Trupat ukrainase po vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndaj trupave ruse në Bakhmut edhe pse këta të fundit shpallën fitoren atje pak kohë më parë. Beteja për qytetin është më e gjata dhe më përgjakshmja që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë.
Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar tha se Moska është përpjekur të krijojë përshtypjen se rreth Bakhmutit mbizotëron qetësia, por në fakt thotë ajo sulmet me artileri atje vazhdojnë ende, në nivele të ngjashme me ato në kulmin e betejës për të marrë qytetin.
Lufta, shton zonja Maliar, po evoluon në një fazë të re.
“Beteja për Bakhmutit nuk ka ndalur, është në vazhdim, thjesht ka marrë formë tjetër”, tha zonja Maliar.
Forcat ruse tashmë po përpiqen, por po dështojnë të dëbojnë luftëtarët ukrainas nga disa zona të larta përreth, me fushëpamje nga Bakhmuti.
“Ne po i mbajmë ato pozicione shumë fort“, tha ajo.
Rusia e shihte marrjen e kontrollit të Bakhmutit, si përmbushje të pjesshme të objektivit të saj për të marrë kontrollin e rajonit lindor të Donbasit, qendra industriale e Ukrainës.
Por kjo detyrë mund të bëhet më e vështirë për shkak të tërheqes së mercenarëve të grupit ushtarak privat ‘Wagner Group’, që ndihmoi në marrjen e kontrollit të qytetit. Tashmë ata do të zëvendësohen me ushtarë rusë.