Agjencia ukrainase e zbulimit ushtarak, GUR, joshi qëllimisht një pilot ushtarak rus për të ulur helikopterin e tij Mi-8 në një aeroport të Ukrainës, tha të mërkurën zëdhënësi Andriy Yusov. Ngjarja ka bërë bujë ndërsa ka patur njoftime të shumta rreth ngjarjes.
“Ky ishte një operacion nga GUR. Helikopteri lëvizi sipas planit”, tha zoti Jusov për agjencinë e lajmeve Reuters.
Fitore për Ukrainën
Operacion i suksesshëm për kapjen e një helikopteri ushtarak rus dhe pilotit të tij, cilësohet si një grusht shteti i guximshëm për Ukrainën. Helikopteri do të përdoret në luftën kundër agresionit rus. Operacioni mundëson gjithashtu marrjen e informacione të vlefshme për forcat ajrore ruse.
Gazeta ukrainase në internet “Ukrainska Pravda” citon burime të paidentifikuara të zbulimit të kenë thënë se agjencia punoi më shumë se gjashtë muaj për ta bindur pilotin që të bashkëpunonte dhe të fluturonte helikopterin drejt Ukrainës.
Gazeta njofton se piloti e uli helikopterin në Ukrainën lindore. Dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit që nuk ishin në dijeni të planit u “likuiduan” më pas.
Gazetari ukrainas për çështjet ushtarake Yuriy Butusov njofton se helikopteri Mi-8 ishte ulur në një bazë ajrore ukrainase “kohë më parë”, duke cituar burime të paidentifikuara në komandën ushtarake ukrainase.
Gazetari Butusov tha se helikopteri ishte plotësisht funksional dhe do të përdorej nga forcat e armatosura të Ukrainës.
I pyetur në televizionin kombëtar lidhur me incidentin, zëdhënësi i agjencisë ushtarake të zbulimit ukrainas, Yusov tha se GUR po punonte me ekuipazhin e helikopterit dhe së shpejti do të kishte deklarata zyrtare.
“Duhet të prisni pak, po punohet, përfshirë edhe ekuipazhin. Gjithçka është në rregull, do të ketë lajme”, tha ai.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë së lajmeveve Reuters për koment.
Më herët të mërkurën, “Fighterbomber”, një kanal në rrjetin social Telegram i njohur si mbështetës i agresionit rus, tha se kishte informacione se helikopteri kishte humbur dhe ishte ulur aksidentalisht në Ukrainë “disa javë më parë”.
Në muajin prill, shërbimi i sigurisë së brendshme të Ukrainës akuzoi për tradhti një numër të personelit ushtarak ukrainas, pas asaj që tha se ishte një përpjekje e pasuksesshme për të joshur një pilot rus që të ulej në një bazë ajrore ukrainase, gjë që çoi në një sulm rus vdekjeprurës me raketa në korrik të vitit 2022.