Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, iu bashkua trupave të tij në ushtrimin e përdorimit të tankeve luftarake të llojit të ri, nga ku bëri thirrje për përpjekje më të mëdha për t’u përgatitur për luftë, raportuan mediat shtetërore të enjten.
Stërvitja me tanke e Veriut u cilësua si përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake vjetore të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat pritet të përfundojnë të enjten pasdite.
Koreja e Veriut i sheh stërvitjet e rivalëve si përgatitje për pushtim.
Stërvitja e Veriut të mërkurën kishte për qëllim vlerësimin e aftësive luftarake të tankistëve dhe në të u përfshi një lloj i ri i tankut të luftës, të cilin Kimi e quajti “tanku më i fuqishëm në botë”, sipas agjencisë koreane të lajmeve, KCNA.
Gjatë stërvitjes, tanket e rënda manovruan në rrethana të ndryshme të vështira luftarake dhe shkrepën predha në drejtim të shënjestrave. Kimi hipi në njërën prej tankeve të tipit të ri dhe e ngau vetë, sipas KCNA-së.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut u zotua se do të kryente “aktivitete përgjegjëse ushtarake” si përgjigje ndaj stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut në Seul. Kimi më vonë i vëzhgoi ushtrimet e qitjes me artileri.
Stërvitja e përbashkët e SHBA-së me Korenë e Jugut përfshiu ushtrimin e postit komandues të stimuluar me kompjuter dhe 48 lloje të tjera të ushtrimeve fushore, dyfish më shumë se ushtrimet e mbajtura vitin e kaluar.
Koreja e Veriut e ka shtuar testimin e armëve prej fillimit të vitit 2022, në përpjekje për ta modernizuar dhe rritur arsenalin e vet bërthamor dhe raketor.
Si përgjigje ndaj saj, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë zgjeruar stërvitjet dhe ushtrimet tripalëshe, duke e përfshirë edhe Japoninë në to.
Ekspertët thonë se me gjasë Kimi dëshiron ta përdorë arsenalin e vet të rritur bërthamor për të siguruar koncensione nga SHBA-ja, si për shembull, lehtësira të mëdha nga sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut.
Ata thonë se Koreja e Veriut pritet ta zgjerojë veprimtarinë e testimeve dhe ta shpeshtojë retorikën luftëdashëse këtë vit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje të rëndësishme.REL