Pasaniku rus në ekzil, Mikhail Khodorkovsky, tha gjatë një konference online me gazetarët se një revolucion i ri rus është “i paevitueshëm”.
Duke folur sot nga Londra, prej nga është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në Moskë dhe Londër, në transmetim të drejtëpërdrejtë në rrjetin YouTube, Khodorkovsky tha se “revolucioni duhet të jetë paqësor”.
“Me mungesën e zgjedhjeve të lira dhe korrekte dhe mekanizmave të tjerë për ndryshim juridik të qeverisjes, e vetmja mënyrë për t’i ndryshuar gjërat është revolucioni”, tha Khodorkovsky.
Ai e ka akuzuar qeverinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se e ka sjellur vendin në izolim ndërkombëtar.
“Ne kemi të bëjmë me grushtshtet të plotë jokushtetues”, tha Khodorkovsky, duke u shprehur për goditjen e qeverisë së Putinit kundër institucioneve demokratike dhe kundërshtarëve politikë në Rusi.
Ai, po ashtu, theksoi se Putini dhe ndihmësit e tij duhet të mbahen përgjegjës për aksionet e tyre dhe ka kërkuar që presidentët e ardhshëm të këtij vendi nuk duhet të lejohen që të shërbejnë më tepër se dy mandate.
Komentet