Voal – PamfletiZbardhen dy kallëzime penale për korrupsion dhe mashtrime financiare ndërkombëtare ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta, deputetit aktual dhe ish-ministrit Anastas Angjeli, ish-ministrit Arben Malaj, ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ish-zëvendësministrit të Brendshëm të diktaturës Hysen Shahu, juristit Kristaq Traja, shtetasve Tan Pavari, Ina Metko.
Kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha paditet, më 18 korrik 2016, nga avokati Mirjan Kapo që i bën kërkesë ankimore Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë kundër vendimeve, si haptazi të marra në kundërshtim me ligjin duke urdhëruar organin e prokurorisë të fillojë hetimet, të kryejë verifikimet dhe në përfundim vetëm mbi bazën e provave të administruara të konkludojë për zgjidhjen procedurale ligjore. Kjo është një kërkesë e detyrueshme për organin e prokurorisë. Në kundërshtim me këtë detyrim ligjor, prokurorja Daniela Sulaj ka vendosur mosfillimin, pa administruar asnjë provë. Ky vendim i saj është miratuar nga titullari Petrit Fusha dhe nuk i është njoftuar brenda afatit ligjor të detyruar. Kapo i thotë gjykatës se do të provojë se vendimet e mosfillimit janë marrë në moszbatim të ligjit dhe në kundërshtim me të. Kjo është bërë për të mbrojtur politikanë si Ilir Meta etj., të cilët janë akuzuar prej tij. Këto vendime nuk janë të paanshme, transparente dhe profesionale. Ka paraqitur më shumë se 30 prova dhe akte noteriale në kallëzim.Nuk përjashtohet që, fill pas pushimeve të gushtit, në shtator “kingmaker”-i Ilir Meta të abdikojë nga “froni” i kryeparlamentarit, jo pse u miratua apo nuk u miratua reforma në drejtësi. Thjesht, Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Përgjithshme, me “po”-në e kryetarit të shtetit dhe KLD-së Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama, mund t’i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë leje për hetimin e spikerit Ilir Meta dhe deputetit Anastas Angjeli me akuza të rënda për korrupsion dhe mashtrime financiare ndërkombëtare për përvetësimin e një bondi të huaj prej 500 milionë dollarë.
LAKU
Ka gjasa që Metës të mos i vijë e keqja nga politika – kundrështarë apo aleatë – reforma në drejtësi, por nga njerëz të thjeshtë, sikurse është avokati lab-durrsaku me banim në Zvicër, Mirjan Kapo. Por ai ka detyruar edhe politikanët si Edi Rama, Sajmir Tahiri dhe Bujar Nishani, që, pa dëshirën e tyre, të shprehen pro hetimit të Metës and Co. Ka shumë koincidenca që po dëshmojnë se “kingmaker”-it po i shtrëngohet “laku”, nëpërmjet arrestimeve që nga ish-shefi i kabinetit të tij, tashmë i ekstraduar në SHBA, shefi i transportit i Sarandës, deri dhe në arrestimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, shpalljen në kërkim të nëpunësit të Kuvendit për sigurinë dhe shkarkimin e gjyqtares së lartë, që e nxori të pafajshëm në telenovelën e videos së Priftit.
DOMINO
Po ashtu, duke ua mbledhur rripat politikanëve të lartë, Kapo ia mblodhi dhe prokurorisë së Përgjithshme, asaj të Tiranës, që synonin të mbyllnin hetimet për dy kallëzime penale. Madje, këto dy të fundit “dogjën” dhe kryeprokurorin e Tiranës Petrit Fusha, i cili nuk u miratua nga Presidenti Nishani për të shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që do t’i duhet të përgjigjet ligjërisht pse nuk njoftoi në kohë kallëzuesin për mosfillimin e procedurave penale ndaj Metës e të Tjerë, por edhe për mungesën e argumenteve për këto vendime mosfillimi. Edhe prokurores Daniela Sulaj nuk ia ka prerë mendja se do të përgjigjet si dhe shefi i saj Petrit Fusha. Gjithashtu, me gjithë dëshirën e Kryeministrit dhe aleatit të tij, Kryeparlamentarit, ish-deputeti dhe ministri Arben Malaj, për të cilin qarkulluan zëra se mund të zgjidhej në bordin e Bankës së Shqipërisë, ka gjasa të mos realizohet për shkak të kallëzimit penal.
HETIME NDËRKOMBËTARE
SkaNdal.al disponon dokumente, një pjesë e të cilave janë botuar, një pjesë po bwhen publike në kwtë editim dhe të tjera në të ardhme. Investigimi i SkaNdal,al-it është pjesë e një hetimi ndërkombëtar, ku janë përfshirë jo vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara, prokuroritë zvicerane, italiane, franceze, amerikane, britanike, greke, bullgare, norvegjeze, Interpol-i, por edhe ICIJ-ja (International Consortium of Investigative Journalists – Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues) në Uashington, gazeta e njohur gjermane “Zyddojçe Cajtung” (Süddeutsche Zeitung), revista italiane “L’espresso”. SkaNdal.al-i ka zbardhur ekskluzivisht tekstet e dy kallëzimeve penale ndaj Meta e të Tjerë dhe kërkesës ankimore ndaj kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha, shoqëruar me faksimilet përkatëse.
KRONOLOGJI
Faksimile:
Më 16 shkurt 2016, me 834/3 prot., drejtorja e marrëdhënieve me publikun në Kryeministri Ana Rafti njofton me shkrim Mirjan Kapon, duke e falënderuar “për besimin dhe përcjelljen e letrës” së tij në Kryeministri. “Pasi u njohëm në detaje me çështjen, ju informojmë se ia kaluam për verifikim dhe ndjekje Prokurorisë së Përgjithshme, nëpërmjet shkresës sonë nr. 834/2 prot., datë 16.2.2016”.
Më 24 shkurt 2016, me numër 279/1 Prot. Drejtori i drejtorisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme Kostaq Beluri i drejtohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe për dijeni shtetasit Mirjan Kapo, duke njoftuar se “shtetasi Mirjan Kapo ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal, të regjistruar me nr. 279/Prot, të datës 9 shkurt 2016, ku ngre dyshime për vjedhje në bashkëpunim, mashtrim financiar të kryer nga shtetasi Tan Tivari [duhet: Pavari] etj.”. Sipas Belurit, “në analizë të verifikimeve dhe materialeve bashkëngjitura, si dhe pretendimeve të ngritura nga shtetasi Mirjan Kapo, rezulton se ky material kallëzues duhet të trajtohet nga pikëpamja procedurale penale… nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”. Drejtori i drejtorisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Përgjithshme Kostaq Beluri porosit që “për zgjidhjen ligjore të njoftohet dhe Prokuroria e Përgjithshme”.
Më 3 mars 2016, me shkresën nr. 3307 prot., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë njofton Mirjan Kapon se Prokuroria e Përgjithshme ia ka përcjellë kësaj prokurorie kallëzimet penale “për shkak kompetence”. Ndërkohë, organi i akuzës kryeqytetase i shkruan Kapos se “nga studimi i materialit rezulton se kallëzimi… ka nevojë të plotësohet si nga ana formale ashtu dhe nga përmbajtja e tij. Për këtë arsye ju njoftojmë që të paraqiteni në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Njësia e Përbashkët hetimore, me qëllim që të shpjegoni faktet objekt kallëzimi duke parashtruar fakte dhe prova konkrete që sqarojnë rrethanat e kryerjes së veprave penale të kallëzuar nga ana juaj”.
Më 4 prill 2016, Mirjan Kapo është paraqitur para prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Daniela Sulaj. Ndërkohë, para deponimeve shtesë avokati kishte kërkuar nga përfaqësitë diplomatike të BE-së, Italisë, Francës, Konfederatës Zvicerane, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Spanjës, Turqisë, Norvegjisë, Indisë, Bullgarisë etj. që të ushtronin ndikim në organet kompetente shqiptare për mbrojtjen fizike të tij para vajtjes në prokurorinë e Tiranës për shkak të kërcënimeve me jetë që ai kishte marrë.
Më 11 prill 2016, prokurorja Daniela Sulaj ka vendosur mosfillimin e procedimeve penale, por pa e njoftuar menjëherë kallëzuesin në mënyrë që ai të ketë të drejtë që brenda 5 ditësh të ankohet në gjykatë. Ky vendim i saj është miratuar nga titullari Petrit Fusha.
Më 30 qershor 2016, me nr. 43/M prot. Institucioni i Presidentit të Republikës i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për sqarimin e ankimit të Mirjan Kapos ndaj vendimit të organit të prokurorisë së Tiranës për mosfillimin e procedimeve penale ndaj Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta dhe të tjerëve.
Më 1 korrik 2016, Prokuroria e Përgjithshme i dërgon për kompetencë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Durrës kallëzimin penal të Mirjan Kapos ndaj drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë Petrit Fusha, me pretendimin se ka kryer veprime të kundërligjshme dhe në kundërshtim të hapur me detyrën për vendimet e mosfillimit të çështjeve penale nr. 279/1 dhe nr. 278/1 datë 9 shkurt 2016.
Më 3 korrik 2016, Mirjan Kapo u dërgon letër Prokurorit të Përgjithshëm dhe ambasadorit amerikan, ku kërkon të ndërhyhet në Prokurorinë e Tiranës për ta njoftuar për vendimin e mosfillimit të çështjeve penale.
Faksimile
Më 13 korrik 2016, Drejtoria e Kontrollit të Hetimit, Ndjekjes Penale, Përfaqësimit në Gjykim dhe Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Përgjithshme njofton Institucionin e Presidentit të Republikës se është zbatuar porosia e Presidencës për hetimin ndaj kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha që mbylli hetimet për Ilir Metën e Co dhe se Fusha nuk vuri në dijeni Kapon për vendimin e mosfillimit të çështjeve penale më 11 prill 2016.
Faksimile
Më 15 korrik 2016, ora 10, 42, kallëzuesi Mirjan Kapo merr dorazi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nga kryesekretarja Silva Beluri dhe prokurorja Daniela Sulaj vendimin mosfillimit të çështjeve penale më 11 prill 2016. Në fakt, vendimin e mosfillimit të çështjeve penale titullari i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë Petrit Fusha ia ka dërguar me postë kallëzuesit më 25 maj 2016, me 3985 prot. dhe jo më 11 prill 2016. Sipas sekretarisë vendimin e ka kthyer posta më 15 korrik 2016 (shih në fund të shkresës shënimin me dorë).
Më 18 korrik 2016, avokati Mirjan Kapo i bën kërkesë ankimore Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal nr. 3984, datë 11/04/2016 dhe nr. 3985, datë 11 prill 2016, që i është komunikuar më 25 maj 2016. Vendimet e mësipërme duhen prishur, si haptazi të marra në kundërshtim me ligjin duke urdhëruar organin e prokurorisë të fillojë hetimet, të kryejë verifikimet dhe në përfundim vetëm mbi bazën e provave të administruara të konkludojë për zgjidhjen procedurale ligjore. Kjo është një kërkesë e detyrueshme për organin e prokurorisë. Në kundërshtim me këtë detyrim ligjor, prokurorja Daniela Sulaj ka vendosur mosfillimin, pa administruar asnjë provë. Ky vendim i saj është miratuar nga titullari Petrit Fusha dhe nuk i është njoftuar brenda afatit ligjor të detyruar. Për këtë arsye ai ka bërë kallëzim penal kundër prokurorit Petrit Fusha, kallëzim, i cili për kompetencë i është dërguar Prokurorisë së Durrësit. Kapo i thotë gjykatës se do të provojë se vendimet e mosfillimit janë marrë në moszbatim të ligjit dhe në kundërshtim me të. Kjo është bërë për të mbrojtur politikanë si Ilir Meta etj., të cilët janë akuzuar prej tij. Këto vendime nuk janë të paanshme, transparente dhe profesionale. Ka paraqitur më shumë se 30 prova dhe akte noteriale në kallëzim.
Dokumentet
Dokumenti 1
Kallëzim penal nr. 1, datë 19 shkurt 2015
Drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë z. Adriatik Llalla Tiranë
Për dijeni:
1) Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Tiranë
2) Ambasadores së Bashkimit Evropian, znj. Romana Vlahutin, Tiranë
3) Ambasadës së Konfederatës Zvicerane, Tiranë
4) Ambasadës Franceze, Tiranë
Kallëzuesi: Mirjan Kapo, banues në Bilardo Club “Sheki” Banofstrasse/2 9242 Oberuzwill, Zvicër
Objekti: Kërkoj marrjen në përgjegjësi penale të personave të quajtur: Tan Pavari, Kristaq Traja, Ina Metko, Ilir Meta Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Arben Malaj etj. në bazë të neneve 6, 7, 28/5, 136, 248, 297, 300, 333 etj. të Kodit Penal dhe neneve 283, 280, 287 të Kodit të Procedurës Penale.
Prokuror!
Kam të gjitha të drejtat dhe arsyet ligjore, të bazuara dhe mbështetura në fakte të provuara, t’ju drejtohem juve dhe të kërkoj një hetim penal Ky hetim duhet të jetë i thelluar, gjithëpërfshirës dhe proaktiv. Rëndësia e rasteve në fjalë të përshkruara në dokumentet që po ju paraqes, rrezikshmëria e theksuar, pasojat e shkaktuara, imponojnë një hetim të kujdesshëm për shkak të subjekteve të përfshira.
Këto dokumente qartësojnë veprimtarinë kriminale të strukturuar që ka dëmtuar interesa kolosalë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Është kjo arsyeja që hetimi i kësaj çështjeje duhet të bëhet nga njerëz kompetentë dhe profesionistë me integritet. Përkrahës të këtij grupi shtrihen thellë në administratën e lartë shtetërore dhe klasën politike.
Po shpjegoj me dokumente veprimtarinë e kundërligjshme të këtij grupi, pasojat e shkaktuara, subjektet përkatëse dhe bashkëpunimin midis tyre. Është e drejta dhe detyra juaj që të bashkëpunoni dhe me organet e drejtësisë së shteteve francez dhe zviceran, ku unë, si avokat, kam denoncuar rastin në fjalë.
Shpjegim i dokumenteve
Dokumenti Nr. l – Njoftim Trupit Diplomatik në Shqipëri për veprimtarinë e rrezikshme të grupit kriminal me qendër në Athinë të Greqisë. Anëtar kryesor i këtij grupi është shtetasi shqiptar Tan Pavari. Veprimtaria kryesore e grupit: mashtrim financiar bankar ndërkombëtar.
Dokumenti Nr. 2 – Vendimi i Gjykatës Norvegjeze që tregon se Tan Pavari është i dënuar me 10 vjet heqje lirie dhe në kërkim ndërkombëtar.
Dokumenti Nr. 3 – Njoftimi që unë i kam bërë në vitin 2012 Kryeministrit të sotëm, ish-kreut të opozitës së atëhershme z. Edi Rama për veprimtarinë e këtij grupi. Takimin që ka zhvilluar në Tiranë njëri nga këta pjesëtarë dhe pikërisht F. Sabater Cabanes me Arben Malajn, ish-deputet dhe Ardian Fullani ish-Guvernator. Ky person ka ardhur fshehurazi në Shqipëri dhe ka çelur një linjë krediti me bankë garanci false. Edhe ky person është i dënuar dhe vendin e tij, Spanjë.
Dokumenti Nr. 4 – Prokurë e posaçme e studios së avokatisë “Traja & Partners” për transaksion 500 milionë euro. Bashkëpunëtor dhe njeriu që ka garantuar ardhjen e përfaqësuesit të “Tiger Capital Assets Limited” z. Perlat Meta. Z. Aszurdi Bin Muhamed Salam ka qëndruar më shumë se dy muaj në Tiranë tek “Dreri”, kodrat e Liqenit.
Dokumenti Nr. 5 – Perlat Meta di aktivitetin kriminal të grupit të Athinës: Tan Pavarit, F.S. Cabanes etj. dhe është i gatshëm të dëshmojë në çdo trup gjykues.
Dokumenti Nr. 5/1 – E-mail i dërguar znj. Enida Mitro përfaqësuese e një kompanie ndërtimi austriake, e cila do të bashkëpunonte me studion e avokatisë “Traja & Partners” për ndërtimin e një fshati turistik në Lalëz, Durrës dhe Vlorë, duke përdorur si kolateral bondin prej 500 milionë euro dhe hapur me llogari të përbashkët në Dubai.
Dokumenti Nr. 6 – “Traja & Partners” rinjofton “Tiger Capital Assets Limited” dhe bashkëpunëtorin e tij Perlat Meta se mund ta përdorin bondin për ndërtimin e disa rezorteve turistike në Durrës dhe Vlorë dhe se për këtë duhet të bashkëpunonin me kompaninë e znj. Enida Mitro Wieshalla në Austri. Për këtë qellim, më 12 qershor 2013, kanë shkuar në Dubai të tre subjektet, pra: pronari i bondit “Tiger Capital Assets Limited” nga Hong Kongu, bashkëpunëtori Perlat Meta nga Durrësi dhe përfaqësuesi i studios së avokatisë “Traja & Partners” Ardit Hysa nga Tirana. Në Dubai ky grup ka dështuar për shkak të ndërhyrjes sime. Këtë veprimtari të kundërligjshme të studios së avokatisë “Traja & Partners” lidhur me bondin unë ua u kam bërë të qartë juve, z. Prokuror; Trupit Diplomatik dhe Kryeministrit, por nuk kam marrë akoma përgjigje. Po kështu e gjithë klasa politike shqiptare (Kuvendi) etj..
Dokumenti Nr. 7 – Deklaratë për veprimtari kriminale të grupit në Athinë.
Dokumenti Nr. 8-9. Njoftim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Greqi për veprimtarinë e këtij grupi. Sot ky grup është shpërbërë dhe shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës.
Dokumenti Nr. 10 – Sqarim i Ministrit të Brendshëm, z. S. Tahiri për qëndrim joserioz dhe të papërgjegjshëm profesionalisht të z. I. Marko, sot zëvendësministër, shoqëruar me dokumente.
Dokumenti Nr. 11 – Letër drejtuar ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë z. Hysni Burgaj dhe Trupit Diplomatik.
Dokumenti Nr. 12 – Deklaratë e z. Tahir Felahi.
Dokumenti Nr. 13 – E-mail znj. Enida Mitro në Austri.
Dokumenti Nr. 14 – Përgjigje e Bashkimit Evropian.
Dokumenti Nr. 15 – Ekstrakt i regjistrit tregtar të QKR-së për shoqërinë “Traja & Partners”, ku 65% të aksioneve i ka kushërira e Ilir Metës, Ina Metko. Përse e mbylli aktivitetin kjo zyrë? Përse u largua nga Shqipëria Ardit Hysa?
Dokumenti Nr. 16 – Letër drejtuar juve, z. Prokuror, Kryeministrit dhe Kuvendit të Shqipërisë së bashku me prova, që ju detyronin të fillonit çështjen penale konform nenit 280 të Kodit të Procedurës Penale dhe akoma nuk më jeni përgjigjur, por vetëm Bashkimi Evropian më jep të drejtë.
Dokumenti Nr. 17 – Kallëzim penal në Zvicër dhe ambasadave franceze, angleze, italiane në Zvicër.
Dokumenti Nr. 18 – Letër drejtuar juve, Kryeministrit, SHBA-së dhe BE-së.
Dokumenti Nr. 19 – Përgjigja e punonjësit të institucionit tuaj, Kosta Beluri, i cili, në kundërshtim me nenin 280 të Kodit të Procedurës Penale, më “sqaron” se unë duhet të bej kallëzim penal. Këtë kallëzim unë po jua bëj juve sot të shoqëruar me këto dokumente dhe të tjera që disponoj kur të fillojë çështja penale.
Dokumenti Nr. 20 – Përgjigja e Kryeministrisë.
Dokumenti Nr. 22 – Letër ku z. Prokuror Viktor Otth më sqaron se gjithë dokumentacionin që ai kishte marrë prej meje do t’ia përcillte Prokurorit të Përgjithshëm zviceran.
Dokumenti Nr. 23 – Letër drejtuar Presidentes dhe Ministres së Zvicrës znj. Simoneta Sammaruga.
Dokumenti Nr. 24 – Letër drejtuar avokatit në Francë, ku i kërkoj që,së bashku me të akuzuarin Kristaq Traja, t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes.
Dokumenti Nr. 25 – Mesazh telefonik i z. Traja “kryespecialisti i drejtësisë shqiptare”.
Prokuror!
Situata e kriminalitetit në vendin tonë është shqetësuese dhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar për ndryshimin e saj është maksimale. Në këtë kuadër, edhe hetimi i kësaj çështjeje do të zbulojë të vërteta të rëndësishme dhe dëme të rënda shkaktuar ekonomisë sonë.
Unë kam më se 3 vjet që luftoj kundër këtij grupi të rrezikshëm. Nëse ju do të zhvilloni hetime të rregullta, larg presioneve dhe ndërhyrjeve të politikës, do të zbulohen fakte të rënda kriminale dhe persona të rëndësishëm do të shkojnë në bankën e të akuzuarve.
Kërkoni si provë themelore për të gjitha problemet e ngritura edhe aktin noterial Nr-1287rep. Nr- 201kol. dt 1711112013 me notere Marsela Elmazaj Tiranë. Në këtë aktmarrëveshje, që është titull ekzekutiv, kam firmosur edhe unë.
Hetoni miratimin e projektit të fshatit turistik firmosur nga z. Ilir Meta si ish-Kryeministër. Si i është dhënë ky fshat firmës “Roxhefra”? A janë respektuar kriteret ligjore? Perse nuk është ndërtuar ky fshat?
Aktivizimi i bondit prej 500 milionë eurosh që mori përsipër studioja e avokatisë “Traja & Partners” do të realizonte të ardhura me shuma të mëdha që do të shkonin në favor të fshatit turistik, pra të Ilir Metës, përfaqësuar nga kushërira Ina Metko.
Prona shtetërore, në kundërshtim me ligjet në fuqi, i vihet në dispozicion një firme të huaj, që nuk dihet pronë e kujt është dhe me kë politikan ka lidhje.
Me besim në një hetim objektiv, ju përshëndes
Me respekt
Av. M. Kapo, Oberuzwill, Zvicër
Dokumenti 2
Kallëzim penal nr. 2, datë 19 shkurt 2015
Kallëzuesi: Mirjan Kapo, banues: Bilardo Club “Sheki” 9242 Oberuzwill Zvicer
Të akuzuar: 1) Hysen Shahu, ish-zv/ministër i Brendshëm i diktaturës
2) Anastas Angjeli, deputet
3) Astrit Celomema, biznesmen
Objekti: Kërkoj marrjen në përgjegjësi penale dhe dënimin e personave të mësipërm dhe të tjerë që mund të dalin gjatë hetimit, për vjedhje të pasurisë shtetërore në shuma të mëdha të kryera në bashkëpunim. Bllokimin dhe sekuestrimin e llogarisë bankare të çelur nga Hysen Shahu më dt 3 janar 2001 në Lugano të Zvicrës në emrin e shoqërisë zvicerane “Tradex dhe Beltranz”, konform dispozitave të Kodit Penal dhe nenit 280 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.
Drejtuar: Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, Tiranë
Per dijeni: 1) Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama
2) Ambasadores së BE-së znj. Romana Vllahutin, Tiranë
3) Ambasadës së Italisë, Tiranë
Prokuror i Përgjithshëm,
Siç mund të jeni në dijeni, revista “Klan”, më 4 gusht 2002, ka botuar një artikull të marrë nga revista italiane “L’Espresso”, të cilën po jua bashkëngjis. Ky artikull flet për mafien shqiptare dhe lidhjen e saj me politikën dhe krimin e organizuar ndërkombëtar. Unë personalisht mbështes dhe jam në gjendje të provoj vërtetësinë e përmbajtjes së pjesës së dytë të këtij artikulli, që në revistë e kam shënuar me Nr.1. Dispozitat e Kodit Penal lidhur me përshkrimin, formalisht mund të pengojnë dënimin e personave në fjalë; lidhur me kompetencën. Por kjo çështje duhet të hetohet në bashkëpunim me autoritetet e shtetit italian dhe zviceran dhe lekët e marra nga shteti shqiptar në mënyrë të kundërligjshme t’i kthehen atij (shteti).
Bëhet fjalë për shuma jashtëzakonisht të mëdha parash, të cilat janë kaluar fshehurazi nga Shqipëria dhe janë çuar në Zvicër, ku është hapur llogari në emër të Hysen Shahut. Personi, që ka ndihmuar këtë grup për të depozituar këta lekë, ka qenë kryesori që ka zhvilluar të gjithë kontrabandën në kohën e diktaturës. Unë e kam njohur personalisht këtë njeri në Zvicër dhe di se sa herë ka ardhur ai në vendin tonë para dhe pas demokracisë. Sqaroj se nga vitit 1997 dhe 2002 unë kam qenë me statusin e azilantit politik në Zvicër. Ky person, i cili nuk jeton më, më ka dhënë mua shumë dokumente të rëndësishme, që vërtetojnë, veç të tjerave, edhe marrjen e këtyre parave prej personave të akuzuar dhe trafikimin e shumë veprave artistike dhe monedhave.
Po kështu, kur kam qenë në Zvicër, në periudhën 1997-2002, kam akuzuar para autoriteteve zvicerane z. Fatos Nano dhe Hysen Shahun. Pas kthimit në vendin tim, jam munduar të grumbulloj prova për të gjithë aktivitetin e të akuzuarve dhe të tjerëve,
Kështu, kam siguruar lejen nr. 2 dt 6/04/2001, firmosur nga ish-ministri, sot deputet, z. Anastas Angjeli. Kjo leje është e kundërligjshme. Po kështu, i jam drejtuar me e-mail [revistës] “L’Espresso”, më 15/10/2012.
Ka qenë e vështirë për mua të provoj për sa më sipër dhe arsyet dihen. Në muajin tetor 2015 kam qenë në Zvicër dhe gjeta dokumentin që vërteton propozimin për këmbimin e valutës së vjedhur nga të akuzuarit – nga lireta dhe marka – në dollarë dhe franga,
Nuk dihet fati i këtyre lekëve. Ato mund të jenë kthyer në vendin tonë në formë investimesh private, si p.sh., Shoqëria e Sigurimeve “Intersig”. Hetimet do të zbulojnë rrethana dhe fakte të rënda kriminale.
Kështu, do të zbulohet se cila ishte arsyeja përse deputeti Anastas Angjeli shkeli Kushtetutën duke firmosur lejen nr. 2, dt 6/04/2001.
Në ç’rrethana u firmos kontrata e depozitave të karburantit në Portin e Durrësit dhe çfarë bisedimesh u zhvilluan në Lugano të Zvicrës?
Si u mor kjo sasi e madhe lekësh dhe me urdhër të kujt?
Unë di që ato kanë kaluar fshehurazi në Portin e Durrësit.
Sa më sipër shpjegova, janë fakte të mjaftueshme për të filluar një çështje penale. Pres me kënaqësi kontaktin me punonjësin e Prokurorisë, që do të zhvillojë këto hetime, për të dhënë hollësira të tjera. Jam i gatshëm të ballafaqohem me Hysen Shahun, Emin Barçin, ish-shef i kabinetit të Nanos. Bindem se hetimi i kësaj çështjeje do t’i kthejë shtetit shqiptar paratë e vjedhura nga të akuzuarit. Do të sugjeroja marrjen nga organi juaj i të gjithë materialit që ka drejtësia italiane për Hysen Shahun dhe Fatos Nanon.
Ju bashkëngjis artikullin [e revistës] dhe lejen e dhënë nga Ministri i Financave. Hetimi do të zbulojë se i akuzuari në denoncimin e mëparshëm për çështjen e bondit, Tan Pavari, është edhe lidhje e këtij grupi dhe Arben Malajt.
Me respekt
Av. Mirjan Kapo
Dokumenti 3
Durrës, më 18.7. 2016
Kërkesë Ankimore
Ankuesi: Mirjan Kapo, i ditëlindjes 1955, me arsim të lartë, banues në lagjen nr. 3, rruga “A. Troplini”, apartamenti nr. 494. Durrës
Kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal nr. 3984, datë 11/04/2016 dhe nr. 3985, datë 11/04/2016, që më janë komunikuar mua më datë 15/05/2016 në bazë të neneve 1, 24, 25/2, 149, 291, 292, 287, 288 etj të Kodit të Procedurave Penale.
Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë
Gjyqtar!
Vendimet e mësipërme duhen prishur, si haptazi të marra në kundërshtim me ligjin duke urdhëruar organin e prokurorisë të fillojë hetimet, të kryejë verifikimet dhe në përfundim vetëm mbi bazën e provave të administruara të konkludojë për zgjidhjen procedurale ligjore.
Kjo është një kërkesë e detyrueshme për organin e prokurorisë. Në kundërshtim me këtë detyrim ligjor, prokurorja Daniela Sulaj ka vendosur mosfillimin, pa administruar asnjë provë.
Ky vendim i saj është miratuar nga titullari Petrit Fusha dhe nuk më është njoftuar mua brenda afatit ligjor të detyruar sipas nenit 291 të Kodit të Procedurave Penale (menjëherë). Për këtë arsye unë kam bërë kallëzim penal kundër prokurorit Petrit Fusha, kallëzim, i cili për kompetencë i është dërguar Prokurorisë së Durrësit.
Pas këtij kallëzimi mua m’u realizua e drejta e njoftimit të vendimeve objekt ankimi.
Unë do të provoj para jush me përgjegjësi të plotë se vendimet e mosfillimit janë marrë në moszbatim të ligjit dhe në kundërshtim me të. Kjo është bërë për të mbrojtur politikanë si Ilir Meta etj., të cilët janë akuzuar prej meje. Këto vendime nuk janë të paanshme, transparente dhe profesionale. Unë kam paraqitur më shumë se 30 prova dhe akte noteriale në kallëzim.
Dihet, i nderuar Gjyqtar, se aktet noteriale përbëjnë provë të plotë. Shkaqet që kanë detyruar prokurorin në marrjen e këtyre vendimeve nuk janë ligjore, por të paarsyeshme dhe korruptive. Rëndësia e çështjeve të denoncuara i kalon kufijtë e vendit tonë. Unë kam denoncuar se në rastin konkret bëhet fjalë për krim të organizuar ndërkombëtar me pjesëmarrje të politikanëve tanë. Të gjitha provat e renditura në kallëzim vërtetojnë fakte kriminale me rrezikshmëri të lartë. Ato janë vërtetuar dhe nga BE-ja dhe shtypi i vendit dhe i huaj. Ndryshe nga vendimet e mosfillimit, Prokuroria e Përgjithshme më njofton se janë duke vazhduar hetimet. Paratë e vjedhura nga Hysen Shahu dhe Anastas Angjeli duhet t’i kthehen shtetit. Organi i prokurorisë duhet të bashkëpunonte me Italinë, Francën, Zvicrën etj. Por kjo gjë realizohet vetëm kur fillojnë hetimet dhe zhvillohen në përputhje me ligjin dhe jo duke mosfilluar për t’i bllokuar.
Ju bashkëngjis përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme nr. 1122/2, datë 01/07/2016, nënshkruar nga A. Xholi; nr. 278/4, datë 03/06/2016, nënshkruar nga drejtori K. Beluri dhe shtesë kallëzimi penal firmosur nga unë më datë 09/05/2016. Këto dokumente, siç do të konstatoni, mbështesin kallëzimet duke më dhënë mua të drejtë për një kohë kur qenka marrë vendimi i mosfillimit më datë 11/04/2016.
Ky është kulmi i paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë!
Prokuroria e Përgjithshme më jep të drejtë dhe kjo e provuar me provat e përmendura më lart, kurse Prokuroria e Tiranës paska mosfilluar çështjen që më datë 11/04/2016 dhe nuk njofton as mua si kallëzues as Prokurorinë e Përgjithshme dhe as Ministrinë e Brendshme, e cila në shkresën nr. 101/1, datë 04/07/2016 mua më sqaron.
Kjo situatë kriminale, paligjshmërie dhe fshehjeje të së vërtetës, e realizuar nga këto vendime mosfillimi, duhet ndryshuar urgjentisht!
Ligji jua jep juve këtë të drejtë, i nderuar z. Gjykatës.
Unë jam në pritje të vendimit tuaj, i cili, padyshim, do të jetë i bazuar në ligj.
nga SkaNdal / skandal.al
Komentet