Misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë, KFOR ka njoftuar se ka rritur patrullimet në mbarë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore, teksa të hënën është shënuar dita e tetë qëkur rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë janë bllokuar.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në mbarë Kosovën dhe vazhdon të jetë i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që buron nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar – që të ofrojë ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në deklaratën e misionit të KFOR-it.
Disa media lokale në Kosovë kanë pubikuar fotografi të ushtarëve të KFOR-it, të pranishëm në rrugën kryesore në Jarinjë dhe në rrugë alternative.
Rrugët drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbë lokalë me kamionë e mjete të tjera të rënda në shenjë proteste ndaj vendimit për reciprocitet lidhur me targat e automjeteve.
Rama: Serbia duhet t’i ndalojë manovrat teatrale ushtarake
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një vizitë në Kosovë të hënën e ka dënuar sjelljen e Serbisë karshi vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me targat.
Rama pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti tha se qëndrimi i Shqipërisë është i qartë karshi problemit në dy vendkalime kufitare Kosovë-Serbi.
“Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, siç pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama.
Këtë koment ai e ka bërë pas raportimeve së ditëve të fundit aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikë kalimeve. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.
Kryeministri shqiptar po ashtu ka dënuar incidentet e djegieve të qendrave të regjistrimit të veturave në veri të Kosovës.
Edi Rama ka thënë se qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë nevojë të mbrohen pasi jetojnë të sigurt.
“Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga qeveria e këtij shteti këtu si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, u shpreh Rama.
Rama po ashtu ka thënë se problematika e tanishme mund të zgjidhet “vetëm me dialog”.
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë drejtë t’i kthejë targat në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall a thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha Rama.
Ai i bëri thirrje edhe Kosovës që të mos krijojë probleme me miqtë ndërkombëtarë përmes mbajtjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në kufi.
“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cenohet siguria dhe rendi publik, në momentin e shtrirjes së problemit, mos të kthehet në një problem mes vet Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka arsyetuar prezencën e njësive speciale në vendkalimet kufitare.
“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë”, tha ai.
Vuçiq: S’lejojmë poshtërimin e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën, më 27 shtator, se nuk do të lejojë “poshtërimin e Serbisë“. Ai u takua me ambasadorët e vendeve të Quint-it, që kërkuan “shtensionimin e krizës” në veri të Kosovës, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i Vuçiqit.
“Ne jemi të përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë poshtërimin e Serbisë apo të qytetarëve të saj”, citohet të ketë thënë Vuçiq gjatë takimit me ambasadorët e SHBA-së, Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e Delegacionit të BE-së në Beograd.
Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Bashkimi Evropian, në këtë moment, “nuk po bën asgjë, ose po bën fare pak” në lidhje me situatën në Kosovë.
“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së. Unë mendoj se Marrëveshja e Brukselit është çështje e BE-së. Nënshkrimi i saj ndodhet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Bërnabiq për televizionin serb Pink.
Protestat në Jarinjë dhe Bërnjak filluan pasi Prishtina vendosi që të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga 20 deri më 26 shtator janë administruar 10 110 targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Ndërkaq, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës 20-24 shtator, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 3.9 milionë euro.
Pesë ditë para vendosjes së masës së reciprocitetit, përkatësisht nga 15 deri më 19 shtator, ishin importuar mallra në vlerë prej 4.9 milionë eurosh.
Dy incidente në veri
Ditëve të fundit, aeroplanë ushtarakë të Serbisë kanë fluturuar afër pikëkalimeve kufitare. Mediat në Serbi kanë raportuar për lëvizje të ushtarëve dhe mjeteve tjera ushtarake në drejtim të kufirit me Kosovën.
Të shtunën, më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve.
Deri më tani, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk do të zmbrapsen nga vendimi për reciprocitet, ndërsa në Beograd kanë kërkuar që forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga pikat kufitare si kusht për të nisur dialogun mes dy shteteve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.
Krerët opozitarë Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, sipas njoftimit të qeverisë, shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës.
SHBA: Po punojmë drejt shtensionimit të situatës
Ndërkohë, të dielën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se po punojnë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n lidhur me këtë situatë.
“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it.
SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë ditëve në vijim, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.
NATO-ja kërkon që palët t’i kthehen dialogut
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.
Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Komentet