Veriu ynë, edhe 24 vjet pas largimit të uniformave të pushtuesve nga Kosova, vazhdon të jetë objektiv i Serbisë për ta mbajtur atë nën kontroll, për të shkaktuar trazira, pavarësisht se, si gjithë territori i Kosovës, mbrohet nga NATO.
Situata e këtyre ditëve, e shkaktuar përsëri nga Beogradi, dëshmon se Serbia nuk lë asnjë parantezë pa përdorur e pa shfrytëzuar për të arritur qëllimet e saj. Është koha më e duhur sot që KFOR-i të qëndrojë në veriun tonë dhe të bashkërendojë veprimet e tij me Policinë e Kosovës dhe me të gjithë faktorët e Republikës së Kosovës deri në konsolidimin e plotë të shtetit ligjor, su kudo tjetër, edhe në mbarë veriun.
Në formë imperativi, e thekson me të drejtë ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Kadri Kastrati, kur thotë për REL se “Qeveria e Kosovës do ta ketë të pamundur të mbajë nën kontroll situatën në pjesën veriore të vendit përmes mbajtjes së policisë atje” dhe kur kërkon që Qeveria menjëherë të nisë bashkëpunimin me SHBA dhe KFOR-in në mënyrë që të krijohet një strategji e qartë për shtensionim dhe vendosje të rendit dhe ligjit në veri.
Në këto 24 vjet, KFOR-it i është dashur shumë herë të ndërmarrë inkursione në veri për të rivendosur qetësinë. Deri sot është parë dukshëm se, për të funksionuar si gjithë Republika e Kosovës, nuk është e mjaftueshme rivendosja e qetësisë, por është e domosdoshme që të vendoset shteti ligjor, është e domosdoshme që ligjet e shtetit të Kosovës të veprojnë edhe në veri si anembanë Republikës së Kosovës, është e domosdoshme që edhe në veriun tonë të vendoset qarkullimi i lirë si anembanë Republikës së Kosovës, është e domosdoshme, absolutisht e domosdoshme që në Republikën e Kosovës të mos ketë Serbi. Të gjitha këto janë të domosdoshme, absolutisht të domosdoshme, në mënyrë të veçantë që edhe qytetarët e Kosovës me përkatësi serbe në veriun tonë, duke përjetuar vendosjen e shtetit ligjor edhe këtu, të përfitojnë nga përparësia me të cilën i trajton ata Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që burojnë nga kjo Kushtetutë, para së gjithash nga dëshira e mirë dhe e dëshmuar e shtetit të Kosovës ndaj tyre.
Falë partneritetit të SHBA, NATO-s dhe BE-së, në këto vite është krijuar dhe konsoliduar Policia e Kosovës, e cila edhe në situatën e krijuar pas 26 majit, veproi me profesionalizëm të lavdërueshëm në zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Qeveria e Kosovës.
Siç thekson gjeneral-lejtant Kadri Kastrati, Policia e Kosovës u tregua gjakftohtë, e durueshme, ajo, edhe përkundër sulmeve me gurë, nuk ka vepruar në mënyrë të dhunshme, por “deri kur do t’i durojë gjithë ato sjellje të disa kriminelëve serbë”, kjo, siç e npenvizon gjenerali, është një pikëpyetje e madhe.
Situatën në veri të Republikës së Kosovës nuk e ka krijuar as nuk e mban të tillë shteti i Kosovës, por e ka krijuar Beogradi i projekteve dhe frymëzimeve serbomëdha millosheviçiane. Këtë e di jo vetëm çdo qytetar i Kosovës, jo vetëm ndërkombëtarët që ndodhen në Kosovë, por edhe të gjitha qendrat ndërkombëtare.
Në përmbyllje të këtyre pak rreshtave: Vetëm duke u krijuar realiteti i shtetit ligjor në veriun e Republikës së Kosovës, do të krijohen premisat fillestare që Serbia të nisë të tregohet konstruktive dhe bashkëpunuese në kuadrin e dialogut me Kosovën të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.