Zhurmën dhe euforinë e krijuar lidhur me ‘zyrtarizimin’ e gjuhës shqipe në Maqedoni, e ka komentuar edhe shkrimtari Kim Mehmeti. Në një koment të publikuar në faqen e tij të FB, Mehmeti pohon se gjithë ata që lëvdohen se janë më të merituarit për ‘zyrtarizimin’ e saj, përfshi këtu edhe Kryeministrin e Shqipërisë, gënjejnë ngaqë gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar, por vetëm është avancuar përdorimi i saj. Sipas Mehmetit, gjuha shqipe do zyrtarizohet atëherë kur do ketë politikanë shqiptarë që kur gënjen turpërohet. Më poshtë mund ta lexoni komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti.
“Shqiptarët e LSDM-së, si dhe kryetari i kësaj partie maqedonase, lëvdohen se janë më të merituarit për ‘zyrtartrizimin’ e gjuhës shqipe në Maqedoni!
Të njëjtën e thotë për vete edhe kryetari i BDI-së, ai që në të kaluarën, në çdo katër vite, e ‘zyrtarizonte’ gjuhën shqipe! Më në fund u paraqit edhe Kryeministri i Shqipërisë, i cili tha se ai dhe partia e tij janë më të merituarit për këtë sukses historik mbarëshqiptarë! E në të vërtetë, të gjithë gënjejnë: nuk është zyrtarizua, por është avancuar përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni! Shkurt e shqip: zyrtarizimi i gjuhëve është kategori kushtetuese, e jo ligjore! E në kushtetutën e Maqedonisë, si gjuhë zyrtare në tërë territorin e saj, përmendet vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik! Siç duket, gjuha shqipe do zyrtarizohet atëherë kur do ketë politikan shqiptar që kur gënjen turpërohet!”, shkruan Kim Mehmeti.
Komentet