Në Korenë e Veriut ka ndodhur “një aksident I rëndë” në betejën kundër coronavirusit, i shkaktuar nga “pazotësia dhe papërgjegjshmëria” e disa funksionarëve të shkallës së lartë. E ka thënë Kim Jong-un në një mbledhje të zgjeruar të Byrosë politike, që duhet të ketë qënë dramatike, duke mbajtur parasysh fjalët e Marshallit, që ka paditur drejtues “kronikisht përtacë” të cilët nuk kanë zbatuar udhëzimet shëndetësore dhe kanë shkaktuar “një krizë të madhe” për sigurinë e Vendit e të popullit. Në mbledhjen e piskamës janë shkarkuar disa antarë të Politbyrosë, sekretarë të komitetit qëndror e funksionarë, rrëfen agjensia shtetërore e lajmeve Kcna. “Duhet një revolucion në mbarështimin e personelit”, ka lajmëruar kreu I regjimit.
Nuk është komunikuar asnjë imtësi sa i përket “aksidentit të rëndë” në parandalimin e pandemisë. Koreja e Veriut ka vulosur kufirin e saj që nga fundi i janarit 2020, për të shmangur infektimin nga Kina. Në një vit e gjysmë nuk ka komunikuar asnjë rast të Covid-19, por prej muajsh Kimi flet për pasoja ekonomike shkatërrimtare në territorin e saj nga mbyllja: Kina ishte e vetmja rrugëdalje për regjimin e Phenianit dhe bllokimi i valës së mallrave i ka dhënë një goditje shumë të fortë furnizimit me prodhime të nevojës së parë.
Ka shkuar keq edhe vjelja e prodhimeve bujqësore, për shkak të tajfuneve e më pas të thatësirës dhe gjëndja ushqimore është “e nderë”, ka pranuar Kimi disa javë më parë.
Simbas disa analistëve seria e pranimit të vështirësive ekonomike, bujqësore dhe tani shëndetësore, të shkaktuara nga rrethanat e mbrapshta apo gabimet e vartësve, ndjek një fill logjik në strategjinë e Kimit. Synimi do t’ishte përgatitja e terrenit për një kërkesë ndihme nga agjensitë humanitare ndërkombëtare. Por bëhet fjalë vetëm për hamëndje, sepse lajmet mbi gjëndjen në Korenë e Veriut janë vetëm ato që regjimi dëshëron të japë: përfshirë dhe pamjet e fundit që tregojnë një Kim Jong-un të dobësuar dhe një emision shtetëror televiziv që i ka dhënë zë shqetësimeve të gjindes për shëndetin e Marshallit të Respektuar.
“Corriere della Sera”, 1 korrik 2021 Përktheu Eugjen Merlika