohet si falsifikim i dokumentit historik. Duket pak kurajë e madhe, që ministri i një qeverie merr përsipër të falsifikojë një të vërtetë dokumentare të historisë së vendit të tij. Përveç falsifikimit, përpjekja diletanteske e arkitektit të ministrit duket edhe më gazmore, sepse nga ana profesionale, ndërtesa ortodokse e fantazuar prej tij me kupolë mbi tambur nuk mund të qëndrojë kur të fillojë të ndërtohet. Sepse nga pikëpamja strukturale-konstruktive, ndërtesës i mungojnë krahët e shkarkimit të ngarkesës së kupolës. Në arkitekturë kjo lloj ndërtese quhet një zog pa të dy krahët e tij. Kështu, Kisha e ministrit, e propozuar për ndërtim, nuk mund të qëndrojë as mbi tokë. Siç duket, e gjithë zhurma që bëri Athina nuk shkoi kot. Ajo e di se nuk e pengon kurrkush në këto nahije, vetëm i lëpihen, duke ia përgatitur projektet që do.
Papërgjegjshmëria shtetërore në këtë vend shkon deri atje, sa ngrihet presidenti apo kryeministri i vendit një mëngjes, merr një avion për në Konferencën Islamike dhe pa pyetur as Parlamentin e shpall vendin e tij islamik, sikur myslimanizmi bizantino-otoman i shqiptarëve të jetë islamizmi i Arabisë apo i Afganistanit. Tjetri, takohet një herë me Papën dhe i shitet Romës për katolik italian. Ndërsa Athina ka hyrë më thellë, ka një komandant tashmë legjendar prej 23 vjetësh në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, një Kalë Troje të ortodoksisë greke, një bombë që po rrit çdo orë potencialin e shpërthimit të saj, ashklat e së cilës nuk e dimë se ku do të arrijnë në një situatë reale të mundshme të një shpërthimi etnik ballkanik. Po zgërdhihemi, por po mbytemi nga hidhërimi njëherësh, nga mjerimi që sjell Injoranca e Drejtimit dhe Pashpresa për një rregullim të saj në rrugë demokratike.
6. Kam një këshillë për Ministrinë e Kulturës për zgjidhjen e çështjes së Kishës uniate të Shën Thanasit në Dhërmi:
Së pari, të përcaktohet vlera e kësaj ndërtese (tashmë rrënojë qysh prej viteve 1972-‘74), për cilat vlera meritojnë të ruhen mbetjet e saj, ose të mos ruhen fare. Jo çdo kishë ka vlera domethënëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj si monument kulture. Një kishë shpallet e tillë kur përmban dëshmi dokumentare historike të veçanta, si të thuash unikale, të cilat të tjerat nuk i kanë. Në rastin konkret, Kapela e Shën Thanasit në Dhërmi mund të ketë një histori 500 apo 600 apo 1600-vjeçare, por vlera e saj e spikatur është kontributi historik që ajo ka dhënë në shek. 16-19 (përfshirë edhe shekullin e Rilindjes Kombëtare) si strehë e besimtarëve ortodoksë dhe katolikë, të cilët kanë lëvruar gjuhën shqipe në kohëra shumë të vështira për asimilimin kombëtar. Kontributi që ka dhënë kjo kishë në periudhat e tjera, përpara apo mbrapa, nuk përbëjnë vlera më të mëdha. Për këtë vlerë historike, mbetjet e Kapelës meritojnë të shpallen në mbrojtje paraprake shtetërore dhe të kryhen nga profesionistët hulumtimi arkeologjik dhe ndërtimor i tërësisë së substancës që ruhen në mbitokë dhe në nëntokën e saj.
Së dyti, mbrojtja paraprake të kategorizohet si mjedis arkeologjik. Së treti, të programohet në mënyrë të menjëhershme gjurmimi arkeologjik, duke e dokumentuar të gjithë substancën arkeologjike ekzistuese, përfshirë edhe materialin e dalë nga shembja, dhe të bëhet katalogizimi dhe vlerësimi i tyre shkencor.
Së katërti, të bëhet konservimi arkeologjik i substancës arkeologjike të dalë nga gërmimi.
Së pesti, të merret vendimi nëse mjedisi arkeologjik i zbuluar do të ruhet ‘in situ’ dhe do të infrastrukturoret si park arkeologjik, apo jo.
Së gjashti, të hartohet projekti i rindërtimit të kapelës uniate sipas kritereve të Kartës së Restaurimit, duke shfrytëzuar të gjitha të dhënat e dala nga gërmimi arkeologjik dhe materiali arkivor dhe fotografik mbi ndërtesën origjinare.
Së shtati, t’i jepet përgjigje teorikisht dhe praktikisht në mbështetje të udhëzimeve bashkëkohore të restaurimit pyetjes: i plotëson kushtet rindërtimi ‘in situ’? Në rast se jo, rindërtimi i faltores të bëhet me besnikëri në afërsi të mjedisit arkeologjik.
Së teti, në të dyja rastet, brendia e ndërtesës së rindërtuar të shfrytëzohet për një muze modest të historisë së kishave uniate shqiptare, shpërndarjes së tyre në Shqipëri dhe në diasporë. Lëruani këtë punë ta bëjnë profesionistët e ndershëm që i kanë mbetur këtij vendi, të shohin dhe të mësojnë edhe të rinjtë, madje edhe ndonjë ministër rilindës, po që atij i është ndezur dëshira dhe pasioni për t’i hyrë profesionit se si mbrohet një dokument historik.
*Titujt janë të redaksisë, titulli në origjinal: Kalë Troje në Dhërmi. Autori është arkeolog
Komentet