Presidenti kinez Xi Jinping është pritur ngrohtë nga udhëheqja dhe populli serb gjatë vizitës në Beograd. Pas takimeve me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç u njoftua për arritjen e 29 marrëveshjeve për të ndërtuar “të ardhme të përbashkët”, megjithëse nuk u dhanë detaje për këtë. Presidenti kinez gjithashtu tha se kur është fjala për Kosovën, Pekini përkrah qëndrimin serb për të ruajtur “sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.
“Një miqësi e çeliktë” ishte fjalia që u përsërit disa herë për të përshkruar marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Serbisë gjatë takimeve të Presidentit kinez, Xi Jinping dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.
“E kam parë nga afër se populli serb është një mik i çeliktë. Ju jeni miqtë më të mirë të Kinës dhe popullit kinez”, tha Presidenti Xi para se të fillonte takimin me udhëheqjen serbe.
Pas takimit, udhëheqësi kinez dhe ai serb dolën në ballkonin e Pallatit Serbia për të përshëndetur mijëra njerëz që ishin sjellë me autobusë të veçantë për të përshëndetur udhëheqësin kinez.
“Rroftë miqësia e çeliktë në mes të Serbisë dhe Kinës. Ju lus për duartrokitjen më të madhe për Presidentin Xi”, tha Presidenti Vuçiç.
Përtej deklaratave për miqësi të hekurt, të dy udhëheqësit njoftuan se do të “thellojnë partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve” dhe “do të ndërtojnë një epokë të re me një të ardhme të përbashkët midis Kinës dhe Serbisë”.
“Ne po kalojmë në një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona. Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe jam krenar që sot, si President i Serbisë, nënshkruaj një deklaratë të tillë me presidentin Xi”, tha zoti Vuçiç pas takimit.
Kjo e bën vendin ballkanik të parin në Evropë që ka rënë dakord për një dokument të tillë me Pekinin, megjithëse përmbajtja e marrëveshjes nuk u sqarua në detaje, kjo ka pak gjasa t’i pëlqejë Bashkimit Evropian që i ka dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.
Vitin e kaluar Kina dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për tregëti të lirë, e cila siç tha Presidenti Xi sot, do të fillojë të zbatohet në korrik.
“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 korrik të këtij viti”.
Marrëveshja për tregti të lirë, nuk është në përputhje me kushtet e BE-së për anëtarësim. Serbia zyrtarisht dëshiron të bashkohet me bllokun 27-vendesh, megjithatë ajo është larguar vazhdimisht nga kjo rrugë. Kina ka derdhur miliarda dollarë në Serbi në formë investimesh dhe kredish, veçanërisht në miniera dhe infrastrukturë.
Të dy vendet nënshkruan sot 29 marrëveshje, që nga zgjerimi i artikujve bujqësorë serbë që do të importohen në Kinë, tek nisja e fluturimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi për në Shangai dhe më pas edhe në Guangzhou.
Kritikët thonë se Serbia mund të shërbejë si një kalë troje kinez dhe si portë hyrëse e Pekinit në Evropë.
Presidenti Xi mbërriti në Serbi në një datë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të Ambasadës Kineze në Beograd nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës, kur u vranë tre shtetas kinezë.
Incidenti ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve të ngushta politike midis Kinës dhe Serbisë duke mbajtur qëndrim të ngjajshëm edhe për Kosovën. Kjo u bë e qartë sërish në Beograd.
“Kina mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial, për çështjen e Kosovës”, tha Presidenti kinez.
Sot, gjatë një konference shtypi, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se vizita e Presidentit Xi synon të rrisë tensionet mes Serbisë dhe Perëndimit.
“Unë mendoj se kjo vizitë po bëhet për të rritur tensionet në mes të Serbisë dhe Perëndimit dhe kjo vizitë nuk ndihmon. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se bombardimi i ambasadës kineze në vitin 1999 ishte një aksident. Ne kemi kërkuar falje dhe besoj se edhe kemi paguar dëmshpërblim për familjet e viktimave. Vizita fatkeqësisht bëhet qëllimisht të përkojë me këtë ditë”, tha zoti Escobar.
Presidenti i Kinës e filloi vizitën në Evropë me takimet në Paris me Presidentin Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen, ku temat kryesore ishin tregtia dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Nga Beogradi, Presidenti Xi udhëton për në Hungari të mërkurën në mbrëmje. Ashtu si Serbia, Budapesti shihet si një nga partnerët më miqësorë të Kinës në Evropë.