Autoritetet e Kievit thonë se trupat ruse kanë marrë me forcë më shumë se 16 mijë fëmijë ukrainas duke i zhvendosur në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Moska. Deri më 24 mars, vetëm 324 fëmijë janë bashkuar me familjarët e tyre, përfshirë djalin e Olena Dudnik, Andriy. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets na sjell historinë kësaj nëne që arriti ta gjente djalin e saj në Moskë.
Olena Dudnik është nga qyteti Izium në rajonin e Kharkivit në Ukrainë. Prillin e vitit të kaluar, kur trupat ruse pushtuan qytetin, djali i saj 17-vjeçar Andriy u plagos rëndë nga bombardimet.
Zonja Dudnik tregon për Zërin e Amerikës se e çoi djalin për një operacion në një spital fushor rus.
“E futën në një dhomë dhe një doktor tha: ‘Do ta operojmë dhe mund të vini ta shihni nesër’. Të nesërmen, kur mbërrita, më thanë se djali im ishte dërguar në Moskë”, tregon ajo.
Olena thotë se pyeste mjekët rusë për djalin e saj çdo ditë.
“Gjatë gjithë kohës më thoshin se nuk kishin informacion. Unë qaja dhe iu thoja: ‘ju lutem, më kuptoni, keni edhe ju fëmijë. Më tregoni të paktën nëse është gjallë apo jo’”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.
Një muaj e gjysmë më vonë, Zonja Dudnik mori një mesazh në telefonin e saj celular.
“Ishte një fotografi që ishte bërë virale në internet, një fotografi e Andriyt me përshkrimin se ky fëmijë ukrainas ndodhet në një spital në Moskë. Kishte dhe një adresë të spitalit”, tregon ajo për Zërin e Amerikës. Ajo shkoi menjëherë në Moskë.
Komisionerja ukrainase për të Drejtat e Fëmijëve thotë se shpesh e vetmja mundësi që prindërit të marrin fëmijën nga Rusia është që të shkojnë personalisht atje.
“Kjo është shumë e rrezikshme. Këta prindër nuk janë 100% të sigurt se do të bashkohen me fëmijën e tyre”, thotë Daria Gerasymchuk, Komisionerja ukrainase për të Drejtat e Fëmijëve
Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 16 mijë fëmijë ukrainas janë zhvendosur me forcë në Rusi ose në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia.
“Ne kemi marrë këtë numër aplikimesh për këta fmëijë. Këto aplikime ndonjëherë vijnë nga prindër, të afërm të tjerë, autoritetet lokale, ose thjesht nga dëshmitarë okularë që kanë informacion për zhvendosjenme forcë të një fëmije”, thotë Daria Gerasymchuk, Komisionerja ukrainase për të Drejtat e Fëmijëve.
Autoritetet ruse nuk e mohojnë se i marrin fëmijët nga territoret ukrainase, por nuk e quajnë atë zhvendosje me forcë. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasiliy Nebenzya, tha se largimi është bërë për të mbrojtur fëmijët nga rreziku i operacioneve ushtarake.
Pavarësisht kësaj, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për përgjegjësi personale për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina.
Magdalena Gawin, drejtore e Institutit Pilecki, një grup i financuar nga qeveria polake, i përkushtuar pjesërisht për studimin e regjimeve totalitare thotë se vendimi është i përligjur.
“Ky rast është veçanërisht i rëndësishëm sepse është pjesë e krimeve kundër njerëzimit. Pra, ka shkallë të ndryshme, kjo është një shkallë e krimeve të luftës”, thotë ajo.
Olena Dudnik arriti të merrte djalin e saj nga Moska dhe vullnetarët ukrainas i ndihmuan ata të gjenin mbrojtje të përkohshme. Por zyrtarët ukrainas thonë se deri më tani më pak se 400 fëmijë kanë patur të njëjtin fati si Andriy, duke u kthyer pranë familjeve të tyre.