Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për sulme të reja ruse ndërsa Ukraina përgatitet të shënojë të mërkurën 31 vjetorin e pavarësisë nga ish Bashkimi Sovjetik.
Zoti Zelensky tha gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes të dielën, se ai kishte folur me presidentin francez, Emmanuel Macron për “të gjitha kërcënimet” e paraqitura nga Rusia dhe se mesazhe të ngjashme i ishin dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Një tjetër arsye pse besohet se sulmet ruse ndaj Ukrainës mund të shtohen është edhe vrasja e vajzës së një ideologu rus ultra-nacionalist, që konsiderohet si një nga aleatët e afërt të presidentit, Vladimir Putin.
Kievi paralajmëroi se Rusia është duke përgatitur sulme të reja ndaj Ukrainës në 31 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish Bashkimi Sovjetik. Udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky përmendi se një nga veprimet e dhunshme ruse mund të jetë edhe mbajtja e një gjyqi për një grup ushtarësh ukrainas të kapur gjatë rrethimit të qytetit Mariupol.
“Nëse bëhet ky gjyq i neveritshëm, nëse njerëzit tanë bëhen pjesë e një shfaqje të tillë duke shkelur të gjitha marrëveshjet, të gjitha rregullat ndërkombëtare, nëse ka abuzime… Kjo do të jetë vija përtej së cilës çdo negociatë është e pamundur”, tha zoti Zelensky.
Ndërkohë, një tjetër arsye që besohet se autoritetet ruse mund ta përdorin për sulme të reja është edhe vrasja me bombë në makinë, të dielën, e vajzës së Alexander Dugin, një teoricien politik ultranacionalist dhe mbështetës i pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
29 vjeçarja që punonte si komentatore televizive e që gjithashtu e mbështeti agresonin rus kundër Ukrainës, u vra të shtunën kur makina që po ngiste shpërtheu teksa po kthehej nga një festival kulturor ku kishte marrë pjesë me të atin.
Sipas analistit politik Abbas Gallyamin, incidenti ishte një veprim paralajmërimi për popullin rus.
“Për aparatin e propagandës, ky është një veprim frikësimi. Në përgjithësi, për një votues besnik, ky është një veprim simbolik, duke demonstruar se armiqësitë tani janë transferuar në territorin e Rusisë, që do të thotë se kjo nuk është më një luftë abstrakte që e shikoni në televizion. Jo vetëm që po bombardohet Krimea, por sulmet terroriste tani po kryhen në rajonin e Moskës”, vlerëson analisti Gallyamov.
Ukraina zyrtare e ka hedhur poshtë përfshirjen në këtë sulm që besohet se nuk kishte në shënjestër viktimën, por babain e saj, Alexander Dugin. Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit Zelensky tha se Ukraina “nuk është shtet kriminal si Rusia dhe padyshim nuk është një shtet terrorist”.
Alexander Dugin e ka mbrojtur prej kohësh idenë e bashkimit të territoreve rusishtfolëse dhe territoreve të tjera në një perandori të re të madhe ruse, përfshirë Ukrainën. Presidenti ukrainas tha të dielën në mbrëmje se ka biseduar me presidentin francez, Emmanuel Macron për “të gjitha kërcënimet” e paraqitura nga Rusia. Këto mesazhe ai tha se ia ka përcjellur edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Ata e kuptojnë se çfarë po bën dhe çfarë po kërcënon pushtuesi. Dhe ata e kuptojnë se Ukraina nuk do ta tolerojë këtë. Nuk do të tolerojë mundimin e njerëzve për të cilët mund të thuhet vetëm një gjë: ata janë heronj të atdheut të tyre; ata mbrojtën lirinë e popullit të tyre nga pushtuesit”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.
31-vjetori i pavarësisë së Ukrainës nga sundimi sovjetik që shënohet të mërkurën, përkon me 6 mujorin e sulmit rus ndaj Ukrainës. Agresioni rus, që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar vdekjen e mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe civilëve ukrainas, ndërsa ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre për në pjesën perëndimore të vendit, larg fushëbetejave në Ukrainën lindore, ose duke ikur tek vendet fqinje.
Komentet