Graz, me 2 nanduer 1956
Shum i dashtuni mik,
Nuk i u pergjegja mejherë kartës s’Ate prej Ujvares së Njagara, pse thojshem po marr per së shpejti edhe pergjegjen e letres qi Të pata dergue në Cannes.
Por pernjiherë po pergzohem me Tý, qi po paski mrrijtë shndosh e mirë në “vend të bekuem” si thoni Ju në kartë.
E si po jeni me shndet e me të gjitha? A po jeni kondend qi e lát me kohë Egjiptin e qi nuk u gjetët në ket luftë qi shperthei pá pritë atje? Nasser-i pat kenë kacagjelue pak si teper, e po drue se tash po rrzohet. Por per Egjipt nuk jam aq në kujdes, sá per Ungarez, qi po e kanë ngusht. Njiherë u duk as t’a kishin fitue daván njerzt e kundra-rivolucjonit. Tash natyrisht po kam frigë se Rusija po nderhŷn me tana fuqít në dispozicjon. E natyrisht nji Rusí e ka të lehtë me nenshtrue nji Ungarí të vogel. Po shohim. Po e bueren ata të shuem nacjonalista, at herë tash po kalojnë me mija e mija luftarët e lirís n’Austrí, sepse pjesen prendimore në kufî me Austrí e kanë krejt në dorë ata luftarët e liris. Dimni i a mbrrijti e as baraka nuk gjinden ashtû mejherë për ata të shuemët qi kalojn kufînin e dalin n’Austrí.
Këtu në Graz jemi perherë ata shqiptarët e perparshëm. Vetëm âsht shtue nji, qi ka hikë në gusht me tre shokë tjerë prej Jugoslavijet e ka dalë n’Austrí. Të katert jânë musulman prej Kukësit e më kanë thânë se jânë të katert djelm të mirë shumë e nacjonalista të vertetë. Ky qi ndodhet këtu më ka bâ pershtypje shumë të mirë. Ka gjetë punë këtu afër Grazit. Puna âsht mjaft e merzitshme, me thye gur mâ, por gjindet shumë kondend e fiton 1200 shilinga në muej. Nder kushte t’Austrís kjo âsht nji rrogë jo e keqe – 1200 shilinga janë kund 50 dollarë – , prandej ai burri i rí âsht kondend qi mejherë ka gjetë ket punë. Ai ka nji kushrî në New York e shpreson se per së shpejtit do të ketë nafakën me kalue në Dheun e Premtuem t’Amerikës.
Per sot njiherë po e lâm me kaq. Po ju pershndes me zemer si Jú si dhe djalin t’Uej dhe motren.
Me urimet mâ të perzemertat edhe per kohen e ardhshme!
I Jueji nga zemra
- P. Margjokaj O.F.M.
544 Seventh Street
Niagara Falls, N, Y, 13-12-956
Eh, lum miku i dashun, këtu përnjimênd na qênka nji botë tjetër e nji jetë tjetër! Në terminologjinë bektashjane nuk duhet thânë diq por ndërroi jetë. Pra me ardhun në këtë dhé, qênka vërte si me ndërruem jetë, e me ndërruem jetë për së gjalli s’qênka fort punë e lëmuetë. Diça paske pasë dijtun ti qi s’kishe fé deshiri me ardhun e me jetuem këndej.
Me këtê mos kujto, veç, qi un i a nisa me u ankuem prej Ameriket. Jo, edhe un kam ardhun tue e njohun në theorí, dmth. me të ndieme e të këndueme, jetën e këtushme. Në praktikë ndryshon puna. Duhet me pasun durim deri qi të bâjë vêndi për vete. E kur të më bâjë mue vêndi për vete e dij mirfilli se këtu për të ndêjtun mâ s’kam, se mbas nja tre muejsh mosh’e ime rrafshohet te 70-t. Ishte dashun t’isha shumë mâ i rí. Por më ra lota në pleqní, e ksaj s’ke ç’i bân, mâ se ke ç’i bân dekës. Kam qênë mësuem me bâmë thjeshtë nji jetë tavoline, me ardhun kush e me më thânë “buka gati”, me pritun e me përsjellë miq, edhe kur s’kam pasun për ta veçse buk’e krypë. E këtu po më duhet me kryem zyrën e amvisës, tue të shkruem tý këtë letër me e pasun mênden edhe te nji gjâ tjetër, te nji punë shtëpije a pazarit. Se, djalin po se po, po edhe vajzën e kam në punë përjashta tue bâmë orët e zyrës së vet, se ndryshe këtu s’ecka jeta. Qe, por edhe shpërblimi qi i lanë të tâna këto ndryshime : jam në shtëpí t’eme me djalë e vajzë pranë qi më duen e m’adhurojnë e qi punojnë për vete edhe për mue, mbrâmen e kalojmë bashkë si e ku të na dojë shpirti! Jemi vetëm qyqe për Shqiptarë edhe për miq të huej gati. Se të huej, për mue, edhe me pasun sa deti, âsht si mos me pasun asnji ; mâ zi, se mërzitem e s’und merrem vesht me ta.
Pra, lum miku, letra të gjata si dikur e aqë të shpeshta nuk do të presësh mâ prej meje. Ke për t’i pasun rrallë e për mallë. Kjo qi po kam në dorë, mâ parë e mâ dalë do të të bjerë urimet e mija fort të përzêmërta për Kërshëndella e Mot të Ri. Së dyti âsht edhe përgjegjeja e dý letrave të tuja: me 13 korrik e 2 nânduer.
M’a ke lavduem ashtu si meriton përnjimênd Kërçikun. Âsht nji burrë qi, për dije e vetija, nderon veten, familjen, mikun edhe vêndin e kombin e vet.
Artikullin t’em qi paske kënduem në HD un s’e kam. Un kam nisun të shkruej ndër fletore e rivista shqiptare qyshë në 1912 e s’kam ruejtun kurrgjâ prej atyne shkrimeve, sidhe askush s’i ka përfillë me i zânë me gojë ndonji herë – posë Joklit nji herë të vetme më duket-. Ky i yti âsht nji argument i gjatë, qi e kemi rrahun bashkë edhe tjera herë. Por këtu më duhet me e trajtuem a sommi capi.[1]
Pikë mâ së pari, nji herë mue më duket krejt gabim “me i interpretue të tâna punët e Balkanit e të Shqipnisë me tê prej anës fetare”, në qoftë se don me thânë punët politike.
E dyta, për me folë vetëm në qarkun e ngushtë t’onin, dmth. shqiptar, po të konfirmoj se un kam njohun myslimanë shqiptarë qi kanë dashun mâ fort vëllan’e gjakut se atê të fesë qi ka qênë i huej ; myslimanë qi kanë luftuem me gojë, me pêndë a me pushkë kundra zotnuesit tyrk për të drejtat e zakonet shqiptare ; po kështu ka pasun katholiq shqiptarë qi kanë dashun dhe duen mâ mirë Shqiptarin mysliman në krye të sundimit se nji të huej katholik ; e orthodoksa shqiptarë qi kanë parapëlqyem e parapëlqejnë nji Shqipní të lirë, nj’ashtu siç âsht me nji shumicë myslimane, se me i sunduem Greku, vëllau i fesë. Sa po thom këtu, âsht vetë evidenca historike aktuale. Ti e din se P. Gjergji i yt e i ynë të gjithe, ka shkruem se e keqja i erdh Shqipnisë “qyshse erdh pasha turçelí – edhe ipeshkvi jabanxhí”. Âsht e vërtetë se ti po e ke fjalën vetëm te myslimanët. Por pse mos me e përgjithsuem? Âsht mâ e drejtë kështu.
Por kujtoj se në nji pikë jemi të kuptuem : qi flasim për kategorin’e zgjedhun të Shqiptaret, jo për turmat. Se këto do t’i gjêjmë kudo e kurdo në rrugën e shtymsit (instinktit) ase t’atyne qi janë mâ të zott me i manovruem tue i prekun ndër telat mâ të ndieshëm simbas rasës. E ndër këta tela, ai i fesë ndoshta âsht mâ i ndieshëm se të gjithë tjerët, tue folë përgjithsisht. Kështu qi, sa për turmat, të lâna në krye të vet, këto kishin me ndjekun fenë mâ parë se kombsinë. Por ç’fé? Jo fenë authentike, ashtu si âsht përnjimend feja, cillado qoftë ; por ashtu si e ka kuptuem turma vetë, nji fé qi u përshtatet zakoneve të saja, dmth. si va ka përshtatun turma vetë këtyne, qofshin të mira a të këqija, të pajtueshme me fenë përnjimênd apo jo.
Un, n’artikullin t’em qi paske kënduem, s’kam sŷnuem Shqiptarë “me kulturë shumë të naltë”, as thjesht me kulturë, por Shqiptarë qi kishin çelë sŷtë në nji mënyrë a nji tjetër e ishin dalluem prej turmash, kishin dalë mbi to. Prej ksish ka pasun edhe djelmosha e burra të pjekun qi kanë mbetun ndër luftime patrijotike, qi janë kalbun nëpër burgje, qi kanë vuejtun në mënyra tjera. Sa përse nuk i njeh kush e s’ka kush nji fjalë të mirë, makare, për ta, nuk âsht faji i tyne.
Shëno se n’atë perjodë para – e mbastyrke për të cillën kam shkruem un në HD, Tirana ka qênë nji pjesë (distrikt, kazá, kajmekamllek) e qarkut (prefekturës) së Durrsit. Po qe se un paskam folë për “shqiptarë” (patrijota) të qarkut të Durrsit, shiko se ka edhe ndonji tjetër shkrim t’emin në kolekcjonin e HD, nji ase dy i mbaj mênd mirë, se kanë qênë polemikë me P. Marin Sirdanin shi rreth nji argumenti qi jemi tue rrahun. Ai akuzonte për tradhtorë disa Toptanas (jo Esatin, po tjerë) për disa fakte qi un i dijsha mâ së miri. Në qarkun e Durrsit, un kam folë për patrijotë qi kanë luftuem me pushkë kundra Tyrqisë në Fushë të Krujës, në qytet mbrênda, në Sarisalltik e në Milot; e kundra turmës së qarkut të vet në Rrashbull për Princin Wied. Nuk jam tue thânë e s’kam thânë se bânë namin, por dhanë prova se dojshin Shqipninë mâ fort se Tyrqinë. E kanë luftuem edhe kundra Esat Toptanit. Tue folë për këta patrijota, un s’kam dashun e nuk due aspak me i naltuem përmbi ata të krahinave tjera të Shqipnisë. Ku mâ shumë e ku mâ pak, patrijota ka pasun kudo në Shqipní. E duhet me pohuem edhe se kudo, myslimanë, orthodoksë apo katholiq, ofshe për kombin t’onë, kanë qênë nji pakicë e vogël. Âsht e kotë me shkuem mâ gjatë.
Ismail Kemali, nj’ashtu si e njoh un vetë qi e kam studjuem mjaft mirë jetën e tij, ka qênë nji patrijot i shquem. Ka mujtun me marrë pare prej nji Shteti a nji tjetri për me jetuem përjashta, jo ka mujtun, por ka marrë sigurisht. Këtë punë kemi mujtun me e kritikuem e madje me e quejtun shkandull e tradhtí dikur, kur ishim ende foshnje në politikë, në politikën shqiptare si edhe të botës tjetër e kur ishim ende krejt esull në historí; por jo në këtë moshë e mbas sa bijografishë të famshme qi kemi kënduem. Të kishte lakmuem pare Ismail Vlora, ato i kishte pranë Sulltan Hamidit me grusht pa hjekun keq me i kërkuem ngjeti. Sa për Turkhan Pashën, dij vetëm se ka dekun në miseria[2] e s’ka pretenduem as ai vetë as tjetërkush për tê patrijotizëm kurrë.
Fjalët qi nuk shkruhen thjesht për historí – e për historí të vërtetë dhe jo për libra shkollash- duhet me i marrë e gjykuem simbas rrethanash ndër të cillat janë shkruem e simbas qëllimit të shkruesit. Kështu pra do të merren artikujt e gazetave a të rivistavet. Tue folë pra parimisht e ndërmjet nesh, edhe un si ti, kurrë s’e kam quejtun patrijotizmën mâ të naltin vërtyt njerëzuer. Po t’a pohoj këtu nj’ashtu si po më vjen e si po e ndiej mendimin t’em mbi mâ të naltin vërtyt njerëzuer: âsht gatshmënija për çdo flí qi mund t’i shërbejë njâj së mire njerzore. Nuk dij a âsht nji përcaktim i qartë. Këtu adjektivi njerzuer duhet marrë në kuptimin e njeriut si dhe të njerzet e të njerzisë mbarë. Zbatimi efektiv i dashunisë së krishtênë (carità cristiana) deri në vetmohim të plotë, ndoshta do të kishte të njâjtin kuptim. Por andej un s’kam pse prek me tý.
Me sá më resulton mue nga këndimet e mija, të tâna fetë monotheiste kanë të njâjtin qëndrim kundrejt kombsisë e pra edhe atdheut. Prandej âsht kot me bâmë dallime. Çdo fé qi njeh nji Zot të vetëm, të tânë njerzit qi adhurojnë atë Zot do t’i quejë vllazën e s’ka si i dallon mbas gjuhës qi flasin e zakonesh qi kanë. E anasjelltas, nuk po thom feja, por besimtarët e njâj feje, cilado qoftë, njohin për vllazën shoshoqin, por jo ata të feve tjera. Shkurt, besimet synojnë dashunimin vllaznuer universal, jo dasitë kombtare, kanë për qëllim naltimin qielluer të njerëzisë mbarë, jo mizerjet toksore të krijueme prej zhvillimit të shoqnisë.
Prej libravet qi më ke lypun, Gjorgjeviqin shqip kam uzdajë, madje jam i sigurtë se kam me e gjetun për vete edhe për tý. Kur kam pasë botuem në Zadër atë përkthim i kam pasë dërguem këtu nja 500 copë hajsmi për me i shitun. S’kam marrë asnji pare e, si po e sheh, edhe vetë kam mbetun pa asnji copë. Njeriu qi i ka pasë marrë për me i shitun, faleminderës Zotit për tê, âsht ende gjallë. Kam shkëmbyem me tê edhe të fala e nji letër, por pun’e libravet ka mbetun pezull. Ai zotní banon andej afër Washingtonit, pra nja 12 orë larg prej meje. Shpresoj me dalë andej kah prendvera. Atë librin e dokumentavet i a kam pasë dërguem nji shoqi n’Italí për nji konsultim. Ai tash gjindet në këtë dhé si un e nji ditë do të m’a kthejë sigurisht. Por kam, kur të më jetë kthyem, vetëm nj’atë kopje e s’kam ku gjêj tjetër. Të Lumo Skendo-s s’kam pasun kurrë asnji libër në mërgim. E nuk e dij kush të paska bâmë fjalë për tê, se un jo.
E qe se s’mbet vênd mâ për tjetër. Prandej po t’a shtrij dorën përmbi oqean e të them tu mirë mbetsh me gjithë të mirat.
Mustafa
[1] It. : ndër pikat themelore
[2] It. : mjerim
Komentet